Kroacia Propozon Kantonizimin e Bosnjes

Zagrebi ka paraqitur një plan radikal për të shmangur ekstremistët Kroatë të Bosnjes.

Kroacia Propozon Kantonizimin e Bosnjes

Zagrebi ka paraqitur një plan radikal për të shmangur ekstremistët Kroatë të Bosnjes.

Wednesday, 14 March, 2001

Drejtuesit në Zagreb dhe kolëgët e tyre në Sarajevo thuhet se kanë diskutuar një plan për të kantonizuar Bosnjen gjatë një takimi të fshehtë fundjavën e kaluar.


Zyrtarët Kroatë kanë pranuar mbajtjen e këtij takimi - mesa duket të organizuar në përgjigje të përpjekjeve të Kroatëve të Bosnjes për autonominë - vetëm pasi shtypi ka botuar disa hollësi nga takimi. Kryeministri Ivica Raçan ka marrë pjesë në takim së bashku me ministrin e tij të jashtëm Tonino Pikula dhe Drazhen Budisha, drejtuesi i Partisë Social Liberale Kroate - aleati më i ngushtë i Raçanit në koalicionin qeveritar të përbërë nga gjashtë parti.


Nga pala Boshnjake kanë marrë pjesë në takim Bozhidar Matiq, president i këshillit të ministrave të Bosnjes, ministri i jashtëm Zlatko Lagumxhija dhe Karlo Filipoviq, president i Federatës.


Ky takim pason një përkeqësim të shpejtë të marrëdhënieve ndërmjet Zagrebit dhe drejtuesve të Kroatëve të Bosnjes pas vendimit të tyre të datës 3 Mars për të shpallur autonominë në zonat me popullsi kryesisht Kroate të Federatës.


Ministria e jashtëme Kroate ka lëshuar një deklaratë të zbehtë ku thuhej se takimi i organizuar në Slavonski Brod "ka qenë një takim pune jo zyrtar ku janë diskutuar marrëdhëniet ndërmjet Kroacisë dhe Bosnje-Herzegovinës".


Edhe Raçan ka qenë shumë i vakët. "Unë besoj se ne nuk duhet të presim për inisiativa të komunitetit ndërkombëtar, por duhet të inkurajojmë ata që kërkojnë një shtet të qendrueshëm në Bosnje," ka thënë ai.


Por analistët thonë se fakti që Budisha, i cili nuk ka ndonjë post zyrtar në qeverinë e Raçanit, ka qenë prezent tregon se në këtë takim janë diskutuar propozimet e tij për të ardhmen e Bosnjes.


Plani i Budishas, i cili është njoftuar së fundi në median Kroate, parashikon shkrirjen e dy entiteteve ekzistuese - Republikës Srpska dhe Federatës - në favor të një shteti federal të përbërë nga 12 deri 14 kantone.


Në ndryshim nga entitetet, kantonet nuk do të lejohen të vendosin marrëdhënie të veçanta me shtete të tjera.


Republika Srpska dhe Jugosllavia kanë nënshkruar një marrëveshje speciale më 5 Mars të planifikuar për të forcuar lidhjet ekonomike dhe sociale - një hap ky i cili është kritikuar ashpër nga presidenti Kroat Stipe Mesiq si një vazhdim i idesë së Serbisë së Madhe. "Hapi i ndërmarrë nga Koshtunica e bën gjendjen në Bosnje edhe më të komplikuar," ka thënë Mesiq në një intervistë në radio.


Ndërsa është ende e paqartë se si do të reagojnë Boshnjakët dhe Kroatët në Bosnje Herzegovinë ndaj propozimeve të Zagrebit, nuk ka shumë dyshim që Republika Srpska do ta kundërshtojë menjëherë këtë propozim. Në fakt, pas daljes së njoftimit për takimin e Sllavonski Brod, autoritetet e Banja Lukës paralajmëruan Kroacinë të mos përfshihet në çështjet e brendëshme të Bosnjes.


Plani i Budishas nuk është ndonjë gjë e re. Ivo Komsiq, ish president i Asamblesë Kombëtare Kroate, ka paraqitur një ide të tillë në vitin 1994. Në atë kohë, megjithatë, shqetësimi kryesor i komunitetit ndërkombëtar ishte dhënia fund e luftimeve. Dhe propozimet e Komsiq u lanë pas dore për shkak të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila vendosi që Bosnja të ishte një shtet i tre kombësive dhe i përbërë nga dy entitete.


Propozimi për kantonizimin e Bosnjes të cilin po e shtrojnë për diskutim autoritetet Kroate është një përpjekje për t'iu përgjigjur hapave drejt autonomisë nga radikalët Kroatë të Bosnjes.


Raçan mund të ketë besim që propozimi nuk do të shkaktojë përçarje në gjirin e qeverisë së koalicionit. Përveç Budishas, këtë ide e përkrahin edhe Partia Fshatare kroate dhe Vesna Pusiq, drejtuese e Partisë Popullore Kroate. Vetëm dy anëtarët më të vegjël të koalicionit - Asambleja Demokratike e Istrias dhe Partia Liberale - e kundërshtojnë këtë plan.


Drejtuesi i Partisë Liberale Zlatko Kramariq ka thënë: "Nuk është një gjë normale që një politikan i një vendi të sugjerojë zgjidhje të problemeve politike për një vend tjetër fqinj".


Por Raçan është detyruar të paraqesë një inisiativë për të mos lejuar që e djathta Kroate, e mbledhur rreth Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, të ushtrojë edhe më shumë influencë ndaj Kroatëve të Bosnjes.


Megjtihëse HDZ-ja, e krijuar nga ish presidenti Kroat Franjo Tugjman, ka humbur në zgjedhjet e Janarit 2000, ajo ende ushtron një autoritet të madh në pjesët e banuara kryesist nga Kroatët në Bosnje. Ajo është shumë e afërt me anëtarin e rëndësishëm të HDZ-së së Bosnjes, Ante Jelaviq, i cili është edhe figura kryesore pas deklaratës për vetë administrim të bërë në Mostar.


Deklarata e Mostarit ka bërë që Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjen Volfgang Petriç të shkarkojë jelaviqin nga drejtimi i HDZ-së dhe nga presidenca tre palëshe e Bosnjes. Petriç ka shkarkuar gjithashtu edhe tre zyrtarë të tjerë të lartë të HDZ-së në Bosnje.


Deklarimi i vetë administrimit të Kroatëve në Bosnje është një dhuratë e çmuar para zgjedhore për HDZ-në në Kroaci. HDZ-ja mendon se radikalizimi i vëllezërve të tyre etnik në Bosnje mund të sjellë përfitime për partinë në prag të zgjedhjeve lokale në Kroaci të planifikuara për më 20 Maj.


HDZ-ja ka në plan të akuzojë Raçanin se nuk ka mbrojtur interesat kombëtare të Kroatëve jashtë vendit, veçanërisht pasi disa forca në gjirin e qeverisë së koalicionit kanë kundërshtuar ndryshimet e bëra ligjit zgjedhor Kroat duke mos lejuar më pjesëmarrjen e diasporës në votime. Kroatët në Herzegovinë kanë qenë mbështetja kryesore e HDZ-së në të kaluarën.


Takimi i organizuar në Slavonski Brod i ka dhënë Raçanit mundësinë të testojë pozicionin e qeverisë së Bosnjes ndaj kantonizimit. Pikula pritet ta diskutojë këtë plan në një takim me shefin e politikës së jashtëme të BE-së Havier Solana më 15 Mars. Lagumxhija do të takohet me zyrtarë Suedezë, vend i cili ka aktualisht kryesinë e BE-së, në të njëjtën ditë.


Dragutin Hedl është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists