FITORJA E REFORMATORËVE SERB MUND TË NXISË PROGRESIN

Fitorja e Boris Tadiq në zgjedhjet presidenciale mund të nxisë progresin e reformave në Serbi – gjithnjë nëse pakti i tij me Koshtunicën mbijeton.

FITORJA E REFORMATORËVE SERB MUND TË NXISË PROGRESIN

Fitorja e Boris Tadiq në zgjedhjet presidenciale mund të nxisë progresin e reformave në Serbi – gjithnjë nëse pakti i tij me Koshtunicën mbijeton.

Sipas shumë vëzhguesve, fitorja e Boris Tadiq në zgjedhjet presidenciale të 27 qershorit në Serbi do të fuqizojë programin e brishtë të reformave në vend dhe do të stabilizojë gjendjen politike.


Udhëheqësi pro perëndimor i Partisë Demokratike, DS, ka mundur Tomislav Nikoliq, zëvendës kryetar i nacionalistëve të linjës së ashpër të Partisë Radikale Serbe, SRS, në turin e dytë të zgjedhjeve, duke fituar pak më tepër se 53 përqind të votave krahasuar me 45 të Nikoliq.


Nikoliq ka pranuar humbjen po atë mbrëmje, duke shmangur kështu ndonjë mundësi që ekstremistët e SRS të përdornin dhunën për të shprehur pakënaqësinë e tyre.


Fitorja, e mirëpritur nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, është pritur me eufori në Beograd, duke u konsideruar si rifillimi i lëvizjes së Serbisë drejt integrimit në evropë.


Pavarësisht faktit që rruga e Serbisë drejt anëtarësimit në BE do të jetë e gjatë dhe e vështirë, analistët pranojnë se fitorja e Tadiq ka ndihmuar vendin të bëjë një hap të rëndësishëm përpara.


Ata pranojnë se ndryshimi, do të inkurajojë shumë qeverinë e kryeministrit Vojislav Koshtunica për të vazhduar rrugën e reformave.


Gjatë fushatës së tij, Tadiq e ka bërë të qartë se ai kërkonte një shkëputje të plotë nga konfliktet që kanë dobësuar në të kaluarën partitë e moderuara, pro demokratike në Serbi. Ai ka thënë se votuesit kërkojnë stabilitet dhe janë të lodhur duke votuar – kjo ka qenë hera e katërt që Serbia është përpjekur të zgjedhë një president brenda më pak se dy vjetëve të fundit.


Në ndryshim nga ai, Nikoliq i ka përdorur takimet e tij zgjedhore për thirrje për rrëzimin e qeverisë së Koshtunicës dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare.


Premtimi i Tadiq për të ndërtuar consensus me bllokun pro demokracisë është mbështetur nga bisedimet e momentit të fundit edhe nga rivali i tij Koshtunica. Brenda pak ditësh, ndërmjet turit të parë dhe të dytë të zgjedhjeve, është krijuar një aleancë e cila ka bërë që Koshtunica të përkrahë kandidatin reformator në turin e dytë të zgjedhjeve.


Burime të afërta me Partinë Demokratike të Serbisë, DSS, kanë thënë për IWPR se në marrëveshjen e arritur ka dy elementë kryesorë.


Në shkëmbim të mbështetjes së Koshtunicës në zgjedhje, Partia Demokratike e Tadiq, DS, ka premtuar të mbështesë qeverinë e drejtuar nga DSS, por pa u bërë pjesë e koalicionit qeveritar. Kjo mbështetje do të vazhdojë të paktën deri sa të përgatitet një kushtetutë e re – projekti i së cilës pritet të përgatitet deri në fund të këtij viti – pas së cilës do të thirren zgjedhjet e reja. Shumica e analistëve në Beograd mendojnë që zgjedhjet do të mbahen ose në dhjetor të këtij viti ose në shkurt 2005.


Zgjedhja e Tadiq duket se ka riparuar ndjeshëm dëmin e shkaktuar nga mosmarrëveshjet e gjata ndërmjet partive të cilat kanë qenë më parë pjesë e Opozitës Demokratike të Serbisë, DOS, koalicioni i cili ka rrëzuar Millosheviqin katër vjet më parë.


Konflikti ka qenë më i ashpër ndërmjet DSS së Koshtunicës dhe DS, të drejtuar nga Zoran Gjingjiq, deri në momentin e vrasjes së tij në mars 2003. mosmarrëveshjet kanë vazhduar edhe pasi Tadiq është bërë kryetar i DS në shkurt 2004, kryesisht për shkak të një mosmarrëveshjeje në lidhje me rolin që duhet të luante DS në qeverinë e drejtuar nga DSS.


Përfituesi kryesor i kësaj mungese bashkëpunimi ka qenë Partia Radikale ultranacionaliste. Kjo parti pasi ka pasur rezultate të dobta në zgjedhjet e vitit 2000 si një aleate e Millosheviq, është fuqizuar në zgjedhjet e 2003 duke u bërë partia më e madhe në parlament.


Analistët thonë se fitorja e Boris Tadiq mund të ndalojë SRS, gjithnjë nëse ai dhe Koshtunica vazhdojnë bashkëpunimin e tyre politik.


“Tadiq ka mbështetur një politikë bashkëpunimi për të shmangur konfliktet, dhe kjo ndoshta mund të jetë arësyeja e fitores së tij,” ka thënë Slobodan Antoniq, një professor i sociologjisë në Universitetin e Beogradit.


Mbështetja tjetër për programin e reformave është vendimi i Tadiq për të mos shpërbërë kabinetin e drejtuar nga Koshtunica. Kabineti qeveritar ka qernë në pozita të vështira pasi kandidati i tij është mundur thellë në turin e parë të zgjedhjeve presidenciale.


Duke mbështetur qeverinë e tanishme, Tadiq mund të përdorë kredencialet e tij për të nxitur reformat, thonë analistës. DS dhe DSS kanë si prioritet të tyre vendosjen e lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Evropian.


“Tadiq nuk do të ndryshojë qeverinë,” ka thënë Vladimir Goati, një analist politik i Qendrës për Studime Politike dhe Anketime të Opinionit Publik.


Drejtoresha e qendrës, Ljiljana Baceviq, është e të njëjtit mendim dhe thotë se “nuk ekziston ndonjë mosmarrëveshje ndërmjet qeverisë dhe presidentit, dhe kjo do të thotë që vendi do të ketë mundësi të përqëndrohet në tejkalimin e krizës kushtetuese”.


Megjithatë, Goati ka theksuar se periudha e re e “bashkëjetesës” do të ketë padyshim një “aromë presidenciale”, falë pozicionit të fuqishëm të Tadiq si president dhe dobësimit të pozicionit të qeverisë.


Ngjitja e Tadiq është mbështetur edhe komuniteti ndërkombëtar, i cili e vlerëson atë si dikush i cili mund të mbushë boshllëkun e shkaktuar nga vdekja e Gjingjiq. Të gjitha vendet e mëdha perëndimore kanë mirëpritur zgjedhjen e tij, disa prej tyre me shumë entuziazëm, si një shenjë që Serbia ka zgjedhur përfundimisht rrugën e reformave dhe ka hequr dorë nga nacionalizmi regresiv.


Në momentin e shpalljes së fitores të djelën, Christina Gallach, zëdhënëse e shefit të politikës së jashtëme dhe të sigurisë së BE, Javier Solana, ka thënë për median e Beogradit se “BE është i vendosur të mbështesë me shumë forcë reformat në Serbi dhe marrëdhëniet e saj me Evropën”.


Mbështetja e gjerë ndërkombëtare për presidentin e ri shihet si një ndihmë për reputacionin e Serbië jashtë vendit, pas një viti gjatë të cilit vendi u largua më tepër nga BE pas vrasjes së Gjingjiq.


Nëse marrëveshja ndërmjet reformatorëve mbijeton, Serbia mund të arrijë progress të madh në reformat e saj deri në fund të vitit.


Një prej hapave të para mund të jetë ekstradimi i disa gjeneralëve serb të cilët janë akuzuar nga gjykata a Hagës për krime lufte. Burime të afërta me qeverinë thonë për IPËR se Tadiq dhe Koshtunica po planifikojnë një “skenar kroat” – duke u përpjekur të bindin të akuzuarit kryesorë të dorëzohen vullnetarisht në gjykatë, duke i kursyer në këtë mënyrë qeverisë turpin dhe ndoshta edhe trazira të brendëshme në rast se i detyrojnë këta gjeneralë të paraqiten para gjykatës në Hollandë.


Por jo të gjithë analistët paraqesin një pamje të mirë për të ardhmen, edhe nëse merret si dicka e sigurtë vazhdimi i paktit ndërmjet forcave reformatore.


Slobodan Antoniq paralajmëron se rezultati i ngushtë me të cilin Tadiq ka fituar është një shenjë se shoqëria serbe është e ndarë në pothuajse dy pjesë të barabarta – një pjesë më e suksesëshme pro reformatore dhe një pjesë më e varfër e shoqërisë, anti reformiste.


Kjo gjendje mund të shkaktojë një skenar ku radikalët të rekrutojnë më tepër mbështetje nga ata të cilët përcaktohen si “humbësit e tranzicionit”.


“Cdo kleqësim i gjendjes kërcënon të ndajë edhe më thellë shoqërinë dhe ta shndërrojë Serbinë në një shoqëri të pakënaqur, dhe të varfër si në Bosnje, Malin e Zi dhe Maqedoni,” ka thënë Antoniq.


Zeljko Cvijanoviq është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR në Beograd.


Frontline Updates
Support local journalists