Rradhët e Policisë Thërmohen Përpara Minatorëve

Përpjekjet e policisë për të rivendosur kontrollin e saj në fushat e qymyrit kanë dështuar përballë protestave masive të minatorëve.

Rradhët e Policisë Thërmohen Përpara Minatorëve

Përpjekjet e policisë për të rivendosur kontrollin e saj në fushat e qymyrit kanë dështuar përballë protestave masive të minatorëve.

IWPR

Institute for War & Peace Reporting
Tuesday, 6 September, 2005

"Serbia është ngritur në këmbë!", kanë kënduar demonstruesit në fushat e qymyrgurit në Tamnavë, të entusiazmuar nga fitorja e tyre duke sprapsur përpjekjet e policisë për të arrestuar minatorët grevistë.


Ky ka qenë një ndër dështimet e rradhës të policisë të mërkurën. Përpjekjet për të rimarrë kontrollin e fushës së Kolubarës, 45 kilometra në jug të Beogradit, janë ndaluar nga mbërritja e shumë autobusëve të mbushur me përkrahës të grevistëve. Një nga autobusët e detyroi një mjet të blinduar të policisë të dilte jashtë rrugës.


Protestuesit po i përshëndesin ngjarjet e së mërkurës si "Gdansku i Serbisë", një referencë për grevën e punëtorëve polkaë të kantierit detar të Gdanskut në vitin 1980, e cila ka qenë edhe kambana e parë që paralajmëroi vdekjen e komunizmit në atë vend.


Rreth 300 kamionë, autobusë dhe makina sollën të mërkurën në minierën e Tamnavës mijëra përkrahës, të cilët krijuan një bllokadë njerëzore. Rreth 800 oficerë policie të armatosur me shkopinj gome u detyruan të largohen me shpejtësi. Në mbrëmje turmat që festonin dhe këndonin kontrollonin kompleksin dhe policia nuk dukej fare.


Një tjetër qytet minierash Kostolci është paralizuar krejtësisht që prej katër ditësh dhe qendra e qytetit është fare e boshatisur. Rreth 6,000 punëtorë të minierës lokale janë bashkuar me 7,000 kolegë nga miniera fqinje e Kolubarës në grevë.


"Duhet të jetë bërë një padrejtësi e madhe që punëtorët e minierave të lënë punën dhe të humbasin pagat," ka thënë Dushan Jovanoviq, një aktivist i Partisë Demokratike nga Kostolci.


Minatorët e qymyrit në Serbi, deri pak kohë më parë mbështetës të fuqishëm të Millosheviqit, i kanë kthyer shpinën drejtuesit të Partisë Socialiste të Serbisë. Këtu, ashtu si në Tamnavë, banorët vendas janë bashkuar me minatorët të cilët thonë se nuk do të ndërpresin grevën deri sa Millosheviqi të pranojë humbjen në zgjedhje.


Kur policia urdhëroi minatorët të largonin barrikadat e vendosura pranë fshatit Bratinc, shumë autobusë të ngarkuar me njerëz mbërritën për të ndihmuar protestuesit. Edhe nxënës të shkollës së mesme 14 të Beogradit, të cilët ishin në një ekskursion në zonën aty pranë, u bashkuan me demonstruesit.


Në protesta të tjera grevistët pranë Veliko Gradishte janë shtrirë në rrugë për të ndaluar buldozerët e policisë të pastrojnë rrugën nga barrikadat.


Shefi i Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave Gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i shoqëruar nga policia ushtarake, vizitoi minatorët në Kolubarë në orët e para të mëngjesit të së martës duke u bërë thirrje atyre të kthehen në punë. Miniera furnizon me qymyr një central aty pranë, i cili prodhon gjysmën e energjisë elektrike për Serbinë. Prodhimi i centralit tashmë është përgjysmuar.


Kompania shtetërore energjitike ka vendosur masa për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike duke thënë se furnizimet me qymyr janë shumë të pakta. Por edhe punëtorët e sistemit të furnizimit me energji elektrike do të dalin në grevë.


"Ndoshta do të ndërpriten dritat për disa orë në ditë në Serbi," tha Aleksandër Leka Milosavljeviq, inxhinier në centralin e Kostolcit, "por ne kemi qenë në errësirë që prej dhjetë vjetësh, menjëherë pas ardhjes në pushtet të Sllobodan Millosheviqit."


Barrikadat e minatorëve të ngritura me traktorë, makina dhe makineri të rënda kanë bllokuar hyrjen për në minierat e Drmnos, Cirikovcit dhe Klenovnikut. Dy kamionë, njëzet traktorë dhe disa makina kanë bllokuar rrugën për në minierën e Cirikovcit.


Grevistët në Kostolc kanë një moral të lartë. Aty ka shkuar edhe një sistem i fuqishëm qendër zëri, nga ku transmetohet muzikë dhe fshatarët vendas kanë ardhur me një kazan të madh me supë peshku për ta.


Kur i pyesim se sa kohë do të qëndrojnë këtu, ata të përgjigjen duke qeshur: "Deri sa të fitojmë".


"Ata na kanë vjedhur për vite me rradhë," thotë Slavisha Miladinoviq, punëtore nga Kostolci. "Ne punojmë për 70 marka gjermane në muaj dhe pagat tona janë më lartat në të gjithë bashkinë e Pozharevcit. Çfarë dreqin marrin të tjerët? Sllobodan Millosheviqi asnjëherë nuk ia bën vetes këtë pyetje."


Fusha minerare e Drmnos është bërë tashmë një qytet fantazëm. Nga rreth 3,000 minatorë vetëm shtatë prej tyre kanë shkuar të punojnë. Rojet e sigurimit të armatosur, të cilët më parë gjendeshin kudo, nuk duken më.


Një nga shtatë grevëthyesit që u kthyen në Kostolc akuzon komunitetin ndërkombëtar se ka shkaktuar krizën në industri. "Ata e kanë fajin për të gjitha këto: NATO, Bill Klinton dhe Toni Bler," thotë ai. "Njerëzit janë naivë dhe tani u besojnë atyre. Unë do t'i çoja të gjithë ata që nuk pranojnë të dalin në punë përpara gjyqit."


Minatorët e Kostolcit, përveç kërkesës për njohjen e Koshtunicës si president të ligjshëm, kanë kërkuar edhe shkarkimin e drejtorit të kompleksit Ljubisha Marinkoviq të japë dorëheqjen.


Marinkoviq, zyrtar lokal i SPS-së, ka qenë kandidat në zgjedhjet bashkiake. Ai ka humbur përballë një prej punëtorëve të tij, Sllobodan Joviq, gjë e cila i ka kënaqur pa masë protestuesit në Kostolc. "E çfarë drejtori është ai kur një nga punëtorët e tij e mund në zgjedhje?", tallet një minator.


Joviq thotë se ai ka qenë nën një presion të madh për të dhënë dorëheqjen nga kandidimi në prag të zgjedhjeve. Edhe një fqinj i tij, anëtar i SPS-së, i ka shkuar në shtëpi për ta këshilluar të heqë dorë. "Unë pastaj i tregova fqinjit darkën e një njeriu të varfër, një lakër. Dhe e pyeta: 'Çfarë do të hash sot?'", thotë Joviq. "Pas kësaj ai u largua pa thënë më asnjë fjalë."


Mbrëmja po bie tani mbi Kostolc. Grevistët qëndrojnë akoma në ruajtje të barrikadave të tyre. Shenja e neonit me shkrimin "Fat të Mbarë" mbi kullën e ujit nuk duket, e fikur nga ndërprerja e përnatshme e energjisë elektrike.


Marko Ruziq është gazetar serb dhe bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists