Perëndimi Merr në Shqyrtim një Plan Radikal për Bosnjën
Mediatori kryesor për Bosnjën propozon një shkrirje të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në vend.
Perëndimi Merr në Shqyrtim një Plan Radikal për Bosnjën
Mediatori kryesor për Bosnjën propozon një shkrirje të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në vend.
Komuniteti ndërkombëtar po merr në shqyrtim një plan radikal për të unifikuar agjencitë perëndimore në Bosnje në mënyrë që të përmirësojë eficencën e ndihmës së huaj për vendin.
Bordi drejtues i Këshillit për zbatimin e paqes PIC ra dakort që të nisë diskutimin mbi planin e propozuar nga mediatori kryesor për Bosnjën Wolfgang Petrich në takimin e Stokholmit javën që shkoi.
Këshilli i cili përfshin përfaqësues të lartë të vendeve të përfshira në implementimin e paqes në Bosnje ra dakort për shtyrjen e mandatit të Petrich si përfaqësues i lartë edhe për një vit tjetër. Ai është i pari në këtë post që aplikon për një mandat të dytë.
Për muaj me rradhë zyrtarët lokalë dhe ata ndërkombëtarë kanë qenë të preokupuar me diskutimet publike dhe private si mbi zgjatjen e mandatit të Petrich ashtu edhe mbi propozimin e tij për të ridimensionuar organizatat ndërkombëtare që kanë aktivitet në Bosnjë.
Sipas këtij plani Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, OHR, Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë OSBE si dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara do të shkrihen gradualisht në një organizatë të vetme me buxhet dhe strukturë unike.
Nëse ky plan do të zbatohet siç duhet ai do të shënojë një kthesë rrënjësore në përpjekjet ndërkombëtare në Bosnje të cilat në të kaluarën janë penguar nga keqorganizimi dhe përsëritja e aktiviteteve.
Propozimi i bërë nga Petrich do të përmirësojë së tepërmi efektshmërinë e ndihmës ndërkombëtare. Vetëm gjatë këtij viti buxhetet për OSBE, OHR dhe Kombet e Bashkuara në Bosnje janë respektivisht 26.5 milion Euro, 25 milion Euro dhe 158.7 milion dollarë.
Shkrirja e angazhimeve të OSBE për zgjedhjet, të drejtat e njeriut dhe demokratizimin me përgjegjësitë e Kombeve të Bashkuara për politikat nën ombrellën e gjerë të detyrave te OHR për zbatimin e planeve të paqes nuk është një ide e re. Ajo është diskutuar prej kohësh që nga viti 1997.
Plani nuk u bë i njohur për dy arsye: axhendat e ndryshme dhe interesat e qeverive perëndimore të angazhuara në Bosnje si dhe ego e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë në vend.
Zgjatja e mandatit të Petrich, duke lënë mënjanë vendimin për të nisur një debat formal mbi unifikimin e agjencive të huaja në Bosnje, nuk ishte diçka e lehtë.
Shumë ekspertë vendas dhe të huaj besojnë se Petrich është më i miri dhe më i suksesshmi nga Përfaqësuesit e Lartë deri më sot ndonëse është e vështirë ta krahasosh atë me paraardhësit e tij, Karl Bildt nga Suedia dhe Karlos Westendorp nga Spanja pasi vetëm gjatë mandatit të Petrich OHR iu dha autoriteti dhe kompetencat për të luftuar efektivisht ekstremistët dhe mafien.
Gjatë mandatit të tij Petrich i përdori këto kompetenca për të shkarkuar 62 zyrtarë kroato-boshnjakë, serbo-boshnjakë dhe muslimanë nën akuzat e pengimit të procesit të paqes. Ai kaloi edhe dekrete mbi ligjet për pronën dhe rikthimin e refugjatëve.
Pavarësisht nga suksesi i tij i deritanishëm, marrëdhëniet e tij jo të mira me ambasadorët amerikanë dhe britanikë Thomas Miller dhe Graham Hand nënkuptonte se një pjesë e mirë e komunitetit ndërkombëtar ishte kundër zgjatjes së mandatit të tij.
Nuk është e panjohur tashmë se Miller në mënyrë të veçantë mendon se Petrich është i pavendosur dhe jo i predispozuar të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj ekstremistëve. Megjithatë ai kjo lëkundje e tij vjen si pasojë e mendimeve shpesh kontradiktore të diplomatëve amerikanë dhe atyre evropianë.
Duke patur parasysh natyrën e lëkundur të marrëdhënieve diplomatike në Sarajevë zyrtarët ndërkombëtarë atje nuk e pritën me entuziazëm propozimin e Petrich mbi unifikimin e agjencive perëndimore disa ditë para mbajtjes së takimit të Stokholmit.
Sipas draftit të parë të propozimit të tij OSBE dhe OHR do të shkriheshin në një mision të vetëm. Kombet e Bashkuara do t'i bashkëngjiteshin më vonë. Të tre agjencitë do të bashkoheshin nën ombrellën e OHR. Zyrtari i Lartë do të njihej si Përfaqësuesi i Lartë i OKB dhe do të kryente funksionin e të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB.
Petrich bëri thirrje për një koordinim më të mirë ndërmjet komponentëve civilë dhe ushtarakë të operacionit të paqes. Kjo - tha ai- do të arrihet nëpërmjet forcimit të marrëdhënieve midis OHR, OSBE dhe Kombeve të Bashkuara nga njëra anë dhe forcave të SFOR nga ana tjetër.
Këshilli i Zbatimit të Paqes,PIC, e mbështeti në përgjithësi idenë e Petrich dhe i sugjeroi atij të nisë diskutimet me agjenci të tjera ndërkombëtare për të zbatuar planin.
Por disa diplomatë perëndimorë të cilët ishin të pranishëm gjatë takimit të Stokholmit thanë se Përfaqësuesit të Lartë ju kërkua të vinte fillimisht rregull në shtëpinë e tij - duke reduktuar burokracinë e tepërt në OHR - përpara se PIC ta konsideronte me rëndësinë e duhur planin.
Të tjerë diplomatë theksuan se mbështetja e PIC për propozimin e Petrich nuk do të thotë domosdoshmërisht se ajo do të paraqitet. Ata dyshojnë se disa agjenci dhe diplomatë perëndimorë të cilët janë të interesuar për të zbatuar planet dhe interesat e tyre do ta kundërshtojnë planin gjatë javëve dhe muajve në vijim.
Amra Kebo është asistent redaktore e IWPR në Bosnje dhe redaktore për të përditshmen e Sarajevës Oslobodjenje.