Dështimet Politike Shqiptare

Mangësitë e politikës shqiptare po dalin në pah gjatë fushatës elektorale për pushtetin local.

Dështimet Politike Shqiptare

Mangësitë e politikës shqiptare po dalin në pah gjatë fushatës elektorale për pushtetin local.

Tuesday, 6 September, 2005
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Pothuajse një dhjetëvjeçar pas vendosjes së sistemit demokratik shumëpartiak, politika shqiptare vazhdon të ketë probleme të mëdha.


Varësia e partive tek të fortët e politikës, legjislacioni i papërshtatshëm dhe politizimi i procesit elektoral në mënyrë të dukshme po pengojnë procesin demokratik.


Një raport nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, ICG, në muajin gusht rreshtonte disa probleme të cilat mund të bëjnë që opozita të mos pranojë rezultatet e zgjedhjeve lokale të 1 tetorit.


Fushat kryesore të shqetësimit janë përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, dhe ndarja e kohëve të fundit nga qeveria e drejtuar nga Socialistët e bashkisë së Tiranës në njësi administrative më të vogla.


Partitë e opozitës kanë akuzuar presidentin Rexhep Meidani se e ka shndërruar KQZ-në në një organizëm politik të përgatitur për të ndihmuar Partinë Socialiste në manipulimin e votave.


Drejtuesi i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar kohët e fundit qeverinë se ka përjashtuar nga listat e zgjedhësve rreth 400,000 përkrahës të partisë së tij. Kryeministri Ilir meta e ka hedhur poshtë këtë akuzë.


Partia Demokratike argumenton se ribërja e KQZ-së, me pjesëmarrjen e një anëtari nga secila prej shtatë partive që kanë arritur rezultatet më të mira në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1997, do t'i jepte më shumë legjitimitet këtij organizmi.


Miratimi kohët e fundit nga ana e parlamentit të kontrolluar nga socialistët i një ligji për ndarjen e Tiranës në 11 bashki të vogla është një çështje tjetër e diskutueshme.


Bashkim Fino, ish-kryeministër socialist dhe tani ministër i pushtetit lokal, ka thënë se ndarja e Tiranës do t'i japë më shumë autonomi qeverisjes locale, si edhe do të përmirësojë shumë administrimin e qytetit.


Opozita deklaron se këto ndryshime bëhen për të minimizuar rrezikun e humbjeve të thella socialiste në Tiranë. Ata kanë akuzuar socialistët se po përpiqen të copëtojnë rrethet për të rritur shanset e tyre për fitore në zgjedhjet lokale dhe kanë insistuar se, sipas kushtetutës shqiptare, për këto ndryshime nevojitet një referendum popullor.


Ky plan i diskutueshëm është kundërshtuar edhe nga Këshilli i Europës, i cili ka argumentuar se nuk ekziston koha e mjaftueshme për të zbatuar këto ndryshime përpara zgjedhjeve lokale të tetorit.


Këto zgjedhje janë praktikisht një betejë ndërmjet koalicionit socialist në pushtet, të drejtuar nga ish-kryeministri Fatos Nano, dhe Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha.


Raporti i ICG-së thekson se votuesve shqiptarë të të gjithë spektrit politik po u kërkohet të votojnë për përfaqësuesit locale, të cilët janë njerëz të zgjedhur nga dy drejtuesit kryesorë që janë shkaktarët kryesorë të pasigurisë dhe problemeve politike të së kaluarës së afërt.


"Politikat e pushtetit dhe personaliteteve, në vend të politikave të vërteta, ende janë shumë të theksuara në skenën politike në Shqipëri," ka thenë ICG. "Në rradhët e të dyja partive të mëdha ekzistojnë klane, anëtarët e të cilëve synojnë fillimisht të forcojnë interesat e tyre personale dhe familjare."


Derisa klasa politike të pranojë parimet demokratike bazë të tipit perëndimor, ekziston mundësia që ndihma ndërkombëtare në fushën legjislative dhe të ndërtimit të institucioneve të mos jetë efektive.


Është e një rëndësie të madhe për demokracinë e Shqipërisë dhe reputacionin e saj ndërkombëtar që zgjedhjet e këtij viti të mos përsërisin gabimet e atyre në të kaluarën e afërt.


Këshilli i Europës ka thënë se zgjedhjet e lira të pranuara nga të gjitha partitë politike "janë një kusht që Shqipëria duhet të përmbushë" pas gjithë atyre premtimeve të bëra në prag të anëtarësimit të vendit në këshill në korrik të vitit 1995.


ICG ka thënë se zgjedhjet do të jenë një "masë e nivelit të pjekurisë politike" në Shqipëri. Një proces zgjedhor i suksesshëm, ka vazhduar raporti, do të forconte stabilitetin rajonal dhe do të ishte një hap përpara për sa i përket integrimit të vendit në Europë.


Sokol Rama është redaktor i Illyria, një gazetë shqiptare që botohet në Amerikë.


Albania
Frontline Updates
Support local journalists