SDS SHPËRFILL VEPRIMET SHTRËNGUESE FINANCIARE TË ASHDOWN

Përpjekjet për të shkurtuar financimet shtetërore për partitë vështirë se mund të ndryshojnë qëndrimin e partisë ndaj Karaxhiq.

SDS SHPËRFILL VEPRIMET SHTRËNGUESE FINANCIARE TË ASHDOWN

Përpjekjet për të shkurtuar financimet shtetërore për partitë vështirë se mund të ndryshojnë qëndrimin e partisë ndaj Karaxhiq.

Monday, 21 February, 2005

Vendimi për të bllokuar llogarinë bankare të Partisë Demokratike Serbe në pushtet, SDS, në Republikën Srpska, nuk duket se do të detyrojë partinë të ndryshojë qëndrim ndaj Radovan Karaxhiq, themeluesi i partisë dhe i kërkuari kryesor i gjykatës së Hagës për krime lufte.


Paddy Ashdoën, Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje Herzegovinë, më 2 prill ka bllokuar të gjitha financimet shtetërore për SDS prej rreth 100,000 marka të konvertueshme (rreth 60,000 dollarë amerikan) në muaj.


Ai ka urdhëruar gjithashtu SDS të paraqesë në mënyr ëtë hollësishme se si ka shpënzuar paratë e dhëna deri më tani partia.


Duke shpjeguar vendimin e tij, Ashdoën ka thënë se ai dyshonte që një pjesë e fondeve shpenzohen për të financuar arratinë e Karaxhiq.


Partia në qendër të kësaj zhurme ka mohuar të ketë kontakte - financiare dhe të tjera - me ish drejtuesin e saj.


Dushan Stojiciq, zëdhnësi i SDS, ka thënë se SDS nuk financon Karaxhiq, duke shtuar se përgjegjësia për arrestimin e kriminelëve të luftës i takon institucioneve të Republika Srpska, dhe jo partive të vecanta politike.


Pak analistë të pavarur mendojnë se raporti financiar i SDS do të japë ndonjë informacion të vlefshëm në lidhje me paratë e shpenzuara nga partia për mbrojtjen e Karaxhiq.


Ata dyshojnë se synimi i vërtetë i Ashdoën - duke i hequr financiamet SDS përpara zgjedhjeve lokale të muajit tetor - ka qenë të detyrojë partinë të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj ish kryetarit të saj.


Edhe ky synim vështirë se mund të arrihet, vecanërisht në atmosferën zakonisht patriotike që shoqëron mbajtjen e zgjedhjeve në vend.


Slobodan Popoviq, një deputet i Partisë Social Demokrate të Bosnje Herzegovinës, SDP BiH, në parlamentin e Republika Srpska, ka parashikuar se SDS nuk do të mund të bindet të ndihmojë në mënyrë aktive për kapjen e Karaxhiq.


"Financimet që SDS përfiton nga buxheti i shtetit janë vetëm një pjesë e fondeve tek të cilat mbështetet partia," ka komentuar ai.


"Shumica e financimeve vijnë nga fondet e firmave shtetërore të drejtuara nga mbështetësit e SDS".


Udhëheqja e SDS e ka mohuar vazhdimisht një akuzë të tillë.


Popoviq ka paralajmëruar se hapat për të pakësuar ndihmat financiare për SDS - megjithëse humbjet mund të jenë në disa miliona marka të konvertueshme në vit - nuk do të mund të sjellin një ndryshim të qëndrimit.


Një ndryshim kaq i madh i kursit politik të partisë është edhe më i pamundur po të kemi parasysh se serbët e Bosnjes vazhdojnë ta shohin Karaxhiq si një hero kombëtar.


"Qytetet në Republika Srpska janë të mbushura me portrete të Karaxhiq, duke vlerësuar këtë kriminel lufte," ka thënë Popoviq.


Me afrimin e zgjedhjeve lokale, përfundon ai, cilido që shprehet në mbështetje të bashkëpunimit me Hagën do të humbasë shumë vota nga "njerëzit të cilët mendojnë se Karaxhiq është një hero".


Boris Divjak, kryetar i zyrës boshnjake të organizatës Transparenca Ndërkombëtare, një organizatë jo qeveritare e cila vepron në fushën e luftës ndaj korrupsionit, mendon se SDS nuk është e varur nga paratë që përfiton nga buxheti i qeverisë.


"Burimi kryesor i financimeve për partinë janë firmat shtetërore të drejtuara nga njerëzit e SDS. Kjo është arësyeja që sanksionet e Përfaqësuesit të Lartë nuk do të kenë pasoja të mëdha," thotë ai.


Tanja Topiq, analiste politike e Fondacionit Friedrich Ebert, një OJQ gjermane e cila promovon demokracinë, ka thënë se "Nuk ka dyshim që Karaxhiq është financuar nga njerëzit e SDS, por nëpërmjet disa kanaleve ilegale të cilat është tepër e vështirë të zbulohen".


Ndërsa asnjë nga partitë e mëdha nuk është e interesuar për arrestimin e kriminelëve të luftës dhe me afrimin e zgjedhjeve, është "e vështirë të mendosh se SDS mund të ndryshojë rrënjësisht qëndrimin e saj," ka shtuar ajo.


Zheljko Kopanja, drejtor i gazetës Nezavisne Novine me qendër në Banja Luka, thotë se "Të presësh që bllokimi i fondeve të cojë në ndryshimin e qëndrimit të partive për sa i përket cështjes së krimeve të luftës është dicka e pamundur".


Redaktori ka shtuar gjithashtu se ndërsa policia e RS vazhdon të mbetet kryesisht nën kontrollin e politikanëve, është e pamundur të presësh ndonjë veprim të pavarur nga forcat e rendit për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte.


"Aktorët politik në Republika Srpska kontrollojnë policinë në shkallë të lartë," ka thënë ai. "Veprimet e policisë për sa i përket arrestimit të të dyshuarve për krime lufte kanë qenë vetëm një farsë e bërë për sytë e komunitetit ndërkombëtar".


Zëdhënësit e policisë e kanë mohuar këtë zëdhënësi i ministrisë së brendëshme të Republika Srpska, Zoran Glusac, ka thënë se oficerët e policisë kanë zbatuar urdhërat. "Ne nuk kemi asnjë informacion në lidhje me vendndodhjen e Karaxhiq dhe askush nuk mund të na akuzojë se nuk kemi kryer detyrën," ka thënë ai.


Ndërsa pjesa më e madhe e zërave të pavarur thonë se veprimi më i fundit i Përfaqësuesit të Lartë nuk do të ketë asnjë rezultat, të tjerë thonë se shtrëngimet financiare ndaj SDS mund të kenë rezultate në planin afatgjatë.


Senad Slatina, analist për Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Bosnje, ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë kishte marrë "një vendim të zgjuar i cili do të bëjë që SDS të tregojë më tepër bashkëpunim me gjykatën e Hagës".


Slatina ka thënë se humbjet financiare do të dëmtojnë SDS më tepër se sa mendojnë shumë njerëz, duke shtuar se "SDS nuk do të heqë dorë lehtësisht nga fondet që siguron në rrugë ligjore.


"Këto fonde janë të mëdha dhe nuk mund të përjashtohet mundësia që SDS të vendosë që paratë janë më të rëndësishme se sa interesat kombëtare - pra Karaxhiq!"


Slatina ka thënë se pasojat e veprimeve të Ashdoën mund të kishin qenë më të mëdha nëse ai do të kishte kërkuar një kontroll të përgjithëshëm të veprimeve financiare të SDS, dhe jo vetëm një raport për financimet që partia merr nga shteti.


Për momentin, duket se mendime të tilla janë në pakicë. Gjatë gjashtë muajve të ardhëshëm, afrimi i zgjedhjeve lokale do të shtojë atmosferën patriotike; dhe një gjë është e sigurtë - të ndihmosh në arrestimin e Karaxhiq nuk do të kontribuonte aspak në fitoren e ndonjë partie.


Gordana Katana është gazetare e Radios Europa e Lirë.


Frontline Updates
Support local journalists