Fantazma e Vukovarit Rreth Kumanovës
Banorët e Kumanovës kanë frikë se qyteti i tyre mund të ketë të njëjtin fat si Vukovari
Fantazma e Vukovarit Rreth Kumanovës
Banorët e Kumanovës kanë frikë se qyteti i tyre mund të ketë të njëjtin fat si Vukovari
Banorët e rajonit të Kumanovës në veri të Maqedonisë janë gjithnjë e më të shqetësuar ndërsa luftimet ndërmjet forcave të sigurimit dhe luftëtarëve të Ushtrisë Clirimtare Kombëtare, UCK, po i afrohen qytetit.
Pas ofensivës së saj në rajonin e Tetovës, ushtria duket se e ka drejtuar vëmendjen ndaj forcave të UCK-së në fshatrat malore rreth qytetit të Likovës ku Shqiptarët përbëjnë rreth 95 përqind të popullsisë prej 30,000 banorësh.
Ka pasur njoftime për luftime në këtë zonë, të cilat kanë bërë që Hysni Shaqiri, një deputet i partisë Demokratike të Shqiptarëve në pushtet, të largohet nga partia dhe të bashkohet me UCK-në. "Cilido që dëshiron të më kontaktojë mund të më gjejë në vijën e parë të frontit," thuhej në një deklaratë të tij. Një politikan lokal shumë i repsektuar, vendimi i Shaqirit mund të inkurajojë edhe shumë Shqiptarë të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë. "Unë u bëj thirrje drejtuesve të lartë të PDSH-së dhe deputetëve të parlamentit të bashkohen me luftëtarët e lirisë," thuhej në deklaratën e tij.
Pas largimit të tij, autoritetet kanë lëshuar një mandat arresti me akuzën për thirrje për rebelim.
Kumanova, pranë kufirit me Serbinë dhe pak më larg me Bullgarinë, banohet nga rreth 110,000 banorë. Rreth 50,000-60,000 banorë të tjerë jetojnë në fshatrat aty pranë.
Popullsia është një përzierje eksplozive Serbësh, Maqedonasish etnik dhe Shqiptarësh. Banorët vendas kanë frikë se nëse konflikti shpërthen në qytet gjendja mund të keqësohet dhe të shkojë drejt një gjakderdhjeje etnike. "Kumanova mund të shndërrohet në një Vukovar të dytë," thotë një Maqedonas etnik. Marrëdhëniet ndër etnike kanë qenë gjithnjë një sfidë e vështirë për Kumanovën. Marrëdhëniet ndër etnike kanë qenë gjithnjë të tensionuara, dhe Serbët e Maqedonasit kanë pasur konflikte të shpeshta me Shqiptarët. Pikërisht në këtë qytet kanë nisur luftimet e para në Maqedoni gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë dekadës së fundit, përleshjet dhe zënkat ndërmjet të rinjve të për çështje të lidhura me kombësinë kanë rritur tensionet dhe kanë bërë që shumë njerëz të shtrojnë pyetjen nëse do të jetë e mundur bashkëjetesa paqësore.
Këto vitet e fundit gjendja është përmirësuar dis. Komunitetet kanë bashkëjetuar më paqësisht, veçanërisht në drejtim të tregtisë. Por qyteti mbtetet tejet i ndarë. "Do të mjaftonte vetëm një shpërthim bombe që të shkaktonte ndonjë viktimë, që njerëzit të fajësonin njeri tjetrin - dhe e gjithë zona do të shpërthente," thotë një banor vendas Serb.
Megjithëse, që me fillimin e krizës nuk ka pasur njoftime për ndonjë shpërthim dhune në qytet, rrugët janë krejtësisht të boshatisura gjatë orëve të natës dhe prezenca e madhe e forcave policore të krijon mendimin e vendosjes së një ore policore të pashpallur.
Një faktor i cili shton më tepër tensionin në këtë zonë është se shumë Shqiptarë kanë luftuar në rradhët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës gjatë konfliktit në Kosovë.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh po të kihet parasysh edhe gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale e këtij rajoni.
Deri disa vjet më parë, në këtë zonë sihin vendosur disa nga kompanitë më të suksesëshme të ish Jugosllavisë. Por tani shumë prej tyre punojnë me kapacitet të vogël ose janë mbyllur krejtësisht. Ata që ende kanë një vend pune, paguhen shumë pak, ndërsa të papunët duhet të mbijetojnë me pagesat e vogla të asistencës sociale.
Që prej fillimit të luftimeve rreth Tanushës dhe Tetovës, pika kufitare ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë në Tabanovc ka pasur shumë lëvizje nga banorët e Kumanovës, Shqiptarë dhe Serbë, të cilët janë larguar për të qendruar tek të afërmit apo miqtë në Preshevë, Vranje dhe qytete të tjera të Serbisë jugore.
Pothuajse të gjitha partitë politike në Kumanovë u kanë bërë thirrje përkrahësve të tyre të qëndrojnë syhapur dhe të ruajnë qetësinë. Ata u kanë bërë thirrje gjithashtu të gjithë atyre që janë larguar nga Kumanova të kthehen në qytet.
Menjëherë pas shpërthimit të luftimeve në Tanushë, drejtuesit politik vendas dhe kryetarët e komunave aty pranë janë mbledhur në Kumanovë për të diskutuar krizën. Ata kanë lënë pas shpine vitet e mosmarrëveshjeve politike, dhe të gjithë pjesëmarrësit për herë të parë kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët ku dënonin shpërthimin e dhunës në Maqedoni.
Shumë njerëz në Kumanovë kujtojnë me nostalgji "kohët e shkuara" në kuadrin e ish Jugosllavisë. "Jetonim shumë mirë," thotë një banor. "Të gjithë kishim një punë dhe nuk kishim problemet dhe incidentet e sotme. Tani të gjithë kanë frikë për të ardhmen dhe nuk e dimë se çfarë do të ndodhë".
Vera pritet të jetë e nxehtë dhe jo vetëm në aspektin politik. Dimri i thatë dhe pa rreshje ka bërë që rezervuarët e ujit të jenë thuajse bosh dhe banorët e rajonit po përgatiten për një verë me kufizime të mëdha të furnizimit me ujë.
Por shumica e banorëve, pavarësisht origjinës së tyre etnike, të thonë: "Më mirë të mos kemi ujë se sa të kemi luftë".
Veton Latifi është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.