Kroacia Del Nga Izolimi

Pas vitesh izolimi, Kroacia është e preferuara e muajit në qarqet politike europiane.

Kroacia Del Nga Izolimi

Pas vitesh izolimi, Kroacia është e preferuara e muajit në qarqet politike europiane.

Pas rrëzimit të regjimit të saj nacionalist, Kroacia po qetësohet në dorezën e ngrohtë të dëshirës së mirë ndërkombëtare.


E rehabilituar ideologjikisht, shteti ish jugosllav po bëhet me shpejtësi destinacioni parësor i diplomatëve dhe zyrtarëve ndërsa drejtuesit e saj të rinj politik po marrin shumë ftesa për të kthyer vizitat.


Ky është një ndryshim tepër i madh krahasuar me dhjetë vjetët e fundit, kur vendi ishte i izoluar në arenën ndërkombëtare. Zyrtarët e atëhershëm kroat e shpjegonin këtë gjendje të Kroacisë si një dënim për dëshirën e saj për të qenë e pavarur dhe ekonomikisht e fortë.


Pas vdekjes së ish presidentit Franjo Tugjman dhe humbjes në zgjedhje të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), pjesa më e madhe e kroatëve tani e kuptojnë se izolimi u ka shërbyer interesave të ish udhëheqjes, duke lejuar ata të grumbullojnë pasuri në kurriz të shumicës së popullsisë.


Ndërsa vendet perëndimore u kujdesën që të qëndronin larg nga funerali i Tugjmanit, ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri kroat Stipe Mesiq muajin e kaluar ka pasur një pjesëmarrje të madhe pushtetarësh të huaj të cilët kanë treguar përkrahjen e tyre për administratën e re.


Vula ndërkombëtare e aprovimit nuk vlen vetëm për humbjen e HDZ-së në votime, por edhe për ndryshimin e politikës ndaj Bosnjes fqinje. Pavarësisht zemërimit popullor të shkaktuar nga dënimi më 45 vjet burgim i Tihomir Blaskiq nga Gjykata e Hagës javën e kaluar, administrata e re mbetet e vendosur në ndërprerjen e politikës ndërhyrëse të Tugjmanit në shtetin fqinj.


Vendet perëndimore duket se e kanë kuptuar se megjithëse qeveria e re kroate gëzon për momentin përkrahje popullore, ajo nuk do të mund ta mbajë atë vetëm duke arrestuar dhe dënuar individë përgjegjës për korrupsion gjatë dhjetë vjeçarit të qëndrimit të HDZ-së në pushtet.


Në mënyrë që administrata e re liberale të ketë sukses, Zagrebi do të ketë nevojë jo vetëm për përkrahje të fortë politike por edhe për ndihmë financiare me qëllim reformimin e ekonomisë, investimin e kapitaleve dhe krijimin e vendeve të punës.


Ndërsa Tugjmani ka shpenzuar mijëra dollarë për të paguar lobistët t'i rregullonin një vizitë shtetërore në Uashington, Mesiq dhe kryeministri i tij, Ivica Racan, janë ftuar të dy në kryeqytetin amerikan pa e kërkuar këtë privilegj. Për më tepër, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright ka vizituar dy herë Kroacinë brenda një muaji për të treguar aprovimin e Uashington-it për administratën e re.


Racan dhe Mesiq kanë marrë ftesa edhe nga pjesa më e madhe e kryeqyteteve europiane dhe do të presin së shpejti vizitën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian për sigurimin dhe politikën e jashtëme, Havier Solana, për të diskutuar përshpejtimin e integrimit të Kroacisë në institucionet euro-atlantike.


Ndërkohë, një delegacion ekonomik italian vizitoi Zagrebin duke premtuar investime dhe menjëherë u pasua nga Presidenti Ekzekutiv i Korporatës Amerikane për Investime Jashtë Vendit, Kirk Robertson, i cili bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara janë të gatëshme të investojnë 1.3 miliard dollarë në Kroaci në të ardhmen e afërt.


Gjermania dhe Italia kanë parashikuar një rritje prej 50 përqind të numrit të turistëve që planifikojnë të kalojnë pushimet verore në bregun kroat të Adriatikut, duke theksuar se arësyeja kryesore e këtij bumi është ndryshimi politik në Zagreb.


Pas kaq shumë lajmeve të mira, shumë kroatë duken të hutuar - jo nga ndryshimet por nga ritmet e shpejta të tyre, sepse Kroacia është transformuar brenda natës nga fëmija qaraman i Europës në djalin e saj të artë.


Përgjigja e shpejtë ndërkombëtare mund t'i atribuohet rritjes së shqetësimit për gjendjen në Serbi, e cila vazhdon të jetë tepër e rëndësishme për sigurinë në rajon. Mesazhi është se në rast se serbët ndjekin shembullin e Kroacisë dhe i kthejnë shpinën presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq, edhe ata do të përfitojnë nga bujaria ndërkombëtare.


Drago Hedl është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së nga Kroacia.


Frontline Updates
Support local journalists