HOMOSEKSUALET DALIN HAPTAZI NE MAQEDONI

Dikur një pakicë e padukëshme, komuniteti i vogël i homoseksualëve në Maqedoni po bëhet gjithnjë e më i dukshëm.

HOMOSEKSUALET DALIN HAPTAZI NE MAQEDONI

Dikur një pakicë e padukëshme, komuniteti i vogël i homoseksualëve në Maqedoni po bëhet gjithnjë e më i dukshëm.

Monday, 21 February, 2005

Kafeneja e mbushur plot mund të duket si shumë të tjera në Shkup por ciftet të cilët mbahen për duarsh dhe puthen në ditën e Shën Valentinit nuk janë dicka e zakonëshme, pasi pothuajse të gjithë janë burra.


Nën një dritë të errët të kuqe, ata po festojnë përvjetorin e dytë të Qendrës për të Drejta Civile dhe Njerëzore, e vetmja organizatë në Maqedoni e cila punon vetëm për promovimin e të drejtave të homoseksualëve.


Ndërsa atmosfera brenda ishte e këndëshme dhe e qetë, klima jashtë mbetet e ftohtë ndaj homeskualëve, të cilët duhet të përpiqen të fshihen dhe të mashtrojnë për të shmangur urrejtjen në këtë shoqëri e cila ende nuk i pranon ata.


Aleksandar dhe Goran janë të rinj, të arsimuar dhe që kanë udhëtuar shumë. Si profesionistë të mirë në Londër, Nju Jork apo Paris, ata mund të kishin një jetë të mirë dhe të rehatëshme, por ama vetëm nëse jetonin atje.


Por në një shoqëri konservatore në Ballkan ku shumica e njerëzve e shohin homoseksualitetin si një sëmundje, ata duhet të gënjejnë në mënyrë që të vazhdojnë të jetojnë.


“Këtu fjalët përhapen lehtësisht dhe nëse dikush e merr vesh ne mund të humbasim punët dhe të shkaktojmë probleme dhe vuajtje për prindërit tanë,” thotë Goran, 26 vjec.


Ndërsa pjesa më e madhe e homoseksualëve bëjnë jetë të dyfishtë, Aleksandar dhe Goran kanë jetuar së bashku për tre vjet. Prindërit e Alekandrit e dinë që ata janë homoseksualë, dhe po ashtu edhe shokët e tyre.


Për shkak të marrëdhënies së tyre ata kanë humbur shtëpinë. “Ne jetonim në një apartament luksoz dhe paguanim qera të lartë,” kujton Aleksandri. “Por pasi pronari i apartamentit e morri vesh se ne bashkëjetonim, ai na dëboi. Ai na tha: “e di për juve, dhe nuk dua që njerëz si ju të jetojnë në apartamentin tim”.


Pasi kemi kërkuar disa muaj për një apartament (një burrë nuk ka pranuar tu japë me qera një apartament me një krevat dysh), ata i kanë kërkuar një shoqeje të tyre të hiqej si partnerja e Aleksandrit. “Ajo u soll si shoqja ime në mënyrë që të mund të merrnim një apartament me qera,” thotë ai.


Maqedonia si të gjitha vendet e Ballkanit ushqen një klimë intolerance ndaj marrëdhnieve brenda të njëjtit seks. Vetëm në vitin 1996 janë anulluar ligjet të cilat dënonin me burg personat të cilët kryenin marrëdhënie homoseksuale, por qëndrimet e shoqërisë ende nuk kanë ndryshuar shumë.


Gjatë viteve të fundit, janë hapur bare dhe lokale për homoseksualët – dhe janë mbyllur shumë shpejt pasi është mësuar nga publiku i gjerë. “Huliganë na prisnin jashtë bareve. Disa nga shokët e mi janë rrahur keq,” thotë Goran.


Policia nga ana e saj rregullisht kontrollon zonat përreth kryeqytetin ku takohen homoseksualët.


Shoqëria vazhdon të mbetet armiqësore. Një anketim i kryer nga Qendra për të Drejta Njerëzore dhe Civile në vitin 2002 ka treguar se mbi 80 përqind e të anketuarve e sheh homoseksualitetin si një rrezik për familjen dhe si një crregullim psikik. Rreth 65 përqind kanë thënë se të qenurit homeseksual përbën krim i cili duhet ndëshkuar me burgim.


Cvetan Janev, 59 vjec, nga një rrethinë e Shkupit, ka thënë për IWPR se diskutimet mbi të drejtat e homoseksualëve i shkaktojnë zemërim. “Si mund të flisni për të drejta të njeriut me një orientim të gabuar seksual?” thotë ai me zemërim. “Këta janë njerëz të sëmurë. Të drejtat seksuale janë një shpikje e shoqërive të europës perëndimore. Ata po përpiqen të ligjërojnë një perversitet”.


Nimoslav Mladenoviq, drejtor i Qendrës për të Drejta Civile dhe Njerëzore, i përshkruan homoseksualët si “një prej pakicave më të padukëshme në Maqedoni, të cilët jetojnë me frikë të vazhdueshme nga turpërimi në publik dhe nga sulmet fizike”.


Disa njerëz të cilët kërkojnë më tepë të drejta për homoseksualët fajësojnë mungesën e edukimit seksual në shkollat e mesme dhe në universitet. “Ne ende kemi profesorë të njohur nga Fakulteti i Mjeksisë në Shkup të cilët u mësojnë studentëve nga literature të cilat e tratojnë homoseksualitetin si një sëmundje,” thotë Mirjana Najcevska, e komitetit të të drejtave të njeriut. “Profesoreshë Olga Skariq e Fakulteti të Filozofisë ka botuar një libër në vitin 2001 në të cilin ajo e përcakton homoseksualitetin si një sëmundje”.


Najcevska thotë se gjërat po ndryshojnë, pas një fushate publicitare të mbështetur financiarisht nga ambasada amerikane dhe Qendra Ndërkombëtare Olaf Palme, e cila ka shkaktuar një debat të gjerë mbi të drejtat e homoseksualëve. Tabelat e mëdha të vendosura nga Qendra për të Drejta njerëzore dhe Civile, kanë paraqitur një numër burrash dhe grash nën parrullën “Pranoni të qenurin ndryshe: Fushata për promovimin e të drejtave të pakicave seksuale”.


Këto tabela nuk kanë shkaktuar shumë diskutime deri sa një revistë konservative amerikane, National Revieë Online, në janar ka akuzuar ambasadën amerikane në Maqedoni se po ndjek një axhendë të promovimit të homoseksualitetit, duke cituar edhe presidentin maqedonas Boris Trajkovski i cili ka thënë se paratë e taksapaguesve amerikanë nuk duhet të shkojnë në drejtim të “promovimit të stileve të ndryshme të jetesës në vendin tonë”, sepse ato janë “shumë të papranueshme për shumë njerëz në Maqedoni, ku jetojnë një përzierje konservatore të krishterë ortodoks dhe muslimanë”.


Deklaratat e presidentit kanë shkatuar një debat të paprecedent në mediat lokale, dhe gazeta e përditëshme Dnevnik ka botuar një editorial kritik, i cili pyeste, “Kur do të pranojë qenien ndryshe Trajkovski?”


Qendra për të Drejta Civile dhe Njerëzore ka shtuar aktivitetet e saj, duke organizuar një konferencë për problemet e homoseksualëve në Maqedoni në nëntorin e kaluar, në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësues nga vendet ballkanike, Britania, SHBA, Gjermania, Hollanda dhe Suedia.


Megjithëse kanë marrë pjesë edhe disa homoseksualë vendas, kryesisht për shkak të frikës së prezencës së kamerave televizive, organizatorët kanë thënë se mbajtja e një evenimenti të tillë ka qenë një fitore. “Ne kemi arritur të hapim një debat, dhe ky ishte qëllimi ynë,” thotë Ninoslav Mladenoviq. Ai tani po planifikon festivalin e parë të filmit për homoseksualët.


Pavarësisht këtyre aktiviteteve, shumë homoseksualë kanë frikë të dalin haptazi. Gjendja e rëndë ekonomike e vendit i bën ata të varur nga prindërit e tyre, sic bëjnë edhe lidhjet e forta familjare.


Aleksandri thotë se ai dhe partneri i tij ende duhet të kenë shumë kujdes. Ata mundohen të shmangin cdo paraqitje në publik e cila mund të tërheqë vëmendjen mbi mënyrën e tyre të jetesës. Por ata thonë se gjërat kanë filluar të ndryshojnë, qyteti po bëhet gjithnjë e më i hapur, dhe koha punon për ta.


“Ne jemi me fat, sepse të dy jemi në gjendje të mirë ekonomike dhe kemi shumë miq homoseksualë dhe jo të cilët na kanë pranuar sic jemi,” thotë Aleksandri.


Ana Petruseva është drejtuesja e projector të IWPR në Maqedoni, Mitko Jovanov është një gazetar me të përditëshmen Dnevnik.


Macedonia
Frontline Updates
Support local journalists