Sistemi Arsimor në Rumani në Krizë

Qindra mijëra fëmijë Rumunë janë tepër të varfër për të shkuar në shkollë

Sistemi Arsimor në Rumani në Krizë

Qindra mijëra fëmijë Rumunë janë tepër të varfër për të shkuar në shkollë

Wednesday, 21 February, 2001

Gjashtëmbëdhjetëvjeçari Petrisor Lazar duket si 40 vjeç. Fytyra e tij është e lodhur dhe e ngrysur, sytë e futur thellë dhe me një shikim të zbrazët nga puna e rëndë ditën dhe natën.


Petrisor ka larë makina në një garazh të ftohtë dhe të qelbur të Bukureshtit që në moshën 13 vjeçare. "Duhet të punoj," më thotë ai, "babai më ka vdekur, nëna është e paralizuar dhe mua më duhet të ndihmoj për të mbajtur familjen".


Petrisor është një nga rreth 400,000 të rinj Rumunë të cilët janë larguar nga sistemi arsimor shtetëror për të punuar, të detyruar nga varfëria.


Statistikat më të fundit zyrtare tregojnë se rreth një e treta e popullsisë prej 22 milion banorë jetojnë nën nivelin zyrtar të varfërisë - shifër kjo tetë herë më e madhe se në vitin 1989. Dhe niveli i varfërisë llogaritet në vetëm 30$ të ardhura në muaj.


Të ardhurat e ulta do të thonë që fëmijët detyrohen të punojnë, ose të mbahen në shtëpi për të ndihmuar aty duke mbajtur fëmijët më të vegjël në mënyrë që prindërit të mund të punojnë. Në disa raste ata nuk mund të shkojnë në shkollë vetëm për arësye se prindërit nuk munden t'u blenë librat, lapsat dhe stilolapsat, drekën apo çizme dimërore.


Numri i largimeve nga shkolla është rritur në përputhje me rritjen e varfërisë. Sipas Ministrisë së Arsimit, që prej vitit 1989, mbi 30 përqind të nxënësve nën moshën 15 vjeçare e lënë shkollën. Rreth 27,000 fëmijë janë larguar nga arsimi fillor dhe i mesëm vetëm në vitin e fundit.


Zonat rurale janë goditur më rëndë, sepse prindërit shpesh nuk i lënë fëmijët të shkojnë në shkollë sepse ata mund t'i ndihmojnë me të korrat apo punët sezonale në bujqësi. Cilësia e arsimit është shpesh e një standarti më të ulët sepse pjesa më e madhe mësuesve nuk pranojnë të punojnë në fshat ku pagat e tyre janë shumë më të ulta se mesatarja prej 80$ për muaj.


"Kjo është një situatë shumë serioze sepse një fëmijë i cili largohet nga shkolla ka shumë pak shanse për të pasur më vonë një punë të paguar mirë," thotë Liliana Preoteasa, nga ministria e arsimit të Rumanisë. "Por shkolla nuk është vetëm një institucion i cili përgatit njrëezit si forcë pune, por ajo luan edhe një rol të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës".


Disa qeveri me rradhë kanë pasur mungesa të burimeve financiare dhe nuk kanë pasur as dëshirën për të ndryshuar këtë gjendje. Gjatë viteve nëntëdhjetë, programet kombëtare për të rinjtë të cilët kanë ndërprerë arsimin e detyrueshëm kanë qenë të shumta. Këto projekte kanë pasur si synim kryesisht kategoritë e rrezikuara (në komunitetet rurale dhe të largëta, zonat e vështira urbane dhe zonat e pakicave etnike). Por ato kanë pasur rezultate shumë të pakta.


"Është vështirë të përballohet fenomeni i largimit nga shkolla sepse nuk kemi burimet e nevojëshme financiare për arsimin," thotë Preoteasa.


Për momentin, Rumania shpenzon vetëm rreth 4 përqind të buxhetit të saj për arsimin, gjysmën e mesatares Europiane. Kjo shumë përfshin edhe një shumë prej 4$ në muaj që u jepet familjeve më të varfëra - një shumë e cila vështirë se mund të mjaftojë për pajisjen e një fëmije për në shkollë.


"Arësyeja kryesore për ndërprerjen e shkollës është se prindërit nuk munden t'u plotësojnë kushtet për arësim," thotë Dorin Zapada, drejtori i shkollës Nr.131, në lagjen Ferenari në Bukuresht.


Njëzet e dy nxënës janë larguar që prej fillimit të këtij viti shkollor. "Shumë nxënës të mirë u shtohen rradhëve të të papunëve, keqbërësve dhe ndoshta kriminelëve," thotë Zapada.


I përballur me pamundësinë e qeverisë së tanishme për të zgjidhur këtë problem, një fondacion, të paktën shpreson të tregojë se në fund të tunelit ka pak dritë. Sorin George, një ish punonjës social, ka filluar katër vjetë më parë një projekt të quajtur Rikthim në Shkollë.


Ashtu siç tregon edhe emri, fondacioni kujdeset për nevojat e fëmijëve të përjashtuar nga sistemi arsimor shtetëror. Sipas ligjit Rumun, kjo gjë ndodh me fëmijët të cilët kanë munguar nga shkolla për më tepër se dy vjet.


"Ne po u ofrojmë 85 fëmijëve arsimin fillor dhe tetëvjeçar. Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga qendrat e strehimit apo fëmijë të rrugës si edhe nga familje shumë të varfëra," thotë George.


Ky projekt paguan shpenzimet të cilat përndryshe janë të papërballueshme nga prindërit. Përveç punësimit të 14 mësuesve, fondacioni u ofron nxënësve edhe librat, mjetet e tjera shkollore dhe ushqim.


Në klasat e fondacionit, fëmijët ndjekin programe të njëjta me atë zyrtar. Niveli i tyre është natyrisht më i lartë se i fëmijëve të tjerë në nivel kombëtar. Ata që arrijnë të marrin diplomën e shkollës së mesme do të kenë mundësinë të shmangin rradhat e gjata të të papunëve dhe të krijojnë një farë të ardhme.


Ionut Maier, 18 vjeç, është shembulli tipik i shumë studentëve këtu. Ionut ka ndërprerë shkollën pasi është arrestuar për vjedhje dhe është dërguar në një shkollë edukimi. Tani që është në klasën e shtatë, ai thotë: "Unë dua të përfundoj shkollën tetëvjeçare, edhe nëse do të më duhet të punojë gjatë ditës me qëllim që të kujdesem për vëllain tim të vogël".


Për shumë si ai nuk ka një shans të tillë të dytë.


Njëmbëdhjetë vjet pas rrëzimit të regjimit komunist, Rumania ende është në kërkim të një mënyrë për të shëruar sistemin e saj arsimor.


E përballur me mungesë fondesh dhe burimesh njerëzore, Rumania ka nevojë urgjente të përmirësojë të gjtiha fushat e arsimit fillor dhe të mesëm përpara se rradhat e mencave falas dhe burgjet të mbushen edhe më tepër me të rinj që kanë braktisur shkollën.


Marian Ciriak është një bashkëpuntor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists