SERBËT E BOSNJES PARALAJMËROJNË REAGIME TË ASHPRA PËR SHKARKIMET E ASHDOWN
Shtohet frika se shkarkimet mund të shkaktojnë një efekt të kundërt nga ai që mendohej.
SERBËT E BOSNJES PARALAJMËROJNË REAGIME TË ASHPRA PËR SHKARKIMET E ASHDOWN
Shtohet frika se shkarkimet mund të shkaktojnë një efekt të kundërt nga ai që mendohej.
Politikanë dhe ekspertë nga Republika Srpska, RS, thonë se bashkëpunimi i serbëve të Bosnjes me gjykatën e krimeve të luftës në Hagë mund të vonohet edhe më tepër, në vend që të përshpejtohet, pas valës së masave ndëshkuese të njoftuara nga Përfaqësuesi i Lartë.
Paddy Ashdown ka shkarkuar më 30 qershor Dragan Kaliniq, kryetarin e parlamentit të RS, dhe kryetarin e partisë më të madhe, Partisë Demokratike serbe, SDS, së bashku me Zoran Djeriq, ministër i brendëshëm.
Ai ka shkaruar gjithashtu edhe 59 zyrtarë të lartë nga postet e tyre, kryesisht anëtarë të SDS, në spastrimin më të madh politik që ka ndodhur në RS që prej njohjes së saj si entitet i Bosnjes në vitin 1995.
Nga këta, 12 janë ndaluar të marrin pjesë në aktivitete politike, ndërsa pjesa tjetër do të lejohen të rifillojnë veprimtarinë e tyre publike pas dorëzimit apo arrestimit të ish presidentit të RS, Radovan Karaxhiq.
Shkarkimet janë dënimi i Ashdown për RS pas dështimit të saj për të arrestuar apo dorëzuar edhe një kriminel të vetëm lufte, gjë e cila ka sjellë edhe refuzimin e NATO-s për të pranuar Bosnje Herzegovinën, BiH, në programin Partneritet për Paqe, PpP, gjatë takimit të NATO-s në Stamboll.
“SDS ka pasur një mundësi të mirë për tu shkëputur nga e kaluara,” ka thënë Julian Braithëaite, drejtori i komunikimit të Ashdown, duke shpjeguar strategjinë pas shkarkimeve.
“me marrjen e këtyre masave, ne shpresojmë që vetë Karaxhiq do të shohë se ai po sakrifikon njerëzit për lirinë e tij,” ka shtuar ai. “RS dhe shteti i Bosnjes po mbahen peng nga Karaxhiq”.
Vetë Përfaqësuesi i Lartë ka thënë se Kaliniq është shkarkuar pas një hetimi mbi cështjet financiare të SDS i cili ka treguar se partia ka vazhduar të financojë indirect kriminelët e luftës, përfshirë edhe Karaxhiq.
“Kaliniq ka qenë i ngarkuar për të siguruar kontrollin e mirë financiar brenda partisë për të mos lejuar mashtrimet, përfitimet dhe veprimet kriminale me fondet e partisë,” ka thënë Ashdown.
“Ka qenë përgjegjësi e tij që të siguronte që partia e krijuar nga Radovan Karaxhiq të mos vazhdojë të financojë atë, sic tregojnë provat, përfshirë një letër të shkruar nga vetë Karaxhiq i cili thotë se vazhdon të gëzojë mbështetjen financiare të SDS”.
Ndërsa për Djeriq, Ashdown ka shpjeguar se ai nuk është shkarkuar “për përfshirje direkte me të kërkuarit e Hagës, por për shkak të përgjegjësisë së tij si ministër për mos arrestimin e tyre”.
Megjithatë, analistët dhe politikanë në RS thonë se ata dyshojnë që spastrimet nuk do të kenë ndonjë efekt pozitiv mbi ritmin e ulët të bashkëpunimit të RS me Hagën, dhe disa prej tyre thonë që këto masa mund të kenë edhe efekt të kundërt.
Tanja Topiq, një analiste politike në Banja Luka për Fondacionin Friedrich Ebert, ka thënë se eksperienca e deritanishme ka treguar se dënimet nuk kanë dhënë ndonjë rezultat.
“Shkarkimet e ndërmarra nga Përfaqësuesi i Lartë, megjithëse të rëndësishme, nuk do të ndryshojnë mendimin e njerëzve për nevojën e bashkëpunimit të plotë me gjykatën e Hagës,” ka thënë ajo.
“Po të kemi parasysh gjithashtu se ky vendim ka tronditur të gjitha institucionet në RS, tani shtrohet pyetja se kush do të arrestojë të kërkuarit nga Haga?”
Një anketim i njerëzve në rrugët e Banja Lukas ka treguar se shumë njerëz të thjeshtë në rrugë kundërshtojnë më me forcë bashkëpunimin me gjykatën pasi kanë marrë vesh shkarkimet e zyrtarëve.
Marko, një shitës, ka thënë se ky lajm e ka lënë atë “të zemëruar, sepse është një provë tjetër që serbët janë gjithnjë fajtorët”.
Pera Gajiq, një pensioniste, ka thënë se “këtu na ka cuar bashkëpunimi me të huajt. Sa më të butë të jemi, aq më tepër na shkelin ata!”.
SDS në pushtet dhe partitë e opozitës në RS janë bashkuar për sa i përket shkarkimeve, duke dënuar vendimin e Ashdown si një sulm ndaj vetë ekzistencës së RS, i cili nuk do të shpejtojë ndryshimet e kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar.
Në një fjalim publik më 30 qershor, pas publikimit të njoftimit, presidenti i RS Dragan Caviq, edhe ai një anëtar i SDS, ka akuzuar Ashdown se ka planifikuar këtë krizë.
“Gjithë këto shkarkime kanë rrezikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë institucionet e RS dhe kanë shkaktuar krizën më të rëndë institucionale,” ka thënë ai.
“Ata të cilët kanë përgatitur këto dënime të rënda duhet të dinë se nuk do të arrijnë stabilitet dhe prosperitet”.
Duke vlerësuar RS për përmirësimin e bashkëpunimit, ai ka thënë se entiteti serb “gjatë dy vjetëve të fundit ka intensifikuar veprimtarinë në përpjekje për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare, vecanërisht duke hapur kapitullin e së kaluarës dhe duke punuar në mënyrë institucionale për të përmirësuar bashkëpunimin me gjykatën e Hagës”.
Caviq javën e kaluar ka mbajtur një fjalim publik të paprecedent gjatë të cilit u ka bërë thirrje serbëve të pranojnë ndodhjen e masakrës se muslimanëve të Bosnjes në Srebrenicë, në Bosnjen lindore, në korrik 1995. Kjo ka qenë e para herë që një zyrtar i lartë i RS ka pranuar krimet e serbëve në lufën e viteve 1992-95.
Opozita e RS, zakonisht një kritike e ashpër e SDS, ka ofruar një mbështetje të fuqishme për qeverinë pas shkarkimeve.
Milorad Dodik, kryetar i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, SMSD, partia kryesore e opozitës, ka thënë se “Opozita do të përpiqet me cdo mënyrë të mbrojë institucionet e RS dhe nuk do të lejojë destabilizimin e mëtejshëm”.
Vetë politikanët e shkarkuar janë shprehur krenarë për të kaluarën e tyre.
“Është dicka e pamendueshme dhe e papranueshme në politikë dhe në praktikën ligjore që dikush të kërkojë arrestimin e kriminelëve të luftës nga një parti politike,” ka thënë Kaliniq.
“Njerëzit janë të pafuqishëm përpara faktit që Radovan Karaxhiq ndoshta ruhet nga Zoti dhe engjëjt, dhe kjo është e vetmja e vërtetë,” ka thënë ish kryetari i SDS.
Shkarkimet kanë shkaktuar probleme të mëdha për kryeministrin e RS, Dragan Mikereviq, i cili ka humbur dy ministra të qeverisë, dhe pikërisht Djeriq dhe ministrin e ekonomisë dhe energjisë, Milan Bogiceviq.
Pas njoftimit të Përfaqësuesit të Lartë, të gjithë deputetët e SDS dhe partisë së saj aleate në qeveri, Partia për Progres Demokratik, PPD, janë larguar nga parlamenti, duke bërë kështu të pamundur vazhdimin e seancave pasi nuk ishte i pranishëm numri minimal i nevojshëm.
Mikjereviq ka thënë se shkarkimet kërcënojnë të cojnë RS në drejtimin e gabuar politik. “Ato mund ta cojnë RS prapa, pra sanksionet mund të cojnë në ndalimin e procesit të reformave,” ka thënë ai më 30 qershor.
Topiq ka thënë se bashkëpunimi i përmirësuar me gjykatën e Hagës dhe arrestimi i kriminelëve të luftës do të jetë edhe më i vështirë gjatë muajve të ardhëshëm, ndërsa entiteti përgatitet për zgjedhjet lokale në muajin tetor.
“Autoritetet e RS janë përpjekur nëpërmjet raporti të komisionit për Srebrenicën të fitojë një amnisti nga Përfaqësuesi i Lartë, por megjithatë, Bosnja nuk u ftua të anëtarësohej në PPP,” ka thënë ajo.
“Ajo nuk ka pasur sukses. Tani, para zgjedhjeve, askush nuk do të dojë të humbasë preferencën e elektoratit serb”.
Gordana Katana njofton për Radion Zëri i Amerikës nga Banja Luka.