Nisin Bisedimet e Paqes për Preshevën

Negociatorët Jugosllavë përjashtojnë mundësinë e autonomisë rajonale në bisedimet e paqes për Preshevën

Nisin Bisedimet e Paqes për Preshevën

Negociatorët Jugosllavë përjashtojnë mundësinë e autonomisë rajonale në bisedimet e paqes për Preshevën

Forcat Serbe të sigurimit janë shpërndarë në të gjithë qytetin e Bujanovcit, një javë pas vendosjes së armëpushimit ndërmjet Beogradit dhe luftëtarëve Shqiptarë në Serbinë jugore.


Ekziston optimizëm se mund të arrihet një marrëveshje më e qëndrueshme, pavarësisht tensionit të vazhdueshëm. Ende ndodhin tensionime të situatës. Negociatorët nuk kanë një kontroll të plotë ndaj palëve ndërluftuese, të cilat ruajnë pozicionet e tyre përgjatë një vije ndarëse.


Por analistët shohin një hapësirë për marrëveshje pas armëpushimit të fundit, dhe Beogradi është optimist për bisedimet e paqes të cilat kanë filluar më 23 Mars. "Ne i kuptojmë qartë kërkesat e Shqiptarëve lokalë dhe unë jam optimist," ka thënë një zyrtar i ekipit koordinues të qeverive Serbe dhe Jugosllave. Burime pranë ekipit të Beogradit thonë se ata janë të gatshëm t'u ofrojnë Shqiptarëve në Serbinë e jugut një shkallë të gjerë të drejtash civile dhe politike, por përjashtojnë mundësinë e një statusi të veçantë për rajonin.


"Ne shpresojmë që ata të kenë qëllime të ndershme, sepse nëse prapa ngjarjeve në Serbinë jugore dhe Maqedoni fshihet një dëshirë për të ndryshuar kufinjtë, atëherë nuk mund të ketë shpresë për zgjidhjen e krizës në Ballkan," shton zyrtari.


Negociatorët Serbë po kërkojnë kthimin e Serbëve të rrëmbyer në zonën e sigurisë si edhe një pakësim të numrit të guerrilasve të Ushtrisë Clirimtare të Preshevës, Medvegjës, dhe Bujanovcit, UCPMB, në delegacionin e negociatorëve Shqiptarë.


"Megjithatë, ne mendojmë se do të jemi në gjendje të gjejmë një zgjidhje të pranueshme dhe bisdeimet do të fillojnë në kohë," ka thënë një zyrtar Jugosllav.


Një oficer i lartë i policisë Serbe në fshatin Lucane pranë Bujanovcit, ka thënë për IËPR-në se forcat e tij po e respektojnë rreptësisht armëpushimin, dhe sulmet nga ana e Shqiptarëve të armatosur "kanë qenë sporadike".


"Ju e shihni, megjithëse është nënshkruar një armëpushim, ata vazhdojnë të gërmojnë transhe të reja dhe të sjellin përforcime. Kjo nuk është një shenjë e mirë," thotë ai, duke treguar pozicionet e Shqiptarëve të armatosur të cilët kontrollojnë gjysmën e fshatit.


Pjesa më e madhe e Shqiptarëve në Serbinë jugore jetojnë në dhe rreth tre bashkive kryesore të Bujanovacit dhe fshatrave fqinje të Lucane, Tërnavë e Madhe. Më shumë se 30 vetë kanë vdekur gjatë luftimeve ndërmjet UCPMB-së dhe policisë Serbe të armatosur lehtë gjatë vitit të kaluar.


Pavarësisht tensioneve, kamionë dhe makina të mbushura me civilë - kryesisht Shqiptarë të cilët jetojnë brenda zonës së sigurisë - kalojnë lirisht në këtë rajon.


Ekipet koordinuese të qeverisë Jugosllave dhe Serbe, të drejtuara nga zëvendës presidenti Serb nebojsha Coviq, kanë krijuar bazën e tyre në Bujanovac. Megjithëse qyteti është i qetë, anëtarë të Ushtrisë Jugosllave, VJ, të armatosur, dhe policë Serbë janë vendosur në rrugët kryesore, dhe ato janë të mbushura me makina të mëdha dhe kamionë që transportojnë policë dhe ushtarë.


Nuk është vendosur ndonjë ndalim qarkullimi, por rrugët zbrasen krejtësisht në mbrëmje dhe dritaret mbyllen.


Serbët të cilët folën për IWPR-në kishin varur shpresat në përpjekjet për paqe të qeverisë Serbe.


"Coviq po përpiqet të na bindë se çdo gjë mund të zgjidhet paqësisht dhe se Beogradi nuk e ka harruar Serbinë e jugut," thotë e shqetësuar Marija Kovaçeviq nga Bujanovci. "Shpresoj që ai të ketë të drejtë. Ne ndjehemi shumë më të sigurtë qëkur policia dhe ushtria kanë ardhur këtu. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë nëse largohen ata".


Megjithëse teorikisht ka liri lëvizjeje në këtë bashki, është shumë e vështirë të shohësh ndonjë Serb në rrugën Kosova në pjesën perëndimore të qytetit, e cila është e banuar kryesisht nga Shqiptarët. Sipas rregjistrimit të vitit 1991, bashkia ka 49,000 banorë, 69 përqind e të cilëve janë Shqiptarë.


"Rruga Kosova ka qenë tepër e zhurmshme dikur," thotë një kalimtar Shqiptar. "Serbët vinin për të blerë në dyqanet tona me kënaqësi dhe uleshin me ne nëpër kafene. Tani kjo gjë nuk ndodh më. Ekziston një mungesë e madhe besimi ndërmjet dy popujve. Megjithëse gjendja është përmirësuar që prej ndryshimeve politike në Beograd, ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare".


Shenoll Aliu, një pronar dyqani Shqiptar, thotë për IWPR-në: "Fajin për këtë gjëndje e ka kryesisht Millosheviqi. Gjatë sundimit të tij ne jemi shtypur dhe përulur me të gjitha mënyrat. Njerëzit tanë nuk mund të punonin në administratën shtetërore. Policia financiare bënte të pamundurën për të gjetur ndonjë parregullsi në bizneset e Shqiptarëve me qëllim që ti mbyllte dyqanet dhe bizneset e tyre".


Ai thotë se gjërat janë rënduar edhe më tepër gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë. "Ndërmarrja e mobiljeve Simpo në Bujanovac kishte punësuar 48 Shqiptarë," thotë ai. "Ditën e parë të bombardimeve, pa asnjë shpjegim, na pushuan nga puna. Na thanë se mund të ktheheshim në punë kur të mbaronte lufta. Kjo ka ndodhur dy vjet më parë, dhe ende nuk ka ndryshuar asgjë. Ne e kemi hedhur ne gjyq Simpo-n por kompania nuk është paraqitur në asnjë seancë".


Një Shqiptar tjetër lokal, Qenan Xhelili, thotë se komuniteti i tij nuk dëshironte të ndahej nga Serbia, por insiston që autoritetet të respektojnë të drejtat e tyre njerëzore dhe civile, si edhe që Serbia të demilitarizojë rajonin dhe të krijojë një forcë policore me përbërje të përzier etnike.


Shumica e të pyeturve në Rrugën Kosova kishin qëndrim pozitiv ndaj planit të paqes për rajonin, i cili përmban edhe rivendosjen e të drejtave të Shqiptarëve dhe investime në infrastrukturën lokale.


Shqiptarët vendas nuk shohin ndonjë lidhje ndërmjet problemeve në Serbinë jugore dhe krizës në Maqedoni.


"Populli ynë në Maqedoni kanë problemet e tyre të cilat duhet ti zgjidhi nëpërmjet bisedimeve me qeverinë në Shkup," thotë Xhelili. "Kjo nuk ka të bëjë fare me Serbinë e jugut. Gjendja e tanishme në Maqedoni nuk do të ketë ndonjë ndikim mbi gjendjen e këtushme""


Por kjo pikpamje nuk pranohet nga negociatorët Serbë. Një burim i afërt me drejtuesin e ekipit thotë se kriza në Maqedoni mund të ndikojë në armëpushimin e këtushëm dhe të forcojë pozitat e ekstremistëve të cilët kërkojnë shkëputjen e bashkive të Serbisë jugore.


I njëjti burim thotë se procesi i paqes është dëmtuar nga fraksionet radikale në klasën politike Jugosllave - ata që kanë mbijetuar nga rregjimi i Millosheviqit. Për këtë arësye, Coviq ka marrë nën kontroll të gjitha forcat Jugosllave të sigurimit në zonë.


"Në të kaluarën, ushtria Jugosllave ka reaguar me shumë forcë ndaj zjarrit të lehtë të Shqiptarëve të armatosur," thotë burimi. "Kjo ka ndodhur për shkak të urdhërave të papërgjegjëshme nga lart.


"Disa gjeneralë edhe kanë bërë interpretimet e tyre dhe kanë komentuar për zhvillimin e procesit të paqes në Serbinë jugore duke rrezikuar procesin e bisedimeve. Nëse ata nuk e kuptojnë një gjë të tillë, nuk duhet të qëndrojnë më në postet e tyre".


Daniel Sunter është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Macedonia, Serbia
Frontline Updates
Support local journalists