Ngritja e Simeonit
Reputacioni i ish mbretit Bullgar për moralitet dhe ndershmëri po tërheq votuesit e pakënaqur me korrupsionin e periudhës post-komuniste.
Ngritja e Simeonit
Reputacioni i ish mbretit Bullgar për moralitet dhe ndershmëri po tërheq votuesit e pakënaqur me korrupsionin e periudhës post-komuniste.
Krijimi i Lëvizjes Kombëtare për Mbretin Simeon të II në Prill i ka gjetur shumë Bullgarë të papërgatitur.
Në vitin 1989, vëzhtirë se dikush mund të mendonte seriozisht që ish mbreti në ekzil të kthehej në skenën politike post-komuniste.
Në një kohë kur kishte pak opsione politike, reformat e stilit Gorbaçov, askush nuk mund të parashikonte një rol të mundëshëm për një njeri i cili nuk kishte vënë këmbë në vendin e tij prej 43 vjetësh.
Kjo nuk do të thotë që "Cari" - siç njihet Simeoni - dhe ajo që përfaqësonte ai nuk kishin popullaritet. Bullgarët kanë qenë të tërhequr nga personaliteti i tij - megjithëse jo nga ideja për rivendosjen e dinastisë së tij.
Ish mbreti ka një reputacion si njeri i ndershëm dhe me moral, cilësi të cilat ndjehet se mungojnë në Bullgarinë post-komuniste. Të Majtët e reformuar, e Djathta e re dhe partitë politike të qendrës janë njësoj të damkosura nga lidhjet e tyre të së kaluarës me komunzmin Bullgar.
Emri Simeoni i II ka simbolizuar një alternativë nostalgjike ndaj shumë zhgënjimeve që Bullgarët kanë pasur pas rrëzimit të komunizmit.. Njerëzit duket se kanë menduar se "nëse ai do të kishte qenë këtu, do të kishim jetuar ndryshe, dhe rrugët do të ishin mirëmbajtur".
Pavarësisht dëbimit të familjes mbretërore nga qeveria komuniste në vitin 1946, ish mbreti ka folur gjithnjë me ndjenja për Bullgarinë. Ai është një pasues i Kishës Ortodokse dhe njihet për aksentin e tij të bukur të gjuhës Bullgare.
Megjithatë, askush nuk e besonte, që një njeri me reputacion të tillë do të ndynte duart duke hyrë në politikën Bullgare.
Një numër partish kanë dalë pas vitit 1989, përfshirë Partinë Kristian Republikane dhe Partinë Demokratike Kushtetuese. Por ato janë konsideruar kryesisht si organizata të krijuara nga ish komunistët me qëllimin për të pakësuar mbështetjen për partinë kryesore të opozitës, Forcat Demokratike të Bashkuar, UDF.
Në zgjedhjet e vitit 1995 dhe 1997, Dimitur Ludzhev, ministër i mbrojtjes në qeverinë e UDF-së së vitit 1991, dhe Ahmed Dogan, drejtuesi i partisë Lëvizja Turke për të Drejta dhe Liri, MRF, janë mburrur publikisht se ata gëzonin edhe mbështetjen e Carit.
Ai as nuk ka pranuar as ka hedhur poshtë këto deklarime të tyre. Por ato kanë qenë një sinjal i hershëm që monarku një ditë mund të bëhej më me influencë në politikën e paqëndrueshme Bullgare.
Simeoni i II ka manovruar me shumë kujdes krahasuar me ish mbretër të tjerë, të cilët e kanë parë rënien e komunizmit në Europën Lindore dhe Ballkan si një mundësi të menjëhershme për të rihyrë në politikën moderne.
Ish mbreti Mikael i Rumanisë, për shembull, ka nxituar të shkojë në vendin e tij në vitin 1990, pas vdekjes së diktatorit Nikola Caushesku, por nuk u lejua të hyjë në vend.
Përkundrazi, në vitin 1991, Simeoni ka dërguar motrën e tij, Maria Luiza, si një të dërguar për të testuar gjendjen në vend. Dy vjet më pas ka vizituar vendin edhe Nëna Mbretëreshë, Ioana.
Gjatë vizitave të tij private gjatë viteve 90, Cari është treguar i kujdesëshëm të mos përfshihej në problemet e ditës.
Më në fund, në vitin 1997, djali i tij Ciril Koburgotski është emëruar këshilltar ekonomik i Presidentit Petar Stojanov, një anëtar i UDF-së në pushtet. Deri pak kohë më parë, roli publik i koburgotskit ka qenë krejtësisht simbolik, por edhe kjo gjë ka ndryshuar së fundi.
Sipas njoftimeve të shtypit, mbërritja në Sofje javën e kaluar e rreth 50 bankierëve dhe ekspertëve të bankës Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe investitorë tregtarë është organizuar për të treguar mbështetjen ndërkombëtare që gëzon programi ekonomik i Lëvizjes Kombëtare - dhe për të forcuar lidhjet ndërkombëtare të ish mbretit.
Por jo çdo gjë po shkon mirë për partinë e Simeonit dhe për vetë Carin.
Regjistrimi i partisë së re fillimisht është hedhur poshtë mbi bazën se dokumentat e saj për regjistrim ishin plotësuar gabim. Ndërmjet një spekulimi për një komplot kundër mbretit, dokumentat janë korrigjuar dhe partia e tij më në fund është regjistruar. Karizma legjendare e Carit po dëmtohet nga përgjigja e tij jo shumë entuziaste ndaj fushatës elektorale të mediave.
Për më tepër, ekzsiton ideja se ai ka marrëdhënia të shumta dhe të forta me Rusët.
Kryeministri Ivan Kostov ka punuar shumë për të larguar Bullgarinë nga Moska dhe për të lidhur atë me Europën duke fituar anëtarësimin në BE dhe NATO. Influenca Ruse, sipas qeverisë, shkon kundër stabilitetit politik të vendit dhe largon mbështetjen ndërkombëtare aq të nevojëshme.
Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar Simeonin të marrë votat e partive të të gjithë spektrit politik. Edhe anëtarë të komunitetit Turk, të cilët janë persekutuar dhe detyruar të ndërrojnë emrat gjatë periudhës komuniste, tanë pritet të ndryshojnë krah dhe të mbështesin Simeonin.
Rusi Rusev është një gazetare e pavarur në Bullgari.