Nxënësit Serbë Ngrenë Tensionin në Bosnje

Demonstratat e nxënësve serbë të shkollave kanë shtuar frikën për shpërthimin e dhunës në Bosnje në prag të zgjedhjeve.

Nxënësit Serbë Ngrenë Tensionin në Bosnje

Demonstratat e nxënësve serbë të shkollave kanë shtuar frikën për shpërthimin e dhunës në Bosnje në prag të zgjedhjeve.

Rreth 2,000 nxënës serbë të shkollave në qytetin verilindor të Brçkos demonstruan për katër ditë javën e kaluar duke kërkuar të mësojnë të ndarë nga nxënësit myslimanë dhe kroatë.


Incidenti ka shërbyer për të nxjerrë në pah tensionet politike dhe etnike në rritje në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen në fillim të muajit të ardhshëm në Bosnje.


Gjatë këtyre protestave u dëmtuan disa shtëpi të refugjatëve myslimanë. Disa policë u plagosën ndërsa përpiqeshin të mbanin nën kontroll demonstruesit.


Shumë zyrtarë lokalë dhe të huaj i kanë hedhur poshtë kërkesat e nxënësve si të papranueshme. Ata kanë thënë se protestat kanë pasur një karakter politik dhe ndoshta kanë qenë të lidhura me zgjedhjet e 11 nëntorit.


Protestat nisën fillimisht pas vrasjes së Vojka Pavloviqit, një vajzë serbe, më 16 tetor. Po atë ditë, rreth 300 nxënës myslimanë marshuan përmes qytetit në një protestë paqësore ndaj rrahjes së një nxënësi mysliman në një shkollë tetëvjeçare lokale.


Studentët serbë kanë akuzuar myslimanët për vrasjen e Pavloviqit megjithëse shefi i rajonit të policisë së Brçkos, Dushko Kakanoviq, ka thënë se nuk ka asnjë provë që të tregojë që vrasësi ka qenë mysliman.


Nxënësit serbë thonë se ata nuk do të kthehen më në klasat e tyre derisa të mësojnë të ndarë nga moshatarët e tyre kroatë dhe myslimanë.


Rivaliteti etnik është një çështje tepër e nxehtë në rajonin e Brçkos. Pas përfundimit të luftës dhe nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995, Bosnja është ndarë në dy entitete.


Por pronësia e qytetit ka mbetur e pazgjidhur, sepse të dy ish-fraksionet ndërluftuese deklarojnë se kanë të drejtën e kontrollit mbi qytet.


Ana myslimano-kroate thotë se pjesa më e madhe e popullsisë së qytetit është myslimane dhe rikthimi i qytetit atyre do të ishte njëfarë kompensimi për vrasjen e disa mijëra myslimanëve. Qyteti është i rëndësishëm për ta edhe për shkak të afërsisë me Europën qendrore.


Por marsin e kaluar, komuniteti ndërkombëtar ka vendosur që Brçko duhet të bëhet një zonë neutrale, e cila të mos i përkasë as federatës myslimao-kroate dhe as Republika Srpska, RS. Kontrolli ndaj qytetit është lënë në dorën e autoriteteve ndërkombëtare.


Ky rajon është një ndër vendet e pakta në Bosnje ku myslimanët tani jetojnë pranë e pranë me serbët - një situatë të cilën disa politikanë nuk e pëlqejnë.


Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Bosnje thotë se janë këta politikanë - "nacionalistët ekstremë" - të Partisë Demokratike Serbe, SDS, të cilët i kanë nxitur këto protesta. Dhe lidhjet janë të qarta, sepse Radovan Karaxhiq, i akuzuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës, e ka drejtuar këtë parti gjatë luftës.


Partitë në RS fajësojnë njëra tjetrën për ngjarjet në Brçko.


Mirko Blagojeviq, drejtuesi i Partisë Radikale, ka deklaruar se SDS-ja dhe Partia Socialiste e Republika Srpska, e cila është një degë e partisë së ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq, po i përdorin protestat e nxënësve të shkollave për të fituar "kapital politik" në prag të zgjedhjeve.


Megjithatë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar janë munduar të mos fajësojnë ndonjë parti të caktuar dhe thonë se incidentet janë shkaktuar nga "grupe qëllimi i të cilëve është të shkaktojnë konfuzion".


Në të dyja krahët këto ngjarje kanë patur një ndikim negativ në klimën politike në qytet dhe psikologjinë e refugjatëve të kthyer. Vitin e kaluar kishte shpresë se ishte e mundur të krijohej një klimë shumëetnike në qytet dhe se Brçko mund të shndërrohej në një simbol të së ardhmes së Bosnjes.


"Unë me të vërtetë kam besuar se ne mund te jetonim përsëri bashkë në paqe," thotë Adnana Xhafiq, 38 vjeç, një myslimane e cila është kthyer kohët e fundit në shtëpinë e saj në Brçko, por që po mendon të largohet përsëri.


"Ne u kthyem në shtëpinë tonë, investuam para për ta rindërtuar, fëmijët filluan shkollën dhe burri im u kthye në punën e tij. Por tani kam shumë frikë t'i lë fëmijët e mi të luajnë në oborr dhe jo më pastaj në shkollë," thotë Xhafiq, xhamat e dritareve të së cilës janë thyer për herë të dytë gjatë demonstratave.


"Unë jam e tronditur nga niveli i urrejtjes në rradhët e fëmijëve ndaj çdo gjë që nuk është serbe," thotë Suad Deliq, 43 vjeçar, një mysliman tjetër i cili është kthyer së fundi në shtëpinë e tij të para luftës.


"E di se nuk duhet nxjerrë një përfundim bazuar në disa të rinj të pasjellshëm, por pas gjithë këtyre që kanë ndodhur këtu është e vështirë të mos shqetësohesh dhe të mendosh se çfarë do të ndodhë më pas."


Për momentin qyteti është i qetë, megjithëse problemet e nëndheshme nuk janë zgjidhur ende. Këshilli bashkiak, i cili është mbrojtur nga një kordon policie gjatë demonstratave të fëmijëve, ka vendosur të ndërpresë procesin mësimor në disa shkolla derisa një grup ekspertësh të gjejnë një mënyrë për të organizuar arsimin në qytet.


Por qetësia e brishtë nuk e ka zgjidhur aspak gjendjen, e cila mund të precipitojë në një konflikt të ri dhe ndoshta më të madh.


Nermina Durmiq-Kahroviq është bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists