KOSOVARËT PREMTOJNË TË LUFTOJNË PËR TOKAT “E HUMBURA”
Fshatarët shqiptarë thonë se marrëveshja për kufirin ndërmjet Jugosllavisë dhe Maqedonisë u ka hequr atyre të drejtën për pronësi mbi fermat e tyre.
KOSOVARËT PREMTOJNË TË LUFTOJNË PËR TOKAT “E HUMBURA”
Fshatarët shqiptarë thonë se marrëveshja për kufirin ndërmjet Jugosllavisë dhe Maqedonisë u ka hequr atyre të drejtën për pronësi mbi fermat e tyre.
“Është më mirë të vdesim për tokën tonë se sa të vdesin urie”. Kështu të thonë shumë njerëz në fshatin kufitar të Kosovës, Debelde, të cilët thonë se si rezultat i marrëveshjes së shkurtit të vitit 2001 për përcaktimin e kufirit ndërmjet ish Jugosllavisë dhe Maqedonisë, ata kanë humbur pronat dhe bagëtitë.
Fshatarët thonë se marrëveshja, e nënshkruar në emër të tyre nga Beogradi, pa asnjë ndikim nga shqiptarët e Kosovës, u ka hequr atyre 350 hektarë toka, të cilat tani ndodhen në anën tjetër të kufirit, në Maqedoni. Ata kanë paralajmëruar se do të marrin armët ndaj rojeve kufitare maqedonase nëse kërkesat e tyre nuk zgjidhen.
“Nëse nuk na jepet e drejta jonë do të fillojmë të luftojmë, sepse ne duam largimin e ushtarëve maqedonas nga tokat tona,” thotë kryeplaku u fshatit, Hamdi Hasani.
Fakti që kufiri është përcaktuar me një marrëveshje ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë – faktori dominues në ish Jugosllavi – ka ushqyer zemërimin e shqiptarëve lokal. Shumë njerëz mendojnë se kjo marrëveshje është nxitur nga Beogradi. “Serbët u kanë thënë maqedonasve të marrin tokat tona,” thotë Hasani.
Zemërimi mbi çështjen e kufirit është shtuar edhe nga keqësimi i gjendjes sociale, [as kolapsit të ekonomisë së Kosovës, i cili ka shkaktuar rritjen e papunësisë dhe të varfërisë.
Banorët e Debeldes thonë se ata kanë siguruar mbështetje nga e gjithë Kosova. “Megjithëse ne nuk jemi shumë dhe nuk kemi armë, shumë njerëz të tjerë janë të gatshëm të na ndihmojnë,” ka thënë Hasani.
Fshati i vogël gjendet në një terren malor të pyllëzuar vetëm dy kilometra larg Maqedonisë, por megjithëse ka vetëm 500 banorë, ai ka qenë një qendër trazirave që prej shpërthimit të konfliktit etnik në Maqedoni në vitin 2001.
Pak pas nënshkrimit të marrëveshjes kufitare, kanë shpërthyer luftimet në fshatin Tanushë në Maqedoni, vetëm 200 metra larg nga Debelde. Luftëtarët shqiptarë të Ushtrisë Clirimtare Kombëtare, UCK, janë ndeshur me ushtarët dhe policët maqedonas, duke kërkuar të drejta civile më të mëdha për pakicën e madhe shqiptare në Maqedoni. Qeveria në Shkup ka thënë në atë kohë se UCK po luftonte për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.
Në rajon është vendosur një farë qetësie pas dislokimit të trupave të NATO-s në Maqedoni dhe çarmatimit të UCK-së. Por zona përreth Debelde – në të dyja anët e kufirit – mbetet ende e tensionuar. Zemërimi për përcaktimin e kufirit nuk është zbutur dhe në prill të vitit 2002 rreth 600 demonstrues kanë dalë në rrugët e Vitisë, 10 km larg Debeldes, për të protestuar.
Njoftime të pakonfirmuara në mediat maqedonase thonë se ish oficerë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, TMK, kalojnë ilegalisht kufirin ndërmjet Debeldes dhe Tanushës, duke sjellë në Maqedoni armë me synim një rindezje të konfliktit.
Megjithëse njoftimet në media thonë se këta përfaqësues të linjës së ashpër synojnë krijimin e një “Shqipërie të Madhe” me përfshirjen edhe të një pjese të Maqedonisë, IWPR nuk ka parë ndonjë provë që të vërtetojë veprimtarinë e grupeve të armatosura në këtë zonë.
David Uaiz, një ushtar i KFOR i cili patrullon zonën kufitare dhe Robert Berden, komandanti i pikës së UNMIK në Viti, kanë thënë se ata nuk janë përballur me ndonjë grupim luftëtarësh.
Fshatarët në Debelde ngulin këmbë se kufiri është ankesa e tyre më e madhe, por gjendja e rënduar sociale dhe ekonomike ka kontribuar padyshim në shtimin e zemërimit.
Me pakësimin e ndihmës së huaj në Kosovë, ekonomia ka filluar të ngushtohet, dhe niveli i papunësisë ka arritur në rreth 70 përqind.
Duke qenë se nuk ka shumë shenja për arritjen e një progresi drejt një zgjidhjeje politike të statusit përfundimtar të Kosovës, zemërimi i njerëzve po shtohet gjithnjë e më tepër.
“Nga 500 njerëz të cilët banojnë këtu, punojnë vetëm katër,” thotë Hasani. “Ne kemi nevojë të madhe për tokën bujqësore që Maqedonia na e ka vjedhur në vitin 2001”.
Fshatarët mbijetojnë me një ndihmë të vogël shtetërore dhe para nga të afërmit e tyre të cilët punojnë jashtë, por thonë se këto shuma nuk mbulojnë as nevojat më bazë.
Zymri Ilazi, një fshatar i ri, thotë se pjesa më e madhe e moshatarëve të tij ndjehen të pashpresë. “Të rinjtë këtu nuk kanë të ardhme,” thotë ai. “Ata sillen përreth pa ndonjë synim dhe qëllim në jetë”.
Jakup Jahiri, zëvendës president i zyrës bashkiake të Vitisë, e pranon këtë. “Këta njerëz nuk kanë humbur vetëm tokat dhe bagëtitë por edhe dinjitetin e tyre,” thotë ai. “Askush nuk ka dëshirë të jetojë me lëmoshë”.
“Nëse kushtet e jetesës nuk përmirësohen, jo vetëm në Debelde por edhe në Viti, brenda pak muajsh, nuk e di se çfarë mund të ndodhë”.
Vështirë se mund të arrihet një zgjidhje e mosmarrëveshjes për kufirin brenda afateve të përcaktuara nga fshatarët. “Ne jemi ankuar në zyrën e avokatit të popullit në Kosovë që në muajin korrik, por ende nuk kemi marrë përgjigje,” thotë Hasani.
Kur IWPR ka folur me zyrën e avokatit të popullit, përgjigja ka qenë se çështja i është kaluar UNMIK, sepse mosmarrëveshjet kufitare nuk janë pjesë e mandatit të kësaj zyre.
Funksioni kryesor i kësaj zyre është zgjidhja e shkeljeve të të drejtave të njeriut, dhe megjithëse fshatarët e Debeldes thonë se çështja e kufirit është pikërisht një shkelje e tillë, ankesa e tyre është klasifikuar si një mosmarrëveshje territoriale.
Për më tepër nuk duket në horizont ndonjë zgjidhje afat gjatë politike për këtë çështje. Marrëveshja për përcaktimin e kufirit është pranuar më 12 mars 2001 edhe nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, i cili vështirë se mund të rishikojë vendimin e tij.
Për më tepër, komuniteti ndërkombëtar e ka bërë të qartë mbështetjen e tij për marrëveshjen edhe në prill 2002, në Shkup, kur NATO, Bashkimi Evropian dhe UNMIK kanë mbështetur marrëveshjen në përputhje me politikën e tyre të mbështetjes së integritetit territorial të shteteve në rajonin e Ballkanit.
Mikael Shtainer, shefi i UNMIK në atë kohë, ka thënë se marrëveshja ndërmjet Maqedonisë dhe Jugosllavisë në shkurt të vitit 2001 duhet të respektohet.
Jahiri ka frikë se mund të ndodhë më e keqja. “Maqedonasit po flasin se mund ta shtyjnë kufirin edhe më brenda Kosovës, gjë e cila do të bënte që shqiptarët në Kosovë të humbasin edhe 750 hektarë të tjera,” thotë ai.
Një zyrtar i ushtrisë maqedonase i kontaktuar nga IWPR ka thënë vetëm se kufiri është “përcaktuar” por nuk është “shënuar” si duhet. Kjo do të thotë se autoritetet në të dyja anët e kufirit do të duhet të shënojnë kufirin ekzaktësisht metër për metër, gjë e cila vështirë se mund të përfundojë përpara vitit 2005.
Xhef Bielei, një zyrtar i shtypit të UNMIK, ka thënë se fshatarët në Debelde kishin kundërshtuar tanimë një propozim kompromisi për të hapur një pikë të re kufitare, të cilën mund ta përdornin. UNMIK dhe KFOR kanë “punuar shumë për përmirësimin e gjendjes, por banorët vendas e kanë kundërshtuar këtë zgjidhje,” ka thënë ai.
Jahiri ka thënë se fshatarët e kanë kundërshtuar kompromisin e propozuar për disa arësye.
Së pari, ka thënë ai, pranimi i kësaj oferte do të ishte njësoj sikur të pranohej marrëveshja e përcaktimit të kufinjve dhe të hiqej dorë nga pretendimet për tokat në anën tjetër të kufirit.
Së dyti, Jahiri ka thënë se pika kufitare do të hapej vetëm me raste, kështu që fshatarët do të humbisnin të drejtën për të kaluar verën në fermat e tyre malore, e cila sipas tij është pjesë e mënyrës së tyre të jetesës.
Së treti, ka thënë ai, pika kufitare është diçka jo praktike: “Fermerët lëvizin bagtitë e tyre në vende të ndryshme dhe nuk duan të jenë të detyruar të sjellin kafshët e tyre në një moment të caktuar për ti kaluar përtej kufirit”.
Maqedonia duket se nuk do të ofrojë ndonjë lëshim të ri. Qëndrimi i saj për mosmarrëveshjet kufitare është bërë i qartë në marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001, ku thuhet se integriteti territorial i vendit është “i pandryshueshëm dhe duhe të ruhet”.
Ndërkohë, shqiptarët nga të dyja anët e kufirit vazhdojnë të kalojnë ilegalisht, siç kanë bërë për breza me rradhë. Shumë njerëz në Debelde kanë anëtarë të familjeve në Maqedoni dhe shumë shqiptarë të cilët jetojnë në Maqedoni kalojnë kufirin për në Kosovë për të tregtuar prodhimet e tyre dhe vizituar të afërmit.
Zyrtarët e ushtrisë maqedonase thonë se kur ndalojnë njerëz të cilët kalojnë ilegalisht kufirin, ata i çojnë ata në rajonin më të afërt të policisë dhe ua lënë në dorëzim oficerëve të policisë.
UNMIK ende shpreson se një marrëveshje për pikën kufitare mund të ulë tensionet. “Drejtuesit politik të Kosovës mund të duan të vazhdojnë të diskutojnë këto çështje me zyrtarët në Shkup,” ka thënë Bielei. “Në këtë kuptim, institucionet e përkohëshme të Kosovës mund të luajnë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve me Maqedoninë, natyrisht në konsultim me UNMIK”.
Por të gjitha palët në këtë mosmarrëveshje duhet të kenë të qartë se vetëm një incident i vogël, si për shembull acarimi i konfliktit në Mitrovicë, në Kosovën veriore, në mars, mund të shkaktojë një shpërthim të ri dhune dhe një krizë të madhe sigurie në rajon.
Jahiri thotë se kjo mund të ndodhë nëse vritet dikush, aksidentalisht apo me qëllim, duke kaluar kufirin pranë Debeldes.
“Kam dëgjuar disa zëra se ushtarët maqedonas ndonjëherë qëllojnë ndaj njerëzve të cilët kalojnë kufirin,” ka thënë ai. “Kam frikë se dikush do të vritet”.
Camilla Algarheim është një bashkëpunëtore e IWPR.