Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

BEOGRADI THOTË SE KA ARRITUR NJË FITORE DIPLOMATIKE PËR KOSOVËN

Qeveria e re shpreson se mënyra me të cilën ka përballuar krizën e ka kthyer perëndimin kundër shqiptarëve.
By Zeljko Cvijanovic

Analistët thonë se qeveria e re serbe e Vojislav Koshtunicës ka arritur të kontrollojë me sukses zermërimin e publikut mbi krizën në Kosovë, duke zgjidhur një situatë e cila kërcënonte të radikalizonte opinionin publik dhe të shtonte pasionet nacionaliste.


Në kundërshtim me parashikimet se administrata e pakicës e krijuar nga shumë parti do të shpërbëhej për shkak të mosmarrëveshjeve të brendëshme, ekipi i


Koshtunicës e ka përballuar lajmin e trazirave në Kosovë në mënyrë të përgjegjëshme duke habitur edhe përkrahësit e saj.


Pasi lajmet e para për trazirat janë transmetuar në televizionet dhe radiot në Serbi natën e 17 dhe 18 marsit, rreth dhjetë orë pas shpërthimit të dhunës ndaj serbëve në Kosovë, ka ekzistuar rreziku i një radikalizimi politik dhe ndoshta edhe i rrëzimit të qeverisë.


Ndërsa grupe të mëdha njerëzish kanë organizuar protesta të dhunëshme në Beograd dhe në Nish, në jug të Serbisë, duke djegur edhe dy xhami, gjendja dukej se po dilte jashtë kontrollit.


Publiku fillimisht ka fajësuar ministrin e ri të brendëshëm Dragan Jociq për përgjigjen e tij të ngadaltë, qeveria rimorri në dorë inisiativën, duke dënuar me forcë djegien e xhamive në Serbi.


Kërkesat e disa zyrtarëve të qeverisë se ushtria e Serbisë dhe Malit të Zi duhet të kthehej me forcë në Kosovë, pavarësisht pozicionit të komunitetit ndërkombëtar i cili drejton provincën, janë eklipsuar shumë shpejt nga deklarimet e forta të qeverisë të cilat kanë shmangur përshkallëzimin e krizës.


Ministri i mbrojtjes, Boris Tadiq, ka thënë se ishte e papranueshme që turma huliganësh të paraqesin imazhin e Serbisë jashtë vendit. E vetmja përgjigje e tyre ndaj dhunës ndaj serbëve në Kosovë është të djegin objekte të tjera të shenjta kulti, ka thënë ai.


“Luftënxitësve, të cilët nuk janë përgjegjës për veprimet e shtetit dhe që vetëm kërkojnë ndërhyrje ushtarake – në kundërshtim me interesat tonë të sigurisë dhe Rezolutës 1244 të OKB – duhet t’u mbyllet goja,” ka thënë ai.


Duke thënë se kriza nuk mund të zgjidhej pa ndihmën ndërkombëtare, qeveria serbe më 17 mars ka kërkuar thirrjen me urgjencë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.


Të nesërmen, ministri i jashtëm, Goran Svilanoviq dhe këshilltari i Koshtunicës, Slobodan Samarxhiq, kanë fluturuar në Neë York dhe Uashington për ti kërkuar komunitetit ndërkombëtar të parandalojnë një pogrom ndaj serbëve që kanë mbetur në Kosovë dhe për të dënuar ekstremistët shqiptarë etnik.


Brenda vendit, qeveria u ka kërkuar të gjitha partive në parlament më 18 mars të mbështesin platformën që Kosova nuk mund të mbrohet ushtarakisht, por vetëm me mjete politike.


Sipas analistit politik, Obrad Kesiq, autoritetet e Beogradit e kanë kaluar sprovën e parë të madhe në Kosovë.


“Qeveria ka treguar maturinë e saj dhe ka përballuar me sukses sfidën e parë serioze,” ka thënë ai, duke shtuar se ministrat kishin arritur me sukses të arrinin një konsensus politik.


Një prej arësyeve më të rëndësishme në suksesin e qeverisë për të fituar përkrahjen e qarqeve të fuqishme nacionaliste dhe për ti bindur ata të mbështesin zgjidhjen e krizës me mjete paqësore ka qenë përfshirja e Amfilohije Radoviq, peshkopi i Malit të Zi.


Megjithëse njihet gjerësisht në publik për pikpamjet e tij shumë nacionaliste, peshkopi ortodoks është shfaqur përpara xhamisë që po digjej në Beograd duke i kërkuar turmës së nervozuar të mos e digjte atë.


Megjithëse thirrjet e tij kanë rënë në vesh të shurdhër, fjalët e tij kanë shkaktuar një reagim në rradhët e qarqeve nacionaliste, pjesa më e madhe e të cilëve më pas kanë dënuar ashpër sulmin mbi xhaminë e Beogradit.


Edhe Partia Radikale Serbe, SRS, partia më e madhe e opozitës në Serbi, ka dënuar sulmin, në vend që të përpiqej të nxiste një valë protestash dhe të rrëzonte qeverinë, sic prisnin fillimisht shumë njerëz.


Duke integruar radikalët në në këtë qëndrim, Koshtunica ka bërë që asnjë parti të mos ketë mundësi të fitojë kapital politik nga kjo situatë.


Serbia është shpërblyer edhe me dënimin nga ana e komunitetit ndërkombëtar për ekstremistët shqiptarë të Kosovës.


Peter Schieder, Kryetari i Asamblesë Parlametare të Këshillit të Europës, i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, duke e qortuar atë se nuk ka dënuar qartësisht dhunën në provincë.


“Mungesa e një dënimi të qartë nga udhëheqja e shqiptarëve për dhunën e ushtruar ndaj serbëve në Kosovë është e turpëshme,” ka thënë Schieder.


Më 19 mars, komandanti i NATO-s për Europën juglindore, Gregory Johnson, e ka përshkruar dhunën në Kosovë si “spatrim etnik”: ky term është bërë tepër i njohur në vitet 1990 dhe është përdorur për sulmet e serbëve ndaj muslimanëve dhe kroatëve në Bosnje.


Franca, e cila ka edhe numrin më të madh të trupave në rradhët e KFOR, ka dënuar gjithashtu dhunën ndaj serbëve të Kosovës.


Korri i mbështetjes ndërkombëtare ka krijuar një ide në Serbi se qeveria e Koshtunicës ka arritur me sukses të ndryshojë mendimin ndërkombëtar jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë.


Analisti politik Zoran Lutovac thotë se qeveria ka hedhur poshtë tanimë disa reagime të pafavorëshme nga komuniteti ndërkombëtar për qeverinë e re, bazuar në vendimet e saj për tu mbështetur tek partia e vjetër socialiste e Millosheviq për të siguruar shumicën në parlament.


“Ne duhet të mos harrojmë që imazhi i Serbisë është dëmtuar pas vrasjes së Zoran Gjingjiq, zgjedhjeve të dhjetorit dhe krijimit të një qeverie të re me ndihmën e Partisë Socialiste të Serbisë,” ka thënë ai.


Analisti politik Dushan Janjiq ka thënë se qeveria ka arritur një fitore diplomatike, duke u përqëndruar “në bashkëpunimin e plotë me komunitetin ndërkombëtar dhe në bisedimet”.


Suksesi i ofensivës diplomatike serbe ka cuar tanimë në një përgjigje më të ashpër ndaj dhunës nga ana e forcave ndërkombëtare në Kosovë.


Beogradi mendon të sigurojë përfitime politike nga kjo politikë. Vecanërisht, ai shpreson që komuniteti ndërkombëtar tani do të konsiderojë seriozisht ndarjen e Kosovës ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, duke shmangur kështu frikën më të madhe të Serbisë, atë të krijimit të një Kosove të pavarur të bashkuar, dhe të drejtuar nga shqiptarët.


Koshtunica njihet si mbështetës i një plani të tillë. Pak pas zgjedhjes së tij në postin e kryeministrit muajin e kaluar, ai ka bërë thirrje që Kosova të ndahet në kantone dhe serbëve tu jepet kontrolli mbi enklavat serbe.


Përmendja e termave si “decentralizim” dhe “kantonizim” konsiderohen si fjalë në kod për ndarjen – një term që Beogradi e di mirë se nuk i pëlqen komunitetit ndërkombëtar.


“Nëse nis procesi i decentralizimit të Kosovës dhe krijimit të mekanizmave të nevojshëm për mbrojtjen e serbëve, kjo do të përbënte një progres të madh,” ka thënë Janjiq.


Arritja e kantonizimit nuk është dicka e shpejtë dhe e sigurtë. Por nëse do të ndoshte, kjo do të forconte ndjeshëm pozitat e qeverisë, për shkak se ekziston një mendim i gjerë në rradhët e popullsisë se Serbia nuk duhet të lejojë që Kosova të bëhet një shtet i pavarur i domonuar nga shumica shqiptare.


Kesiq mendon se nëse qeveria serbe mund të kontrollojë dhunën etnike në zonat e banuar nga shumica shqiptare në Serbinë e jugut, Perëndimi mund të heqë dorë krejtësisht nga njohja e pavarësisë së Kosovës.


Ai thotë se perëndimi pastaj mund tu thotë shqiptarëve të Kosovës se “Ju dogjët të gjitha kishat dhe dëbuat serbët nga Kosova ndërsa serbët kanë ruajtur një shoqëri shumë etnike në jug të Serbisë – këtu ka dicka që nuk shkon”.


Kjo mund të jetë një pamje shumë optimiste, por në Serbi ekziston bindja se pavarësia e Kosovës, të cilën komuniteti ndërkombëtar e ka drejtuar praktikisht si një protektorat që prej vitit 1999, të paktën mund të shtyhet.


Por nëse është arritur që në planin afatshkurtër të ndalohet radikalizimi i shoqërisë serbe, mbështetësit e qeverisë e dinë mirë se kjo mund të ndryshojë nëse shpresat optimiste të publikut nuk përmbushen.


Nëse Kosova del përsëri jashtë influencës së qeverisë, mund të kemi një keqësim të gjendjes edhe në Serbi dhe viktima e parë e kësaj krize të re mund të jetë vetë qeveria serbe.


Zeljko Cvijanoviq është redaktor i gazetës së përjavëshme Evropa në Beograd.