SFIDA E LIGJIT

Vendosja e ligjit në dhe rreth Kosovës është e vetmja zgjidhje afatgjatë për problemet e rajonit.

SFIDA E LIGJIT

Vendosja e ligjit në dhe rreth Kosovës është e vetmja zgjidhje afatgjatë për problemet e rajonit.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë u krye për të sjellë paqe në Kosovë, demokraci në Serbi dhe stabilitet në rajon. Asnjë nga këto të treja nuk ka ndodhur.


A duhet t'i shtohet "urrejtjes së hershme" edhe mungesa e rendit si një arësye tjetër që bota të abandonojë Europën juglindore në fatin e saj kaotik dhe të pandryshueshëm?


Përkundrazi: ligji është një sistem fleksibël i fuqishëm i interpretimit të politikave që ndajnë njerëzit. Vendosja e ligjit në dhe rreth Kosovës është e vetmja zgjidhje afatgjatë për problemet e rajonit.


Unë nuk dua të harxhoj kohë në debat rreth ligjshmërisë së veprimit fillestar, përveç se të them se Këshilli i Sigurimit kishte arritur në përfundimin më 1998 se situata në Kosovë ishte një kërcënim për paqen, prishje e paqes apo akt agresioni i një karakteri ndërkombëtar, duke përmendur Kapitullin VII të Kartës së OKB-së.


Mosautorizimi i mëpashëm i përdorimit të forcës nga OKB-ja krijoi një vakum të rrezikshëm. Rezoluta 1199 cilësoi forcat jugosllave si shkaktare të krizës humanitare, por nuk bëri asgjë për të ndaluar sulmet ndaj popullsisë, sepse Rusia dhe Kina kërcënuan të përdornin veton e tyre - me sa duket duke pasur para sysh më tepër çeçeninë dhe Tibetin se sa Kosovën, duke treguar se asnjë nga të dyja vendet nuk është mbrojtës pasionant i të drejtave ndërkombëtare.


Megjithatë një organizatë mbrojtëse rajonale si NATO-ja e cila anashkalon kuadrin ligjor të zakonshëm dhe të rënë dakort të OKB-së është një precedent i rrezikshëm. Kjo thekson edhe më tepër nevojën për një vendosje të ligjit nën mbikqyrjen e OKB-së në Kosovë dhe një marrëveshje të shpejtë rreth së ardhmes së statusit të provincës.


Kur ushtarët e KFOR-it u futën në Kosovë në fund të qershorit 1999 ata filluan të vendosnin një farë rregulli të formës civile, por ato pak trupa të NATO-s mund të kontrollonin vetëm zonat urbane. Administrata civile e UNMIK-ut nuk ka bërë aq sa duhet për të përmirësuar gjendjen. Vendet perëndimore kanë kontribuar me policë dhe stërvitës të tyre, por vështirësia e tyre ka qenë mungesa e ligjeve për tu zbatuar.


Kur UNMIK-u morri kontrollin, ai njoftoi se ligji ekzistues jugosllav do të vazhdonte të vepronte, por kjo u provua shumë shpejt si e pa pranueshme nga shqiptarët, sepse shumë aspekte të këtij ligji ishin diskriminues. Më pas u morr vendimi për të aplikuar një kombinim të sistemeve ligjore: ligjin jugosllav të para 1998, dhe nëse drejtuesi i UNMIK-ut dhe i Dërguari Special i Sekretarit të Përgjithshëm Bernar Kushner mendonte se ky ligj ishte i padrejtë, atëherë do të përdorej ligji francez apo ai anglez.


Por akoma më keq se ky konfuzion, ka qenë vështirësia për të gjetur oficerë policie vendas dhe gjykatës të cilët kishin dëshirë të punonin. Pas tërheqjes së serbëve, pushteti lokal u ngeli njerëzve të armatosur dhe tregtarëve të tregut të zi. Policia e huaj e UNMIK-ut kanë qenë të paaftë për të zbuluar shkaktarët e krimeve. Akoma edhe më keq, edhe nëse gjenden provat, ka shumë pak gjykatës të cilët kanë kurajon të japin vendime. Numri i policisë ndërkombëtare është rreth një e treta e 6,000 trupave që ka kërkuar Kushner si shifra minimale e nevojshme për të vendosur rendin.


Ka filluar të krijohet edhe një forcë policore e rekrutuar lokalisht, deri më tani disa qindra nga 3,500 oficerë të planifikuar janë stërvitur, por ambicja e UNMIK-ut për të përfshirë edhe serbë në këtë forcë nuk ka pasur sukses. Në zonat ku serbët janë të shumtë në numër, për shembull në Mitrovicë, ata po kujdesen vetë për sigurinë e tyre me anë të milicive jo zyrtare.


Në zonat shqiptare, Qendra Humanitare e Ligjit në Prishtinë njofton se ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, të cilët nuk kanë mjete jetese, vazhdojnë të kenë bandat e tyre.


Vonesa e shteteve donatore për të dërguar oficerë të tjerë të policisë ndërkombëtare duhet të reflektojë dyshimet e tyre rreth cilit ligj ata duhet të zbatojnë dhe se si do të vendoset statusi politik i shqiptarëve. Derisa e ardhmja e provincës të bëhet e qartë, përpjekja për të vendosur rregulla ligjore bashkiake është më tepër sikur të zbukurosh nga jashtë një ndërtesë e cila po shkatërrohet.


Meqënëse shqiptarët në Kosovë janë trajtuar brutalisht dhe në mënyrë të jashtëligjshme nga autoritetet serbe, nuk është e vështirë të kuptohet se përse ata shpresojnë që rezultati i vuajtjeve të tyre të gjata do të jetë largimi përfundimtar nga politika serbe, duke fituar pavarësinë e tyre. Për fat të keq, sipas ligjit ndërkombëtar, gjërat nuk janë kaq të thjeshta.


Ata që mendojnë se Kosova duhet të jetë e pavarur mbështeten në principin e vetë-vendosjes, të futur në Katërmbëdhjetë Pikat e presidentit amerikan Udrou Uillson gjatë Luftës së Parë Botërore. Koncepti i vetë-vendosjes ka evoluar shumë që prej asaj kohe dhe tani Kosova është në limitet e këtij evolucioni.


Ligji ndërkombëtar, siç interpretohet nga gjykatësit në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, merr para sysh atë që quhet "praktikë e shtetit ... mbi rëndësinë e integritetit territorial". Me fjalë të tjera, mbajtja e bashkuar e vendeve brenda kufinjve të tyre konsiderohet si një rrugë e mirë për të shmanngur kaosin. Vetë-vendosja mbetet një e drejtë e popujve të kolonizuar.


Rezolutat dhe deklaratat e e OKB-së të cilat akoma japin definicionin e një "populli" thonë se ata duhet të jenë të gjithë njerëz të një territori të caktuar, të cilëve u mohoen të drejtat politike nga një fuqi kolonizuese. Shqiptarët e Kosovës kanë ndarë të drejtat politike me qytetarë të tjerë të Serbisë për mbi një shekull, ndonjëherë edhe në kushte të barabarta.


Ata mund të justifikohen se Sllobodan Millosheviqi i ka trajtuar ata si "të lindur në një koloni", duke u mohuar atyre të drejtën për të zgjedhur, shkollimin, spitalet, të drejtën për të lëvizur, dhe së fundi shtëpitë dhe jetën e tyre; kjo provon që ata janë qeverisur keq, dhe jo se ata janë kolonizuar në kuptimin ligjor të fjalës.


Me fjalë të tjera, vetë-vendosja nuk është e njëjta gjë me shkëputjen, por do të thotë e drejta për të marrë pjesë në zgjedhjen e stilit dhe përbërjes së qeverisë, pa u diskriminuar, në frymën e Deklaratës së Marrëdhënieve Miqësore të OKB-së të vitit 1970.


Ndër rreziqet e një pikpamjeje të kundërt do të ishte: pakësimi i presionit ndaj qeverive jo demokratike për tu reformuar; fragmentimi i tyre i dhunshëm i pafund; dhe ribërja e kufinjve sipas kërkesave të minoriteteve, gjë e cila nuk mund të bëhet duke vendosur disa linja në hartë, sepse popullsitë janë kaq shumë të përziera dhe ndërthurura.


Në rastin e Kosovës, e përbashkët me pjesën më të madhe të Europës Lindore dhe Qendrore, rëndësia historike dhe fetare e territoreve për grupe të ndryshme do të thotë se ndarjet apo edhe shkëputjet janë shumë problematike. Cilindo version të historisë së Ballkanit që të marrësh para sysh, kjo nuk është një kompeticion ndërmjet pushtuesve dhe grupeve vendase të tipit Tibetian apo të Timorit Lindor. Duhet të kërkohet një marrëveshje politike rajonale e cila të ofrojë "hapësirë demokratike" dhe jo liri të pakufizuar.


Konsideratat rajonale nënvizojnë nevojën për kujdes. Maqedonia fqinje, një shtet vetëm tetëvjeçar, ka një minoritet të madh shqiptar reagimi i të cilëve ndaj pavarësisë së Kosovës do të ishte ndoshta kërkesa për të ribërë edhe kufinjtë e tyre, ndërsa serbët e Bosnjës mund të bënin të njëjtën kërkesë, duke shkatërruar kështu Marrëveshjen e Dejtonit.


Në çdo përpjekje për të zgjidhur një konflikt, elementi më i rëndësishëm është "procesi". Hezitimi dhe mungesa e veprimit luajnë në favor të ekstremistëve. Ajo që nevojitet në Kosovë është një ligj kriminal dhe civil i brendshëm dhe një status ndërkombëtar i njohur ligjërisht. Kjo do të krijonte edhe hapësirën edhe veprimin për negociata rajonale.


Kjo mund të arrihet kështu. Statusi i përkohshëm i Kosovës duhet të formalizohet, duke u bërë zyrtarisht një territor i administruar nga OKB-ja me një rishikim të herë pas hershëm çdo katër vjet përpara një marrëveshjeje më të gjerë rajonale bazuar në marrëveshjen për bashkimin e ardhshëm në Bashkimin Europian. Lidhja me Serbinë nuk do të ndërpritej, por do të rajonalizohej. Kjo mund të arrihet nëpërmjet votimit në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së, duke shmangur kështu rrezikun e vetos në Këshillin e Sigurimit.


Sistemi politik i përkohshëm brenda Kosovës duhe të bazohet në zgjedhje ku të përdoret përfaqësimi proporcional për të siguruar që kandidatët për poste duhet të fitojnë përkrahje nga të gjitha komunitetet. Disa pozicione administrative dhe kabinete qeveritare duhet tu lihen minoriteteve - rome dhe turke, si edhe serbëve.


Zbatimi i ligjit dhe pavarësia e sitemit gjjyqësor nuk do të dalin nga një situatë e tillë, por do të bëhen të dukshëm menjëherë pasi të jetë qartësuar statusi i provincës. Vendosja e rendit dhe drejtësisë kriminale nuk është një gjë që mudn të presë për shumë kohë. Vendet e BE-së duhet të mbajnë premtimet e bëra.


Serbët do të ruajnë mundësinë për të hyrë në vendet e tyre të shenjta historike dhe fetare. Drejtuesit politik shqiptar do të përshihen në një proces i cili do t'u jepte atyre pushtet lokal efektiv dhe shansin për të ndërtuar një shoqëri civile.


Alternativa është t'i dorëzohet provinca shqiptarëve pa u krijuar më parë shoqëria civile, duke ofruar kështu një municion të fuqishëm për nacionalistët në Serbi, Shqipëri, Maqedoni dhe Bosnje, si edhe në vetë Kosovën.


Dështimi i OKB-së për të vepruar në Kosovë ka qenë shumë dëmtues ndaj principit të sigurimit të përbashkët. Dështimi për të krijuar një proces ligjor i cili të merret me pasojat e brendëshme dhe të jashtme të krizës do të dëmtojë edhe më tej përpjekjet ndërkombëtare për të kultivuar të drejtat e njeriut dhe të shoqërojë përdorimin e forcës.


Dan Demon ka raportuar rreth konfliktit jugosllav për Skai Njuz.


Macedonia, China, Albania
Frontline Updates
Support local journalists