Braktisen Kroatët e Bosnjës

Kroacia duket se do të prishë aleancën e saj të diskutueshme me kroatët e linjës së ashpër në Bosnie dhe Herzegovinë.

Braktisen Kroatët e Bosnjës

Kroacia duket se do të prishë aleancën e saj të diskutueshme me kroatët e linjës së ashpër në Bosnie dhe Herzegovinë.

Tuesday, 8 February, 2000

Fushata elektorale presidenciale në Kroaci ka dhënë edhe një sinjal të fortë se autoritetet e reja në Zagreb do të distancohen nga Kroatët e Bosnies.


Të dy kandidatët, Stipe Mesiq dhe Drazhen Budisha, kanë lënë të kuptohet gjatë gjithë fushatës së tyre se vdekja e Franjo Tugjman dhe humbja e partisë së tij Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) në zgjedhjet e muajit të kaluar i kanë dhënë fund edhe lidhjeve aq të kritikuara të Kroacisë me kroatët përkrahës së linjës së ashpër në Bosnie.


Megjithëse vende të veçanta dhe të pavarura që prej vitit 1991, Kroacia dhe Bosnie Herzegovina vazhdojnë të mbeten shumë të varura nga njëra tjetra, të lidhura nga historia, pozita gjeografike, interesat ekonomike dhe shumë aspekte të tjera të jetës së përditëshme.


Për pjesën më të madhe të kësaj dekade, marrëdhëniet me Kroacisë dhe Bosnies dhe veçanërisht, ndërmjet Kroacisë dhe popullsisë jo-kroate të Bosnies, kanë qenë tepër të tendosura. Arësyeja kryesore ka qenë refuzimi i Tugjmanit për të pranuar një shtet boshnjak të pavarur dhe perpjekjet e tij për të përfshirë brenda kufijve të Kroacisë edhe territore të tjera të populluara nga kroatët.


Kjo politikë, e cila ka gjetur bashkëpunëtorë dhe ndjekës në rradhët e nacionalistëve kroatë të Bosnies, ka cuar edhe në luftën ndërmjet kroatëve dhe boshnjakëve muslimanë në republikë. Gjatë konfliktit, Tugjman ka dërguar sasi të mëdha armatimi, municionesh, dhe pajisje të tjera, dhe dislokoi edhe njësi të rregullta të ushtrisë kroate për të mbrojtur idenë e tij për një "Kroaci të madhe" duke përfshirë në të edhe një pjesë të Bosnies.


Pas luftës, Tugjman ka vazhduar të financojë institucionet e kroatëve të Bosnies, të cilët nuk kanë pranuar idenë e një federate të përbashkët boshnjako-kroate. Kroatët e Bosnies në këto momente kanë të drejtë të kenë pasaporta kroate dhe të marrin pjesë në votime në Kroaci, gjë e cila shihet me sy të keq nga udhëheqësit boshnjakë muslimanë dhe nga zyrtarët ndërkombëtarë në Bosnie.


Niveli i saktë i ndihmave kroate për kroatët e Bosnies nuk dihet, por shumë analistë thonë se ato kapnin shifrën e mbi 100 milionë dollarë amerikan në vit. Pjesa më e madhe e ketyre parave mendohet se ka përfunduar në xhepat e atyre që kanë drejtuar luftën, industrialistëve të mëdhenj, dhe ndoshta edhe të kriminelëve në Bosnie dhe Kroaci.


Mbështetja kroate për kroatët e linjës së ashpër në Bosnie e ka varfëruar Kroacinë, ka kontribuar në rënien e standartit të jetesës së kroatëve të thjeshtë, dhe ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Kroacisë. Për më tepër, kjo ndihmë ka qenë një faktor vendimtar në humbjen e HDZ në zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar dhe ka bërë që të dy kandidatët për president të Kroacisë të distancoheshin nga kjo politikë.


Të dy kandidatët e kanë bërë të qartë se kroatët e Bosnies, përkrahës së linjës së ashpër nuk do të përfitojnë më subvencione sekrete dhe marrëveshje të fshehta, dhe se në të ardhmen ndihma kroate do të drejtohet në projekte rindërtimi të cilat u interesojnë jo vetëm të gjithë boshnjakëve, por edhe vetë Kroacisë.


Duke e pranuar Kroacinë si një vend të pavarur dhe sovran, Budisha dhe Mesiq kanë përsëritur disa herë se kroatët e Bosnies nuk mund ta konsiderojnë veten si diasporë kroate, por duhet të gjejnë vendin e tyre brenda Bosnies në bashkëjetesë me grupet e tjera etnike të vendit. Analistët presin që parlamenti kroat të revokojë të drejtën e kroatëve të Bosnies për të votuar në zgjedhjet e ardhëshme në Kroaci.


Ndërsa shumë serbë të Bosnies dhe boshnjakë e kroatë të moderuar nuk kanë pasur ndonjë preferencë për Mesiq apo Budisha dhe kanë pëlqyer që të dy kandidatët, kroatët e Bosnies kanë qenë kundër të dy kandidatëve.


Në mungesë të financimeve kroate për një para-shtet kroat në Bosnie, analistët presin që edhe pozita e udhëheqjes së HDZ në Bosnie të tronditet gjatë muajve të ardhëshëm, megjithëse ndoshta kjo nuk ka për të ndodhur përpara zgjedhjeve bashkiake të planifikuara për tu mbajtur në muajin prill.


Mosmarrëveshjet brenda HDZ së Bosnies, të cilat kanë ekzistuar gjithnjë, tanimë kanë filluar të shfaqen haptazi, dhe po shtohen zerat që thonë se pas dështimit të HDZ në Kroaci, mund të krijohen parti të reja.


Javën e kaluar, e përditëshmja e Sarajevës Dnevni Avaz ka njoftuar se Jadranko Prliq, një zëvendës kryetar i rëndësishëm i HDZ dhe ministër i jashtëm i Bosnies, së shpejti do të largohet nga HDZ dhe do të krijojë partinë e tij, Bashkimin Popullor Kroat.


Janez Kovaq është gazetar nga Sarajeva që kontribuon rregullisht për IWPR-në.


Frontline Updates
Support local journalists