DYSHIME MBI PËRFSHIRJEN E NANOS NË TRAFIK ARMËSH
Opozita shqiptare po shfrytëzon transkriptimin e një bisede kompromentuese që kryeministri thuhet të ketë pasur në vitin 1997.
DYSHIME MBI PËRFSHIRJEN E NANOS NË TRAFIK ARMËSH
Opozita shqiptare po shfrytëzon transkriptimin e një bisede kompromentuese që kryeministri thuhet të ketë pasur në vitin 1997.
Deputetët shqiptarë pritet të votojnë javën e ardhëshme për të nisur një hetim parlamentar mbi rolin e mundëshëm të kryeministrit Fatos Nano në një skandal trafiku armësh.
Nikollë Lesi, një deputet i Partisë Demokristiane të opozitës dhe botues i gazetës së përditëshme Koha Jonë, më 8 nëntor ka paraqitur transkriptimin e një bisede e cila duket se e lidh Nanon me planet për të siguruar fitime nga ndryshimi i ligjeve të cilat dënojnë trafikun e armëve.
Thirrja e Lesit për ngritjen e një komisioni dhe zhvillimin e një hetimi parlamentar ka siguruar tanimë mbështetjen e 35 deputetëve megjithëse sipas ligjit duhen 71 vota, pra mbi 50 përqind e 140 deputetëve – për të miratuar krijimin e komisionit.
Nano ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar vetë nisjen e një hetimi. Prokurori i përgjithëshëm duhet të “nisë një hetim të hollësishëm të drejtuar nga shteti për të gjitha elementët e përmendur nga deputeti Nikollë Lesi,” ka thënë ai.
Transkriptimi i bërë publik është ai i një bisede për të cilën Nano akuzohet se ka pasur me Fehmi Abdiun, ish kryetari i komisionit parlamentar të ligjeve në atë kohë, dhe tani kryetar i gjykatës kushtetuese, në një hotel luksoz të Tiranës më 15 dhjetor, 1997.
Lesi thotë se e ka siguruar bisedën e regjistruar nga një ambasadë e huaj në Tiranë, gjë e cila lë të kuptohet se biseda mund të jetë regjistruar nga shërbime sekrete perëndimore.
Në bisedën e transkriptuar dy bashkëbiseduesit diskutojnë përfitimin e shkurtimit të dënimit me 15 vjet burgim për trafikantët e armëve dhe përfitimin nga shitja e armëve për në Kosovë.
“Nëse ligji i trafikut të armëve shfuqizohet, dyert do të happen për gjithshka dhe ne mund ti mbyllim ato kur të duam,” citohet të ketë thënë Abdiu, dhe Nano thuhet të jetë përgjigjur: “Atëherë këtë punë mund ta quajmë të mbyllur”.
Megjithëse këto thënie nuk janë konfirmuar apo provuar, ato e kanë vendosur kryeministrin në një pozicion të vështirë dhe kanë shkaktuar një zhurmë të madhe në rradhët e klasës politike në vend.
Nano dhe Lesi kanë pasur marrëdhënie të tensionuara prej disa kohësh. Gazeta e Lesit, Koha Jonë, ka akuzuar më parë bashkëshorten e Nanos, Xhoana, për lidhje me shërbimet sekrete greke, përpara martesës së saj me Nanon në vitin 2001. Ajo ka jetuar dhe punuar në Greqi për disa vjet.
Pasi Xhoana Nano ka ngritur padi ndaj gazetës dhe botuesit të saj, Lesit, për shpifje, gjykata e lartë ka kërkuar që parlamenti ti heqë imunitetin parlamentar Lesit, duke mundësuar dënimin e tij me gjobë apo edhe me burgim të mundëshëm.
Organizmat ndërkombëtare të mediave, si Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, kanë dënuar vendimin e gjykatës si me ngjyrim politik dhe një përpjekje për të ushtruar presion dhe kufizuar lirinë e fjalës.
Organizata e të drejtave të njeriut, Artikulli XIX i ka dërguar një letër Nanos më 17 maj, ku thuhej se rasti i Lesit thekson edhe më tepër një “atmosferë kërcënimi e cila është shkaktuar nga padia juaj për shpifje ndaj një gazetari i cili ka kritikuar veprimet tuaja”.
Përpjekja për ti hequr imunitetin Lesit ka dështuar, pasi vetëm 62 deputetë – pra më pak se gjysma e deputetëve të pranishëm në momentin e votimit – kanë votuar pro.
Lesi e ka përdorur atë seancë të zhvilluar më 8 nëntor për të bërë publike edhe transkriptimin duke lexuar në sallën e parlamentit bisedën ndërmjet Nanos dhe Abdiut.
Zëdhënësi i Nanos, Aldrin Dalipi, ka kundërshtuar përmbajtjen e kësaj bisede duke e quajtur atë të fabrikuar, duke thënë se kryeministri kishte qenë në një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe më 15-18 dhjetor kur thuhet të jetë regjistruar biseda në hotelin në Tiranë.
Vetë Nano e ka quajtur dokumentin si një “gënjeshtër të keqe e cila kërcënon stabilitetin e vendit” duke lënë të kuptohej se rivali i tij në Partinë Socialiste, ish kryeministri Ilir Meta dhe kryetari i opozitës, Sali Berisha, janë personat e vërtetë të cilët qëndrojnë pas këtyre akuzave.
Lesi, megjithatë, i qëndron dokumentit të paraqitur, duke ngulur këmbë se mospërputhja e datave është e shpjegueshme. Data e vendosur mbi dokument nuk ka qenë ajo e regjistrimit të bisedës, ka thënë ai, por atë kur është bërë transkriptimi i regjistrimit.
“Alibija e kryeministrit se ai ka qenë në Londër atë ditë nuk ka të bëjë aspak me vërtetësinë e regjistrimit,” ka thënë Lesi.
Ndërkohë, Abdiu thotë se Lesi e ka fabrikuar këtë document për të sulmuar kryeministrin dhe atë vetë. Abdiu ka thënë ligjet për trafikimin e armëve janë ndryshuar pasi ato kanë qenë antikushtetuese, dhe jo sepse qeveria shpresonte të përfitonte nga këto ndryshime.
Qeveria e drejtuar nga socialistët ka ndryshuar ligjet anti trafik kur erdhi në pushtet pas valës së revoltave popullore e cila rrëzoi qeverinë e Berishës. Ndryshimet ligjore kanë shkurtuar dënimet me burg për njerëzit të cilët mbanin armë në mënyrë të paligjëshme.
Berisha thotë se i takon kryeministrit të provojë se akuzat e Lesit nuk janë të vërteta.
“Kryeministri nuk ka dhënë asnjë argument për të provuar se takimi nuk është kryer,” ka thënë ai para gazetarëve më 12 nëntor. Ai ka sugjeruar se ekspertë ndërkombëtarë mund të marrin pjesë në një hetim të mundëshëm parlamentar në të ardhmen.
Disa analistë politik thonë se dokumenti dhe akuzat e paraqitura nga Lesi i kanë shkaktuar një dëm serioz Nanos dhe institucioneve shtetërore.
Andi Bushati, redaktor i revistës Klan, ka thënë se Nano nuk ka mundur të largojë dyshimet që ky takim me Abdiun në fakt është mbajtur.
“Argumentat e dhëna nga kryeministri dhe Abdiu nuk janë të forta,” ka thënë Bushati. Fakti që Nano ka reaguar “shumë i tensionuar” ndaj një dokumenti që ai e ka quajtur të rremë vetëm shton dyshimet, ka thënë redaktori në një debat televiziv më 11 nëntor.
Mustafa Nano, një analist i pavarur, ka thënë se qeveria duket e shqetësuar nga paraqitja e transkriptimit.
“Kryeministri dhe njerëzit e tij të afërt nuk po munden të fshehin panikun që i ka kapur dhe po kërkojnë me gjysëm zëri që institucionet përgjegjëse të hetojnë,” ka thënë analisti.
“Zyra e prokurorit të përgjithëshëm duhet të zbulojë të vërtetën dhe të tregojë se ajo është vërtetë një institucion i pavarur,” ka shtuar.
Pavarësisht nga hetimi i kërkuar në parlament, prokurori i përgjithëshëm, Theodhori Sollaku, i ka kërkuar shërbimit sekret të vendit të hetojë nëse dokumenti është i vërtetë.
Personi i cila ka nënshkruar transkriptimin, Sokol Koçiu, një ish oficer policie i cili po vuan tani një dëbim me burgim për trafik droge, ka ngulur këmbë nga burgu se dokumenti është i vërtetë. Koçiu ka thënë se ai do të dëshmojë vetëm përpara një hetimi të parlamentit.
Lesi po përpiqet tani të sigurojë numrin e nevojëshëm të firmave të deputetëve për të detyruar ngritjen e komisionit parlamentar dhe hetimin e kësaj çështjeje.
“Parlamenti është i vetmi institucion i cili ka besueshmërinë dhe paansinë për të gjetur të vërtetën,” ka thënë ai për IWPR.
Suela Musta është gazetare e Top Albania Radio në Tiranë.