Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Forcat Jugosllave do të Hyjnë në Zonën e Sigurisë

Beogradi ka mirëpritur vendimin e NATO-s për të lejuar hyrjen e forcave Jugosllave në zonën e trazuar të sigurisë në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës
By Miroslav Filipovic

Qeveria Serbe ka përshëndetur si një fitore vendimin e NATO-s këtë javë për të lejuar hyrjen e forcave Jugosllave në një pjesë të vogël të zonës së sigurisë të krijuar përreth kufirit me Kosovën pas konfliktit të vitit 1999.


Por burime të afërta me ushtrinë Jugosllave thonë se ajo ka rezerva serioze për këtë vendim.


Një zyrtar i NATO-s ka thënë se trupat Jugosllave do të lejohen të hyjnë më zonën e sigurisë prej pesë kilometra, por vetëm në pjesën përgjatë kufirit ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë. Zyrtari ka thënë se kjo mund të përfaqësojë hapin e parë drejt rikthimit të ushtrisë Jugosllave në të gjithë zonën e sigurisë përgjatë kufirit me Kosovën.


Burimi i NATO-s ka thënë, se zonë ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë është zgjedhur për arësye të ankesave të përsëritura të Beogradit se guerrilat Shqiptare kanë kaluar rregullisht kufirin. Guerrilet Shqiptare, anëtarë të Ushtrisë Clirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, UCPMB, veprojnë në Serbinë e jugut që prej më se një viti. Ata synojnë të bashkojnë këto tre bashki me territorin e Kosovës.


Ndërkohë, në Maqedoni, një grup tjetër guerrilas Shqiptarë, e ashtuquajtura Ushtria Clirimtare Kombëtare, UCK, ka filluar të dalë në skenë.


Beogradi ka kërkuar prej kohësh që forcat paqeruajtëse të drejtuar nga NATO-ja në Kosovë, KFOR, të çarmatosin kryengritësit ose të lejojnë trupat Jugosllave të hyjnë në këtë zonë për ta bërë një gjë të tillë.


Vetëm pas nisjes së veprimtarisë së UCK-së në fshatin Tanush në territorin e Maqedonisë, komuniteti ndërkombëtar ka filluar ta shohë me sy tjetër kërkesën e Serbisë.


Maqedonia shihet si një pikë tjetër e mundëshme krize në Ballkan. Komuniteti ndërkombëtar është i vendosur të shmangë çdo mundësi krize dhe rreziku për stabilitetin e Maqedonisë.


Beogradi e ka trumpetuar rikthimin e ushtrisë Jugosllave në këtë zonë si një fitore të madhe diplomatike. Kryeministri federal Zoran Ziziq ka thënë se një gjë e tillë do të ndihmojë në sigurimin e të gjithë kufirit.


Vendimi i NATO-s është interpretuar edhe si një pranim i thënieve të qeverisë Serbe se Shqiptarët janë "njerëzit e këqinj" në rajon të cilët kërkojnë të përhapin dhunën përtej Kosovë.


Kryeministri Serb Zoran Gjinxhiq ka thënë në të kaluarën se fakti që Shqiptarët po e tregojnë veten e tyre është një gjë e mirë për Beogradin. Ai thotë se tani të gjithë e kanë kuptuar atë që kanë thënë prej kohësh Serbët - Shqiptarët janë shkaku i të këqijave në rajon.


Analistët ushtarakë megjithatë janë më të kujdesëshëm, dhe thonë se vendimi i NATO-s, pavarësisht se mund të duket në favor të ushtrisë Jugosllave, në fakt është pasojë e dëshirës së KFOR-it për të mos humbur jetë të trupave ndërkombëtare.


"Ata na kanë mashtruar edhe një herë," thotë një burim nga ushtria Jugosllave. "Kur ka luftime, ka edhe ushtarë të vrarë e të plagosur. NATO-ja mendon se është më mirë që këta të jenë Serbë sesa të tyre. Unë nuk i di ende hollësitë e planit, por ai mund të rezultojë në fund si një 'mision i pamundur' për ushtrinë".


Analistët theksojnë problemet e mëdha që mbeten ende për tu zgjidhur. Ata thonë se forcat Jugosllave do të gjenden në mes të dy zjarreve nga rebelët Shqiptarë.


Për më tepër, komandanti i KFOR, Gjenerali Italian Karlo Kabixhozu ka thënë se ushtria federale do të mbahet nën kontroll të rreptë. Njësitë e ushtrisë do të lejohen të mbajnë vetëm deri 50 mitralozë të rëndë kalibër 12.7 mm dhe mortaja të lehta, dhe jo armë të rënda apo mjete të blinduara.


Presidenti Jugosllav Vojisllav Koshtunica ka thënë se zona e propozuar për dislokimin e trupave është e rrezikëshme. Fakti që ushtria është lejuar të kthehet, thotë ai, është një provë që KFOR-i ka dështuar në sigurimin e kësaj zone.


"Ajo që na mungon është më tepër mirëkuptim, dëshirë e mirë nga ana e KFOR-it dhe NATO-s dhe një gadishmëri më e madhe për të rrezikuar diçka, ndoshta pak më tepër kurajo".


"KFOR-i po largohet nga kufiri dhe po fton forcat tona që do të gjenden ndërmjet dy zjarreve. Ushtria natyrisht do ta bëjë këtë, por duhet thënë që ato do të duhet të rregullojnë gabimet e të tjerëve".


Duket se autoritetet e Beogradit, nuk kanë qenë shumë të habitur nga kriza në Maqedoni. Burime të shërbimeve sekrete Jugosllave thonë se Tanusha ka qenë një bazë mjeksore e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës që prej fillimit të konfliktit me Serbinë.


Zëvendës koloneli Dragan Stankoviq, i cili në atë kohë ka komanduar një njësi të kontrollit kufitar në këtë zonë, thotë se trafiku i jashtëligjshëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë ka qenë gjithnjë i madh për shkak të terrenit shumë të thyer malor.


"Ne kemi parë kolona të tëra me njerëz dhe kafshë të ngarkuara që lëviznin në të dyja drejtimet," thotë ai. Disa i kemi arrestuar, por shumë arrinin të kalonin".


Pas tërheqjes së trupave Jugosllave nga Kosova në vitin 1999, një burim i IWPR-së nga ushtria Jugosllave ka thënë se shërbimet sekrete kanë njoftuar kolegët e tyre Maqedonas se Tanusha mund të shndërrohej në një bazë të guerrilasve.


"Tani duket qartë se ata nuk e kontrollojnë dot këtë rajon pikërisht si ne që nuk kontrollonim dot Kosovën," thotë ky burim.


Kontaktet e IWPR-së në ushtrinë Jugosllave thonë gjithashtu se luftimet mund të shpërthejnë shumë shpejt edhe në një pjesë tjetër të Maqedonisë. Ata thonë se sipas informacioneve sekrete të mbledhura gjatë ditëve të fundit, Dibra e Madhe, rreth 50 kilometra në jug të Tanushës pranë kufirit Maqedonas me Shqipërinë mund të jetë pika tjetër e nxehtë.


Miroslav Filipoviq është një bashkëpunëtor i vjetër i IWPR-së.