RREZIMI I AVIONIT NXJERR NE DRITE PROBLEMET E BOSNJES

Vonesat në kërkimin e trupit të presidentit maqedonas kanë nxitur debatin rreth efektivitetit të institucioneve të Bosnjes.

RREZIMI I AVIONIT NXJERR NE DRITE PROBLEMET E BOSNJES

Vonesat në kërkimin e trupit të presidentit maqedonas kanë nxitur debatin rreth efektivitetit të institucioneve të Bosnjes.

Monday, 21 February, 2005

Disa javë pas funeralit të presidentit maqedonas, të vrarë kur avioni i tij është rrëzuar në Bosnje Herzegovinë, në Sarajevë ka nisur një debat i zjarrtë mbi atë se kush duhet fajësuar për vonesat në përpjekjet për gjetjen e trupit të Boris Trajkovski.


Ndërsa paqeruajtësit ndërkombëtarë, media lokale dhe politikanët akuzojnë njëri tjetrin për përgjegjësinë për konfuzionin, shumë analistë janë në një mendje që kjo cështje ka theksuar faktin që institucionet boshnjake nuk funksionojnë si duhet në shumë drejtime.


Avioni me të cilin udhetonin Trajkovski dhe anëtarë të tjerë të delegacionit qeveritar për në një konferencë të donatorëve ndërkombëtarë në Mostar, në jug perëndim të Bosnjes, është rrëzuar më 26 shkurt në orën 08:01 të mëgjesit pranë qytetit Stolac.


Pasi Dragan Coviq, kryetar i presidencës së Bosnje Herzegovinës, ka thënë në konferencën në Mostar se avioni ishte rrëzuar dhe të nëntë personat që udhetonin me të kishin humbur jetën, ka shpërthyer konfuzioni në lidhje me faktin se kush ishte përgjegjës për gjetjen e trupave.


Teorikisht, ministria e brendëshme duhet të kishte vepruar së bashku me mbrojtjen civile, aviacionin civil dhe shërbimet e emergjencës.


Por një periudhë konfuzioni prej 27 orësh ka pasuar aksidentin gjatë së cilës nuk ka qenë e qartë nëse autoritetet e Bosnjes apo paqeruajtësit e SFOR ishin përgjegjës.


Ndërsa zërat kanë qarkulluar në Bosnje dhe në Maqedoni, media në Bosnje ka akuzuar SFOR se ka bllokuar vendin e aksidentit – një thënie e hedhur poshtë nga forcat e NATO-s.


Informacione të pakonfirmuara dhe si u morr vesh më pas të pavërteta në lidhje me shkaqet e tragjedisë janë dhënë vetëm pak orë pas ngjarjes nga shumë media lokale; më pas një zëdhënës i SFOR ka thënë se më pak se një përqind e këtyre informacioneve janë të vërteta.


Pasi autoritetet lokale ngritën “organizmin e përballimit të krizës” për të koordinuar kërkimin në mes policisë lokale dhe shërbimeve të emergjencës, trupat e viktimave më në fund janë gjetur dhe dërguar në vendin e tyre.


Antonio Prlenda, një analist i cështjeve ushtarake, ia atribuon këtë konfuzion vendimit të SFOR për të mos i lejuar autoriteteve lokale akses në vendin e rrëzimit të avionit për shkak se zona ishte e minuar.


Prlenda thotë se kjo është shoqëruar edhe me një bllokadë informacioni nga ana e zyrtarëve ndërkombëtarë, e cila ka ushqyer edhe daljen e zërave të tillë.


“Problemi i dytë është përse SFOR, pasi nuk ka pranuar të lejojë autoritetet lokale të përfshihen në operacionet e kërkimit, nuk ka qenë më i hapur me publikun dhe si ka qenë e mundur të dihet që më parë që zona ka qenë e minuar?” pyet ai. Edhe politikanët lokal i kanë ngritur këto pyetje.


Pasi SFOR ka kaluar nbjë ditë të tërë duke kërkuar pa rezultat trupat, kryetari i këshillit të ministrave të Bosnje Herzegovinës, Adnan Terziq, dukshëm i nervozuar, ka thënë se SFOR, policia e Bosnjes dhe shërbimet e kërkimit dhe shpëtimit lokale nuk kishin bashkëpunuar.


Analistët në Bosnje kanë thënë se askush nuk e dinte se kush ishte në krye të operacionit për gjetjen e trupave. SFOR, nga ana e tij, ka mohuar se ai ka bllokuar aksesin për në vendin e rrëzimit të avionit, dhe ka akuzuar median lokale se ka vepruar në mënyrë të papërgjegjëshme duke nxitur ato që sipas tij kanë qenë zëra të pabazuara rreth shkaqeve të rrëzimit të avionit.


“SFOR nuk ka penguar askënd të shkojë në vendin e rrëzimit të avionit,” ka thënë zëdhënësi Dave Sullivan. “Megjithatë, meqënëse hetimi për këtë ngjarje vazhdon ende do të ishte pa vend që unë të komentoja më tepër”.


Duke iu drejtuar gazetave, radiove dhe televizioneve lokale të Bosnjes, ai ka shtuar se “më pak se një përqind e gjithë atyre të thëna në media kanë qenë të vërteta”.


Pasi këshilli i ministrave ka krijuar grupin e krizës pas një sesioni urgjent të zhvilluar gjatë natës, autoritetet lokale u përfshinë në mënyrë aktive në kërkimin e avionit ditën e dytë.


Këshilli caktoi ministrin e sigurisë Barisa Colak në krye të ekipit së bashku me ministrin e jashtëm Mladen Ivaniq, ministrin e mbrojtjes Miroslav Nikoliq, prokurorin e përgjithëshëm Medzida Kreso dhe shefin e policisë Zlatko Miletiq.


Ekipi kishte anëtarë nga Federata dhe nga Republika Srpska, RS.


Ndërsa SFOR dhe politikanët në Bosnje kanë vazhduar të diskutojnë se kush ishte përgjegjës për kërkimin dhe kush duhet të fajësohet për vonesën, gazetat lokale kanë arritur në përfundimin se kjo cështje nxjerr në dritë konfuzionin në lidhje me kompetencat e vërteta të institucioneve lokale në atë që praktikisht vazhdon të jetë një protektorat ndërkombëtar.


Senad Avdiq, redaktor i revistës Bosnja e Lirë, ka thënë se kjo ngjarje ka thekuar faktin që shteti i Bosnjes jo vetëm që pengohet nga ndarja në dy entitete, por edhe nga prezenca e autoriteteve ndërkombëtare, e cila kufizon apo dëmton autoritetin e organizmave lokale.


“Në këtë rast është shfaqur edhe një element i ri të cilin nuk e kemi vënë re më parë,” ka thënë ai, dhe pikërisht ai “që sovraniteti i Bosnje Herzegovinës përvec ndarjeve në dy entitete kufizohet edhe nga prezenca e komunitetit ndërkombëtar.


“Veprimi i organizmave shtetërore ka qenë shumë më i kufizuar nga politikat e komunitetit ndërkombëtar se sa nga ndarja e shtetit në dy entitet”.


Ai kujton se shtabi i krizës i krijuar në vend ka vepruar me një qëndrim të përbashkët, megjithëse ka qenë i përbërë nga elementë nga të dyja entitetet e Bosnjes.


Edhe Colak ka thënë se ka qenë falë Këshillit të Ministrave që ata kanë krijuar një ekip i cili kishte vepruar në unitet, dhe që kishte siguruar gjetjen e vendit të rrëzimit të avionit dhe trupave të pasagjerëve.


“Ne kemi qenë të mërzitur që kërkimet nuk kanë dhënë rezultat ditën e parë dhe që avioni nuk është gjetur menjëherë,” ka thënë Colak. “Në një situatë të tillë u bë e rëndësishme që të vepronim me efikasitet dhe të gjenim avionin sa më shpejt të ishte e mundur, sepse kishte ende shpresa për gjetjen e ndonjë të mbijetuari”.


Sipas Avdiq, suksesi i ekipit të krizës ka provuar se institucionet e krijuara në Bosnje mund të punojnë me sukses nëse u jepet një mundësi.


“Operacioni për të gjetur avionin është kryer me pjesëmarrjen e ministrive të brendëshme të Federatës dhe Republika Srpska,” ka thënë ai. “Veprimi i organizmave shtetërore si policia ka qenë i kufizuar për shkak të prezencës së SFOR.


“SFOR ka humbur një ditë të tërë duke kërkuar në vendin e gabuar për avionin. Të nesërmen, kur policia e entitetit është përfshirë në operacion, avioni u gjet.


Avdiq ka thënë se rrëzimi i avionit ka treguar gjithashtu se institucionet e Bosnjes në nivel shtetëror nuk kanë autoritetin e nevojshëm. “Ne kemi institucione të cilat nuk kanë forcën e duhur dhe funksionojnë vetëm formalisht. Ato nuk kanë kompetenca të vërteta,” ka thënë ai.


Vendimi për të vazhduar konferencën e Mostarit pas rrëzimit të avionit, ka shtuar ai, ka theksuar papërgjegjshmërinë e tyre. “Veprimi më i përgjegjshëm ka qenë ai i delegacioneve të Serbisë dhe Malit të Zi, Sllovenisë, Kroacisë dhe Shqipërisë, të cilat kanë anulluar pjesëmarrjen e tyre”.


Por ndërsa Avdiq ngul këmbë se konfuzioni në lidhje me përgjegjësitë e secilit organ i shkon për shtat interesit të komunitetit ndërkombëtar, Prlenda ka thënë se vonesa për gjetjen e trupit të presidentit thjesht reflekton mungesë organizimi – dhe mos përcaktimin e kompetencave të institucioneve të ndryshme lokale dhe atyre ndërkombëtare.


“Në kohën e aksidentit ne duhet të dinim kush ishte në krye të operacionit të shpëtimit dhe gjetjes së avionit dhe kush ishte përgjegjës për një gjendje të tillë,” ka thënë ai.


“Pyetja më e madhe është se cfarë do të kishte ndodhur nëse do të ishte rrëzuar një avion më i madh. Institucionet e Bosnje Herzegovinës ishin të paorganizuara dhe SFOR u lidhi më tepër duart”.


Marija Arnautoviq është një gazetare e TV të Sarajevës.


Frontline Updates
Support local journalists