Maqedonia e Përfshirë nga Korrupsioni

Korrupsioni galopant ka filluar të dëmtojë edhe vetë bazat e shoqërisë maqedonase.

Maqedonia e Përfshirë nga Korrupsioni

Korrupsioni galopant ka filluar të dëmtojë edhe vetë bazat e shoqërisë maqedonase.

Tuesday, 6 September, 2005

Në një demokraci të qëndrueshme me një ekonomi të shëndoshë korrupsioni mund të shkaktojë dëme të mëdha. Në një demokraci të "brishtë" si ajo në Maqedoni efektet e tij janë edhe më të rënda.


Por ndërsa media ka shfaqur shumë raste korrupsioni ku kanë qenë të përfshirë zyrtarë të lartë të partive dhe të shtetit, autoritetet janë treguar të ngadalta për të pranuar shkallën e problemit dhe për të ndërmarrë hapa konkretë në luftën ndaj tij.


Një fushë e gjerë për korrupsion është shfaqur gjatë transformimit të ekonomisë publike maqedonase në pronësi private, nëpërmjet punës së komisioneve të ndryshme, shpërndarjes së investimeve të huaja e kredive dhe tani së fundi në dhënien e pensioneve të invaliditetit.


Kriza e Kosovës ka qenë një mundësi tjetër për korrupsion, ndërsa disa policë dhe punonjës humanitarë thuhet të kenë kërkuar rrushfete për të strehuar refugjatët nëpër kampe, apo për të rregulluar evakuimin e tyre për në vende të tjera.


Ministria e brendshme ka konfirmuar së fundi se korrupsioni në Maqedoni është shtrirë në rradhët e drejtorëve të kompanive, zyrtarëve të doganave, inspektorëve të taksave, arbitrave të futbollit, doktorëve dhe deri mësuesve.


Por departamenti anti-korrupsion i ministrisë ka zbuluar deri më tani vetëm 147 raste gjate tre vjetë e gjysëm të fundit, ku kanë qenë të përfshirë 170 të dyshuar. Kjo përbën 0.6 -1.3 përqind të krimeve të përgjithshme në Maqedoni, ose 13-30 përqind të krimit ekonomik.


Policia maqedonase argumenton se kushtetuta nuk lejon përgjimin dhe filmimin e fshehtë, taktika të cilët, sipas tyre, duhet të përdoren me qëllim që të mblidhen prova ndaj figurave të rëndësishme të qarqeve të politikës dhe financës.


Nga 1,056 akuza të lidhura me korrupsionin që policia ka ngritur ndaj zyrtarëve gjatë tre vjetëve të kaluar, 64 përqind nuk janë pranuar për mungesë provash. Dhe më pak se një e treta e atyre që kanë shkuar në gjykatë janë dënuar.


Vitin e kaluar takimet e Paktit të Stabilitetit në Ballkan të organizuara në Sarajevë, Gjenevë, Bari dhe Oslo janë marrë kryesisht me çështjen e korrupsionit në Europën juglindore, e cila është konsideruar jo vetëm si një faktor destabiliteti për institucionet demokratike dhe një kërcënim direkt për të drejtat dhe liritë e njeriut, por edhe një sfidë direkte për vetë Paktin e Stabilitetit.


Si rrjedhojë, qeveria maqedonase u inkurajua të nënshkruajë të gjitha konventat ndërkombëtare ekzistuese kundër korrupsionit dhe të ndërmarrë masat e saj. Por përsëri, ashtu si edhe qeveria e mëparshme, kjo administratë ka treguar pak dëshirë për ta luftuar këtë problem.


Ligjet anti-korrupsion nuk do të miratohen përpara muajit dhjetor, sepse, sipas kryeministrit, qeveria ka probleme më të rëndësishme për të zgjidhur më parë.


Mungesa e një legjislacioni konkret nuk është i vetmi problem. Mungesa e koordinimit të punës ndërmjet policisë, prokurorisë dhe disa inspektoriateve të ndryshme të krijuara për këtë qëllim e ka lehtësuar shtrirjen e krimit të organizuar. Në emër të efikasitetit, kryetari i parlamentit Savo Klimovski i ka bërë thirrje prokurorit të përgjithëshëm Stavre Giokov të mos marrë hapa ndaj zyrtarëve të cilët janë përmendur nga raporte të ndryshme të paraqitura nga disa ministri të ndryshme.


Në të njëjtën kohë, Klimovski ka lënë të kuptohet edhe për një rezistencë ndaj përpjekjeve anti-korrupsion nga rradhët e "disa strukturave të autoriteteve të tanishme, të cilat janë të përfshira edhe vetë në krime."


Kryeministri maqedonas Lubço Georgievski dhe koalicioni "Për Ndryshim" janë zgjedhur pas premtimeve se do të luftojnë krimin e organizuar. Si rrjedhojë edhe puna e tyre e deritanishme është vënë nën vëzhgim.


Gjatë dy vjetëve të kaluar, qeveria ka ndërmarrë hetime të cilat kanë rezultuar në akuza ndaj zyrtarëve të lartë të administratës së mëparshme. Partitë e opozitës i kanë quajtur këto raste si "hakmarrje politike", por tani kryeministri po përqëndrohet në partinë e tij.


"Ne kemi dokumenta dhe prova konkrete se disa njerëz nga rradhët e VMRO-DPMNE janë të përfshirë në krime," ka thënë ai. "Unë nuk do t'i toleroj këto sjellje dhe as nuk kam ndërmend të rrezikoj popullaritetin e partisë sime për këta njerëz."


Natyrisht kjo nuk është deklarata e parë për luftë kundër krimit të organizuar. Ish-kryeministri dhe drejtuesi i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, ka premtuar më parë të shkatërrojë "oktapodin" e korrupsionit, por ai jo vetëm që ka dështuar të ketë ndonjë progres në këtë fushë, por edhe humbi pushtetin shumë shpejt.


Mbetet për t'u parë nëse kryeministri i tanishëm do të ketë më tepër sukses ndaj një "sistemi paralel" që është krijuar tashmë dhe në mënyrë të ngadaltë, por të vazhdueshme, po rrezikon edhe vetë bazat e shoqërisë maqedonase.


Veton Latifi është analist politk dhe gazetar nga Maqedonia.


Frontline Updates
Support local journalists