Maqedonia e Ngërthyer Në Një Rreth Korrupsioni
Maqedonasit janë të dëshpëruar ndërsa qeveritë e reja që pasojnë njëra tjetrën përfshihen në skandale korrupsioni.
Maqedonia e Ngërthyer Në Një Rreth Korrupsioni
Maqedonasit janë të dëshpëruar ndërsa qeveritë e reja që pasojnë njëra tjetrën përfshihen në skandale korrupsioni.
A janë ushtarët e KFOR-it të përfshirë në kontrabandë, apo doganierët maqedonas janë të korruptuar? Kjo pyetje ka dominuar të gjitha faqet e para të gazetave të Shkupit javën e kaluar.
Ngjarja shpërtheu pasi zyrtarët e doganave maqedonase bllokuan 15 kamionë të NATO-s në kufirin me Greqinë për dyjavë. Media në Shkup ka cituar burime jo zyrtare në shërbimet doganore, të cilat kanë thënë se mallrat në kamionë ishin të destinuara për tregun e zi.
Pas përgënjeshtrimit të KFOR-it, një rrjet televiziv që zakonisht është i mirëinformuar, duke cituar burime jo zyrtare të KFOR-it, ka njoftuar se zyrtarët maqedonas kanë kërkuar rryshfete - 2,000 marka gjermane për çco kamion - që të lëjonin të kalonte karvani i kamionëve.
Trupat e KFOR-it, të cilët numërojnë rreth 4,000 vetë në Maqedoni dhe 40,000 në Kosovë, thuhet se janë përfshirë në operacionet e kontrabandës duke furnizuar firma maqedonase me pije alkolike të lira, cigare dhe parfume.
Megjithatë këto akuza nuk janë drejtuar vetëm ndaj paqeruajtësve te huaj. Maqedonasit ankohen se korrupsioni është pjesë e jetës së përditëshme.
"Për të ndërruar një numër telefoni duhet të paguash rryshfet 1,000 marka gjermane," thotë një burrë i vjetër në moshë në Shkup. "Po ashtu duhet të paguash edhe për tu vizituar nga një doktor."
Një shitës në një dyqan rrobash në rrethinat e kryeqytetit thotë, "Nuk mund të bësh asgjë këtu nëse nuk paguan disa mijëra marka rryshfet".
Korrupsioni në Maqedoni ka filluar të lulëzojë pasi komuniteti ndërkombëtar ka vendosur një embargo ekonomike ndaj Jugosllavisë fqinje në vitin 1992. Maqedonia ishte një nga shkelësit më të zakonshëm të saj.
Të gjitha gjërat që mungonin në Serbi - nafta, ilaçet, kafeja, cigaret - kalonin npërmjet Maqedonisë. Zyrtarët e doganave dhe policia ka përfituar mjaft. Gazetat kanë shkruajtur për këtë tregti. Por askush nuk është dënuar.
Koalicioni i qendrës së djathtë ndërmjet VMRO-DPMNE dhe Alternativës Demokratike (më pas u bashkua edhe Partia Demokratike e Shqiptarëve) ka triumfuar në zgjedhjet dy vjet më parë duke premtuar luftë ndaj korrupsionit.
Pas fitores në zgjedhje, parlamenti miratoi një komision të hetimit për dështimet e paraardhësve të tyre në luftën ndaj korrupsionit.
Komisioni paraqiti informacionin e tij në një sesion parlamentar të zhvilluar më herët këtë muaj. Në këtë raport thuhej se administrata e mëparëshme ishte fajtore për një sërë aktivitete të korruptuara. Këtu përfshiheshin printimi i pasaportave nga firma në pronësi të të afërmve të politikanëve dhe blerja e kuajve për policinë megjithëse ajo nuk kishte nevojë për ta.
Por ndërsa u publikua ky raport, opozita u përgjigj me kundër akuzat e saj, ndër të tjera edhe me deklarata se autoritetet kishin porositur 400 makina të shtrenjta Chrysler për policinë pa pasur nevojë.
Ndërsa po shtoheshin akuzat e opozitës, kryetari i parlamentit e ndërpreu në mes debatin, duke mos lejuar 20 deputetë të opozitës të bënin akuza të reja. Ai përdori si shkak për ndërprerjen e punimeve festimet e Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Tani pranohet gjerësisht se qeveria është përfshirë në veprime të pandershme dhe ka bërë pak për të luftuar korrupsionin.
Gjykata e Lartë kohët e fundit ka arritur në konkluzionin se procedurat gjyqësore kanë qenë të ngadalta, jo eficiente dhe janë ndikuar nga njerëz me pushtet.
Qeveria ka shitur në mes të një debati të gjerë rafinerinë OKTA - një nga burimet më të rëndësishme të karburantit në vend - kompanisë greke Hellenic Petroleum. Më pas opozita e ka akuzuar qeverinë se ajo ka përfituar nga kjo kontratë.
Kryeministri Ljubco Georgievski kishte premtuar gjatë fushatës se përgatitja e legjislacionit anti-korrupsion do të ishte një nga detyrat kryesore të qeverisë së re, por tani askush nuk flet më për propozimin e këtij ligji.
Opozita mendon se autoritetet e tanishme nuk janë në gjendje të veprojnë për një ligj të tillë sepse ato vetë janë të korruptuara.
Në fillim të janarit, e përditëshmja e pavarur e Shkupit, Makedonija Denes, ka botuar një studim ku thuhej se Maqedonia është përfshirë në një rrjet kriminal të dominuar nga mafiozët shqiptarë me qendër në Kosovë.
Maqedonia është bërë shumë e rëndësishme për kriminelët shqiptarë pas mbërritjes së forcave të KFOR-it në Kosovë vitin e kaluar.
Gazeta shkruante se partia në pushtet është e përfshirë në krimin e organizuar, duke kontrolluar fitimet dhe rrjedhjen e parave nga marrëveshje të dyshimta. Sipas gazetës, 70 përqind e fitimeve shkojnë për Partinë Demokratike të Shqiptarëve në pushtet dhe pjesa tjetër partnerit të saj të koalicionit, VMRO-DPMNE.
Opozita deklaron se partitë në pushtet kanë rënë dakort të mos përzihen në aktivitetet e dyshimta të njëra tjetrës.
KFOR ka premtuar të përpiqet të luftojë aktivitetin kriminal duke shtuar patrullimin përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Por, pas thënieve të javës së kaluar rreth përfshirjes së mundëshme të KFOR-it në kontrabandë, shpresat e Maqedonasve për funksionimin e ligjit dhe të rendit po pakësohen me shpejtësi.
Zheljko Bajiq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.