Zemërimi i Krahut të Djathtë për Bashkëpunimin me Hagën
Ekstremistët në Kroaci po përpiqen të sabotojnë një hetim për ekzekutimin në masë të një grupi serbësh përpara pothuajse dhjetë vjetë.
Zemërimi i Krahut të Djathtë për Bashkëpunimin me Hagën
Ekstremistët në Kroaci po përpiqen të sabotojnë një hetim për ekzekutimin në masë të një grupi serbësh përpara pothuajse dhjetë vjetë.
Ekstremistët kroatë janë zemëruar për një hetim të Gjykatës së krimeve të luftës së Hagës në qytetin e Gospiq, ku mendohet të jenë ekzekutuar shumë civilë serbë në fillim të luftës në Kroaci.
Fraksionet e së djathtës së ish-HDZ-së kanë bërë thirrje përkrahësve të tyre të rrëzojnë autoritetet në një miting të kohëve të fundit në qytetin jug-perëndimor, të organizuar në shenjë proteste ndaj mbërritjes së hetuesve të Hagës.
Të dyshuarit nuk janë hetuar asnjë herë si duhet, pavarësisht nga tregimet e shumta të dëshmitarëve okularë për vrasjet.
Një dëshmitar okular, Milan Levar, komandant i një njësie zbulimi dhe sabotazhi në atë kohë, ka thënë se rreth 100 civilë serbë janë ekzekutuar në Gospiq. Levar, i cili ka dëshmuar disa herë në Hagë, ka deklaruar se një numër i madh kroatësh të 'padëshirueshëm', të cilët janë përplasur me grupet ekstremiste të policisë dhe ushtrisë kroate, janë ekzekutuar gjithashtu.
Pjesëmarrës të tjerë në këto vrasje kanë deklaruar gjithashtu fakte si përpara Gjykatës ashtu edhe për një hetim zyrtar kroat për këtë ngjarje.
Komandanti i policisë së Gospiq, Ivan Dasoviq, u ka thënë zyrtarëve kroatë se kanë ndodhur ekzekutime në masë të civilëve serbë. Ante Kariq, president i shtabit të krizës, i cili ka mbikqyrur mbrojtjen e qytetit, ka përmendur si fajtorët kryesorë të kësaj masakre, Tihomir Oreskoviq, sekretarin e shtabit të krizës, dhe Mirko Norac, komandantin ushtarak të Gospiq.
Më pas Oreskoviq u arrestua për pak kohë, por u lirua pas ndërhyrjes së ministrit të mbrojtjes së asaj kohe, Gojko Susak. Norac akoma vazhdon të jetë gjeneral në ushtrinë kroate.
Pas humbjes në zgjedhje të Bashkimit Demokratik Kroat të Tugjmanit, HDZ, si në ato parlamentare edhe në ato presidenciale, qëndrimi i qeverisë ndaj Gjykatës së Hagës ka ndryshuar shumë.
Qeveria e kryeministrit socialist, Ivica Raçan, jo vetëm që ka lejuar hetuesit e Hagës të lëvizin lirisht në Gospiq dhe në rrethinat e tij, por edhe ka miratuar një deklaratë në parlament ku i jepet autoritet i plotë Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi të hetojë krimet që mund të jenë kryer nga personeli ushtarak dhe policor kroat gjatë dhe pas dy fushatave të mëdha ushtarake të Kroacisë pothuajse pesë vjet më parë.
Gjatë këtyre dy fushatave ushtria kroate ka rifituar kontrollin mbi zonat e kontrolluara nga forcat serbe që prej fillimit të luftës në vitin 1991. Qeveria e Tugjmanit nuk ka pranuar asnjë herë se janë kryer krime lufte.
Politika bashkëpunuese e Raçanit ndaj Gjykatës ka shkaktuar një kundërshtim të ashpër nga qarqet më radikale në Kroaci, veçanërisht fraksionet e djathta të HDZ-së. Këta elementë vazhdojnë të kenë influencë mbi disa shoqata veteranësh që kanë dalë nga e ashtuquajtura "Lufta Patriotike".
Më 19 prill, rreth 2,000 vetë janë mbledhur në Gospiq në një manifestim proteste ndaj aktivitetit të hetuesve të Gjykatës së Hagës në këtë zonë. Ky ka pasuar një miting më të madh të mbajtur në Zagreb më 6 mars kundër dënimit me burgim prej 45 vjetësh të dhënë gjeneralit kroat Tihomir Blaskiq nga Gjykata e Hagës.
Megjithatë folësit në mitingun e mbajtur në Gospiq kanë përkrahur një linjë më të ashpër duke u bërë thirrje demonstruesve të marrin armët dhe të rrëzojnë presidentin Stipe Mesiq dhe qeverinë e Raçan.
Anto Dapiq, drejtues i Partisë Kroate së të Drejtave, HSP, një satelite e HDZ-së, ka thënë se ai nuk i beson ekipit të dërguar nga Haga dhe se ai nuk mund të përjashtonte mundësinë që ata të kenë sjellë kocka me vete dhe t'i fusin ato në tokë në mënyrë që pastaj të thonë se kanë zbuluar kockat e të vrarëve.
E djathta ekstreme në Kroaci, pavarësisht nga mungesa e theksuar e përkrahjes popullore, akoma nuk ka kuptuar ndryshimet e shkaktuara nga zgjedhjet e fundit. Dapiq ka njoftuar se mbledhje të ngjashme me atë në Gospiq do të organizohen edhe në rreth 20 qytete të tjerë në të gjithë vendin.
Përmasat e protestës së Gospiq dhe kërcënimi i demonstratave të tjera si këto nuk e rrezikojnë seriozisht qeverinë e Raçanit. Shumë më e rrezikëshme do të ishte dështimi i qeverisë për të plotësuar premtimet e bëra për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale në Kroaci. Pa përmirësime të ndjeshme në këto drejtime e djathta ekstreme mund të shfrytëzojë tensionet sociale që mund të lindin dhe trazirat e mundëshme për të arritur rikthimin në pushtet.
Drago Hedl është korrespondent i Feral Tribune me qendër në Split dhe bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.