ZAGREBI NXIT REFORMAT NË MEDIA

Qeveria Kroate dëshiron që transmetuesit shtetëror të çlirohen nga influenca politike

ZAGREBI NXIT REFORMAT NË MEDIA

Qeveria Kroate dëshiron që transmetuesit shtetëror të çlirohen nga influenca politike

Wednesday, 7 March, 2001

Media më e madhe në Kroaci, Radio-Televizioni Kroat, HRT, do të nisë këtë muaj një transformim të vështirë, me synim çlirimin e transmetuesit shtetëror nga kontrolli politik.


Stacioni, në të cilin janë punësuar mbi tre mijë njerëz, është shumë me influencë. Sipas anketimeve më të fundit del se ai influencon opinionet e rreth 80 përqind të publikut.


Legjislacioni i cili lehtëson transformimin e HRT-së është miratuar në parlament në muajin Shkurt, megjithë kundërshtimin e shumicës nacionaliste në dhomën e lartë.


Dhoma e lartë e dominuar nga HDZ-ja nuk ka pranuar të miratojë ligjet e reja, por sipas kushtetutës të vendit ligjet e miratuara nga dhoma e ulët hyjnë në fuqi dy javë pas ratifikimit të tyre nga dhoma e lartë.


Prej dhjetë vjetësh, HDZ ka diktuar përmbajtjen dhe politikën editoriale të HRT-së. Pas fitores së zgjedhjeve të fundit parlamentare një vit më parë, qeveria e koalicionit prej gjashtë partish në Kroaci ka kryer një luftë të ashpër për të shmangur kontrollin e HDZ-së ndaj transmetuesit kryesor televiziv.


Pas ardhjes në pushtet, qeveria ka emëruar një drejtor të ri, por stafi i rekrutuar gjatë periudhës së HDZ-së ka mbetur po aty.


Qeveria e koalicionit nuk ka preferuar të kryejë një ndryshim total të stafit, me qëllim që të distancohej nga regjimi i dikurshëm i Tugjmanit, i cili shpesh ndërmerrte spastrime të tilla.


Por politika asnjëanëse në disa raste i ka kushtuar shtrenjtë qeverisë, sepse disa gazetarë dhe redaktorë kanë përkrahur haptazi HDZ-në në kohën e krizave politike.


Gjatë demonstratave më të fundit nacionaliste në mbështetje të ish gjeneralit të ushtrisë Kroate, Mirko Norac - i akuzuar për krime lufte ndaj Serbëve në Kroaci gjatë të ashtuquajturës "Luftë për Atdheun" - HRT ka transmetuar emisione haptazi në mbështetje të tyre.


Qeveria ka kuptuar se mbajtja e premtimeve para elektorale për të transformuar televizionin shtetëror në një transmetues publik të pavarur nuk është aq e lehtë.


Në mesin e muajit Shkurt, HRT ka ndaluar transmetimin e një reklame për gazetën e përjavëshme Feral Tribune e cila botohet në Split, e cila ka qenë një kundërshtare e ashpër e rregjimit autokratik të Tugjmanit.


Megjithëse transmetimi i një reklame të Feral Tribune nga HRT-ja do të ishte një diçka e paimagjinueshme gjatë kohës së qëndrimit në pushtet të HDZ-së, ndalimi i bërë muajin e kaluar tregon se censura e tipit të vjetër ende ekziston.


Reklama përbën një tallje ndaj nacionalistëve Kroatë. Ajo është vetëm dhjetë sekonda e gjatë, dhe tregon fillimisht shkatërrimin e Urës së Vjetër në Mostar nga forcat Kroate të Bosnjes, dhe më pas ekrani nxihet dhe shfaqen fjalët "Mendo për këtë, kujto...".


Sllogani të kujtonte atë të përdorur kohët e fundit në një poster elektoral të HDZ-së, duka paralajmëruar votuesit se "komunistët" - opozita demokratike - po riktheheshin.


Për posterin është përdorur një pamje famëkeqe e vitit 1990, e cila është shdnërruar në sinonim të rritjes së tensioneve që çuan në shpërbërjen e ish Jugosllavisë. Në foto, shihen disa oficerë të policisë federale duke rrahur një tifoz të ekpit të futbollit të Dinamos së Zagrebit me shkopinj gome, pas një ndeshje futbolli me Yllin e Kuq të Beogradit e cila përfundoi me një rrëmujë totale. Sllogani i posterit ishte: "Mendohu për këtë, kujto...".


HRT ka deklaruar se reklama e Feral Tribune ishte ndaluar sepse imazhi i zi në fund ngatërronte shikuesit, të cilët mendojnë se programi është ndërprerë.


E gjithë kjo ka shkaktuar një skandal. Drejtori i HRT-së Mirko Galiq i ka kërkuar falje personalisht Feral duke thënë se ndalimi është bërë pa lejen e tij. Ai ka urdhëruar që reklama për të cilën pagesa është bërë më aprë, të fillojë të shfaqet përsëri.


Sipas ligjit të ri, influenca politike mbi HRT-në do të pakësohet ndjeshëm dhe ndoshta do të shmanget krejtësisht. Drejtori i televizionit nuk do të emërohet nga parlamenti. Posti do të jetë i hapur publikisht dhe një këshill prej 15 anëtarësh do të marrë vendimin përfundimtar.


Më parë, këshilli i HRT-së është përbërë nga politikanë. Sipas sistemit të ri, figura të larta publike dhe kulturore, përfshirë gazetarë dhe anëtarë të organizatave jo-qeveritare do të jenë anëtarë të këtij bordi.


Përveç ndryshimeve të stafit kryesor, HRT do t'i nënshtrohet edhe një riorganizimi të përgjithëshëm. Struktura gjigande do të ndahet në disa kompani më të vogla të veçanta. Tre stacionet e radios do të ndahen. Dy do të mbeten në duart e shtetit, dhe tjetri do të privatizohet. Departamentet e transmetuesve dhe komunikimeve do të krijojnë një ndërmarrje më vete.


Por ka njerëz të cilët mendojnë se legjislacioni i ri nuk do të mjaftojë për të zgjidhur problemin e influencës politike në median publike.


Damir Matkoviq, një redaktor në HRT dhe anëtar i Forumit 21, një bashkim i gazetarëve të televizionit të cilët kanë protestuar haptazi kundër ndërhyrjeve politike gjatë periudhës së Tugjmanit, mendojnë se mungesa e kontrollit publik mbetet një problem.


"Problemi është se publiku Kroat nuk ka ende asnjë lloj influence sepse shoqëria civile nuk funksionon ende këtu," thotë Matkoviq. "Për shkak të mungesës përgjegjësisë përpara publikut disa politikanë janë në gjendje të ndryshojnë programet vetëm me anë të një telefonate. Ata thjesht i telefonojnë redaktorit dhe i thonë atë që duan dhe nuk duan të thuhet në një program televiziv. HRT-ja ka funksionuar kështu gjatë periudhës së sundimit të Tugjmanit".


Dragutin Hedl është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Croatia
Frontline Updates
Support local journalists