Afrohet me Shpejtësi Lufta Civile

Me mbylljen e medias së saj të pavarur, Serbia është edhe një hap më pranë asaj që edhe më optimistët tani e shohin si të pashmangshme - lufta civile.

Afrohet me Shpejtësi Lufta Civile

Me mbylljen e medias së saj të pavarur, Serbia është edhe një hap më pranë asaj që edhe më optimistët tani e shohin si të pashmangshme - lufta civile.

Media serbe pro-qeveritare përgatiti terrenin për sulmin më të fundit ndaj medias. Për disa ditë me rradhë titujt kryesorë kanë klithur me histeri: "Ndëshkoni terroristët", "Udhëheqësit terroristë bëjnë thirrje për shkatërrimin e vendit tonë", "Mercenarë të NATO-s", "Plan terrorist për një përplasje të përgjakshme" e kështu me rradhë...


Dhe kështu vendi i mbizotëruar nga Sllobodan Millosheviqi ka hyrë në një fazë të re, konfrontim i vërtetë me opozitën politike. Brenda 24 orëve aleatët besnikë dhe të shumtë të presidentit në polici kanë mbyllur të gjitha mediat elektronike të pavarura më të mëdha.


Në të gjithë Serbinë janë arrestuar anëtarë të lëvizjes studentore Otpor dhe anëtarë të partive politike të opozitës. Janë lajmëruar gjyqe të shumta, ndërsa vendi praktikisht është zhytur në një gjendje de fakto të jashtëzakonshme. Në një mungesë totale të medias së pavarur, Serbia ka hedhur edhe një hap drejt asaj që edhe më optimistët e konsiderojnë tani si një gjë të pashmangëshme - lufta civile.


Por e gjitha kjo nuk ka qenë diçka e papritur. Regjimi tashmë ka humbur qetësinë. Qeveria është gjithnjë e më e izoluar ndërkombëtarisht. Anëtarë të kabinetit dhe veçanërisht Sllobodan Millosheviqi janë akuzuar për krime lufte. Vendi është ngërthyer në një cikël të mbyllur varfërie. Një rrogë prej 30 markash gjermane në muaj konsiderohet shumë e mirë. Së fundi ofensiva më e fundit e opozitës e ka detyruar Millosheviqin të përdorë dhunën, mjetin e tij të vetëm për të mbijetuar.


Qeveria tashmë është kthyer përsëri tek taktikat e saj të preferuara - kërcënime fizike, ndalime, arrestime në masë dhe terror.


Preteksti që ka shërbyer për këtë shpërthim ka qenë tepër i çuditshëm. Të shtunën e kaluar, më 13 maj, një nga njerëzit kryesorë të Millosheviqit në Vojvodinë, Boshko Perosheviq, është vrarë me armë zjarri në ceremoninë e hapjes së një panairi bujqësor në Novi Sad.


Vrasësi i tij, Milivoje Gutoviq, është arrestuar në vendin e ngjarjes. Gutoviq dhe Perosheviq, nga sa mësohet, kanë lindur në të njëjtin fshat, Ratkovo, dhe kanë qenë fqinjë. Duket pothuajse e sigurtë se arsyeja e këtij sulmi ka qenë personale. Është e qartë se Perosheviq nuk është vrarë për të njëjtat arsye që janë vrarë, për shembull, ministri federal i mbrojtjes Pavle Bulatoviq (i qëlluar në një restorant) apo drejtori i përgjithëshëm i linjës ajrore jugosllave Zika Petroviq (i vrarë përpara shtëpisë së tij).


Megjithatë, pikërisht atë ditë Lëvizja për Ripërtëritje Serbe, SPO, ka mbajtur një miting të zakonshëm në Ravna Gora, e njohur si një bazë e çetnikëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nga turma mbi 50,000 janë dëgjuar thirrjet "Rebelim! Rebelim!". Disa pjesëmarrës në miting kanë qëlluar me armë në ajër. Drejtuesi i SPO-së Vuk Drashkoviq u ka bërë thirrje demonstruesve t'i "kursejnë municionet e tyre".


Regjimi ka vendosur të përdorë vrasjen e Perosheviqit si një pretekst për një konfrontim final me "tradhëtarët, mercenarët e NATO-s, terroristët, Otpor, opozitën dhe mediat e pavarura".


Më 15 maj ministri federal i informacionit Goran Matiq ka njoftuar lajmin më të fundit tronditës. Një publik i habitur ka dëgjuar nga goja e tij se vrasësi Gutoviq ka qenë përkrahës i SPO-së dhe aktivist i Otpor-it! Thuhet se natën vonë Gutoviq ka ngjitur posterat e tyre fashiste në Oxhaci. Policia ka deklaruar se ka gjetur në apartamentin e tij fletëpalosje të Otpor-it dhe një hartë të vendit ku organizohej panairi.


Në librin e tij personal të adresave dhe numrave telefonikë policia thuhet të ketë gjetur numrin e Riçard Batler, sekretarit të ambasadës amerikane, një njeri i lidhur me grupin terrorist Merimanga. Ata deklarojnë se prova më e qartë ishte zbulimi se Gutoviq ka pasur një broshurë ku shpjegohej struktura e grupit terrorist Brigada e Kuqe.


Ndërsa fushata e autoriteteve shtohej, përkrahësit e opozitës organizonin një miting në Beograd. Thirrja kryesore e turmës ka qenë: "Sllobodan, Shpëto Serbinë - Vrit Veten". I gjithë mitingu është transmetuar dhe ritransmetuar disa herë nga Studio B.


Mitingu i ka shtuar edhe më tensionet. Ivan Markoviq, ministri federal i telekomunikacioneve dhe zëdhënës i Partisë së Majtë Jugosllave, ka deklaruar se Vuk Drashkoviq është ekuivalenti serb i Hashim Thaçit, ish-drejtuesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Markoviq ka vazhduar duke thënë se Drashkoviq kishte bërë thirrje që hordhitë e tij terroriste të sulmonin popullin dhe shtetin serb. Ky tradhëtar dhe burracak kishte bërë thirrje për rebelim ndaj popullit të tij, duke treguar frikën dhe patologjinë që ekzistojnë tek padronët e tij - NATO.


Markoviq ka kërkuar për këtë qëllim që të gjitha organet kompetente të ndërmarrin masa të nevojshme për të mbrojtur shtetin dhe qytetarët e tij. "Vendi ynë duhet të mposhtë terrorizmin dhe ta çrrënjosë atë duke përdorur të gjitha mjetet e parashikuara në ligj dhe kushtetutë," tha Markoviq. Policia më në fund morri lejen për të vepruar një herë e mirë ndaj kundërshtarëve të Sllobodan Millosheviqit të dashur dhe adhuruar.


Kështu, ndërsa banorët e Beogradit kishin rënë të flinin, anëtarë të zellshëm të skuadrave anti-terroriste të ministrisë së brendshme përgatiteshin për misionin e tyre kundër kërcënimit gjithnjë prezent të terrorizmit.


Të mbuluar nga errësira, në orën 2 të mëngjesit të së mërkurës, disa qindra oficerë policie me uniforma ushtarake te zbehta dhe veshje civile kanë rrethuar ndërtesën Beogradjanka ku ndodhen zyrat e disa mediave të pavarura. Ata kanë hyrë në Studio B, Radio B2-92, Radio Index dhe në të përditshmen Blic.


Ata kanë kontrolluar kartat e identifikimit të të gjithë njerëzve që ndodheshin aty dhe kanë ndaluar të gjitha bisedat telefonike. Një nga një këta njerëz të dyshimtë janë marrë në pyetje dhe u janë kontrolluar sirtaret dhe zyrat. Për shtatë-tetë orë punonjësit janë mbajtur të ndaluar. Edhe për të shkuar në tualet ata nuk lejoheshin të pashoqëruar me roje në mënyrë që të mos "humbte" ndonjëri. Një kordon policor ka rrethuar të gjithë zonën e pritjes së Beogradjanka. Kur kryeredaktori i gazetës Blic është përpjekur të hyjë në ndërtesë një oficer policie me veshje civile i ka thënë: "Zotëri, largohuni."


Të mërkurën në mbrëmje, më 17 maj, 30,000 demonstrues janë mbledhur në ndërtesën e parlamentit të qytetit për të protestuar ndaj mbylljes së mediave të pavarura. Rreth orës 10 të mbrëmjes së asaj nate policia, pas përleshjeve me tifozët e ekipit të futbollit të Yllit të Kuq të Beogradit që kishin fituar titullin kampion, ka filluar të rrahë pa dallim çdo demonstrues. Disa dhjetra prej tyre janë plagosur, njëri tepër rëndë.


Kur është marrë vesh lajmi i mbylljes së Studio B kanë filluar mitingje proteste në të gjithë vendin. Policia është përleshur me demonstruesit përsëri më 18 maj duke përdorur gaz lotsjellës dhe shkopa gome për të shpërndarë turmën. Njoftimet më të fundit tregojnë se demonstratat do të vazhdojnë dhe bashkë me to edhe arrestimet e keqtrajtimet.


Në Serbi po afron lufta civile.


Petar Lukoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists