Zhvillime të Reja në Skandalin e Bankës Serbe

Një ish-bankiere e dyshuar për një mashtrim në shkallë të gjerë është lejuar në mënyrë misterioze të largohet nga vendi.

Zhvillime të Reja në Skandalin e Bankës Serbe

Një ish-bankiere e dyshuar për një mashtrim në shkallë të gjerë është lejuar në mënyrë misterioze të largohet nga vendi.

Në Beograd po shtohen spekulimet rreth shfaqjes misterioze muajin e kaluar në Qipro të financieres së falimentuar Dafina Milanoviq, e cila ka qenë në arrest shtëpie në Serbëëëi që pas falimentimit të bankës së saj shtatë vjetë më parë.


Disa mendojnë se ajo ka shkuar në Qipro për të rimarrë fondet e zhdukura nga banka, të tjerë thonë se regjimi thjesht ka dashur ta largojë atë sepse ajo di shumë gjëra rreth përfshirjes së tij në skandal.


Disa dhjetra mijëra serbë janë prekur nga falimentimi i Dafiment Bank - shumë prej të cilëve pensionistë që kanë humbur të gjitha kursimet e jetës së tyre.


Mendohet se Milanoviq ka zhdukur rreth 200 milion marka gjermane në llogari bankare jashtë vendit. Profesor Kostandin Pusara, i cili është përpjekur të shpëtojë nga falimentimi Dafiment Bank, thotë se ish-bankierja "disponon shuma të konsiderueshme jashtë vendit dhe këto para mund të merren."


Në fillim të vitit 1992, një vit përpara falimentimit të Dafiment, një polic i dalë në pension, që kishte punuar për këtë bankë, u arrestua në aeroportin e Beogradit me një shumë prej pesë milionë markash, të cilat po përpiqej t'i nxirrte ilegalisht jashtë vendit. Me sa u tha më vonë, ai e kishte bërë këtë gjë me sukses dy herë të tjera.


Verën e kaluar Milanoviq thuhet se ka deklaruar se nëse e lejonin të largohej nga vendi, ajo ishte në gjendje të ndihmonte në financimin e rindërtimit të Serbisë nga pasojat e bombardimeve të NATO-s.


Burimet në Beograd thonë se ajo është dërguar për të tërhequr para nga llogaritë e saj në disa banka në Austri dhe Zvicër. Mendohet se ajo nuk ka mundësi praktike, se i është hequr e drejta për të tërhequr para nga bankat për shkak të marrëdhënieve të ngushta të saj me presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq.


Milanoviq mendohet të mos ketë depozituar para në Qipro. Thuhet se ajo ka shkuar në këtë ishull se vëllai i saj ka një shtëpi atje.


Shumë prej atyre që kanë humbur paratë në këtë mashtrim bankar dyshojnë se ajo është lejuar të largohet në shkëmbim të bashkëpunimit të saj me regjimin, apo sepse ajo përbën një rrezik për regjimin.


"Ata e kanë lejuar të largohet se ajo dinte shumë," thotë Radojka S, një 60-vjeçare, pensioniste e varfër, e cila ka humbur të gjitha kursimet e saj, 23,000, marka në këtë mashtrim financiar.


Historia e Dafiment fillon në fillim të viteve nëntëdhjetë. Qeveria serbe, duke patur nevojë të madhe për para, ngriu të gjitha depozitat në valutë të huaj. Si rrjedhojë, njerëzit u larguan nga bankat shtetërore dhe i mbanin kursimet të fshehura në shtëpi. Zyrtarët u përpoqën shumë të gjenin një mënyrë se si t'i grumbullonin këto para.


Dafiment Bank, praktikisht një skemë piramidale, ishte përgjigja. E krijuar nga Milanoviq me ndihmën e autoriteteve në vitin 1992, ajo u ofronte depozituesve përqindje shumë të larta interesi - 11 deri 15 përqind për llogaritë në valutë huaj dhe 75 deri 195 përqind për llogaritë në dinarë. Dhjetra mijëra njerëz nxituan të investonin kursimet e tyre në këtë bankë. Disa njerëz edhe shitën shtëpitë për të depozituar paratë në këtë bankë.


Qeveria, e cila kishte nevojë të madhe për para, i përdori kursimet e qytetarëve për të financuar luftën në Bosnje dhe për të shmangur pakënaqësinë sociale - përqindjet e interesit të fituara nga njerëzit u jepnin atyre mundësinë të jetonin relativisht mirë.


Dafina, e quajtur edhe si "Nëna e Serbisë", u bë shumë shpejt tepër e njohur. Një mesogrua, pak e shëndoshë, tepër e hedhur, ajo vishej gjithnjë me ngjyra rozë të çelura dhe mbante shumë bizhuteri floriri fare pa gusto. Ajo shfaqej shpesh në shoqërinë e zyrtarëve të qeverisë dhe kishte mundësinë të dilte në televizion në orët më të ndjekura për të siguruar njerëzit se paratë e tyre ishin të sigurta në duart e saj.


Rreth katër miliardë marka gjermane u derdhën në bankën e saj. Dafina shpërndau një pjesë të fondeve për drejtuesit serbë në Bosnje dhe Kroaci dhe për shtetin serb.


Për shembull, me paratë e Dafiment Bank u financuan një kompleks në Erdut, në Kroacinë lindore, i cili përdorej si një kamp stërvitor i drejtuar nga Zheljko Razhnatoviq Arkan dhe grupi i tij paraushtarak Tigrat. Hekurudhat serbe dhe qendra e biznesit Vukov Spomenik në Beograd kanë marrë përkatësisht 39 dhe 15 milion marka gjermane.


Por Dafiment i kishte ditët e numëruara. Kur skema piramidale filloi të tronditej, depozituesit filluan të shqetësohen. Ata nxituan nëpër sportelet e bankës për të tërhequr depozitat e tyre, duke pritur më kot në rradhët kilometrike. Nuk ishin parë kurrë kaq shumë turma njerëzish në Beograd.


Dafiment falimentoi duke u mbetur borxh njerëzve disa qindra milionë marka. Për shkak të përfshirjes së regjimit në këtë skandal, nuk ishte për t'u habitur që shteti u tregua shumë i ngadaltë në hetimin dhe dërgimin e çështjes në gjykatë. Gjatë procesit të hetimeve u zhdukën në mënyrë misterioze disketat me listat e njerëzve që kishin depozituar para dhe të atyre që kishin arritur të tërhiqnin depozitat e tyre përpara falimentimit të bankës.


Këto disketa përbënin një material tepër të rëndësishmë për këtë çështje. Zhdukja e tyre do të thoshte se gjykatat nuk mund të vërtetonin akuzën dhe nuk mund të jepnin një dënim.


Publiku akuzoi Dafina Milanoviq. Autoritetet konfiskuan pasaportën e saj dhe e vendosën në arrest shtëpie. Duke folur rreth vuajtjeve të saj me gazetarët pak kohë pas falimentimit të bankës, ajo tha se ishte gati të jepte gjithë paranë e botës për të mundur të përdorte tualetin vetëm.


Milenko Vasoviq është bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists