Hetimi për Masakrën në Sllavoni

Specialistët e policisë shkencore kanë provuar masakrën e fshatarëve Serbë gjatë luftës në Kroaci

Hetimi për Masakrën në Sllavoni

Specialistët e policisë shkencore kanë provuar masakrën e fshatarëve Serbë gjatë luftës në Kroaci

Një masakër e 13 Serbëve në Sllavoninë Perëndimore pothuajse një dekadë më parë duket se do të shqetësojë përsëri qeverinë Kroate.


Trupat e viktimave janë zhvarrosur Dhjetorin e kaluar nga një varr masiv në fshatin Snjegaviq në Sllavoninë Perëndimore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas një informacioni anonim.


Mbetjet e kufomave tani jandë dërguar në Institutin e Mjeksis Ligjore në Zagreb, nga ku pritet autopsia e cila do të tregojë se si kanë vdekur viktimat.


Hetuesit duhet të përcaktojnë nëse Serbët, të cilët kanë vdekur në Tetor të citit 1991, kanë qenë ushtarë të ushtrisë Jugosllave nga Korpusi i Banja Lukës apo civilë të moshuar të cilët nuk kanë mundur të largohen nga Snjegaviq.


Versioni i parë është paraqitur nga Ante Bagriq i cili në kohën e vrasjeve ka qenë president i Komitetit të Krizës në Sllavoni, një organizëm i dominuar nga nacionalistët Kroatë të linjës së ashpër. Bagriq tani është prefekt i rrethit të Pozesko-Slavonska.


Megjithatë, dëshmitarë të ndryshëm kandë dalë së fundi në skenë duke mbështetur versionin e dytë.


Raporti zyrtar për vrasjet në Sllavoninë Perëndimore mund të hedhë poshtë rezultatet e hetimit për masakrën në Gospiq po atë vit, në bazë të të cilit një gjykatë e Rijekës ka vendosur të dënojë Gjeneralin Mirko Norac dhe bashkëpunëtorët e tij për krime lufte ndaj civilëve Serbë.


Në ndryshim nga ngjarjet në Gospiq, ekzistojnë prova të shkruara për të mbështetur thëniet për masakra në Sllavoninë Perëndimore.


Komiteti i Krizës për Sllavoninë ka lëshuar një urdhër më 28 Tetor, 1991 - të transmetuar në radio dhe të njoftuar me anë të parrullave edhe nëpër rrugë - për evakuimin e 26 fshatrave të banuara kryesisht nga Serbë. Ky urdhër u jepte 48 orë kohë për tu larguar.


Menjëherë pas skadimit të afatit, trupat Kroate, të drejtuara nga Miljenko Crnjac, kanë hyrë në këtë zonë, duke shkatërruar dhe djegur fshatrat. Tre prej këtyre fshatrave kanë shpëtuar sepse aty banonin disa Kroatë.


Pjesa më e madhe e fshatarëve u larguan nga shtëpitë e tyre, por pleqtë qëndruan. Dëshmitarët kanë thënë se trupat Kroate kanë vrarë rreth 70 prej atyre që kishin qëndruar.


Disa si Marija Milinkoviq, nga Ozdakovci, janë djegur të gjallë nën shtëpitë e tyre. "Ajo ishte shumë plakë dhe nuk mund të largohej nga shtëpia," thotë për IWPR-në, Filip Martiq, një Kroat nga fshati fqinjë i Oljas. "Unë nuk e di nëse ushtarët e dinin që ajo ishte brenda shtëpisë".


Zyrtarë të HDZ-së thonë se shtëpitë janë djegur nga vetë Serbët përpara se të largoheshin.


Bagariq ka thënë se 13 njerëzit e gjetur në varrezën e përbashkët në Snjegaviq kanë qenë fshatarë të cilët janë bashkuar me Korpusin e Banja Lukës për të luftuar ndaj ushtrisë Kroate. Megjithatë, dëshmitarët thonë se të gjithë viktimat kanë qenë mbi 70 vjeç.


E vërteta e kësaj ngjarjeje duhet të dalë në dritë pasi të publikohen rezultatet e hetimeve të Institutit të Mjeksisë Ligjore.


Përveç urdhërit të komitetit të krizës i cili fajëson autoritetet e atëherëshme lokale, ka prova që implikojnë edhe zyrtarë të lartë ushtarak në Sllavoninë Perëndimore.


Shtabi i ushtrisë në rajon ka nxjerrë një urdhër më 24 Tetor, 1991, për Komitetin e Krizës së Sllavonisë. Teksti i këtij urdhëri - i firmosur nga komandanti lokal Gjenerali Karl Gorinsek, tani një zyrtar i lartë i Partisë Liberale në pushtet - ka qenë pothuajse identik me urdhërin e nxjerrë nga komiteti.


Një ndryshim i madh ka qenë se ushtria ka paralajmëruar se ushtarët Kroatë do të kishin të drejtë të qëllonin pa paralajmërim ndaj kujtdo që do të ndodhej në ato fshatra pas afatit prej 48 orësh. Kjo nuk është përfshirë në urdhërin e nxjerrë nga autoritetet lokale.


Në Shkurt të këtij viti, unë kam vizituar rreth 20 fshatrat e përfshira në listën e evakuimit. Ato dukeshin të boshatisura dhe pa jetë. Vetëm pak familje Serbe janë kthyer. Kushtet e jetesës ishin të tmerrshme. Nuk kishte energji elektrike, uji ishte tepër i ndotur dhe rrugët e shkatërruara. Shteti nuk ka asnjë plan për të rindërtuar këto fshatra.


Dragan Mirkoviq dhe gruaja e tij Dushanka janë ndër të paktët njerëz që janë rikthyer.


"Ne kemi kaluar pothuajse dhjetë vjet nëpër kampet e refugjatëve në Bosnje dhe Serbi - tani jemi kthyer përsëri në shtëpinë tonë," thotë Drgan në shtëpinë e tij në Ozdakovci, një fshat në rrëzë të Malit Papuk. "Ne jemi të lumtur, megjithëse të gjitha çfarë kemi pasur tanimë janë shkatërruar".


Çifti i kaluar në moshë dukeshin si dy të harruar në ndonjë ishull të shkretë. Ata e dinë se fshatrat janë djegur në mënyrë që askush të mos kthehej më. Por megjithëse nuk janë të mirëpritur, ata nuk mërzisin askënd kështu që askush nuk i shqetëson.


Dragutin Hedl është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists