Qeveria e Zagrebit Tronditet nga Mosmarrëveshja për Gjuhën
Vendimi i Istrias për të shpallur Italishten si gjuhë të dytë zyrtare ka shkaktuar një përgjigje të ashpër nga koalicioni qeveritar në Kroaci.
Qeveria e Zagrebit Tronditet nga Mosmarrëveshja për Gjuhën
Vendimi i Istrias për të shpallur Italishten si gjuhë të dytë zyrtare ka shkaktuar një përgjigje të ashpër nga koalicioni qeveritar në Kroaci.
Uniteti i qeverisë së koalicionit të përbërë prej gjashtë partish në Kroaci është rrezikuar nga vendimi i Istrias muajin e kaluar për të miratuar përdorimin e gjuhës Italiane si gjuhë e dytë zyrtare.
Bashkimi Demokratik i Istrias, IDS, një anëtare e koalicionit qeveritar, ka përkrahur këtë hap duke kërcënuar të shkaktojë një përçarje në gjirin e qeverisë, vetëm disa javë përpara zgjedhjeve lokale.
Vendimi për gjuhën ka shkaktuar një përgjigje të zemëruar nga Kryeministri Ivica Raçan. Ai ka akuzuar politikanët e Istrias se po rrezikojnë sovranitetin e Kroacisë - një akuzë të përafërt me atë që u ka bërë dikur ish presidenti Franjo Tugjman - dhe se po kërkojnë të bëjnë për vete në mënyrë cinike votuesit Italianë përpara zgjedhjeve të 20 Majit.
Raçan, drejtuesi i Social Demokratëve, partia kryesore e koalicionit, ka thënë se dhënia e statusit të barabartë me gjuhën Kroate në një rajon ku Italianët përbëjnë një pakicë do të hapte kutinë e Pandorës - duke inkurajuar Serbët dhe Hungarezët të bëjnë të njëjtën gjë. Disa kritikë thonë se ky hap mund të hapë rrugën për një shkëputje të mundëshme për Istrian.
Ky episod tregon qartë kundërshtimin e Zagrebit për decentralizimin në Kroaci - një objektiv afatgjatë për Istrian.
Istria, një nga 22 provincat e Kroacisë, banohet nga një pakicë Italiane e cila përbën rreth 10 përqind të rreth 200,000 banorëve të rajonit. Ai është rajoni më i zhvilluar në vend dhe siguron pjesën më të madhe të valutës së huaj.
Mbështetja e IDS-së për vendimin për gjuhën Italiane mund të dëmtojë seriozisht koalicionin qeveritar përpara zgjedhjeve lokale.
Kryetari i parlamentit Zlatko Tomiq ka kërkuar që IDS-ja të heqë dorë nga përkrahja e saj për këtë hap ose të largohet nga koalicioni. Ministri i Drejtësisë Stjepan Ivanisheviq ka pezulluar përkohësisht vendimin e Istrias duke ia lënë vendimin përfundimtar gjykatës kushtetuese.
Ivan Jankoviq, presidenti i SDS-së dhe i vetmi ministër i kësaj partie në qeverinë e RAçanit, ka thënë se "nëse gjykata kushtetuese vendos që përdorimi i dy gjuhëve është kundër kushtetutës, unë jam i gatshëm të largohem nga qeveria".
Nëse ai do të ndërmarrë këtë hap, koalicioni qeveritar do të shpërbëhej dhe do të duhej të krijohej një qeveri e re.
Deputetja e Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, Jadranka Kosor, ka thënë se vendimi i Istrias "është një akt dhune ndaj demokracisë, dhe kundër kushtetutës". Në vitin 1995, HDZ-ja, e cila atëherë ishte në pushtet, ka bllokuar një përpjekje të parë për të futur në përdorimin një gjuhë të dytë zyrtare.
IDS-ja ka shpjeguar vendimin e tyre për të futur në përdorim dy gjuhë zyrtare duke përmendur edhe rekomandimet e bëra nga Këshilli i Europës, të cilat ishin aprovuar nga qeveria Kroate. IDS-ja i ka kujtuar Zagrebit se decentralizimi i mëtejshëm dhe demokratizimi janë të nevojëshme nëse Kroacia dëshiron të shkojë drejt rrugës së integrimit në Europë.
IDS, megjithëse është anëtare e koalicionit të Raçanit, ka kritikuar prej kohësh mungesën e gatishmërisë së qeverisë për të zgjidhur këtë problem. I gjithë ky rajon në fakt është shquar gjithnjë si një vatër e prishjes së status kuosë - Istria ka qenë një problem i bezdisëshëm edhe për qeverinë nacionaliste dhe autoritare të Tugjmanit.
Në periudhën dhjetë vjeçare pas pavarësisë, IDS ka qenë partia kryesore në Istria. Ajo ka një axhendë demokratike, liberale dhe pro-Europiane. Edhe gjatë luftës, Istria ka qenë një oaz i bashkëjetesës së shumë etnive dhe kulturave, ku të drejtat e pakicave dhe ato njerëzore janë mbrojtur. Gjatë dekadës së qëndrimit në pushtet të Tugjmanit, IDS ka qenë avokatja e vetme e standarteve demokratike Europiane.
Kundërshtimi nacionalist ndaj këtij hapi të Istrias mund të shpjegohet pjesërisht nga frika se Serbët dhe pakicat e tjera mund të kërkojnë edhe ata më tepër të drejta. Por arësyeja kryesore për denoncimin e këtij hapi nga Zagrebi është mospajtimi i koalicionit qeveritar me kërkesën e Istrias për më tepër decentralizim. Raçan, pavarësisht përkrahjes së tij për këtë proces, nuk është ende i gatshëm të pranojë faktin që Zagrebi mund të lëshojë një pjesë të pushtetit të tij.
Stojan Obradoviq është një gazetar i STINA, një agjensi e pavarur lajmesh me qendër në Split.