QEVERIA E SERBISË NË DILEMË PËR SHPENZIMET

Sa mund të shtrëngojë rripat një qeveri përpara se të fillojë të shkurtojë fondet për kompanitë e mëdha industriale?

QEVERIA E SERBISË NË DILEMË PËR SHPENZIMET

Sa mund të shtrëngojë rripat një qeveri përpara se të fillojë të shkurtojë fondet për kompanitë e mëdha industriale?

Monday, 21 February, 2005

Qeveria e Serbisë është nën presione të mëdha për të shkurtuar shpenzimet, dhe meqënëse ka pak mundësi për të shkurtuar ato, ekspertët ekonomik kanë filluar të pyesin nëse ministrat do të fillojnë më në fund të mendojnë për privatizimin apo për mbylljen e industrive të mëdha shtetërore.


Në dhjetor, Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, do të ratifikojë një marrëveshje për pakësimin e deficitit të madh ndërmjet eksporteve të pakta dhe importeve. Meqënëse eksportet nuk mund të shtohen lehtësisht për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike të Serbisë, atëherë zgjidhja duhet të jetë shkurtimi i ndjeshëm i importeve.


FMN mendon se mënyra më e mirë për këtë është shkurtimi i shpenzimeve të qeverisë, gjë e cila do të pakësonte edhe kërkesën në vend për mallrat e importit. Bllokimi i rritjes së pagave në sektorin e madh publik dhe shkurtimi i numrit të punonjëve do të pakësonin fuqinë blerëse të njerëzve.


“Gjeneratori i deficitit tregtar është konsumi qeveritar,” shpjegon Danica Popoviq, profesore në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Beogradit. “Importet duhet të shkurtohen duke shkurtuar shpenzimet buxhetore. E vetmja mënyrë për të pakësuar importet është nëpërmjet pagave të paguara nga qeveria”.


Shkurtimi i pagave në sektorin publik, apo ulja e shpenzimeve në fushat edhe tani të financuara keq si kujdesi shëndetësor dhe shërbimet e tjera, do të ishte një vendim i vështirë politik.


Disa analistë ekonomik të intervistuar nga IWPR mendojnë se industritë e subvencionuara nga shteti janë fushat ku mund të gjenden kursimet e nevojëshme. Të tjerë nuk janë dakord, duke thënë se privatizimi dhe në disa raste likujdimi i firmave të falimentuara do të ishte një vetëvrasje politike për çdo qeveri serbe. Ata parashikojnë përpjekje për të shkurtuar shpenzimet nga pak në të gjitha fushat.


Procesi i likujdimit dhe privatizimit të shumë firmave shtetërore joproduktive është ndalur pas vdekjes së kryeministrit reformator Zoran Gjingjiq, në mars të vitit 2003.


Rifillimi i këtij procesi është një kërkesë e FMN-së, dhe kjo mund të jetë edhe arësyeja kryesore e nënshkrimit të programit ekonomik në dhjetor.


Ekonomistë dhe analistë politik thonë se qeveria nuk ka shumë zgjidhje përveç se të pranojë kushtet e vendosura nga FMN nëse dëshiron të vazhdojë të përfitojë kredi dhe mbështetje për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.


Prioriteti numër një i FMN-së është pakësimi i niveleve tepër të larta të importeve, të nxitura nga një bum i konsumeve në Serbi. Njerëzit po blenë makina dhe mallra shtëpiake, shpesh me kredi nga bankat.


Eksportet e Serbisë janë shumë të ulta për shkak të gjendjes së rëndë të ekonomisë dhe prapambetjes së sektorit industrial.


Si rezultat, ndërmjet janarit dhe shtatorit të këtij viti, Serbia ka pasur një deficit prej pothuajse pesë milliard dollarë amerikan, një shifër alarmanete sepse është rreth 50 përqind më e lartë se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2003.


Përveç pasojave mbi ekonominë, deficiti është shqetësues sepse qeveria ka përdorur pothuajse të gjitha rezervat e saj financiare për të mbuluar deficitin në bilancin e pagesave, ku deficiti tregtar përbën pjesën më të madhe. Kjo shkakton një mungesë të rezervave gjë e cila kërcënon mundësinë e Serbisë për të ripaguar borxhin e saj, i cili këtë vit llogaritej në rreth 75 përqind të prodhimit të përgjithëshëm bruto të vendit.


Sipas Zoran Petroviq, drejtor i departamentit të thesarit në Raiffeisen Bank Serbia: “vazhdimi i deficitit në tregtinë e jashtëme nuk mund të përballohet nga ekonomia serbe, dhe do të rrezikojë detyrimet për të ripaguar kreditorët e huaj”.


Përfaqësuesi i FMN-së në Beograd, Harald Hirschofer, ka thënë për IWPR se deficiti i bilancit të pagesave me jashtë është problemi më i madh për ekonominë e Serbisë. FMN është e shqetësuar nga një rritje e mundëshme e konsumit në nivel familjar në Serbi, për shkak të blerjes së makinave të importuara dhe mallrave të tjera të konsumit.


Shpenzimet e larta të qeverisë shihen si një prej faktorëve kryesorë të cilët nxisin konsumin, kështu që FMN i konsideron shkurtimet e shpenzimeve si mjetin më të mirë për të ulur importet. “Kërkesa duhet të ulet dhe duhet të shtohen kursimet në nivelin makro ekonomik – kjo do të thotë ulja e deficitit buxhetor, dhe konsumit,” thotë Hirschoffer.


Shpenzimet e qeverisë pritet të tejkalojnë të ardhurat e saj me 2.5 përqind të prodhimit të përgjithëshëm bruto në vitin 2004 – një shifër brenda kërkesave të Traktatit të Mastriht dhe Paktit të Stabilitetit, të cilat kërkojnë që deficiti kombëtar të jetë më pak se tre përqind.


Bisedimet me FMN-në do të përfundojnë dhe Beogradi do të detyrohet të ulë shifrën e deficitit për vitin 2005 me një të tretën – duke realizuar kursime prej rreth 170 milion dollarë – nga 2.5 përqind të prodhimit të përgjithëshëm bruto në rreth 1.6 përqind.


Ministrat e qeverisë dhe publiku në Serbi e kundërshtojnë shkurtimin e mëtejshëm të shpenzimeve. Zëvendës kryeministri Miroljub Labus është cituar nga gazeta e përditëshme Politika të ketë thënë se shkurtimet e mëtejshme janë “të pamundura”.


Ndërsa hezitojnë për të ulur shpenzimet, autoritetet po marrin hapa të tjera për të ulur konsumin. Taksat po ndryshohen duke u bazuar nga të ardhurat tek konsumi, me futjen në përdorim të Tatimit të Vlerës së Shtuar, TVSH, në janar 2005. një burim i IWPR në Bankën Kombëtare të Serbisë ka thënë se guvernatori i saj, Radovan Jelasiq, po shikon mundësinë për të ulur dhënien e kredive të cilat ushqejnë konsumin dhe stimulojnë në këtë mënyrë importet.


Zërat për shkurtime të vendeve të punës kanë sjellë premtimin e qeverisë se ajo nuk do të ulë pagat e doktorëve, profesorëve në universitete dhe punonjësve të sektorit sicil, pagat e të cilëve edhe tani janë të vogla.


Kjo ka bërë që disa analistë të mendojnë se qeveria më në fund do të kthejë vëmendjen tek procesi i nevojshëm por deri më tani i bllokuar i privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha shtetërore të cilat janë trashëguar nga koha e Millosheviq, dhe që financohen me subvencione të qeverisë.


“Pika kryesore janë subvencionet për sektorin publik, i cili duhet të ristrukturohet,” ka thënë Petroviq.


Procesi i kufizuar i privatizimit është ndalur me vdekjen e Gjingjiq, dhe qeveria ende është e detyruar të paguajë shuma të mëdha për të subvencionuar këto ndërmarrje. Ndoshta më e njohura është Zastava, një gjigand industrial me qendër në qytetin e Kragujevac i cili punëson disa mijëra vetë. Ndërmarrja e prodhimit të armatimit nën ombrellën e kësaj kompanie ka pësuar vetëm humbje që prej shkatërrimit të ushtrisë jugosllave, ndërsa makinat e prodhuara janë të modelit të vjetër dhe nuk shiten shumë në vend apo jashtë.


Shumë prej këtyre kompanive nuk do të mund të mbijetonin në kushtet e tanishme, duke pasur shumë punëtorë, sisteme prodhime të vjetra, dhe borxhe të mëdha ndaj bankave serbe. Ndërsa ato ende japin një pjesë të madhe të prodhimit të përgjithëshëm të Serbisë, ato nuk janë konkurruese në tregjet e huaja – dhe kjo është një prej arësyeve kryesore për nivelin e ulët të eksporteve.


Këto industri mund të ristrukturohen dhe privatizohen, megjithëse disa prej tyre janë në një gjendje aq të keqe saqë do të falimentojnë.


Qeveria nuk ka bërë të ditur asnjë prej planeve të saj, por Petroviq i Raiffeisenbank mendon se ndër kompanitë e para të cilat do të ristrukturohen do të jenë ato të energjisë elektrike dhe naftës.


“Qeveria duhet të bëjë diçka me kompaninë e naftës NIS dhe atë të energjisë elektrike, EPS, sepse të dyja kanë një numër të lartë punëtorësh dhe nuk janë aspak eficiente,” ka thënë ai.


Mungesa e dëshirës nga qeveritë e mëparëshme për të çuar përpara çështjen e privatizimit argumentohet kryesisht nga pasojat ndoshta shpërthyese të shkurtimit në masë të punëtorëve në ndërmarrjet e mëdha prej të cilave varen edhe qytete të tëra.


Misa Brkiq, analiste ekonomike për të përjavëshmen Vreme në Beograd, mendon se politika e qeverisë për të kënaqur elektoratin është një shembull klasik i mendimit jo largpamës i cili mund ti kushtojë shtrenjt vendit. Autoritetet në mënyrë të vazhdueshme “kanë blerë mbështetjen e votuesve duke rritur pensionet dhe pagat,” ka thënë ai.


Profesori Popoviq mendon se mund të jetë më pak e vështirë se sa mendohet për të siguruar mbështetjen e punëtorëve të këtyre ndërmarrjeve të mëdha shtetërore, nëse u ofrohet pagesë papunësie dhe mundësi për tu ritrajnuar në profesione të tjera. Popoviq ka thënë se shumë punëtorë do të mirëprisnin një pagesë në para pas shkurtimit nga puna e cila do tu jepte mundësi atyre të kryenin punët e dyta ku mbështeten shumë prej tyre edhe tani.


“Punëtorët e këtyre fabrikave shpesh paguhen vetëm një herë në tre muaj, nëse janë me fat,” ka thënë ajo. “Ato janë vende pune jo të paguara mirë, dhe në shumë raste ata janë të punësuar vetëm në borderonë e fabrikës, sepse nuk shkojnë fare në punë”.


Problemi më i madh është se so do të paguhen të gjitha këto projekte. Trajnimi, pagesa dhe pensionet do të kërkonin shma të mëdha nga qeveria në një kohë kur ajo duhet të shtrëngojë politikën financiare.


Një zgjidhje do të ishte kërkimi i ndihmës nga jashtë. Kryeministri Vojislav Koshtunica “duhet të garantojë donacione nga perëndimi për të ngritur një rrjet të sigurimeve sociale,” ka thënë Popoviq. “Kështu ka ndodhur në Poloni, Ceki, Sllovaki dhe Estoni, të cilat kanë pasur të njëjtat probleme”.


Banka Botërore ka premtuar tanimë një paketë ndihme për Serbinë prej 550 milion dollarë gjatë dy vjet e gjysëm të ardhëshme nëse qeveria ratifikon dhe zbaton kërkesat e FMN-së. Banka thotë se deri 70 përqind e kësaj shume mund të caktohet për të reformuar sistemin e pensioneve dhe ndihmuar punonjësit më të prekur nga reformat.


Popoviq thotë se marrëveshja me FMN përbën një dilemë të madhe për kryeministrin dhe ekipin e tij.


“Koshtunica nuk ka zgjidhje përveç se të zbatojë këto reforma,” ka thënë ajo për IWPR.


Analistë të tjerë nuk janë në një mendje, duke cituar kujdesin e madh që ka treguar gjithnjë Koshtunica për çështjen e privatizimit. Edhe një qeveri me një shpirt për aventurier do të bënte pothuajse çdo gjë tjetër përpara se të niste shpërbërjen e ndërmarrjeve shtetërore të cilat në disa zona ofrojnë punësim për pothuajse të gjithë popullsinë e aftë për punë.


“Nuk mendoj se ata do të nisin me ndërmarrjet e mëdha,” thotë Dushan Pavloviq, një studjues në Institutin Jeferson në Beograd. “Ndërmarrjet e mëdha shtetërore si ato të energjisë elektrike dhe hekurrudhat nuk do të preken”.


Pavloviq shpjegon se “Këto ndërmarrje kanë një numër tepër të madh punëtorësh – Koshtunica ka frikë nga kostoja sociale. Konservatorizmi i kujdesëshëm i tij nuk do ta lejojë këtë gjë. Është gjithashtu edhe problemi i pronarëve të mëdhenj të cilët janë të përfshirë edhe në këto firma – ata nuk dëshirojnë të humbasin pjesën e tyre”.


Përkundrazi, Pavloviq mendon se kabineti do të gjejë një rrugë më të kujdesëshme: “Ulja e shpenzimeve e shoqëruar me shtimin e prodhimit industrial dhe të ardhurat nga privatizimet e vogla mund ti lejojnë qeverisë të arrijë shkurtimin e deficitit pa prekur kompanitë e mëdha si kompania shtetërore ajrore, JAT”.


Edhe shkurtimi i shpenzimeve në fusha të tjera do të jetë një hap i mirë. “Pagat në sektorin publik do të harmonizohen me produktivitetin duke filluar nga viti i ardhëshëm – dhe kjo do të ndihmojë qeverinë të mbajë një deficit të ulët,” ka thënë Pavloviq.


Forcat e armatosura mund të jenë një tjetër fushë ku mund të shkurtohen shpenzime.


“Pesha më e madhe do të ndjehet nga ushtria,” parashikon Brkiq. “Kjo do të jetë një mundësi e mirë për të financuar ushtrinë sipas mundësive financiare të shtetit”.


Një pengesë e madhe për uljen e shpenzimeve do të ishte mundësia e zgjedhjeve të parakohëshme, të cilat sipas dosa vëzhguesve mund të zhvillohen në muajt e parë të vitit 2005. Këto zgjedhje do të inkurajonin partitë të ndiqnin politika më populiste të cilat bien ndesh me kërkesat e FMN-së. Koshtunica, nga frika e humbjes së pushtetit në favor të partisë ultra nacionaliste radikale, mund të vonojë marrjen e vendimeve të cilat kanë kosto politike.


Pavarësisht nëse do të mbahen apo jo zgjedhjet e parakohëshme, kjo qeveri apo ajo e ardhëshmja do të duhet të përballen me presionin në rritje për të marrë masa jo popullore në rradhët e votuesve të tyre edhe tani të pakënaqur.


John Simpson është një bashkëpunëtor i IWPR i vendosur në Beograd


Africa
Frontline Updates
Support local journalists