Tratativat për Ndarjen e Bosnjes

Regjistrime sekrete përbëjnë prova të pakundërshtueshme të obsesionit të ish-presidentit kroat për ndarjen e Bosnjes.

Tratativat për Ndarjen e Bosnjes

Regjistrime sekrete përbëjnë prova të pakundërshtueshme të obsesionit të ish-presidentit kroat për ndarjen e Bosnjes.

Tuesday, 5 September, 2000
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Planet e ish-presidentit kroat për ndarjen e Bosnjes, pasi kanë qenë objekt spekulimesh prej vitesh, janë konfirmuar falë zbardhjes të disa shiritave me regjistrime të bisedave sekrete të bëra në periudhën e konfliktit.


Në një bisedë të regjistruar në shoqërinë e dy zyrtarëve të lartë kroatë më 28 nëntor 1993 ish-presidenti kroat flet për shkëmbimin e zonave të kontrolluara nga kroatët në Bosnje përgjatë lumit Sava me disa qytete në pjesën perëndimore të republikës.


"Nëse marrim kufinjtë në Novi Travnik, Busovaca, Bihaç dhe spastrojmë Baranjën, ne mund të heqim dorë nga pjesa më e madhe e zonave rreth lumit Sava," u thotë Tugjman Mate Bobanit, ish-presidentit të atëhershëm të republikës kroate të Herze-Bosnjes, dhe Gojko Susakut, ministër i mbrojtjes i Kroacisë në atë kohë.


Megjithëse nuk përmendet qartë në shirita, pazarllëqet me drejtuesit serbë mendohet të kenë qenë pjesë e planit të tij për të krijuar Kroacinë e Madhe - pra, një shtet kroat përfshirë pjesën më të madhe të gjysmës perëndimore të Bosnjes.


Këto fakte dalin në dritë disa muaj pasi pasardhësi i Tugjmanit në presidencë, Stipe Mesiq, ka deklaruar se ka zbuluar ekzistencën e një lidhjeje telefonike direkte të përdorur nga paraardhësi i tij për bisedime sekrete me presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq për çështjen e kontrollit mbi territoret e ish-Jugosllavisë.


Bisedat e reja janë zbardhur nga një arkiv i madh shiritash me regjistrime të bisedave të Tugjmanit, të cilat janë bërë publike nga Mesiq.


Tugjman e ka pasur si obsesion regjistrimin e bisedimeve të fshehta me kolegët e tij, sepse ndjente se ato mund të ishin prova me vlerë të pallogaritëshme për historianët, të cilët do të shkruanin rreth rolit të tij në luftën për pavarësi të Kroacisë.


Disa qindra shirita janë gjetur në zyrën e ish-presidentit. Këto shirita përmbajnë komplote të përgatitura në kohën e luftës, intriga dhe fakte për korrupsion. Zyrtarëve u janë dashur muaj për t'i kontrolluar ato, duke ndarë ato që kanë të bëjnë me veprimtare të paligjshme kriminale nga ato që thjesht dokumentojnë veprimtarinë normale politike.


Shiritat më të fundit që janë publikuar përbëjnë një provë të pakundërshtueshme të obsesionit të Tugjmanit për ndarjen e Bosnjes dhe shkallën se deri ku ishte i përgatitur ai për arritjen e këtij synimi.


Tugjman flet qartë për 'spastrimin' e rajonit kroat të Baranjas të kontrolluar nga serbët - një eufemizëm i përdorur për largimin brutal të grupeve etnike - një nga taktikat më tronditëse të përdorura nga fraksionet ndërluftuese në konfliktin jugosllav.


Shirit gjithashtu provon cinizmin e Tugjmanit. I vendosur nën presion nga komuniteti ndërkombëtar për t'i dhënë fund përfshirjes së tij në Bosnje, drejtuesi kroat kishte vendosur të sakrifikonte Bobanin për të qetësuar kritikët e tij.


Tugjman dhe Susak dëgjohen në këtë regjistrim duke u përpjekur t'i mbushin mendjen Bobanit të japë dorëheqjen. Ata e fajësojnë atë se nuk ka nisur një hetim mbi shkatërrimin e 'Urës së Vjetër' në Mostar dhe vrasjen e disa dhjetra civilëve në qytet.


Megjithatë kritikat nuk kanë qenë pasojë e mospajtimit me krimet e kryera, por një përpjekje për të mashtruar komunitetin ndërkombëtar duke paraqitur veten si të vendosur për respektimin e të drejtave të njeriut.


Tugjman ka qenë i shqetësuar se vdekjet e civilëve mund të sillnin reagimin e komunitetit ndërkombëtar duke shpallur Mostarin si një protektorat.


I pyetur se përse ai nuk kishte akuzuar asnjë njeri për këto vrasje, Boban këmbëngul se nuk ka prova të mjaftueshme për të bërë diçka të tillë. Tugjman dëgjohet të përgjigjet i nxehur: "Ti ndoshta nuk mund të ngresh akuza, por politika është një lojë. Na jep emrat e 60 njerëzve - dhe ne do të themi se ata janë nën hetim për shkelje të të drejtave të njeriut."


Në një moment tjetër Boban flet rreth një mbledhjeje të Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, më 28 shkurt 1992 (nuk është e qartë nga regjistrimi nëse bëhet fjalë për HDZ-në nga Bosnja Herzegovina apo atë të Kroacisë) ku është marrë vendimi për t'i aneksuar Kroacisë disa pjesë të Bosnjes.


Boban e përmend këtë si diçka kalimtare dhe kjo çështje nuk përmendet më. Por fjalët e Tugjmanit për pazarllëqe me territoret e përmendura në fund të bisedës së tij me Boban dhe Susak nuk lenë asnjë dyshim se aneksimi ka qenë pjesë e planeve të tij.


Luftënxitja, spastrimi etnik, marrëveshjet sekrete për territoret, tolerimi e inkurajimi i krimeve të luftës dhe qëndrimi mashtrues ndaj komunitetit ndërkombëtar kanë qenë elementë kryesorë të politikave të Tugjmanit.


Njerëzit kanë spekuluar shumë për synimet e tij gjatë periudhës së luftës, por ata nuk kanë patur prova të mjaftueshme për të mbështetur vlerësimet e tyre. Publikimi i shiritave të bisedimeve sekrete tregon qartë jo vetëm synimin e tij përfundimtar, krijimin e një Kroacie të Madhe, por edhe mjetet e dhunshme me anë të të cilave ai planifikonte të arrinte këtë synim.


Drago Hedl është korrespondent i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists