TERRITORET E KONTESTUARA NË KTHETRAT E KRIMIT DHE VARFËRISË
Jetesa është shumë e vështirë për popullsinë në Moldavi dhe Transdniestër, dhe konfuzioni rreth kufinjve të papërcaktuar e shton edhe më tepër varfërinë.
TERRITORET E KONTESTUARA NË KTHETRAT E KRIMIT DHE VARFËRISË
Jetesa është shumë e vështirë për popullsinë në Moldavi dhe Transdniestër, dhe konfuzioni rreth kufinjve të papërcaktuar e shton edhe më tepër varfërinë.
Sergiu Nirca ka punuar shumë gjithë vitin duke mbjellë elb për shoqatën e fermerëve që drejton në Cocieri, rreth 50 kilometra në verilindje të kryeqytetit moldav Kishinev. Por kur ai është përpjekur të çojë në treg prodhimin, ai është penguar nga trupat rusisht folëse të cilat kontrollojnë rajonin e shkëputur të republikës së Transdniestrit.
“Në fund të muajit gusht, zyrtarët e doganave të Transdniestrit kanë konfiskuar një kamion të mbushur me elb, dhe një javë me pas edhe një tjetër, duke thënë se unë po shkelja rregullat e doganës,” thotë Nirca, i parruajtur dhe me sy të fryrë nga stresi i javëve të fundit. “Tani jam i detyruar ta lë këtu të gjithë prodhimin tim”.
Fermeri shton se mbi 200 vetë në këtë pjesë të varfër të Moldavisë kanë pasur probleme të njëjta në kufirin me republikën e shkëputur të Transdniestrit. Në këtë zonë është shumë e vështirë të përcaktosh se kush drejton, dhe autoritetet moldave shumë rrallë ndërhyjnë për të ndihmuar ata njerëz të cilët gjenden në kushte të tilla.
Fshati i Cocieri është një prej pesë rajoneve të vendosura në bregun e djathtë, perëndimor të lumit Dniestër, në një zonë e cila kontrollohet zyrtarisht nga autoritetet moldave, por që praktikisht kontrollohet nga Republika e vetëshpallur e Transdniestrit. Kishinevi nuk ushtron kontrollin e tij mbi këtë zonë, e cila kontrollohet nga ushtarët rus.
Transdniestri, ku shumica e popullsisë është me origjinë ruse apo ukrainase, ka shpallur pavarësinë nga Moldavia në vitin 1990 pas frikës se autoritetet qendrore do të kërkonin bashkimin me Rumaninë. Entiteti i shkëputur është mbështetur në heshtje nga Rusia, e cila e sheh këtë zonë si një portë daljeje në drejtim të Ballkanit dhe Evropës jug-lindore.
Kryeqyteti i territorit të shkëputur, Tiraspol, ka ndryshuar shumë pak që prej periudhës sovjetike dhe ka lidhje të fuqishme me Rusinë. Në qendër të qytetit, ngrihet hijerëndë një një statujë graniti e Leninit mbi një tank e cila simbolizon fitoren e Moskës ndaj Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Republika e shkëputur përdor rublën ruse si monedhë të saj, dhe një pjesë e Armatës së 14 Sovjetike, është e dislokuar në rajon dhe e mbron atë. Lidhjet me Moskën bëhen edhe më të forta nga fakti që presidenti i rajonit Igor Smirnov është një qytetar i Republikës Ruse, dhe drejton me një stil të ngjashëm të periudhës sovjetike.
Meqënëse Transdniestri nuk është njohur nga asnjë qeveri, qytetarët e rajonit e kanë të vështirë të udhëtojnë jashtë vendit, sepse pasaportat e tyre nuk njihen. Si rezultat, rreth 90 përqind e popullsisë ka dyshtetësi. Tiraspoli vlerëson se rreth 100,000 vetë përdorin pasaportat moldave dhe 80,000 vetë udhëtojnë me pasaporta ruse, ndërsa rreth 20,000 me dokumenta të Ukrainës apo nga shtete të tjera ish sovjetike.
Mosnjohja ndërkombëtare bën gjithashtu që Tiraspoli të mos ketë mundësi të nënshkruajë asnjë marrëveshje ekonomike për të fuqizuar ekonominë e rajonit. Si rezultat, kjo zonë është shndërruar në një parajsë për tregun e zi, korrupsionin dhe krimin.
Që prej vitit 1998, zyrtarët e doganave të Transdniestrit – të mbështetur edhe nga ushtria – kanë filluar të taksojnë arbitrarisht dhe të konfiskojnë mallra nga njerëzit në disa pika të kalimit kufirtar si Cocieri të cilat teknikisht shtrihen jashtë territorit të republikës.
“Kjo ndodh kryesisht gjatë sezonit të vjeshtës kur fermerët korrin prodhimet e tyre,” thotë Nirca për IWPR, duke shtuar se disa fshatarëve të tjerë u janë ndërprerë furnizimi me ujë apo gaz, apo edhe janë hequr nga puna.
Grigore Policinschi, një drejtues i qeverisë lokale në anën moldave të lumit Dniestër, është pesimist për të ardhmen e rajonit. “Ndërsa njerëzit këtu janë nën presion të vazhdueshëm nga regjimi i Transdniestrit, qeveria në Moldavi na jep vetëm këshilla dhe na kërkon të mos reagojmë ndaj ndonjë provokimi”.
Zyrtarët në Kishinev thonë se rajoni i Transdniestrit po i shkakton humbje të mëdha ekonomisë moldave, përfshirë miliarda dollarë humbje çdo vit nëpërmjet kontrabandës së armëve dhe mos taksimit të mallrave.
Kryeministri Vasili Tarlev ka thënë kohët e fundit për median se shumë nga problemet ekonomike të Moldavisë janë pasojë e pamundësisë së saj për të kontrolluar gjithë kufinjtë e shtetit dhe për të mbledhur detyrimet doganore. Ai ka llogaritur se ekonomia e Moldavisë do të rritej dhjetë herë nëse do të arrihej të kontrolloheshin të ardhurat doganore.
Në momentin e tanishëm, shenjat e varfërisë janë të dukëshme në të gjithë Moldavinë. Shumë fshatra – kryesisht ato me kryqe apo statuja të Krishtit apo të Marisë së Virgjër në anë të rrugëve – janë gjysëm të zbrazur sepse shumë të rinj janë larguar jashtë vendit për të punuar dhe për të sjellë para për të mbështetur familjet e tyre. Mendohet se 14 përqind e popullsisë prej 4.4 milion banorë e Moldavisë – kryesisht të rinj – janë larguar nga vendi i tyre në kërkim të punës që prej shpalljes së pavarësisë 13 vjet më parë.
Në periudhën sovjetike, tokat e begata të Moldavisë kanë qenë të mbjellë me kopshte dhe vreshta të cilat prodhonin sasi të mëdha vere për gjithë bllokun komunist. Por pas rrëzimit të Bashkimit Sovjetik dhe humbjes së tregut të centralizuar, rreth gjysma e popullsisë së Moldavisë tani siguron me vështirësi jetesën nga bujqësia. Bujqësia tani është zvogëluar dhe aktiviteti ekonomik është pakësuar duke mbetur vetëm një e treta e atij që ka qenë një dekadë më pas.
Republika e vogël, e vendosur ndërmjet Rumanisë dhe Ukrainës, është tani shteti më i varfër në Evropë. Të ardhurat mesatare janë 30 dollarë amerikan në muaj, dhe cilësia e jetesës është tepër e ulët – apartamente të ftohtë, frigoriferë të boshatisur, veshje të përdorura, dhe vetëm shpresa se gjërat do të përmirësohen.
Vetëm disa mijëra njerëz në rradhët e elitës së vendit kanë një jetesë të mirë – shumë prej tyre ish bashkëpunëtorë të regjimit komunist të cilët kanë përfituar nga shpërbërja e regjimit sovjetik duke privatizuar ndërmarrjet shtetërore me çmime qesharake. Ata mund ti gjesh në restorantet e mira të kryeqytetit si Coliseum, ku klientët shoqërojnë ushqimet italiane me verën e mirë moldave. Fatura e një dreke për tre vetë është e barabartë me rrogën mujore të shumicës së popullsisë.
Në një pjesë tjetër të Kishinevit, Vitalie Lupu, një ish inxhinier tani i papunë, hedh shikimin nga blloqet e apartamenteve të betonit të ngritura gjatë periudhës sovjetike. Ai fajëson konfuzionin për problemet e shumta me të cilat përballet Moldavia – dhe mendon se një pjesë e fajit për gjendjen e tanishme i takon edhe mungesës së ndjenjës së identitetit kombëtar pas rrëzimit të Bashkimit Sovjetik.
“Me të vërtetë që nuk e di se çfarë vendi është Moldavia,” thotë ai. “Është një shtet me kufinj të pakontrolluar, i cili nuk kontrollon të gjithë territorin e tij, me një gjuhë zyrtare e cila quhet moldavisht megjithëse i ngjan së tepërmi rumanishtes”.
Lupu, i cili tani po ndjek një kurs për llogaritar në përpjekje për të përmirësuar mundësitë e tij për tu punësuar, nuk sheh asgjë të mirë në të ardhmen politike të Moldavisë.
“Për fat të keq, ne jemi ende nën ndikimin e fuqishëm të Rusisë sepse jemi të varur shumë nga importimi i naftës prej andej,” thotë ai. “Dhe Moska kontrollon ende të gjitha fabrikat e mëdha në rajon. Si mund të zhvillohet Moldavia në kushte të tilla?”
Corneliu Rusnac është një gazetar për agjensinë e pavarur të lajmeve Basa Press.