Gafa e Shqipërisë së Madhe

Qeveria e Tiranës po përpiqet të pakësojë dëmin e shkaktuar nga një deklaratë e habiteshme mbështëtjeje e një ministri për një Shqipëri të Madhe

Gafa e Shqipërisë së Madhe

Qeveria e Tiranës po përpiqet të pakësojë dëmin e shkaktuar nga një deklaratë e habiteshme mbështëtjeje e një ministri për një Shqipëri të Madhe

Përpjekjet e qeverisë për ta paraqitur veten si një forcë të moderuar dhe progresiste në rajon kanë marrë një goditje të rëndë javën e kaluar kur një ministër ka bërë thirrje për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.


Ministri i drejtësisë Arbën Imami, Partia Aleanca Demokratike, PAD, e të cilit është një anëtare e koalicionit qeveritar, ka thënë se partia e tij po punon për të shpejtuar "bashkimin paqësor të Shqipërisë me Kosovën".


Katër partitë e tjera të koalicionit janë distancuar menjëherë nga deklarimet e tij, të bëra në një deklaratë ku paraqitej platforma e PAD-së për zgjedhjet e ardhëshme.


Megjithëse i njohur për qëndrimet e tij eksentrike, Imami nuk është konsideruar si një nacionalist, por si një forcë qetësuese dhe stabilizuese në politikën Shqiptare. Për këtë arësye edhe ambasadorët e huaj në Tiranë janë gjendur të habitur kur ai ka thënë se është i sigurtë që Shqipëria e Madhe do të ketë edhe mbështetjen e Bashkimit Europian.


Imami ka deklaruar se dëshira për bashkim është në të njëjtën gjatësi valësh edhe me zhvillimet botërore: "Nuk ka dy Vietname, as dy Gjermani dhe nuk do të ketë dy Kore," ka thënë ai duke mbështetur deklaratën e tij.


Por, për shumë njerëz, Imami ka zgjedhur momentin më të keq për të bërë këtë deklaratë. Pavarësisht nëse ai përfaqëson pikpamjen e një pakice, në gjirin e qeverisë, fjalët e tij kanë një peshë politike në Europën jug lindore.


Shqipëria ka fituar simpatinë e komunitetit ndërkombëtar për dënimin që i ka bërë lëvizjes së Shqiptarëve etnik në Maqedoni dhe kontributin e saj në zgjidhjen e konfliktit atje. Tirana ka kërkuar edhe vëzhgimin e kufirit të saj me Maqedoninë nga NATO-ja pas akuzave të Shkupit se ajo po "mbështeste ekstremistët Shqiptarë".


Roli diplomatik i vendit dëmtohet rëndë kur një ministër i qeverisë shprehet në favor të ekspansionizmit Shqiptar. Burime të afërta me Kryeministrin Ilir Meta thonë se Imami ka kryer një vetë vrasje politike.


Deklarimi i Imamit mund të dëmtojë imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë, pikërisht kur ajo po përpiqet të lërë pas të kaluarën e sundimit komunist dhe një tranzicion të vështirë dhjetë vjeçar.


Në një përpjekje për të zbutur dëmin, qeveria ka kundërshtuar deklarimet e Imamit. "Shqipëria është kundër ndryshimit të kufinjve dhe është për ndërtimin e një Kosove Europiane të lirë, demokratike," thuhej në një deklaratë të qeverisë.


Shumë politikanë kryesorë Shqiptarë kanë theksuar se Imami ka shprehur një mendim të tijin i cili nuk përfaqësonte mendimin e shumicës së Shqiptarëve.


"Deklarata të tilla dëmtojnë kauzën Shqiptare," ka thënë ministri i jashtëm Paskal Milo. "Kjo deklaratë dëmton edhe marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar".


Në të vërtetë, reagimi Amerikan ndaj deklaratës së Imamit ka qenë i menjëhershëm. Një orë pas deklaratës së Imamit, ambasadori Amerikan Xhozef Limpreht ka kundërshtuar ministrin e drejtësisë. "Kur një ministër i qeverisë bën thirrje për krijimin e një Shqipërie të Madhe kjo interpretohet si një mbështetje për terroristët dhe elementët ekstremistë," ka thënë më pas diplomati.


Limpreht ka mbetur pa dyshim i habitur nga shpërthimi i Imamit sepse Perëndimi e kishte konsideruar ministrin e drejtësisë si një aleat.


Ende nuk është e qartë se çfarë mund të ketë shkaktuar këtë reagim të Imamit. Shqiptarët në të dyja anët e kufirit nuk janë kaq të zellshëm për të punuar për bashkimin sa duket se beson Imami. Janë të paktë Shqiptarët të cilët mendojnë se Shqipëria e Madhe është një zgjidhje për problemet e rajonit.


Përkundrazi, një Shqipëri e fortë ekonomikisht dhe politikisht është e aftë të bëhet një faktor stabiliteti në Ballkan, sepse ajo do të jetë më e aftë për të mbështetur të drejtat e Shqiptarëve në të gjithë rajonin.


Nëse Shqiptarët nuk e shprehin qartë se ata janë kundër çdo ndryshimi të kufinjve të vendit, mbështetja për qeverinë e Tiranës mund të marrë fund lehtësisht.


Llazar Semini është drejtues i projektit të IWPR-së në Shqipëri.


Frontline Updates
Support local journalists