Qeveria Serbe Po Demoralizon Autoritetet Lokale Te Kontrolluara Nga Opozita

Nga Srxhan Staletoviq në Beograd (BCR No. 122, 8-Mar-00)

Qeveria Serbe Po Demoralizon Autoritetet Lokale Te Kontrolluara Nga Opozita

Nga Srxhan Staletoviq në Beograd (BCR No. 122, 8-Mar-00)

Gjatë muajve të fundit, bashkitë serbe kanë mbetur pa një të ardhur të rëndësishme, atë nga pronat shtetërore. Këto prona janë shitur nga qeveria për të paguar për rindërtimin e vendit pas bombardimeve të NATO-s së vitit të kaluar.


Programi i privatizimit ka dhënë një goditje veçanërisht të fortë qyteteve të tilla si Kraljevo në jug të Serbisë, një nga tetëmbëdhjetë bashkitë e kontrolluara nga partitë e opozitës gjatë tre vjetëve të fundit.


Lëvizja për Ripërtëritje Serbe, SPO, kontrollon Kraljevon, ku kushtet ekonomike dhe sociale janë nga më të vështirat në Serbi - dhe janë përkeqësuar akoma edhe më tepër pas mbërritjes së 25,000 refugjatëve nga Kosova.


"Ne pothuajse nuk kemi fare mundësi të bëjmë diçka për të përmirësuar gjendjen, dhe shteti nuk ka dëshirën për të bërë diçka për qytetin sepse ai kontrollohet nga SPO-ja," thotë Novakoviq.


Duke shitur pronat shtetërore, autoritetet në Beograd kanë ndërprerë edhe kontributet shtetërore për bashkitë e kontrolluara nga opozita, kanë lënë pas dore mirëmbajtjen dhe riparimin e infrastrukturës së tyre dhe i kanë vendosur autoritetet lokale nën një represion në rritje.


Bashkimi Europian kohët e fundit ka dërguar për Pirotin dhe Nishin karburant për të ngrohur spitalet, shkollat dhe kopshtet. Qeveria ka ngarkuar mbi pushtetin lokal taksa të barabarta me vlerën e karburantit të dhuruar. "Ndihma është ndihmë, por ne duhet të mbledhim taksat," ka thënë një ministër.


Sipas avokatëve që përfaqësojnë banorët e Pirotit në mosmarrëveshjet me shtetin, numri i raporteve të policisë, dënimeve të gjykatësve, dhe ankesave për survejim nga policia gjate janarit dhe shkurtit kanë qenë 20 përqind më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Kryetari i bashkisë së Nishit, Zoran Zivkoviq, zëvendës president i Partisë Demokratike, është thirrur para gjyqit i akuzuar për shpërndarje informacioni të rremë, por akoma nuk është informuar sepse është ngritur kjo akuzë ndaj tij.


"Është e kuptueshme se regjimi kërkon të shkaktojë kaos dhe dëshpërim në nivel lokal, dhe pastaj të duket si i vetmi garantues i një jetese të mirë," thotë një zyrtar nga Pirot. "Kjo është strategjia e njohur e cila ka pasur sukses disa herë."


Media e kontrolluar nga shteti ndërkohë ngul këmbë se problemet ekonomike dhe sociale që kanë pllakosur bashkitë janë për faj të partive të opozitës "të pangopura dhe inkopetente" që administrojnë këto bashki.


Në Beograd, bashkia më e madhe e kontrolluar nga opozita, media zyrtare fajëson administratën e SPO-së për çdo gjë si për gjendjen e rëndë në transportin publik, vjedhjen e makinave, vonesat e pagimit të rrogave, deri edhe për numrin e lartë të vrasjeve në qytet.


Partia Socialiste në pushtet së bashku me partnerët e saj, e Majta e Bashkuar jugosllave, JUL, dhe Partinë Radikale Serbe nacionaliste thuhet se po përgatisin "rënien e Beogradit" që prej disa muajsh. "Rivendosja e pushtetit në nivelin lokal është prioriteti ynë," ka thënë një zyrtar i lartë i SPS-së javën e kaluar.


Kjo duket shumë e mundëshme sepse asgjë nuk duket se do ta pengojë koalicionin qeveritar të triumfojë në zgjedhjet e ardhëshme lokale.


Menjëherë pas bombardimeve të NATO-s, shpërthyen demonstrimet anti-regjimit. Protesta nga prindërit që kanë humbur djemtë në luftë, punëtorë të cilët kanë humbur vendet e punës dhe rezervistë ushtarakë të cilëve nuk u janë paguar kompensime, kanë organizuar protesta në shumë qytete.


Megjithatë, ky shpirt duket se ka vdekur - duket se është mbytur, nga veprimi i përbashkët i SPO-së dhe regjimit.


Drejtuesi i SPO-së, Vuk Drashkoviq, i cili ka qenë bashkëpunëtor i regjimit në kohën e demonstratave, ka dobësuar lëvizjen e protestave ndërsa regjimi arrestoi dhe burgosi shumë nga drejtuesit e protestave.


Opozita është e dobët dhe ekzistojnë grindje dhe regjimi vazhdon të dhunojë njerëzit.


Të martën, më 1 mars, 20 përkrahës të koalicionit Vojvodina janë arrestuar në një takim pasi kanë propozuar që provinca të bëhet republikë. Një ditë më pas anëtarë të organizatës studentore, Otpor, Rezistenca, janë arrestuar sepse kanë vendosur postera që vinin në lojë autoritetet.


Elektorati tani është shumë apatik, dhe beson se autoritetet janë "hajdutë". Njerëzit janë kaq të deziluzionuar saqë disa mendojnë se do të ishte më mirë nëse komunistët do të ktheheshin në pushtet.


Srxhan Staletoviq është korrespondent i rregullt i IWPR nga Beogradi.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists