BOSNJE: KËRKOHET DHËNIA FUND E NDARJEVE NË ARSIM

Përfaqësuesi i lartë ka caktuar një afat për të zgjidhur problemin e shkollave të ndara në linja ndër etnike.

BOSNJE: KËRKOHET DHËNIA FUND E NDARJEVE NË ARSIM

Përfaqësuesi i lartë ka caktuar një afat për të zgjidhur problemin e shkollave të ndara në linja ndër etnike.

Monday, 21 February, 2005

Në shikim të parë, pushimi i drekës në shkollën fillore Mushvin Rizviq në Fojnica, në Bosnjen qendrore, nuk ndryshon nga pushimi në shkollat e tjera në vend.

Por pamja e fëmijëve të cilët luajnë dhe qeshin në oborrin e shkollës fsheh faktin që kjo është një shkollë e vecantë.

Megjithëse ajo është në një grup ndërtesash, në fakt gjenden dy shkolla nën të njëjtën cati – shkolla tjetër quhet Ivan Goran Kovaciq, me nxënës të cilët mësojnë në gjuhën kroate.

Megjithëse ka shumë pak ndryshime gjuhësore ndërmjet fëmijëve kroatë dhe atyre muslimanë të Bosnjes – të cilët mund ta kuptojnë shumë mirë njëri tjetrin – ata ndjekin shkolla të ndryshme me drejtues dhe mësues të ndryshëm.

Mushvin Rizviq është një ndër disa dhjetra shkolla në Bosnje Herzegovinë, ku kundërshtimi nga autoritetet lokale për bashkimin e propozuar të sistemit arsimor i ka lënë shkollat të ndara.

Megjithatë, së shpejti kjo gjendje mund të ndryshojë. Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje, Lordi Paddy Ashdoën, u ka dhënë autoriteteve lokale një afat deri më 5 qershor për të unifikuar klasat e ndara, pas disa muajsh bisedime të dështuara.

Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, e cila i dha fund tre vjet e gjysëm lufte në Bosnje Herzegovinë, ka krijuar dy entitete – Republika Srpska, RS, dhe Federatën – me sistemet e tyre të ndryshme arsimore.

Ndërsa sistemi arsimor në RS është i unifikuar, në federatë është ndryshe. Sipas kushtetutës së federatës, 11 kantonet kanë juridiksion mbi shkencën dhe kulturën, përfshirë edhe shkollat.

Ministri i cështjeve civile të Bosnjes, Safet Haliloviq e ka përshkruar këtë si “një gjë krejtësisht pa kuptim”. Përvec faktit që ky sistem ka krijuar 13 ministri të ndryshme arsimi në vend, kritikët gjithashtu ankohen se autoritetet lokale të drejtuara nga kroatët apo boshnjakët përdorin këtë sistem për të promovuar historinë e tyre sektare dhe programe të ndryshme gjuhësore.

Ata thonë se Bosnja ka nevojë për një sistem arsimor të bashkuar nëse dëshiron të ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Reformat në arsim në vend kanë filluar në fund të vitit 2002, kur autoritetet lokale kanë paraqitur para Këshillit të Zbatimit të Paqes në Bruksel një strategji për zhvillimin e një sistemi arsimor modern, dhe të depolitizuar.

Në vitin 2003, ministria e cështjeve civile ka filluar koordinimin e ministrive në nivel shtetëror dhe kantonal, dhe korrikun e kaluar, Bosnja ka miratuar një Kuadër Ligjor për Arsimin Fillor dhe të Mesëm, përfshirë një Program të Përbashkët. Ministritë e entiteteve dhe kantoneve kanë pasur gjashtë muaj kohë për të harmonizuar legjislacionin e tyre me atë të shtetit.

Por nëntë muaj më pas, vetëm rrethi i Brcko, RS, dhe pese kantone të federatës – Una-Sana, Tuzla, Zenica-Doboj, Podrinja dhe Sarajeva – kanë harmonizuar ligjet e tyre lokale me Ligjin për Arsimin Fillor dhe të Mesëm.

Sipas zëdhënëses së misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, Elmira Bayrasli, ka të paktën 52 raste të “dy shkollave në të njëjtën ndërtesë” në Bosnje Herzegovinë.

Ndër kantonet të cilat nuk kanë pranuar ligjin, është Bosnja Qendrore, ku gjendet edhe shkolla Mushvin Rizviq.

Ministri i arsimit të kantonit, Nikola Lovrenoviq, i Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, e ka përshkruar ligjin si jo kushtetues. “Ministrat e arsimit të kantoneve, të vetmit të cilët kanë juridiksion mbi këtë cështje, nuk kanë marrë pjesë në përgatitjen e legjislacionit, dhe as nuk i ka pyetur njeri,” ka thënë ai.

Megjithatë, Partia Demokratike Muslimane e Veprimit Demokratik, SDA, e cila drejton kantonin e Bosnjes Qendrore së bashku me HDZ, e mbështet këtë ligj.

Salko Selman, kryeministri i kantonit dhe kryetari i komitetit kantonal të SDA, ka thënë për IWPR se partia e tij “nuk do të mbështesë asnjë nismë e cila nuk është sipas Kuadrit Ligjor të propozuar”. Kjo është arësyeja që asambleja e kantonit nuk ka pranuar të mbështesë ndryshimet e ligjit të paraqitur nga përfaqësuesit kroatë, ka thënë ai.

Përfaqësuesi i lartë dhe drejtuesi i misionit të OSBE në Bosnje Herzegovinë, Robert Beercroft, kanë fajësuar partitë në pushtet në kantonet të cilat kundërshtojnë përpjekjet për harmonizimin e sistemit shkollor. Në prill, Lordi Ashdoën, ka pakësuar buxhetin e HDZ në Bosnje me pesë përqind për shkak të qëndrimit të saj për cështjen e arsimit.

Por zyrtarët e arsimit mendojnë se dështimi në nivel lokal nuk do të thotë që nuk është arritur asnjë përparim. “Një progres i madh është arritur në reformën arsimore vitin e kaluar pas miratimit të programi shkollor të përbashkët,” ka thënë Zijad Pasiq, ministri i arsimit të Federatës.

Një reformë e rëndësishme ka qenë vendimi për të krijuar organizma të përbashkët me ekspertë në nivel federal për zbatimin e një sistemi shkollr nëntë vjecar, ka shtuar ai. Sistemi duhet të aplikohet në Federatë nga fillimi i vitit të ardhëshëm shkollor.

Në RS, e cila ka miratuar në mënyrë unanime Ligjin për Arsimin Fillor dhe të Mesëm më 21 prill 2004, zëdhënësja e ministrisë së arsimit, Duska Goliq ka thënë për IWPR se reformimi i sistemit arsimor po ecën në rrugë të mbarë dhe se sistemi nëntë vjecar do të aplikohet së shpejti.

Ndërkohë, megjithëse Kuadri Ligjor e përjashton shprehimisht atë, fenomeni i dy shkollave në një ndërtesë vazhdon në Fojnica dhe zona të tjera. Drejtori i shkollës Mushvin Rizviq, ngul këmbë se shkolla e tij nuk ka problem të ndajë ambjentet me shkollanë Ivan Goran Kovaceviq.

“Mësimi në shkollën Ivan Goran Kovaceviq zhvillohet vacant dhe ne punojmë sipas programit tonë, ndërsa ndajmë me ta pjesën më të madhe të materialit didaktik,” ka thënë Zahiroviq, duke shtuar se deri më tani nuk ka ndodhur asnjë incident ndër etnik.

Por ministri Safet Haliloviq nuk është i bindur që sistemi ka ndonjë avantazh. Të kesh dy shkolla, dy drejtorë, dy administrata dhe dy borde drejtuese nuk është asgjë më pak se “një lloj i ndarjes etnike,” ka thënë ai.

Haliloviq ka thënë për IWPR se kantonet duhet ti japin fund bllokimit dhe të zbatojnë ligjin shtetëror, në përputhje me detyrimet që ka marrë përsipër Bosnja pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Interesi i të gjithë njerëzve duhet të kihet parasysh kur zgjidhen problemet,” ka thënë Bayrasli nga OSBE, duke shtuar se organizmi ndërkombëtar është inkurajuar nga fakti që Kuadri Ligjor është miratuar.

Zijad Pasiq ka thënë për IWPR se ministria e arsimit të federatës e kupton shkallën e problemit – dhe ka pranuar se do të ishte mirë që të zgjidhej ky problem. “Kam frikë se organizmat ndërkombëtare të cilat merren me cështjen e arsimit duhet të ndërmjetësojnë dhe të luajnë një rol aktiv në këtë proces,” ka thënë ai.

Marija Arnautoviq është një gazetare me TVSA në Sarajevë.

Frontline Updates
Support local journalists