Hapen Burgjet Për Gazetarët e 'Vërtetë'

Pas vendimit për Filipoviqin, cilido që merret me gazetarinë e vërtetë mund të përfundojë brenda ditës në burg.

Hapen Burgjet Për Gazetarët e 'Vërtetë'

Pas vendimit për Filipoviqin, cilido që merret me gazetarinë e vërtetë mund të përfundojë brenda ditës në burg.

Rrethi i dhunës ndaj medias serbe është mbyllur tashmë plotësisht. Pikërisht dy muaj përpara zgjedhjeve presidenciale, regjimi i Sllobodan Millosheviqit ka treguar përsëri forcën e tij duke dënuar gazetarin Miroslav Filipoviq me shtatë vjet burg për spiunazh dhe "shpërndarje informacioni të rremë".


Për herë të parë në Serbi një gazetar ka marrë një dënim të ashpër për shkakun e vetëm se ka bërë detyrën e tij: ka mbledhur informacion, ka shkruajtur artikuj dhe i ka botuar në gazeta të huaja dhe Internet. (Filipoviq ka kontribuar rregullisht për Institutin për Raportimin e Luftës dhe Paqes (IWPR) dhe Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP), si edhe të përditshmen e Beogradit Danas.) Dhe në një mënyrë që nuk ka aspak të bëjë me spinazhin ka firmosur me emrin e tij të gjitha artikujt.


Por dënimi i tij me burg ka një logjikë. Ky dënim vazhdon dhunën shtetërore ndaj medias, e cila ka filluar që një dekadë më parë. Faza e parë në luftën e medias ka qenë pushimi nga puna, në fund të viteve 1980, nga radio dhe televizioni shtetëror serb i një numri të madh stafi me mendime të pavarura, si edhe gazetarë të shtypit shtetëror. Kjo në fakt ka qenë vetëm fillimi i shkatërrimit të vetë Jugosllavisë dhe ka përfshirë kërcënime direkte të gazetarëve dhe producentëve të cilët nuk pranuan të bashkëpunonin. Kështu u arrit të vendosej një propagandë marramendëse e regjimit e mbushur me retorikë urrejtjeje, e cila do të shkatërronte më pas të gjithë rajonin.


Fushata kundër medias së pavarur vazhdoi menjëherë pas kësaj. Më 1990 anëtarë të organizatës paraushtarake ultranacionaliste "Shqiponjat e Bardha" - të drejtuar nga Dragoslav Bokan, kandidat i mundshëm për në Gjykatën e Hagës - hynë me forcë në zyrat e stacionit televiziv jonacionalist Yutel dhe shkatërruan me shkopa bejsbolli të gjitha pajisjet. Që prej asaj dite u bë e qartë se gazetaria e pavarur do të ekzistonte vetëm duke u ngritur mbi gërmadha.


Historia e sulmeve të tilla është e gjatë. Momentet kryesore përfshijnë një vendim të qeverisë federale në fund të vitit 1995, i cili e lejonte atë të merrte nën kontroll të përditshmen Borba dhe të largonte redaktorët dhe gazetarët e saj. Një gazetë e re e pavarur lindi nga rrënojat e Borbas me titullin Nasa Borba, por edhe ajo do të mbyllej në fund të vitit 1998 me një vendim tjetër të qeverisë, këtë rradhë me ligjin famëkeq të informacionit.


Radio B-92 është mbyllur disa herë. Në dhjetor të vitit 1996, sipas regjimit, për shkak të "lagështirës në kabllin koaksial" ajo ndërpreu transmetimet për disa ditë - derisa presioni ndërkombëtar e detyroi Millosheviqin të hiqte dorë. Lagështira u zhduk dhe transmetimet rifilluan.


Në fillim të fushatës së bombardimeve ajrore të NATO-s në mars 1999, B-92 u vendos nën kontrollin e regjimit - një veprim i justifikuar me daljen e papritur në skenë të krijuesve të vërtetë të stacionit (lexo anëtarë të rinj të partisë socialiste të Millosheviqit). Ata konfiskuan pajisjet teknike, kompakt disqe, libra, mobilje dhe gjithçka tjetër.


Në gusht të vitit 1999, e quajtur me emrin B2-92, stacioni rifilloi transmetimet duke përdorur një pjesë të mjediseve të stacionit televiziv Studio B. Por radioja ndërpreu transmetimet përsëri në maj të vitit 2000, kur një njësi e armatosur dhe e kamufluar e skuadrës anti-terror të ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë hyri me forcë gjatë natës në zyrat e saj - duke marrë nën kontroll Studio B, duke mbyllur Radio B2-92 dhe duke "çliruar" kështu Beogradin nga media elektronike e pavarur.


Janë përdorur edhe mjete të tjera, më pak të dhunshme, por njëlloj efikase, për të mbyllur edhe sektorë të tjerë të medias së pavarur. Botimi i gazetave është vështirësuar shumë, apo ka ndaluar fare - po të prekësh me dorë një kopje të gazetës së përditshme të Beogradit, Glas Javnosti, ajo të kujton një papirus të vjetër shekullor. Nuk mund të mendohej se një cilësi e tillë letre akoma mund të përdoret në botën e shtypit dhe botimeve.


Autoritetet nuk kanë hequr dorë nga arrestimet e herëpasherëshme dhe forma të tjera kërcënimi dhe shantazhi. Gazetari Nebojsha Ristiq nga stacioni i radios lokale në Sokobanja është dënuar me një vit burgim, vetëm sepse ka ngjitur një poster më shkrimin "Lironi B-92" gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s. (Në mënyrë ironike, vetë posteri që ai po hapte paraqiste në mënyrë figurative median e lirë pas hekurave të qelisë.) Propaganda kundër medias të ashtuquajtur pro-perëndimore ka qenë tepër e ashpër: ata janë të gjithë tradhëtarë, agjentë të CIA-s, njerëz të drejtuar nga "Rendi i ri Botëror".


Policia financiare, edhe ajo e armatosur, ka shpenzuar muaj të tërë duke kontrolluar imtësisht bilancet financiare të disa mediave, duke kërkuar për ndonjë provë të mbështetjes nga komuniteti ndërkombëtar kriminal. Shpërndarësit më të mëdhenj të gazetave janë kërcënuar se do t'u mbyllen bizneset nëse gjenden duke shitur Danas, Blic apo (deri sa ajo mbijetoi) Nasha Borba në kioskat e tyre.


Hapi më i rëndësishëm në procesin e ndalimit përfundimtar të medias së lirë në Serbi ka qenë Ligji për Informacionin, i aprovuar në tetor të vitit 1998. Në një vend ku paga mujore është tani 70 marka gjermane, ky ligj parashikon gjoba financiare deri në 180,000 marka vetëm për arësye se ke shqetësuar me shkrimet dhe komentet e tua një ministër. Një gazetë, Blic, është gjobitur edhe sepse ka botuar deklaratat e bëra nga një ministër i qeverisë në një konferencë për shtyp. Nisur nga ideja e prezumimit të fajit dhe jo të pafajësisë, vendimet jepen nga gjykatat brenda 24 orësh dhe janë parashikuar edhe dënime me burgim të gjatë në rast të mospagimit të gjobave.


Viktimat e para të këtij ligji kanë qenë e përditshmja Dnevni Telegraf dhe e përjavshmja Evropljanin, të cilat u detyruan të mbyllen pasi u gjobitën me shuma të mëdha. Duke e ndjerë atë që do të ndodhte, Nasha Borba ndaloi botimin: shkatërrimi i gazetës së përditshme më të mirë në RFJ ka shënuar edhe fundin e gazetarisë së lirë. Akoma edhe më i rëndësishëm është fakti që ligji arriti triumfin e tij psikologjik duke imponuar principin e frikës. Autocensura është legjitimuar, ndërsa gazetarët përpiqen të balancojnë instiktin e njoftimit të ndershëm dhe të vërtetë me nevojën për të mbetur alegorikë dhe për të mos shkruar të vërtetën haptazi në mënyrë që të evitojnë gjobat e larta.


Gazetari praktikisht është shkatërruar. Shumë gazetarë, redaktorë dhe media të cilat deri në atë moment kishin treguar guxim ndaluan prodhimtarinë e tyre, e cila ia vlente të quhej gazetari. Vreme, e cila ka qenë shumë e paqëndrueshme gjatë luftës në Bosnje (redaktor i së cilës kam qenë unë për disa kohë), është ndoshta rasti më zhgënjyes. Por ky drejtim mund të ketë shërbyer edhe si një nxitje për komunitetin e mediave në përgjithësi, të cilat kanë pasur nevojë vetëm për një inkurajim minimal për të shpallur haptazi bindjen e tyre ndaj pushtetit, nacionalizmit dhe mbi të gjitha anti-shqiptarizmin e tyre.


Por regjimi akoma nuk kishte mbaruar. Më në fund ai zbatoi edhe kërcënimin më të madh: se të pabindurit do të paguanin me kokën e tyre. Në prill të vitit 1999, në kulmin e fushatës së bombardimeve ajrore të NATO-s dhe të euforisë nacionaliste, si edhe të censurës totale (përfshirë edhe rishikimin e çdo teksti përpara botimit), u vra pronari i Dnevni Telegraf, Slavko Curivija - I qëlluar me pistoletë përpara shtëpisë së tij në ditën e pashkëve ortodokse. Që në fillim ishte e qartë se vrasësit e tij nuk do të zbuloheshin dhe arrestoheshin kurrë (ata janë akoma të lirë). Që në fillim ishte e qartë se vrasja ishte paralajmërimi final perfekt për të gjithë gazetarët që të kishin kujdes për ato që shkruanin.


Të tjerat janë tashmë të njohura. Siç e dimë - apo të paktën siç na informon media shtetërore - ushtria jugosllave ka arritur një fitore triumfuese ndaj forcës ushtarake më të madhe në botë. Ajo mbrojti me sukses Kosovën nga NATO-ja dhe ka konfirmuar integrimin e provincës në Republikën Federale të Jugosllavisë. Në "betejën e vitit të kaluar", siç dihet, ushtria ka arritur atë për të cilën ka qenë historikisht e përgatitur, mbrojtjen me çdo kusht të sovranitetit të vendit.


Kjo i ka vënë edhe ato pak media të pavarura që kanë mbijetuar në një pozitë edhe më të vështirë. Ligji për Informacionin përdoret rregullisht për të marrë aq para nga gazetat sa dëshiron shteti. Donatërët e huaj dhe ata që dëshirojnë të ndihmojnë vazhdojnë të ndihmojnë median, duke pyetur herë pas here veten se çfarë kuptimi ka të vazhdohet më këtë mbështetje të çmuar duke çuar fondet drejt e në arkat e regjimit?


Situata politike gjithnjë e më tepër e acaruar ka rënduar edhe më shumë pozicionin e vështirë të mediave. Prodhimtaria modeste e mediave të pavarura mbytet nga një propagandë e paprecedent shtetërore, e cila krenohet me fitoren e saj ndaj perëndimit, rilindjen patriotike, riparimin heroik të çfarëdo ure, fabrike dhe kanali. Në fakt, media shtetërore shpall me shumë zhurmë arritjet e vendit në politikën ndërkombëtare, ku ka bërë shumë miq: Vietnamin, Korenë e Veriut, Burkina Faso, Guinea, Kuba, Libi, Bjellorusi, Peru.


Në gjendje të vështirë financiare dhe me Ligjin për Informacionin që i qëndron si shpata e Damokleut mbi kokë, e vetmja media e pavarur që mbijeton në Beograd janë disa gazeta të përditëshme (Danas, Glas, Blic) dhe dy të përjavshme, të cilat janë të gatshme të bëjnë kompromis me regjimin, Vreme dhe NIN.


Jashtë Beogradit gjendja në qytetet ku pushtetin lokal e kontrollon opozita demokratike është më e mirë: në qytete si Novi Sad, Nish dhe Kragujevac është akoma e mundur që të gjesh gazeta lokale dhe stacione radioje shumë të guximshme.


Ndërkohë ushtria jugosllave ka fituar një pozicion thuajse të paprekshëm. Sikur të ishte gjëja më normale në botë, gjeneralët vizitojnë fabrika dhe kompani, inaugurojnë ura të reja, marrin pjesë në festimet e regjimit, kërcënojnë opozitën dhe "armikun e brendshëm" dhe sillen sikur vendi të ishte nën një diktaturë ushtarake (a nuk është?). Ushtria jo vetëm që është mbi të gjithë dhe çdo gjë, por ajo ka edhe një status të veçantë financiar, social, moral dhe veçanërisht politik.


Koncepti kryesor i saj është se të gjitha luftrat e fundit të kryera nga ushtria jugosllave kanë qenë luftra mbrojtëse. Ushtria është e obsesionuar me këtë ide pathologjike. Gjeneralët serbë dhe politikanët e lidhur me ta kanë mbyllur krejtësisht sytë përpara gjakderdhjes në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Vrasjet e civilëve, operacionet paraushtarake, vrasjet në masë, ekzekutimet dhe likuidimet, si edhe plaçkitjet e spastrimet etnike - të gjitha këto thjesht nuk kanë ndodhur. Këto janë tema tabu.


Çdo nocion dhe dëshmi se trupat e ushtrisë jugosllave janë përfshirë ndonjëherë në krime lufte hidhet poshtë me forcë me thënien: NUK KA PASUR KRIME.


Serbët nuk mund të kenë kryer krime, sepse ata vetëm se po mbroheshin. Prandaj të gjitha hamendjet perëndimore - të krijuara nga "komuniteti ndërkombëtar" dhe të gëlltitura nga media e pavarur dhe tradhëtarët e tjerë - janë gënjeshtra dhe propagandë.


Gënjeshtër është edhe Gjykata e "paligjëshme" dhe "anti-serbe" e Hagës dhe akuzat e saj ndaj presidentit të shtetit, një gjenerali të lartë dhe figurave të tjera të rëndësishme. E gjitha kjo është thjesht një përpjekje e dëshpëruar për të errësuar figurën e Sllobodan Millosheviqit, i cili ka luftuar gjithnjë për paqe dhe barazi.


Këtu e ka zanafillën edhe historia e Miroslav Filipoviqit, i cili guxoi të bëjë atë që media serbe nuk e kishte bërë dhe nuk mund ta bënte gjithë këto vite: të ngrinte çështjen e krimeve të luftës.


Nuk mund të thuhet se faktet janë krejtësisht të panjohura. Ne u jemi referuar këtyre gjërave nën zë për një kohë të gjatë dhe hollësirat e përgjakshme të Srebrenicës, Prijedorit, Bratunacit, Sllavonijas, Dubrovnikut, Vukovarit mund të gjehen nga cilido që dëshiron t'i dijë. Por natyrisht asnjëherë në median zyrtare dhe vetëm në mënyrën më të fshehtë dhe sipërfaqësore në shtypin e pavarur.


Ndërsa Feral Tribune e Kroacisë dhe Dani e Bosnjes i kanë nxjerrë në dritë të palarat e vendeve të tyre, në Serbi kriminelët e luftës vazhdojnë të jenë perëndi dhe Millosheviq, gruaja e tij Mira Markoviq dhe Vojislav Sheshelj janë në krye të listës. Ashtu siç është mburrur kolonel Veselin Sljivancanin, kasapi serb i Vukovarit - të cilin Millosheviq nuk ka pranuar ta ekstradojë - "ne po shkatërronim qytetin ... dhe kjo ishte gjëja më e drejtë për t'u bërë."


Të botuara në internet në një sërë artikujsh, intervistat e Filipoviq me dëshmitarë, dëshmitë e tyre dhe të dhënat e tyre, shkatërrojnë imazhin e propagandës të ushtrisë jugosllave si një respektuese e Konventës të Gjenevës. Artikujt e tij janë rreth të keqes, rreth një plani të paramenduar për të spastruar territorin nga një popullsi armike. Ato tregojnë dilemat e tmerrshme të njerëzve, tmerret dhe përmbushjen e projektit kombëtar.


Kjo është arsyeja që Miroslav Filipoviq ishte i rrezikshëm: sepse ai tregoi - provoi - se Kosova ka qenë vetëm vazhdimi i politikave anti-kKroate, anti-boshnjake dhe anti-civilizim të Beogradit. Ai rrëzoi mitin e atyre që janë të mbrojtur dhe të sigurtë thjesht sepse mbajnë një uniformë.


Fakti që artikujt e Filipoviqit nuk janë botuar dhe nuk mund të botohen në Serbi nuk ka nevojë për koment. Asnjë gazetë nuk do të ishte e gatshme tani të botonte artikujt e Filipoviqit si një shenjë proteste, mbështetjeje apo solidariteti. Këto dhjetë vjet sulme kanë bërë që asnjë redaktor vendas të mos ndërmarrë një rrezik të tillë.


Kështu që Serbia është tanimë një vend në të cilin Filipoviq është simboli perfekt i zgjedhjeve të ardhshme, paralajmërimi më i duhur për atë që mund të ndodhë nëse ndonjë nga ne nuk tregohet i kujdesëshëm, patriot dhe i bindur.


Në shtetin e drejtuar krejtësisht nga Millosheviq, revolta, protesta, njoftimet, deklaratat dhe kërkesat në mbështetje të Filipoviqit për momentin kufizohen vetëm në disa media pjesërisht të pavarura që kanë mbijetuar. Disa parti politike, përfshirë Partinë Demokratike dhe Aleancën Civile, kanë bërë deklarata dhe shumë gazetarë kanë nënshkruar një letër të hapur drejtuar Millosheviqit, ku i kërkohet falja e Filipoviqit.


Këto zëra të dobët proteste nga organizatat joqeveritare, shoqata dhe individë janë inkurajuese. Por është një fakt i trishtueshëm që duhet të ndodhte e gjithë kjo që ne të kuptonim se liria e mediave në Serbi ka mbaruar. Pas vendimit për Filipoviq, cilido i përfshirë në gazetarinë e vërtetë - në njoftime dhe hetime, që mbledh deklarata dhe informacione - një ditë të bukur mund ta shohë veten në një nga burgjet e shumta ushtarake - të cilat, meqë ra fjala, po rikonstruktohen para afatit.


Media elektronike shtetërore nuk ka thënë asnjë fjalë për këtë rast dhe e përditshmja Politika e Millosheviqit u ka shpjeguar lexuesve të saj të zakonshëm se ky është një rast i drejtpërdrejtë spiunazhi - dhe se ne të gjithë e dimë se si trajtohen spiunët. Pra, as që nuk mund të bëhet fjalë për protesta dhe grumbullime masive. Vendimi për Filipoviq është karta e bllofit për një regjim i cili i ka hedhur të gjitha kartat e tij për zgjedhjet e ardhshme.


Kështu që zgjedhja e votuesve është e qartë: votoni për shtatë vjetë burg si Miroslavi, apo pjesën tjetër të jetës me Millosheviqin.


Petar Lukoviq është një gazetar i vjetër, editorialist dhe redaktor në Beograd. Godine Raspada, një përmbledhje e gazetarisë së tij të vitit të luftës, është botuar së fundi nga Feral Tribune në Kroaci.


Frontline Updates
Support local journalists