Del Ponte në Beograd

Prokurorja e gjykatës së Hagës Karla Del Ponte ka dalë e nxehur nga një takim me Presidentin Koshtunica

Del Ponte në Beograd

Prokurorja e gjykatës së Hagës Karla Del Ponte ka dalë e nxehur nga një takim me Presidentin Koshtunica

Kryeprokurorja e gjykatës për krime lufte, Karla Del Ponte, ka ndërprerë papritur një takim të saj një orësh me Presidentin Jugosllav Koshtunica, më 23 Janar, pasi thuhet se ai nuk ka pranuar të ekstradojë paraardhësin e tij në Hagë.


Koshtunica thuhet se ka shprehur disa kundërshtime të njohura rreth gjykatës gjatë takimit të tij me Del Ponte.


Sipas njoftimeve, presidenti Jugosllav i ka thënë prokurores së krimeve të luftës se ai e konsideron gjykatën e saj si anti-Serbe dhe të manipuluar politikisht nga Shtetet e Bashkuara. Ai gjithashtu thuhet se ka përmendur edhe një nen të kushtetutës Jugosllave i cili ndalon ekstradimin e qytetarëve të saj, për të kundërshtuar kërkesat për ekstradimin e Millosheviçit.


Pasi ka dalë e nxehur nga takimi me Koshtunicën, Del Ponte nuk ka pranuar të flasë për shtypin.


Ajo pritet të takohet me zyrtarë të tjerë të lartë Jugosllavë, përfshirë Ministrin Federal të Drejtësisë Momçillo Grubac, Kryeministrin Zoran Xhinxhiç dhe Ministrin Federal të Policisë Zoran Zivkoviç.


Del Ponte kishte ardhur në Beograd për të kërkuar ekstradimin e Millosheviçit dhe për të bindur autoritetet Jugosllave të ndërmarrin një qëndrim më bashkëpunues me gjykatën. Megjithëse qëndrimi i Koshtunicës ka qenë i njohur përpara takimit me prokuroren, burime të rëndësishme nga rradhët e ushtrisë Jugosllave kanë thënë për IËPR-në se presidenti e kishte vendosur Millosheviçin në arrest shtëpie në prag të vizitës së Del Pontes, në një përpjekje për të treguar një qëndrim më të zbutur ndaj gjykatës.


Burimet thonë se Millosheviç është larguar nga shtëpia e tij luksoze në Rrugën Tolstoi Nr. 22, në lagjen e pasur të Beogradit Dedinje, në një vilë në të njëjtën rrugë, e cila i përket kundërzbulimit sekret të ushtrisë. Ai është vendosur nën ruajtje 24 orëshe nga trupa speciale të ushtrisë Jugosllave.


Koshtunica, thotë burimi, e ka informuar Millosheviçin për këtë veprim gjatë takimit të tyre tepër të përfolur përpara dhjetë ditëve.


Ministri i ri i brendëshëm i Serbisë, Dushan Mihajloviç, ka thënë se publiku ka të drejtë të dijë vendndodhjen e Millosheviçit në çdo moment meqënëse për ish presidentin është lëshuar një mandat arresti nga gjykata ndërkombëtare dhe se është nën hetim në Jugosllavi për korupsion dhe shfrytëzim pushteti.


Refuzimi i presidentit për të përmbushur kërkesat e gjykatës është përshëndetur në të gjithë Serbinë, veçanërisht nga partia e Millosheviçit, Partia Socialiste e Serbisë. Jugosllavët e kundërshtojnë ekstradimin e ish drejtuesit të tyre sepse ata e konsiderojnë gjykatën ndërkombëtare si anti Serbe. Ata do të dëshironin që ai të gjykohej në Beograd për krime kundër popullit Serb.


Autoritetet e reja të Beogradit reflektojnë pikpamjen popullore. Ata pranojnë që Millosheviçi nuk duhet të dërgohet në Hagë, por këtu ndërpritet edhe konsensusi i tyre.


Një kamp thotë se ai duhet të gjykohet vetëm për korrupsion dhe krime ndaj popullit Serb. Të tjerët thonë se ai duhet të gjykohet për krime lufte, por në Beograd.


Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka vendosur datën 31 Mars si afat për ekstradimin e Millosheviçit në Hagë. Nëse Beogradi nuk përmbush këtë afat, ai mund të mos përfitojë ndihmën e huaj financiare, e cila është tepër e rëndësishme për rindërtimin e vendit dhe rimëkëmbjen ekonomike.


Momçillo Grubac kishte kërkuar një bashkëpunim me gjykatën dhe kishte bërë thirrje që qeveria të dilte me një qëndrim të përbashkët në prag të vizitës së Del Pontes. Por ky qëndrim i përbashkët nuk është arritur.


Ministri i Jashtëm Federal Goran Svilanoviç ka kërkuar që Millosheviç të gjykohet nga gjykata në Beograd.


"Është e mundur që Millosheviçi të dalë përpara gjykatës Jugosllave në bashkëpunim me Hagën," ka thënë ai. Ky është lëshimi më i madh që mund të bëjnë deri më tani drejtuesit e Beogradit për të lejuar edhe pjesëmarrjen e gjykatës së Hagës.


Komentet e Svilanoviçit kanë provokuar një përgjigje të menjëherëshme nga Kryeministri Federal Zoran Ziziç - i cili deri pak kohë më parë ka qenë një aleat i Millosheviçit dhe një kundërshtar i vendosur i gjyaktës. "Ne do të bashkëpunojmë me Hagën vetëm për të shkëmbyer provat materiale, por nga ana tjetër do të synojmë të ruajmë dinjitetin kombëtar dhe interesat shtetërore," ka thënë ai.


Hapja e një zyre të gjykatës në Beograd "nuk do të thotë automatikisht pranim i të gjitha kërkesave të saj," ka shtuar Ziziç.


Senatori Amerikan Xhozef Biden, pas një takimi me Koshtunicën më herët këtë muaj, kishte lënë të kuptohej se presidenti Jugosllav po shkonte drejt një pozicioni kompromisi, dhe për pasojë Millosheviçi mund të dilte para gjyqit në Beograd.


Pikpamjet e ndryshme të politikanëve të lartë Serbë shpjegojnë edhe vendimin e Del Pontes për të takuar disa nga figurat kryesore gjatë vizitës së saj.


Burime pranë Koshtunicës thonë se ai fillimisht nuk kishte pranuar të takonte Del Ponten për shkak se ajo kishte hedhur poshtë kategorikisht mundësinë e gjykimit të Millosheviçit në ndonjë vend tjetër përveç Hagës. Koshtunica është detyruar ta takojë Del Ponten për shkak të presioneve nga partnerët e koalicionit.


Partneri i koalicionit dhe rivali i Koshtunicës, Xhinxhiç e ka përdorur refuzimin fillestar të presidentit për t'u takuar si një mundësi për t'u treguar si më pragmatik, duke thënë se ai do ta takonte kryeprokuroren.


Del Ponte do të takohet me Xhinxhiçin sot por edhe ai nuk ka mundësi që të mbështesë ekstradimin e Millosheviçit. Kryeministri përballet me një problem praktik. Paraqitja e ish presidentit në gjykatën e Hagës pa dyshim do të çonte edhe një ekstradimin e disa zyrtarëve të lartë të policisë dhe ushtrisë.


Shumë nga këta zyrtarë, veçanërisht në rradhët e policisë, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rrëzimin e Millosheviçit më 5 Tetor dhe tani janë njerëz shumë të afërt të Xhinxhiçit.


Në një intervistë me revistën e Beogradit NIN në Dhjetor, Xhinxhiç ka thënë se ai ishte "shumë i sigurtë se shumica" e zyrtarëve të lartë të policisë të cilët e kanë ndihmuar në Tetor janë në listat e Hagës të të dyshuarve për krime lufte. "Por unë më mirë tërhiqem nga politika sesa të lejoj ekstradimin e tyre në Hagë," ka shtuar ai.


Del Ponte ka njoftuar përpara vizitës së saj se në shenjë dëshire të mirë ajo do të informonte Koshtunicën për identitetin e pesë nga një numër i panjohur i qytetarëve Jugosllavë të akuzuar për krime lufte.


Pas dështimit të bisedimeve, prokurorja e Hagës nuk i ka dorëzuar këto emra presidentit, i cili kishte premtuar se do ti bënte publik. Ajo në fakt ka lënë të kuptohet se ajo mund t'ja dorëzonte këto emra ministrit federal të drejtësisë.


Përveç çështjes së Millosheviçit, Del Ponte ka edhe disa çështje të tjera për të diskutuar me zyrtarët Serbë, rezultatet e të cilave do të bëhen publike gjatë konferencës së saj për shtyp ditën e Enjte.


Pesë zyrtarë të lartë Jugosllav janë akuzuar së bashku me Millosheviçin në Maj të vitit 1999. Ekziston ende edhe çështja e të ashtuquajturve "Tre të Vukovarit', oficerë të ushtrisë Jugosllave të akuzuar për krime në Kroaci në vitin 1991. Natyrisht janë edhe 17 zyrtarët Serbë të Bosnjes të akuzuar nga gjykata të cilët dyshohet se fshihen në Serbi.


Shumë vëzhgues në Beograd mendojnë se ekstradimi i "Tre të Vukovarit", pikërisht Veselin Shlivancanin, Mile Mrksiç, dhe Miroslav Radiç, mund të jetë kërkesa e parë e Del Pontes. Kjo mund të përbëjë një mundësi për politikaënt Serbë që të dëshmojnë vendosmërinë e tyre për të bashkëpunuar me gjykatën.


Por ajo që është e qartë është se autoritetet Serbe kanë nevojë për më tepër kohë për të konsoliduar pushtetin e tyre dhe për të bindur publikun për të pranuar faktin se bashkëpunimi me gjykatën ndërkombëtare për krime lufte është i pashmangshëm.


Zheljko Cvijanoviç është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Serbia, Croatia
Frontline Updates
Support local journalists