Taivani i Ballkanit

Kosova duket se po bëhet Taivani i Ballkanit - e pavarur në të gjitha përveç se në emër.

Taivani i Ballkanit

Kosova duket se po bëhet Taivani i Ballkanit - e pavarur në të gjitha përveç se në emër.

Tuesday, 6 September, 2005
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Ligji i parë në Ballkan është të mos habitesh nga të papriturat. Në vazhdën e ndryshimeve rrënjësore dhe të papritura në Serbi dhe Kosovë muajin e kaluar, si serbët ashtu edhe shqiptarët kanë shumë shpresa në zhvillimin e marrëdhënieve të tyre.


Presidenti Vojisllav Koshtunica, për shembull, tha në fjalimin e tij të parë pas marrjes së postit të presidentit se ka ndërmend të rivendosë sovranitetin jugosllav mbi Kosovën. Pas triumfit të tij në zgjedhjet lokale, Ibrahim Rugova I bëri thirrje botës të njohë pavarësinë e Kosovës.


Në fakt, asnjë nga këto nuk është një mundësi reale. Kosova duket se do të bëhet Taivani i Ballkanit.


Për fatin e keq të Kosovës, shndërrimi në Taivan të Ballkanit nuk do të thotë se territori do të zhvillojë menjëherë një ekonomi të përparuar të mbështetur në elektronikë dhe teknikën më të fundit. Kjo do të thotë që në vitet e ardhshme Kosova do të zhvillojë pothuajse të gjitha institucionet e vetë-qeverisjes dhe, në fakt, do të jetë e pavarur në çdo drejtim përveç emrit. Megjithatë si Taivani ajo nuk do të njihet nga pjesa më e madhe e vendeve në botë dhe mund të dergjet për vite me rradhë në këtë situatë ndërkombëtare.


Me suksesin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, tani do të nisin bisedimet për krijimin e institucioneve të para të zgjedhura në Kosovë. Në qendër të këtyre do të jetë një asamble dhe një qeveri. Por pushteti i këtyre organizmave do të jetë i ngushtuar nga një veto, e cila është në dorë të shefit të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, një post që mbahet për momentin nga francezi dinamik Bernar Kushner. Ndërsa kosovarët do të marrin përsipër administrimin rutinë të territorit, administrata e OKB-së do të pakësohet.


Kosova ndoshta do të ketë një formë kushtetute të "përkohshme", e cila me këmbënguljen e protektorëve të provincës (shtetet anëtare të NATO-s dhe Rusia) nuk do t'i lejojë asamblesë të drejtën për të shpallur pavarësinë. Por edhe në rast se pavarësia do të shpallej, kjo deklaratë do të mbetej po aq e parëndësishme sa deklarata e fundit e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 1991 nëse asnjë nga vendet e fuqishme nuk e njeh atë.


Zgjedhjet në Kosovë duket se do të mbahen ndërmjet pranverës dhe vjeshtës së vitit të ardhshëm. Në ndryshim nga zgjedhjet lokale, ka mundësi që në këto zgjedhje të marrin pjesë edhe serbët e Kosovës, përfshirë edhe ata refugjatë të cilët ndodhen tani në Serbi.


Pas zgjedhjeve drejtuesit e Kosovës mund të kërkojnë pavarësinë. Por duket se ka shumë pak mundësi që vendet e tjera të ndryshojnë mendim dhe të përkrahin pavarësinë e provincës edhe në të ardhmen.


Pra, përveç pjesës veriore të kontrolluar nga serbët dhe enklavat serbe, Kosova do të jetë e pavarur në çdo drejtim përveç se në emër, megjithëse siguria e saj do të ruhet nga KFOR-i, forca e drejtuar nga NATO-ja.


Në një shikim të parë kjo gjë duket e papranueshme për autoritetet e reja në Beograd dhe natyrisht në teori kjo gjë është e papranueshme. Në fakt të mbytur me kaq shumë probleme të tjera, Beogradi do të ketë shumë pak mundësi për ta ndryshuar këtë gjendje, përveç se të punojë për lehtësimin e kthimit të disa refugjatëve serbë aty ku mund të garantohet siguria e tyre.


Megjithëse Koshtunica e ka përjashtuar mundësinë e pavarësisë së Kosovës dhe ka një të kaluar nacionaliste për Kosovën, është domethënës fakti se privatisht autoritetet e reja i kanë dhënë sinjale ministrive të jashtme perëndimore se nuk duan që çështja e Kosovës të ngrihet tani.


Nuk është e vështirë të kuptohet arsyeja. Koshtunica ka nevojë për të konsoliduar pushtetin e tij në Serbi, një proces i cili nuk mund të përfundojë deri në fillim të vitit të ardhshëm, pas zgjedhjeve të 23 dhjetorit në Serbi.


Së dyti, çështja e zgjidhjes së marrëdhënieve me Malin e Zi është shumë më e rëndësishme dhe urgjente.


Në fakt edhe çështja e Kosovës varet shumë nga përfundimi i krizës me Malin e Zi. Nëse arrihet të ruhet një formë shteti e përbashkët, atëherë rruga e Prishtinës drejt pavarësisë do të jetë shumë më e vështirë, por jo e pamundur.


Nëse nuk arrihet një farë bashkimi ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, është e paimagjinueshme të mendohet që Serbia të rimarrë një farë kontrolli ndaj provincës, pavarësisht nga detajet ligjore që Serbia të ketë kufinjtë e para-vitit 1999.


Le të marrim diplomatët. Në Ministrinë e Jashtme të Britanisë, në Departamentin e Shtetit amerikan dhe në qeverinë franzece zyrtarët po nxjerrin nga sirtarët planet e vjetra të pluhurosura nga koha e gjatë për një kompromis për zgjidhjen e tre republikave - një konfederatë ndërmjet Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës, apo diçka të përafërt me të.


Ndërkohë në Kosovë, pas fitores në zgjedhje të Ibrahim Rugovës, njerëzit e linjës së ashpër të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, kanë humbur një betejë, por jo luftën. Rugova e di shumë mirë se nëse ai konsiderohet se po lëshon terren ndaj kërkesave të perëndimit për një konfederatë me Beogradin, ish-njerëzit e UÇK-së do të marrin më tepër vota vitin e ardhshëm - apo mund ta konsiderojnë këtë edhe si një arësye për t'ju rikthyer armëve.


Pleurat Sejdiu, ish-zëdhënësi i UÇK-së në Londër, thotë: "Nuk do të ketë lidhje me Serbinë në asnjë lloj konfederate. Kaq." Nuk ka asnjë arsye për të vënë në dyshim sinqeritetin e tij.


Njerëzit të cilët kanë për detyrë të ruajnë kontrollin ndaj Kosovës kanë filluar tashmë të mendojnë për të gjitha këto mundësi.


Oficeri Robert Frai është anglezi në krye të trupave të KFOR-it në rajonin e Prishtinës. Ai për momentin ka patur sukses në një sërë sulmesh nga trupat e tij ndaj organizatave kriminale mafioze në Kosovë.


Por ai ka një paralajmërim të qartë për të ardhmen - nëse Kosova nuk trajtohet me kujdes dhe seriozitet, gjendja aty mund të degjenerojë shumë keq dhe shumë shpejt. "Arritja më e madhe e këtyre 15 muajve të fundit," thotë oficeri Frai, është "demilitarizimi i UÇK-së". Rreth 5,000 ish-guerrilas tani bëjnë pjesë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, TMK, e cila mendohet të jetë një forcë civile emergjence. Por Frai paralajmëron: "Rreziku më i madh i dymbëdhjetë muajve të fundit është riarmatosja e TMK-së."


Oficeri Frai propozon një politikë të karrotës dhe shkopit. Kjo do të thotë trainim nga të huajt dhe lehtësira të tjera për njerëzit e TMK-së dhe në të njëjtën kohë shtypjen e çdo lidhjeje të rrezikshme të TMK-së dhe vazhdimin e politikës së zbulimit të vendeve ku janë fshehur armë.


Ndërkohë, ndërsa Serbia është e zënë me problemet e saj të brendshme dhe Mali i Zi e Kosova janë të përqëndruara në çështjen e institucioneve, tensionet duhet të zbuten disi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të thjeshtë.


Pas lirimit të aktivistes shqiptare të të drejtave të njeriut Flora Brovina, duket se është vetëm çështje kohe derisa të lirohen edhe të burgosurit e tjerë shqiptarë të Kosovës. Një gjë që nuk mund të mendohej vetëm një muaj më parë ka ndodhur kur Adem Demaçi, një nga drejtuesit kryesorë të dikurshëm të UÇK-së, vizitoi javën e kaluar Beogradin.


Megjithatë zbutja e tensioneve nuk ka ndonjë domethënie të madhe për të ardhmen. Kjo është arsyeja që ndërsa shqiptarët e Kosovës ndërtojnë lidhjet e biznesit me Serbinë dhe disa refugjatë serbë kthehen në shtëpitë e tyre, Kosova do të bëhet gjithnjë e më normale, derisa një ditë gjendja të normalizohet krejtësisht. Pikërisht si Taivani.


Tim Xhudah është autor i librit "Kosova: Luftë dhe Hakmarrje" botuar nga Qendra e Shtypit e Universitetit Yale.


Africa, Balkans
Frontline Updates
Support local journalists