HULUMTIM: DREJTËSIA ENDE NUK ËSHTË ZBATUAR
Masakra ndaj 46 personave në një fshat të Bosnjës 12 vjet më parë është shembull primar i rasteve që gjykatat lokale për krime lufte do të trajtojnë sipas të gjitha gjasave.
HULUMTIM: DREJTËSIA ENDE NUK ËSHTË ZBATUAR
Masakra ndaj 46 personave në një fshat të Bosnjës 12 vjet më parë është shembull primar i rasteve që gjykatat lokale për krime lufte do të trajtojnë sipas të gjitha gjasave.
“Personat që e kanë vrarë bashkëshortin tim shëtisin të lirë në Sokolac,” thotë Nura Ocuz. “Ata janë të pasur dhe persona me influencë. Këta janë njerëz që kanë negociuar haptazi me organizatat ndërkombëtare, përderisa asnjë i huaj nuk na ka intervistuar ne më parë.
“Këto fakte thjesht më bëjnë të jem skeptike për drejtësinë këtu në Bosnjë.”
Ocuz është dëshmitare që ka mbijetuar ditën e shtatorit të 1992, kur forcat serbe kanë hyrë në fshatin Novoseoce, që ndodhet në komunën e Sokolac në rajonin Romanija, dhe kanë urdhëruar banorët ti lëshojnë shtëpitë e tyre. Dyzet e pesë burra dhe djem të paarmatosur dhe një grua nga fshati janë ekzekutuar atë ditë.
Kjo masakër dallohet nga shumë të tjera për faktin se nuk është dokumentuar qartësisht, dhe është prezente në mendjet e popullatës vendore për arsye se trupat e viktimave janë rivarrosur vetëm katër vite më parë.
Një numër i emrave të zyrtarëve lokalë nga qeveria lokale civile dhe trupat ushtarake që kanë qenë në kontroll të rajonit në kohën e masakrës përsëriten vazhdimisht në lidhje me rastin. Sidoqoftë, Ocuz deklaron me ton të hidhur, asnjë person nuk është akuzuar për krim deri më tani.
Tribunali i Hagës nuk do të shqyrtojë më raste të reja pasiqë është në përfundim të aktivititetit brenda viteve të ardhshme.
Për këtë arsye, gjykatat vendore janë duke u themeluar në shtetet e Ballkanit. Oda për Krime të Luftës,(WCC), është themeluar përbrenda Gjykatës Shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës. Oda do të ketë autoritet ligjor të marrë përsipër rastet e pazgjedhura nga Haga si dhe të lëshojë aktakuza të reja.
Tani që WCC është në funksion-që nga data 9 Mars-lutjet e Nura Ocuz për vënjen para drejtësisë të personave përgjegjës përë vrasjen e bashkëshortit dhe djalit të saj, kanë ende për tu realizuar. Me një numër të madh të viktimave, dëshmitarë të krimit, dhe me të akuzuar potencialë që ende shëtisin të lirë, Novoseoce është rast tipik që do ti ofrojë WCC material për shumicën e punës së tyre.
Gjithmonë ekziston mundësia që rasti i Novoseoces të mos del para gjyqit, së paku për një kohë. Gjykata e re do të ketë një numër të madh të kërkesave që do ti shtrohen përpara; së pari duhet të trajtojë rastet e transferuara nga Haga; përzgjedhja e rasteve të reja në anën tjetër duhet të bëhet në mënyrë të drejtë në proporcion me shpërndarjen etnike dhe gjeografike.
Së fundi, ekziston një numër i madh i rasteve të reja nga të cilat WCC duhet të zgjedhë dhe tu japë përparsi.
Prokurorët e WCC kane deklaruar për IWPR se kur vie tek lëshimi i aktakuzave të reja, ata u japin prioritet rasteve nga rajoni që nuk janë trajtuar më parë nga ana e tribunalit të Hagës. Kjo rrit mundësitë që Novoseoces do ti jipet përparsi.
“Nuk mund të imagjinoj se gjykatat në Bosnjë apo kudo në ish-Jugosllavi do të jenë në gjendje ti gjykojnë të gjitha-ose shumicën- e personave që kane kryer krime lufte,” i tha IWPR Judith Armatta, analiste e cila ka përcjellur gjykimet për krime të luftës për Koalicionin Ndërkombëtar për Drejtësi. “ Shifrat e mëdha tej mase, dhe mjetet joadekuate të vendeve në tranzicion dëshmojnë se shumë persona do të vazhdojnë të jenë të lirë dhe[do të mbesin] të papërgjegjshëm para drejtësisë,” tha ajo.
Novoseoce është regjistruar në procedimet e Hagës, edhepse nuk është konsideruar si rast i veçantë. Aktakuza kundër Momcilo Krajisnik, figurë kryesore në Partinë Demokratike Serbe SDS, shënon një numër të incidenteve që përfshijnë vrasjet në vendet e Bosnjës ku shtrihej influenca e tij. “Në fshatin Novoseoce, rreth 44 meshkuj të përkatësive jo serbe janë vrarë,” thuhet me fjalë të pakta në njërën nga hyrjet e aktakuzës.
Të mbijetuarit janë më se të vetëdijshëm për pjesëmarrjen e Krajisnik në ngjarjet në rajon gjatë luftës, mirëpo ata duan që edhe liderët lokalë të cilët sipas tyre, kanë implementuar spastrim etnik në komunën e Sokolac në përgjithsi, dhe kanë toleruar masakrën në Novoseoce në veçanti, të vihen para drejtësisë.
“Hetuesit e Hagës nuk na kanë intervistuar asnjëherë ne -në cilësinë e dëshmitarëve- për çfarë ka ndodhur,” i tha IWPR Munira Selmanovic, banore e Novoseoces, e cila ka humbur bashkëshortin dhe djalin e saj në masakrën e Novoseoces.
IWPR ka përcjellur ngjarjet që çojnë drejt dhe përfshijnë masakrën e 22 shtatorit 1992, përmes mbledhjes së dëshmive dhe deklaratave të dëshmitarëve okularë. Informatat e mbledhura gjer më tani sugjerojnë se në tolerimin e vrasjeve një rol të rëndësishëm ka luajtur “grupi për kriza” i komunës së Sokolac-it, një strukturë civile/ushtarake e qeverisë vendore, e replikuar kudo në rajonin serb të Bosnjës. Ky grup i krizave ka kontrolluar forcat ushtarake lokale dhe ka qenë i vetmi autoritet ekzekutiv në rajon.
Masakra në Novoseoce mund të shihet brenda kontekstit të shpërnguljes sistematike të civilëve muslimanë në vendet rreth Sokolacit-fshati në fakt ishte vendi i fundit në rajonin e Romanijas që iu nënshtrua “spastrimit etnik”. Pasiqë gratë, të moshuarit, dhe fëmijët nga fshati u larguan me forcë, ata klasifikohen në këtë kategori. Grupi për kriza edhe këtë herë ka luajtur një rol qëndror.
Nga të tre aktorët kryesorë nga grupi për kriza në Sokolac, Radislav Krstic është dënuar me burgim për një akuzë tjetër për krime lufte. Personi i dytë, Milan Tupajic, nuk mund të kontaktohej krahas përpjekjeve nga ana e IWPR për gjetjen e tij. Ish zyrtari i tretë, Milovan Bjelica, mohon vendosmërisht përfshirjen e tij dhe atë të Tupajic në vrasjet e Novoseoces.
Dëshmitë e mbledhura nga IWPR për rolin institucional të grupit për kriza në Sokolac dhe aktiviteteve të këtij grupi para dhe gjatë ngjarjeve të vitit 1992, dëshmojnë se monitorimi dhe menaxhimi i politikës së udhëheqësisë serbe të Bosnjës ka qenë në aplikim. Grupi ka qenë i informuar për zhvillimin e ngjarjeve dhe ka mundur të parandalojë keqtrajtimet. Shumë pyetje janë ngritur por asnjë nuk është përgjigjur para gjyqit.
EKZEKUTIMI I PLANEVE TË KARADZICIT Në vitin 1991, Novoseoce ishte nën kontrollin e grupit për kriza të vendosur në Sokolac, qyteti kryesor i komunës. Ky organ ekzekutiv ishte në udhëheqje të Sokolacit në periudhat e hershme të luftës.
Grupet për kriza ishin institucione të themeluara nga lideri jugosllav Tito gjatë Luftës së Ftohtë, për të vepruar si organe kordinuese lokale për “mbrojtje territoriale”- strategji kjo për ndërhyrje luftarake kundër pushtuesve të huaj duke përdorur forca guerrile lokale si dhe trupat e rregullta ushtarake.
Me zhvillimin e konfliktit në Bosnjë, liderët e zonave të kontrolluara nga serbët-të udhëhequr nga lideri serb i Bosnjës Radovan Karadzic, i dyshimtë nën akuzat për krime lufte, e ringjallën strukturën e grupeve për kriza për ti sjellë së bashku nën një “kulm” qeverinë civile lokale dhe marrëdhënjet ushtarake. Këto u transformuan në grupe mono etnike të dominuara nga anëtarët e partisë së Karadzic-it, dhe ishin nën urdhërat e të sapokrijuarës “Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës” me qendër në Pale.
Zyrtarët e lartë zakonisht ishin të strukturuar në treshe, duke përfshirë rolin e trefishtë të grupit në marrëdhënjet civile-ushtarake-politike me një lider të qeverisë lokale si kryetari i komunës, një person ushtarak, dhe një përfaqësues i SDS që shërbente si ndërmjetësues kryesor për Pale dhe për bartjen e planeve dhe urdhërave.
Anëtarët e grupit për kriza ishin përgjegjës për gjithçka duke filluar nga punësimi dhe shpërndarja e ushqimit si dhe për orët policore dhe shpërndarjen e e armëve tek popullata civile për formimin e njësiteve ushtarake rezervë. Ata kontrollonin gjithashtu operacionet ushtarake përmes policisë lokale dhe paramilitarëve, dhe bashkëpunonin për së afërmi me strukturat komanduese të ushtrisë serbe të Bosnjës. Grupi për kriza në Sokolac nuk bënte përjashtim nga të tjerët.
Këtu, treshja në udhëheqje të grupit për kriza përbëhej nga Milan Tupajic, kryetar i komunës; Milovan “Cicko” Bjelica, udhëheqës i degës lokale të SDS, dhe kolonel Radislav Krstic, komandant i brigadës së dytë Romanija të ushtrisë serbe të Bosnjës.
Krstic, më vonë graduar gjeneral-major, tanimë është në burgim për pjesëmarrjen e tij në qershor të vitit 1995 në vrasjen e më shumë se 7000 burrave dhe djemve nga Srebrenica. I arrestuar nga trupat paqeruajtëse të NATOS në dhjetor të vitit 1998, ai është dënuar me 46 vjetë burgim nga tribunali i Hagës. Aktakuza kundër tij nuk ka përkuar me ngjarjet në Novoseoce tri vjetë më parë.
Qysh në shtator të 1991, Karadzic kishte lëshuar një urdhër për liderët e zonave autonome rajonale serbe duke urdhëruar spastrimin etnik, mes tjerash, edhe të rajonit të Romanijas, që përfshin qytetin Sokolac. “Në Krajina, Romanija, dhe Bosnjën verilindore,[përdorini]njësitet tuaja për eliminimin e elementeve muslimane dhe atyre të ngjashme me ustashët, të cilët po e pengojnë themelimin e një qeverie të vetme serbe të mirëfilltë në të gjitha vendet serbe,” thotë urdhëri i nënshkruar nga Karadzic me 22 shtator, 1991.
“Nëse hasni në rezistencë kundër kësaj dëshire të ligjshme dhe humane të popullit serb, bëhuni të pamëshirshëm( sy për sy, dhëmb për dhëmb).”
Një dokument i intelegjencës i gjetur nga IWPR tregon se Karadzic ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Bjelica, udhëheqësi i SDS për Sokolac, me të cilin ai rregullisht ka shkëmbyer referenca në lidhje me situatën në terren dhe me “operacionet e ardhshme”. Në një nga këto biseda me datën 27 dhjetor 1992,-transkripti i së cilës është gjetur nga IWPR -Bjelica i raporton Karadzic se “Tupajic është duke e kryer punën mirë” dhe se”autoritetet komunale janë duke funksionuar mirë nën komandat e Tupajic”. Kjo ishte tre muaj pas ngjarjeve në Novoseoce.
Bjelica I tha IWPR në një intervistë se ai në fakt ishte më i afërt me presidentin serb të Bosnjës dhe se ai ishte dora e djathtë e tij, më i afërt se një udhëheqës regjional I SDS zakonisht mund të ishte. “Unë kam qenë personi më i afërt me Karadzic,” tha Bjelica, i ulur në një hotel në Sokolac. “Unë e pata fituar besimin e plotë të Karadzic dhe të zëvendësit të tij Krajisnik.”
IWPR ka gjetur dëshmitarë të numërt dhe dokumenta përkrahës që dëshmojnë se anëtarët e e grupit për kriza në Sokolac kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ngjarjet që quan në masakrën e Novoseoces, përfshirë këtu një kampanjë të orkestruar të armatosjes, trajnimit dhe mobilizimit të serbëve si njësite rezervë, dhe në spastrimin etnik të zonave me rëndësi strategjike.
Nëse roli i luajtur nga anëtarët e grupit për kriza në ditën e vrasjeve në Novoseoce është i paqartë, institucioni ka luajtur një rol në përgatitjen e fshatit për spastrim etnik ashtu siç ka ndodhur në zonat tjera të banimit në rajon. Ishin këto aksione që i bënë vrasjet e mundshme.
Burimet përbrenda shërbimeve të sigurimit të ri shtetëror të Bosnjës i thanë IWPR se në vjeshtë të vitit 1991, Tupajic ishte identifikuar si njëri ndër politikanët kyç të SDS, përgjegjës për rekrutimin dhe shpërndarjen e paligjshme të armëve mes popullatës serbe në Sokolac në përgaditjet për luftë. Në baze të këtyre burimeve, ai ka bashkëpunuar ngushtë me oficcerët serbë të Bosnjës të ushtrisë jugosllave në atë kohë. Ish gjenerali I ushtrisë jugosllave Asim Dzambasovic i cili dëshmoi për tribunalin e Hagës, tha se Tupajic ka mbajtur takime të rregullta me tani të akuzuarin kolonel Dragomir Milosevic, i cili ishte në komandë të njësive rezerviste të rekrutuara përmes ndihmës së Tupajic.
Në bazë të dëshmive të të mbijetuarve të mbledhura nga ana e IWPR, ishin pikërisht trupat rezerviste-duke përfshrë këtu fqinjët e tyre- të cilët së bashku me njësitet e ushtrisë serbe të Bosnjës e rrethuan Novoseocen më 22 shtator. Në shumicën e rasteve, njësitë rezervistetë këtij lloji kontrolloheshin nga grupet për kriza, siç e kanë bërë të qartë rastet e mëparshme të krimeve të luftës.
PJESËMARRJA INSTITUCIONALE
Në rastet e mëparshme, tribunali i Hagës ka nënvizuar rolin kyç të luajtur nga grupet për kriza në kordinimin dhe implementimin e spastrimit etnik në 1992.
Haga gjer më tani ka dënuar një numër të anëtarëve të lartë të grupeve për kriza nga vendet tjera të Bosnjës, duke u bazuar në nenin 7 të tribunalit në lidhje me urdhërat e dhëna nga lartë dhe përgjegjësitë e komandës.
Për shembull, në rastin e Miroslav Deronjic-zyrtar i lartë i SDS i cili u deklarua fajtor ndaj akuzave për persekutim në vitin 2003-aktakuza kundër tij deklaronte se ishte” në kapacitetin e tij si president i grupit për kriza të komunës së Bratunac” që qoi në lëshimin e urdhërit nga ana e tij për të sulmuar fshatin Glogovo dhe të shpërngulë me dhunë popullatën civile muslimane. Pozita e tij kështu i ofronte atij,” kontrollë de jure dhe de facto ndaj [mbrojtjes së territorit; njësive rezerviste] dhe kontrollë de jure ndal policisë komunale”, thuhet në aktakuzë.
Rishtazi, ne dëshminë para tribunalit të Hagës, dëshmitarja eksperte Dorothy Hanson, specialiste në grupet për kriza, shpjegoi se grupet ishin themeluar në vitin 1991 nga autoritetet komunale të udhëhequra nga SDS, ku “policia dhe autoritetet ushtarake ishin vënë nën kontrollin e tyre [grupeve]”. Hanson theksoi se ndonëse marrëdhënjet në mes të autoriteteve civile dhe ushtrisë dallonin varësisht prej komunave, grupet për kriza si rregull merreshin me të gjitha çështjet ushtarrake.
TË ÇARMATOSUR DHE TË DISKRIMINUAR
Dëshmitarët okularë dëshmojnë se grupi për kriza ishte i implikuar në spastrimin etnik ne rajonin më të gjerë të Sokolac, dhe se për disa muaj, autoriteti civil-ushtarak ishte i përfshirë në diskriminimin, dhe më vonë çarmatosjen dhe mbajtjen nën kontrollë të popullatës në Novoseoce.
“Së pari, të gjithë boshnjakët[muslimanët] nga Novoseoce më punësim në Sokolac ishin përzënë nga vendet e tyre të punës në prill të 1991 me urdhër nga komuna të nënshkruar nga grupi për kriza,” tha banorja Munira Karic, e cila u punësua si këshilltare komunale pas luftës. “Fëmijët tonë nuk mund të vijonin mësimin në shkollën e komunës, dhe autobusi lokal më nuk ndalej në fshatin tonë.” “Më vonë grupi për kriza iu ndaloi boshnjakëve të shkonin në shitoret e tyre të ushqimit në Sokolac, dhe shitorja në fshat ishte mbyllur.”
Karic humbi babanë, kunatin, dhe xhaxhallarët e saj të cilët u vranë më 22 shtator.
Të mbijetuarit tjerë të Novoseoces I thanë IWPR sesi shërbimet komunale për të cilat Tupajic dhe Bjellica ishin përgjegjës iu mohuan fshatit. Energjia elektrike ishte shkyçur në qershor, duke vijuar me ndaljen e ujit muajin tjetër.
Tupajic dhe Bjelica erdhën në Novoseoce më 27 korrik së bashku me komisarin e ushtrisë serbe të Bosnjës Milorad Savic, disa ushtarë dhe një ekip televiziv, për të mbledhur nga fshatarët armët e tyre të regjistruara të gjyetisë, thonë dëshmitarët.
Të brengosur, fshatarët kërkuan nga Tupajic dhe Savic autobusë në mënyrë që ata të mund të udhëtonin në territoret e kontrolluara nga boshnjakët.
“Tupajovic tha se kjo nuk ishte e nevojshme, dhe u tha fshatarëve mos të brengoseshin,” i tha IWPR Selmanovic.
“Savic tha, ‘ askush nuk do t’ju bëjë asgjë, asnjë qime e flokut nuk do t’ju mungojë’,” shtoi Ocuz.
“ Më kujtohet kur e pata parë këtë vizitë në kanalin televiziv të Karadzic, kur isha në Sarajevë,” rikujton Karic. “Bjelica dhe Savic ishin atje së bashku me Tupajic. Vizita u xhirua për ti treguar publikut se si ata i trajtojnë boshnjakët lojalë.”
Motra e Munirës, Muniba Karic rikujton se si Savic u tha fshatarëve të qëndrojnë në fshat. “Ai tha se pyjet përreth ishin të mbushura me ushtarë serbë dhe ne nuk duhej ta lëshonim fshatin por duhej të qëndronim ku ishim,” tha ajo.
Nga korriku deri më 21 shtator, fshatarët vazhduan të jetonin me sa mundeshin, duke i mbledhur të korrurat. Por nuk ishte kohë e lehtë.
“Fqinjët serbë tani në uniformë dhe duke mbajtur armë vinin në fshat pothuajse çdo natë për të na kontrolluar,” tha Muniba Karic. “Vizitori më i rregullt ishte fqinji ynë i parë, Rade Dubovina. Ne e pyesnim Raden vazhdimisht nëse duhej ta lëshonim vendin por ai gjihmonë thoshte se gjërat do të rregulloheshin. Më vonë ai do të ishte njëri nga ushtarët që do ti rrethonte meshkujt tonë më 22 shtator.”
Fshatarët menduan se do të ishin të sigurtë pasiqë e kishin nënshkruar një dokument ku premtonin bashkëpunim me qeverinë serbe të Bosnjës dhe përfaqësuesit e saj në Sokolac. Në shkëmbim, atyre iu premtua se do të liheshin të qetë. Ndërkohë, fshatrat tjera muslimane në rajonin Romanija iu ekspozuan spastrimit etnik nga prilli gjer në gusht të vitit 1992.
Përkundër premtimeve të dhëna nga Tupajic dhe autoritetet komunale, fshatarët ishin të frikësuar.
“Në verë ndëgjuam gjuajtje armësh qe vinin nga fshatrat boshnjake,” tha Selmanovic. “Ne gjithmonë e kishim nga nje çantë gati në rast se na duhej të iknim shpejt. Nganjëherë i lëshonim shtëpitë gjatë natës dhe shkonim për të fjetur në pyje, sepse mendonim se ata do të na sulmonin. Gjatë natës, dy meshkuj bënin roje në rrugën kryesore në mënyrë që të na lajmëronin nëse dikush po vinte.”
SULMI
Përkundër vënjes së rojeve, fshatarët u zunë në befasi në mëngjesin e 22 shtatorit ku ushtarët rezervistë serbë hynë në fshat nga anë të ndryshme. “ Ne kurrë nuk do të kishim menduar se ata do të vinin nga pyjet prapa shpinës tonë,” tha Selmanovic.
Rreth 300 trupa e rrethuan fshatin në tre rrathë koncentrikë. “Kamionët erdhën në fshat duk bartur armë dhe eksploziv,” tha ajo.
Ocuz përshkruan çfarë ka parë, “Ushtarët serbë e rrethuan fshatin. Neve na ishtë thënë të mblidheshim në majë të kodrës prandaj të gjithë ne shkuam atje. Dielli po shkëlqente mbi ne, ishte mot i nxehtë. Pas një kohe fëmijët filluan të qanin. Ne nuk kishim ujë dhe nuk mund ta lëshonim kodrën pa përcjellje.”
Komandanti i trupave ishte identifikuar nga dëshmitarë të numërt si Momcilo Pajic, banor vendor në shërbim si major rezervist në policinë ushtarake. “Pajic u afrua tek ne dhe tha, ‘nëse keni armë, dorëzojini tani’,” rikujton Ocuz. “Pastaj ushtarët filluan ti thyenin shtëpitë tona dhe i morrën të korrat nga bodrumet tona.,” tha ajo.
Pajic komunikonte përmes radios, duke biseduar me një anëtar të grupit për kriza, thonë dëshmitarët okularë. “Ai u largua për nja një orë e gjysëm,” vazhdoi Muniba Karic.”Kur u kthye, ai dukej i lodhur dhe i padisponuar. Ai tha se i kishte marrë urdhërat dhe ne mund ta shihnim që ishte vështirë për të.
“Ai e hoqi helmetën dhe tha se gratë, fëmijët dhe pleqtë duhet të shkonin në Sarajevë, ndërsa meshkujt do të mbaheshin për shkëmbim të të burgosurve.
“Pas disa orëve, femrat u ndanë prej meshkujve. Unë u përshëndeta me bashkëshortin tim dhe eca poshtë kodrës në drejtim të autobusit. Kur erdha te varrezat, u përshëndeta me djalin tim përtej gardhit. Ia dhashë çelësat e shtëpisë tonë, dhe xhaketën e tij dhe të babait të tij në rast se do të kishin ftohtë. Që nga ajo ditë, nuk i pashë më kurrë.”
Ocuz zbriti nga autobusi për ti thënë lamtumirë bashkëshortit të saj. “Nuk do ta harroj kurrë atë pamje. Gjersa po ngjitesha kodrës për ti thënë lamtumirë burrit tim, dielli i nxente fuqishëm meshkujt. Ata më të vjetrit i kishin hequr kapelet dhe flokët e tyre të bardhë shkëlqenin në diell. Në atë moment, i pashë trupat përforcuese duke ardhur nga pyjet,” i tha ajo IWPR.
Atë ditë, Ocuz humbi djalin e saj 14 vjeçar dhe bashkëshortin e saj Asimin.
VRASJET MASIVE DHE VARRIMI
Të mbijetuarit dëshmuan një vrasje të befasishme, atë të një gruaje, Devla Karic, e cila u vra në afërsi të xhamisë së fshatit. Gratë tjera bartën me autobus jashtë fshatit dhe u dërguan në rrugë për Sarajevë.
Më vonë gjatë pasdites, banorët meshkuj u bartën përpara xhamisë së fshatit. Dyzet e pesë burra dhe djem të moshës 14-68 u ekzekutuan në vend. Analizat e mjekëve ligjorë më vonë do të dëshmonin se ata ishin shoshitur me plumba nga armët automatike.
Vrimat e plumbave në kafkat e rigjetura indikojnë së viktimat përveq plagëve tjera, janë gjuajtur edhe prapa kokës.
Xhamia më vonë ishte rrethuar me dinamit, dhe mandej copat e ndërtesës me trupat përreth gërmadhave-ishin zhvendosur jashtë fshatit.
Trupat e copëtuar dhe mbeturinat e xhamisë janë zbuluar më 8 shtator 2000, duke i dhënë fund kështu ankthit tetë vjeçar të kërkimit të trupave nga ana e familjeve, dhe duke i shembur shpresat se disa nga të zhdukurit mund të kenë mbijetuar. Dyzet e katër trupa janë ekshumuar nga fusha e mbeturinave në komunën e Ivan Poljes gjatë ditëve 5-8 Shtator, 2000.
Inçizimi i ekshumimit, që u shfaq për IWPR nga komisioni boshnjak për persona të zhdukur, ilustron se si pjesët e trupave së bashku me gërmadhat e xhamisë ishin të mbuluara me një shtresë mes një dhe dy metrash të gjerë të mbeturinave.
Një ish hetues i Hagës i cili kërkoi të mbetej anonim beson se, “ fakti që trupat janë hudhur në pronë të komunës është një indikator tjetër që autoritetet civile në Sokolac kanë luajtur një rol udhëheqës në masakrën në Novoseoce.”
NJË SHEMBULL TJETËR I KEQTRAJTIMIT
Dëshmitarët okularë deklarojnë se Tupajic and Bjelica ishin pjesëmarrës aktivë në spastrimin etnik në fshatrat tjera në komunën e Sokolac.
Dëshmitarë okularë të numërt nga fshatrat Knezina, Vulj dhe Vrbarje thonë se Milan Tupajic dhe Milovan Bjelica personalisht kanë organizuar dhe mbikqyrur procesin e vendim marrjes që çoi në shpërnguljen me forcë të këtyre popullatave muslimane.
Mustafa Imamovic, lideri i komunitetit të Knezinës në atë periudhë, ishte thirrur në mbledhje nga Tupajic dhe Bjelica në korrik të 1992 ku ishte propozuar së pari shpërngulja e muslimanëve nga Knezina.
Pak para hyrjes së trupave serbe në Knezinë, Tupajic arriti në fshat dhe deklaroi se të gjithë muslimanët duhet të largohen. “Urdhëri për deportimin tonë ishte dhënë nga Milan Tupajic, kryetar i komunës së Sokolac,” tha fshatari Ibrahim Secic në dëshminë e tij para tribunalit të Hagës.
“Muslimanët e kanë përbërë 30% të popullatës së komunës së Sokolac para luftës,” tha një ish punëtor i tribunalit të Hagës, që refuzoi të identifikohet. “Në vitin 1995, bukvalisht të gjithë muslimanët ishin shpërngulur me forcë ose ishin vrarë.”
ADMINISTRATORI CIVIL
“Tupajic ishte njëri ndër zyrtarët më të lartë të SDS në Bosnjën lindore në veprim jashtë Pales në procesin drejt dhe gjatë luftës,” tha një ish hetues i Hagës, duke u deklaruar nën kushtin e anonimitetit.
IWPR nuk ishte në gjendje të kontaktonte Tupajic, informatat për të cilin janë ende të panjohura, edhepse adresa e tij e fundit ishte në Sokolac.
Por kolegu i tij Bjelica ka mohuar se Tupajic mban përgjegjësi për çfarë ka ndodhur në Novoseoce.
Tupajic u zgjedh zëvendës kryetar i regjionit të gjerë autonom serb në Romanija e cila përfshinte pjesën më të madhe të Bosnjës lindore në vitin 1992.
Pas masakrës së Novoseoces, Tupajic dhe Krstic u graduan së bashku, ky i fundit në pozitën e zëvendës komandantit të trupave Drina, njësit ky që luajti rol kryesor në rënjen e trupave të KB dhe “zonës së sigurtë” në Srebrenicë si dhe eliminimin e banorëve meshkuj. Tupajic paraqitet atje gjithashtu, si zyrtari më i lartë i SDS prezent gjatë një masakre.
Pas luftës, Tupajic u zgjodh udhëheqës i grupit parlamentar të SDS në Kuvendin serb të Bosnjës para se të vihej në listën e zezë nga Zyra e Përfaqësuesit të lartë për çka është definuar si përkrahje e vazhdueshme e Karadzicit nga ana e tij.
Tribunali i Hagës nuk e ka akuzuar atë asnjëherë, dhe stafi i lartë i zyrës së prokurorit ka refuzuar të diskutojë kontaktet mes Hagës dhe Tupajic.
IWPR sidoqoftë ka mësuar se tribunali ka lëshuar një urdhër të “kategorisë A” për procedim kundër Tupajic nën akuzë të veçantë për krime lufte, ku nuk përfshihet Novoseoce. Arsyeja pas këtij kategorizimi do të thotë se dëshmitë konsiderohen të mjaftueshme të arsyetojnë arrestimin dhe akuzën, edhepse rastet si ky i Tupajic ende nuk janë sjellë para gjyqit.
“Nuk mund të na fajësoni për faktin se nuk mund të gjykojmë njerëz si Tupajic,” I that IWPR një burim nga zyra e prokurorit në Hagë. “ Këshilli i Sigurimit [ i Kombeve të Bashkuara] na ka ndaluar hetimin dhe ndjekjen e personave tjerë,pos atyre që janë në pozita të larta dhe përgjegjës për vrasje,” tha ky burim, duke iu referuar vendimit të KB vitin e shkuar që ndalon tribunalin në lëshimin e aktakuzave kundër figurave të nivelit më të ultë.
“Liria e personave përgjegjës për krime të rënda nuk vazhdon të jetë për fajin [e tribunalit], por për shkak të atyre që duan ta ndërprejnë punën para se të jetë kryer,” konkludoi ky burim.
KOMISARI POLITIK
Në nëntor të vitit 2004, Bjelica u takua me IWPR në një motel në Sokolac për të diskutuar punën e tij si zëvendës regjional suprem në SDS në vitin 1991, dhe bisedoi hapur për kontaktin e tij të ngushtë me Karadzic dhe Krajisnik.
Ai mohoi çdo rol të mundshëm në masakër.
“Novoseoce është një njollë e errët për Sokolac dhe popullatën serbe në përgjithsi,” i tha ai IWPR. “Ne si autoritet civil thjesht ishim të brengosur se institucionet civile duhet të vazhdonin punën e tyre.
“As Tupajic dhe as unë nuk kemi luajtur rol ushtarak. Ne nuk kemi ditur dhe nuk kemi marrë pjesë në operacione ushtarake.”
Bjelica ka shkuar ne vijim të udhëheqë një komunë të gjerë të njohur si Sarajeva serbe, dhe më vonë punoi si shef llogaritar për Centreks, firmë kjo e supozuar të ketë vepruar si mbështetje finaciare për rrjetin e fshehtë që i ndihmoi Karadzicit ti ikë arrestimit pas përfundimit të luftës në 1995.
Sikur Tupajic, Bjelica ishte shenjuar në listën e zezë nga Unioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për shkak të mbështetjes së supozuar që ai i kishte dhënë Karadzicit. Kjo rezultoi në mënjanimin e tij nga skena politike dhe ajo e biznesit shtetëror, si dhe në marrjen e të drejtës së udhëtimit në UE, dhe zhvillimin e biznesit me shtetasit amerikanë.
ENDE NË KËRKIM TË KOMPENSIMIT
Ndjenja se drejtësia ka ende për tu realizuar nuk është prezente askund më tepër se në Novoseoce.
Një heshjte e tensionuar e mbështjell udhëtarin në rrugën e përbaltur që çon në fshatin Novoseoce, në hijen e bjeshkëve spektakulare të Romanijas në Bosnjën lindore. Gërmadhat e shtëpive të vjetra nga guri që dikur ishin vende banimi për 160 banorë janë dëshmitarë të heshtur të krimit që ka ndodhur aty 12 vite më parë.
Dyzet e katër gur-varreza që shkëlqejnë me bardhësinë e tyre përskaj rrugës janë dëshmi e fatit të burrave dhe djemve që për gjenerata punuan tokën në të cilën tani shtrihen në prehje. Aty ka vend edhe për një trup.
“E kam gjetur trupin e djalit tim, mirëpo ende nuk e kam gjetur atë të bashkëshorit tim, Muharemit,” ish banorja Munira Selmanovic I tha IWPR, duke e hapur çantën e saj zakonisht të zbrazët për të na treguar gjërat më me vlerë për të-fotografitë e djalit dhe bashkëshortit të saj.
“Unë ende jam në kërkim të tij. Komisioni për personat e zhdukur mendon se duhet të ketë ende trupa në fushën e mbeturinave në komunën e Ivan Poljes. Ata thonë se do të fillojnë të gropojnë prapë-ndoshta bashkëshorti im është aty.”
Familjarët e viktimave janë të fokusuar vendosmërisht në Odën e Re për Krime të Luftës si një mënyrë e re për zbatimin e drejtësisë.
“Shpresoj se kjo gjykatë e re do të jetë e interesuar në Novoseoc,” tha Muniba Karic.
Brengat e të mbijetuarve për zbatimin e drejtësisë që përfshijnë tërë Bosnjën janë brengë edhe e vëzhguesve që thonë se shumë vite do të kalojnë para se shumë të dyshuar për krime do të gjykohen para gjyqit.
“Nëse do të ketë paqe në Bosnjë, të mbijetuarit e Novoseoces dhe të fshatrave tjerë të numërt në vend duhet të shohin keqbërësit para drejtësisë,” tha Amor Masovic, shef i komisiont për persona të zhdukur në Bosnjë.
James Lyon, drejtor i organizatës Grupi i Krizës për parandalimin e konfliktit në Serbi dhe Mal të Zi, pajtohet me këtë mendim. “ Nëse fajtorët nuk do të dënohen, ne nuk mund të flasim për pajtim të mirëfilltë dhe paqe,” paralajmëroi ai.
“E ardhmja e Bosnjës si një vend i qetë varet në një numër të madh të gjykimeve të drejta të cilat do të jenë dëshmi se çfarë ka ndodhur këtu si dhe do tu dëshmojnë qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike se drejtësia është vënë në vend.”
Nerma Jelacic është udhëheqëse e projektit për IWPR për Bosnjë dhe Hercegovinë. Hugh Griffiths është kordinator për hetime me IWPR. Ky hetim është pjesë e raportimeve dhe aktiviteteve trajnuese për krime lufte që IWPR dhe partnerët e saj regjionalë Rrjeti Raportues për Hetime i Ballkanit jane duke zhvilluar në Bosnjë që koincidon me hapjen e Odës për Krime Lufte në Sarajevë.
Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Jashtme Zvicerane dhe fondi për media i UNESCO’s, dhe është implementuar në bashkëpunim me USAID Media. Ky hetim është zhvilluar me donacion nga ambasada amerikane në Sarajevë.