'Rruga e Mesme' e Kostunicas
Vendimi i Vuk Drashkoviqit për të vendosur një kandidat rival ka dëmtuar entuziasmin mbi emërimin e Vojislav Kostunicas si kandidat i opozitës së bashkuar për postin e presidentit. Tani shpresohet se ai do të mund të dalë në një balotazh në raundin e dytë
'Rruga e Mesme' e Kostunicas
Vendimi i Vuk Drashkoviqit për të vendosur një kandidat rival ka dëmtuar entuziasmin mbi emërimin e Vojislav Kostunicas si kandidat i opozitës së bashkuar për postin e presidentit. Tani shpresohet se ai do të mund të dalë në një balotazh në raundin e dytë
Më 7 gusht Vojislav Kostunica, drejtuesi i Partisë Demokratike të Serbisë, DSS, ka konfirmuar pranimin e kandidimit të tij nga opozita e bashkuar serbe si kandidat për president. I konsideruar nga shumë njerëz si "Sheshelj i veshur me kostum mbrëmjeje" - një referencë për Vojislav Shesheljin, drejtuesit të Partisë Radikale dhe një nacionalist ekstrem - Kostunica mund të ketë një shans të madh për të larguar nga posti presidentin e tanishëm të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq nëse ai mund të fitojë votat e mjaftueshme për të dalë në një konkurim direkt me të në raundin e dytë.
Vendimi i Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe, partisë SPO të Vuk Drashkoviqit, për të nxjerrë edhe ata një kandidat rival i komplikoi mundësitë e Kostunicas. Kandidati i SPO-së Vojislav Mihailoviq, kryetari i bashkisë së Beogradit, konsiderohet përgjithësisht si një zgjedhje jo kompetente dhe tepër e dobët, por që do të ndajë votat e opozitës.
Srbobran Brankoviq, drejtor i Medijum, një institut i studimeve të opinionit publik në Beograd, thotë se SPO ka zgjedhur :kandidatin më të dobët të mundshëm për të dobësuar pjesën tjetër të opozitës."
Megjithatë përkrahësit e Kostunicas kanë besim se kandidati i tyre do të mund të fitojë një numër votash që do t'u lejojë atyre të shkojnë në një balotazh në raundin e dytë, dhe mund të fitojë garën. Anketimet e opinionit publik të kryera në qershor nga Instituti i Shkencave Sociale në Beograd tregojnë se 42 përqind e votuesve do të mbështesin Kostunican në garën presidenciale ndaj Millosheviqit, i cili mund të marrë deri në 28 përqind të votave.
Kur ka pranuar emërimin e tij si kandidat Kostunica ka thënë: "Ndoshta ky është rezultati i politikës sime të vazhdueshme kundër regjimit, kombinuar me një ndjenjë të madhe për problemet kombëtare".
Duke folur për gazetën e Banja Lukas Nezavisne Novine në qershor, Kostunica ka thënë: "Në çdo gjë që kam bërë, unë kam parë veten time si dikush që mund të marrë pjesë në ndërtimin e isntitucioneve demokratike në Serbi, pra, në shtetin e përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi."
Ai e konsideron kryeministrin e Republika Srpska Milorad Dodik si një kukull në duart e komunitetit ndërkombëtar dhe është një ndër drejtuesit e paktë të opozitës demokratike serbe i cili nuk ka pranuar të marrë pjesë në inaugurimin e Millo Gjukanoviq si president i Malit të Zi.
Duke theksuar se Gjukanoviq në të kaluarën ka qenë një besnik i Millosheviqit, Kostunica ka thënë se partia e drejtuesit malazez ka filluar ngritjen e saj në pushtet "në Zuta greda [një valë protestash në vitin 1988] dhe ka vazhduar në ditët e sotme në oborrin e Shtëpisë së Bardhë."
Kostunica ka përshkruar marrëdhëniet ndërmjet të huajve dhe shtetit serb si një "lojë ku jepet çdo gjë pa përfituar asgjë, përveç disa lëshimeve simbolike." Ai ka thënë se "të huajt duhet të vihen nën presion për të zgjidhur pa kushte çështjen e sanksioneve dhe të dëmeve të luftës" dhe ai beson se opozita duhet të mos pranojë ndihmën nga perëndimi.
Emri që i është vënë si "Sheshelj me kostum mbrëmjeje" mund të duket alarmant për perëndimin, por në Serbi pjesa më e madhe e përkrahësve të opozitës e pranojnë Kostunican si një "nacionalist të moderuar".
Kostunica ka kritikuar fushatën e bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë dhe nuk ka pranuar të takohet dhe bisedojë me zyrtarë të vendeve të NATO-s. Kjo politikë i ka hequr mundësinë regjimit të Millosheviqit të përdorë një nga taktikat e tij të preferuara - duke etiketuar kundërshtarët si "tradhëtarë dhe mercenarë të huaj".
Sllogani i tij "Jo Shtëpisë së Bardhë, Jo Kështjellës së Bardhë [të Millosheviqit]" tregon edhe qëndrimin e tij ndaj presidentit jugosllav dhe politikës perëndimore në ish-Jugosllavi. Ai kundërshton ashpër Gjykatën e Hagës, të cilën e ka përshkruar si një "institucion monstruoz" dhe ka hedhur poshtë akuzën e ngritur prej saj ndaj Millosheviqit për krime lufte.
Kostunica ka kritikuar ashpër edhe veprimet e Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s në Kosovë në periudhën e pas luftës, veçanërisht gjendjen e popullsisë serbe në provincë.
Njëmbëdhjetë vjetë më parë Kostunica dhe një grup shokësh kanë krijuar Partinë Demokratike, partinë e parë opozitare në Serbi. Që prej asaj kohe ai ka kombinuar një qëndrim kundër regjimit me një nacionalizmë të vendosur, i cili përjashton shovinizmin apo luftënxitjen.
"Ne [serbët] nuk e kemi shkatërruar Jugosllavinë dhe as nuk do të lejojmë atë të na shkatërrojë," ka qenë refreni i tij gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje. Ai ka qenë i ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare, por ka akuzuar Millosheviqin se ka manipuluar pakicat serbe për qëllimet e tij. "Për ta, zgjidhja e çështjes kombëtare ka qenë gjithnjë një mjet për të arritur diçka tjetër dhe jo qëllimi përfundimtar," ka thënë ai në vitin 1994.
Por ai gjithashtu ka shprehur hapur edhe pakënaqësinë e tij ndaj armiqve të Millosheviqit duke sulmuar si "kozmopolitanë" ata të cilët kanë turp të jenë patriotë dhe duke vënë në lojë si "mikro-patriotë" ata të cilët sipas tij dëshirojnë që lumin Drina, i cili ndan serbët e Bosnjes nga Serbia ta shndërrojnë në "oqean".
Kostunica është larguar nga partia Demokratike për të krijuar DSS në prag të zgjedhjeve të vitit 1992, kryesisht sepse drejtuesi i partisë Zoran Gjingjiq nuk ka pranuar të bashkohet me koalicionin e opozitës Depos dhe pastaj edhe për shkak të dallimeve përsa i përket çështjeve kombëtare. Ai shumë shpejt u prish edhe me Drashkoviqin, duke theksuar se ishte e pamundur të punoje me të dhe se ai nuk ishte i vendosur të rrëzonte Millosheviqin nga pushteti.
"Ne kemi interesa të ndryshme - joni është të fitojmë zgjedhjet si një opozitë e bashkuar, ndërsa Drashkoviq mendon se si të fitojë zgjedhjet në një mënyrë të atillë që të mos humbasë Millosheviq," ka thënë ai.
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 1993, Kostunica nuk pranoi të lejojë shtatë deputetët e tij të krijojnë një bllok me Partinë Demokratike, sepse Gjingjiq kishte negociuar më parë me Millosheviqin për të marrë pjesë në qeverinë e tij. Në ndryshim nga Drashkoviq apo Gjingjiq, Kostunica nuk ka negociuar kurrë me qeverinë e Millosheviqit - një faktor tjetër i cili kontribuon në rezultatet e tij të mira në opinionin publik.
Kostunica nuk pranon koalicione me bazë krejtësisht pragmatike duke bërë që të jetë politikani më pak i kompromentuar në rradhët e opozitës, por edhe një njeri i vështirë për të punuar. Ai njihet si një njeri i pakorruptueshëm dhe refuzimi i tij ndonjëherë edhe jopraktik për të hequr dorë nga pikpamjet e tij gjatë këtyre viteve të fundit është ndoshta edhe një nga arësyet e rëndësishme për shkallën e popullaritetit që gëzon. Por ndërsa "rruga e mesme" patriotike-demokratike mund të jetë karta me të cilën ai mund të bindë votuesit e regjimit, nacionalizmi i tij mund të bëjë që ai të mos jetë shumë i pranueshëm për komunitetin ndërkombëtar.
Por kjo ka pak gjasa që të ndodhë. Si Gjukanoviqit ashtu edhe Biljana Plavshiqit u janë falur tendenca shumë më të thella nacionaliste se Kostunicas kur ata kanë filluar rrugën pragmatiste të bashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar.
Motoja e fushatës së Kostunicas është: "As luftë, as kapitullim." Mesazhi i tij kryesor paraelektoral është "Mbijetesa e Shtetit." Por politika e tij gjithashtu pranon se gjetja e një mënyrë për t'u kthyer në gjirin e komunitetit ndërkombëtar është një para kusht për mbijetesë.
"Kthimi do të jetë i dhimbshëm dhe në një farë mënyre edhe i turpshëm, por nuk ka rrugë tjetër," ka thënë Kostunica.
Zheljko Cvijanoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.