VIKTIMAT PA EMËR TË SREBRENICËS

Mijëra njerëz të vrarë pas rënies së enklavës në duart e Serbëve të Bosnjes mbeten ende të paidentifikuar edhe kur kanë kaluar më tepër se tetë vjet pas krimeve.

VIKTIMAT PA EMËR TË SREBRENICËS

Mijëra njerëz të vrarë pas rënies së enklavës në duart e Serbëve të Bosnjes mbeten ende të paidentifikuar edhe kur kanë kaluar më tepër se tetë vjet pas krimeve.

Tahira Osmanoviq, një grua e ve 50 vjecare nga Srebrenica, nuk mund te fliste fare javën e kaluar ndërsa qëndronte përpara një përmendoreje në varrezat e Potocari, ish baza e OKB-së jashtë qytetit, së bashku me mbi 10,000 njerëz të tjerë të cilët ishin mbledhur për të përkujtuar përvjetorin e krimit më të rëndë të kryer në Europë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.


Osmanoviq ka humbur burrin dhe djalin e saj kur forcat e Serbëve të Bosnjes kanë pushtuar enklavën në Korrik të vitit 1995, duke ekzekutuar mbi 7,000 djem dhe burra Muslimanë.


Si shumë të afërm të tjerë të të vrarëve, Osmanoviq më pas është larguar nga Bosnja dhe ka filluar një jetë të re në Kolorado, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është kthyer në Srebrenica më 11 Korrik – përvjetori i tetë i masakrës – për të varrosur trupat e familjes së saj.


Ajo i ka parë për herë të fundit ata, kur djalin Edin ishte 16 vjec dhe bashkëshorti Ibro ishte 44 vjec. Kufomat e tyre kanë qenë ndër disa qindra të tjerë të identifikuar kohët e fundit nëpërmjet analizave të ADN-së.


Deri më tani, janë zhvarrosur trupat e rreth 5,000 njerëzve nga varret masive në Bosnjen lindore gjatë këtyre viteve pas masakrës. Vetëm 1,000 prej tyre janë identifikuar, dhe viktima e 1,000 është identifikuar pikërisht ditën e përvjetorit të tetë të masakrës.


Më tepër se 600 prej të identifikuarve janë rivarrosur në Potocari në muajin Mars, dhe më 11 Korrik, rreth 228 trupa, përfshirë 26 djem të cilët kanë qenë nën moshën 18 vjecare, janë vendosur në varrezat e Potocarit ku do të prehen. Funerali i atyre të cilët nuk janë varrosur ende do të organizohet në muajin Shtator.


Sipas familjarëve të viktimave, identifikimi i trupave është si një lehtësim ashtu edhe një ankth për familjet. Ndërsa për disa familje kjo përbën fundin e një pritjeje të gjatë, edhe tani kur kanë kaluar tetë vjet nga masakra, shumë nga të mbijetuarit thonë se ata ende kanë shpresa se të afërmit e tyre mund të jenë gjallë.


“Për tetë vjet, ne kemi shpresuar që vëllai dhe babai ynë nuk do të ishin ndërmjet këtyre trupave,” thotë 29 vjecari Vasvija Efendiq. “Babai ynë kishte shumë shokë Serb dhe ne shpresojmë që dikush ti ketë ndihmuar ata duke i fshehur”.


Babai i Vasvijas, Edhem dhe vëllai i saj, Mevludin, i cili ka qenë vetëm 18 vjec në atë kohë, janë identifikuar disa muaj më parë. “Në fund të fundit, është më mirë për ne të dimë se ku janë trupat e tyre,” thotë ajo.


Pjesa më e madhe e të afërmëve të burrave dhe djemve të cilët janë zhdukur që prej muajit Korrik të vitit 1995 janë ende në pritje për të konfirmuar fatin e tyre.


Një grua e kaluar në moshë, Sida Mehanoviq, ka mbërritur në varrezë duke mbajtur në dorë një fotografi të katër djemve të saj. “Ata mi morrën. Ata u zhdukën. Kur do të më thotë dikush se ku janë atë…?”


Rreth 4,000 qese të mbushura me pjesë trupash të gërrmuara nga varret masive në Bosnjen Lindore presin ende procedurat e identifikimit.


“Të gjithë ata të cilët janë të përfshirë në këtë process duhet të vazhdojnë punën për të gjetur trupat dhe tu japin një emër disa mijëra njerëzve të cilët figurojnë të zhdukur,” ka thënë Gordon Bacon, drejtues i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur me qendër në Sarajevo, ICMP, i cili është krijuar në vitin 1996.


Në një përpjekje për të identifikuar sa më tepër viktima, ICMP ka mbledhur mbi 14,000 mostra gjaku, vetëm nga familjet të afërmit e të cilëve janë zhdukur në Srebrenica në vitin 1995.


Shumë prej të njëjtave fytyra të cilat ishin mbledhur për të përkujtuar përvjetorët e mëparëshëm kanë qenë prezent edhe më 11 Korrik, por për herë të parë, atyre u janë bashkuar edhe një delegacion i Serbëve të Bosnjes, përfshirë kryeministrin e Republika Srpska, Dragan Mikereviq. “Ne nuk duam që krimet të jenë ende një tabu në Republika Srpska,” ka thënë ai.


Megjithatë, fjalët e tij nuk i kanë bërë përshtypje familjeve të të vrarëve, të cilët thonë se në entitetin Serb të Bosnjes nuk është kryer asnjë hetim i mirëfilltë rreth asaj që ka ndodhur në Srebrenica.


Shumë të tjerë të cilët kanë marrë pjesë në shërbimet përkujtimore kanë thënë se ata po humbasin besimin se do të bëhet ndonjëherë drejtësi.


Emina Durakoviq, 36 vjec, ka ardhur në funeral me motrën e saj për të varrosur dy nga tre vëllezërit e tyre të humbur, Huso, i cili ka qenë 31 vjec kur është zhdukur, dhe Emin, i cili ka qenë 20 vjec. Vëllai i tyre 22 vjecar, Emir, figuron ende i zhdukur.


“Cfarë dënimi mund të ketë për vrasësit e vëllezërve të mi? Unë kam pushuar së menduari se gjykata do të dënojë ndonjëherë fajtorët dhe drejtuesit e tyre,” thotë Durakoviq.


Gjatë periudhës së pas luftës, vetëm pak familje janë rikthyer në shtëpitë e tyre në Srebrenica.


“Ne nuk kemi ku të jetojmë dhe të punojmë në këtë qytet, edhe nëse kthehemi,” thotë Emir Salihoviq, 19 vjecar, i cili ka përfunduar shkollën e mesme së fundi në Tuzla.


Salihoviq ka humbur babain dhe vëllain e tij në masakër. Ai ka thënë se nuk mund të imagjinonte që të kthehej në Srebrenica për të jetuar dhe se ai ndoshta do të përpiqej të emigronte në Amerikë.


Megjithëse numri i saktë nuk dihet ende, gjithnjë e më tepër të mbijetuar nga Srebrenica po përpiqen të largohen nga Bosnja dhe të rivendosen jashtë vendit ku ata nuk janë të detyruar të përballen në cdo moment me kujtime të hidhura.


Vasvija Efendiq është larguar për në Gjermani disa vjet më parë dhe mamaja dhe vëllai i saj janë larguar nga vendi në muajin Shtator për të jetuar në SHBA. “Ata nuk kanë vrarë vetëm vëllezërit dhe baballarët tanë, ata na kanë shkatërruar në shumë mënyra të tjera,” thotë Vasvija. “Ne tani nuk kemi më as shtëpi dhe as një vend për të jetuar. Ne jemi krejtësisht të shkatërruar”.


Nermina Durmic-Kahroviq është një gazetare me qendër në Tuzla.


Frontline Updates
Support local journalists