THIRRJET PËR BASHKIM ME KOSOVËN SHTOJNË TENSIONET

Pasi zgjedhjet e fundit lokale kanë përfunduar me fitoren e partive më militante shqiptare, janë rishfaqur përsëri zërat për ndryshimin e kufinjve.

THIRRJET PËR BASHKIM ME KOSOVËN SHTOJNË TENSIONET

Pasi zgjedhjet e fundit lokale kanë përfunduar me fitoren e partive më militante shqiptare, janë rishfaqur përsëri zërat për ndryshimin e kufinjve.

Monday, 21 February, 2005

Sveta, një 58 vjeçar serb nga Presheva, po mendon të largohet nga shtëpia e saj në Serbinë e jugut. “Nuk e di se çfarë do të bëjmë dhe ku do të shkojmë,” thotë ai. “Por shteti nuk mund të na japë asnjë ndihmë ekonomike dhe këtu gjërat janë keqësuar shumë”.


Ai synon të largohet nga lagja e banuar kryesisht nga serbët e “Stacionit Hekurrudhor” në Preshevë për në shtëpinë e tij të dytë në Smederevo, në Serbinë e veriut. Por vetëm largimi nga Serbia e jugut nuk do ti zgjidhë problemet e tij. “Cfarë do të bëj atje?” pyet ai. “Unë kam punuar gjithë jetën këtu. Por varfëria është tepër e madhe dhe nuk ka siguri. Serbët nuk kanë të ardhme këtu”.


Sveta është një ndër serbët e shumtë të cilët kanë frikë për të ardhmen e tyre në këtë zonë të largët nga qeveria qendrore, të shkatërruar ekonomikisht dhe të ndarë etnikisht ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, pjesa më e madhe e të cilëve po kërkojnë të bashkohen me Kosovën fqinje.


Fitorja në zgjedhjet e 19 shtatorit nga partitë politike shqiptare të cilat kërkojnë bashkimin e zonës me Kosovën ka shtuar shqetësimet e serbëve se një ditë mund të gjenden në një Kosovë të pavarur dhe të drejtuar nga shqiptarët.


Këto shqetësime duken të pabazuara. Por ndërsa bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës pritet të fillojnë pranverën e ardhëshme – nëse komuniteti ndërkombëtar mendon se Prishtina ka përmbushur një sërë kushtesh deri në atë moment – Serbia po kërkon të luajë një rol në këto bisedime, dhe në rishikimin e kufirit ekzistues ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.


Ragmi Mustafa, kryetar i partisë demokratike shqiptare, PDSH, e cila ka fituar zgjedhjet në Preshevë, ka thënë për IWPR se partia e tij kërkon bashkimin e zonave me popullsi në shumicë shqiptare në Serbinë e jugut me Kosovën, nëse zonat me shumicë serbe të Kosovës veriore lejohen të bashkohen me Serbinë.


Më e madhja prej tyre në Mitrovicën e veriut është e banuar nga rreth 16,000 serbë të Kosovës, dhe nën kontrollin jozyrtar të Beogradit. Komuniteti ka administratën e tij, universitetin dhe spitalin, të cilat kontrollohen nga qeveria serbe.


“Ky rajon do të bashkohet me Kosovën nëse do të ketë ndonjë ndryshim të kufinjve të brendëshëm në Kosovë, që do të thotë nëse Kosova e veriut nuk rikthehet në juridiksionin e Kosovës,” thotë Mustafa.


Rreth 70,000 shqiptarë jetojnë në tre bashkitë kufitare të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, ku përbëjnë edhe shumicën e banorëve. Serbët janë në një pozicion veçanërisht të vështirë në Preshevë, ku numërohen vetëm 3,000 serbë nga rreth 40,000 banorë.


Lëvizja e tre komunave për bashkimin me Kosovën i ka fillesat të paktën 12 vjet më parë. Në mars të vitit 1992, partitë lokale shqiptare kanë organizuar një referendum rajonal për çështjen e “autonomisë politike territoriale me të drejtën për tu bashkuar me Kosovën”.


Votimi nuk ka pasur asnjë fuqi ligjore, por ka ndihmuar në krijimin e axhendës politike në Serbinë e jugut, si edhe ka alarmuar serbët lokal.


Fjalët e ashpra të Mustafës për kufinjtë e rinj janë pritur mirë nga votuesit shqiptarë në Serbinë e jugut.


PDSH ka fituar 15 nga 38 vendet në këshillin lokal të Preshevës më 19 shtator, ndërsa partia më e moderuar për veprim demokratik, PVD, e drejtuar nga Riza Halimi, kryetari i bashkisë së Preshevës që prej vitit 1992, ka fituar vetëm 12 nga 19 vende që kishte më parë.


Nga partitë e tjera, Bashkimi Demokratik i Luginës, BDL, ka fituar gjashtë vende dhe Partia për Progres Demokratik e linjës së ashpër, PPD, pesë.


Shumë banorë vendas mendojnë se arësyeja kryesore për rënien e popullaritetit të partive të moderuara është dështimi i tyre në fushën ekonomike.


“Korrupsioni është i pranishëm kudo në strukturat e pushtetit lokal,” ka thënë një 24 vjeçar ish luftëtar i Ushtrisë Clirimtare të Preshevës Medvegjës dhe Bujanovcit, UCPMB, e cila ka luftuar ndaj forcave policore dhe ushtarake serbe gjatë vitit 2001.


Halimi “ka qenë edhe shërbyesi i Nebojsha Coviq,” ka shtuar djaloshi, duke iu referuar këshilltarit të qeverisë serbe për çështjen e Kosovës, një figurë e urryer nga shqiptarët lokalë.


Akuza për “shitje” ndaj serbëve është e lehtë për t’ju atribuar çdo politikani. Megjithatë, shumë analistë mendojnë se gjendja ekonomike, dhe jo çështja e kufirit, ka qenë arësyeja kryesore e humbjes së Halimit. Nga 40,000 banorë të bashkisë së Preshevës, vetëm 2,500 prej tyre kanë një punë të rregullt.


Ky rrënim ekonomik i ka rrënjët në vitet nëntëdhjetë, kur pjesa më e madhe e fabrikave lokale janë mbyllur dhe qeveria e Sllobodan Millosheviqit favorizonte haptazi serbët në fushën e punësimit. Me rrëzimin e Millosheviq në vitin 2000 dhe arritjen e një marrëveshjeje paqe në vitin 2001, e cila i dha fund konfliktit të shkurtër të armatosur rreth Preshevës, shqiptarët lokal kanë menduar se gjërat do të ndryshonin për mirë.


Por megjithëse komuniteti ndërkombëtar ka ndihmuar disa projekte në rajon që prej asaj kohe, gjendja ekonomike e përgjithëshme nuk është përmirësuar, dhe partitë lokale shqiptare kanë fajësuar veçanërisht qeverinë e Vojisllav Koshtunicës për këtë. Ato thonë se qeveria nuk ka pasur asnjë kontakt me strukturat e pushtetit lokal shqiptar që prej muajit mars.


Ragmi Mustafa ka thënë për IWPR se ai do ta ngrejë çështjen e bashkimit me Kosovën në fushatën elektorale. “Ne nuk mund të fshijmë rezultatet e referendumit të vitit 1992,” ka thënë ai. “Kjo do të thoshte të shkelnim vullnetin e popullsisë shqiptare të këtushme”.


Duke kundërshtuar akuzat për ekstremizëm politik, ai ka thënë se edhe Halimi e kishte përdorur referendumin e vitit 1992 në fushatën e tij, dhe si një “kartë të fshehtë”.


Nuk ka dyshim që lëvizja për bashkimin me Kosovën gëzon mbështetje të gjerë në rradhët e shqiptarëve në Serbinë e jugut.


Orhan Rexhepi, një prej drejtuesve të PPD, e krijuar nga ish luftëtarët shqiptarë ka thënë për IWPR se “Problemi i shqiptarëve në luginën e Preshevës nuk është zgjidhur ende.


“Shqiptarët këtu nuk e kanë njohur kurrë Serbinë si atdheun e tyre”.


Për më tepër shumë parti shqiptare në Serbinë e jugut veprojnë tanimë si pjesë të varura – apo partnere – të partive më të mëdha shqiptare brenda në Kosovë.


PVD e Halimit është e lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK, e cila drejtohet nga presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.


PDSH është e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, të Hashim Thacit, dhe PPD me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, të drejtuar nga Ramush Haradinaj, i cili është emëruar së fundi kryeministër i Kosovës.


Vetëm partia e vogël BDL nuk ka vendosur lidhje të ngushta me ndonjë parti në Kosovë, duke e paraqitur veten si një obsion të moderuar, dhe jo të lidhur me asnjë prej partive në Kosovë.


Fakti që serbët lokalë në Serbinë e jugut tani kanë më pak përfaqësues në këshillat lokale se më parë është një shqetësim tjetër për komunitetin serb.


Partitë serbe kanë humbur shumicën në këshillin lokal në Bujanovc, qyteti më i madh likal në vitin 2002. Në Preshevë, që prej shtatorit, ata do të kenë vetëm një përfaqësues – gjë e cila nuk ka ndodhur më parë.


Stojadin Ivanoviq, një drejtues lokal i Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe, SPO, thotë se ngjitja në pushtet e partive të linjës së ashpër shqiptare ndoshta nuk është diçka e keqe. “Ata ndoshta janë vetëm më të hapur se sa parardhësit e tyre në lidhje me objektivat e tyre,” ka thënë ai për IWPR.


Ivanoviq ka thënë se ai nuk kishte frikë nga ndonjë zhvillim dramatik në rajon, sepse pushteti lokal në fakt ka shumë pak kompetenca. “Natyrisht do të ketë probleme për serbët, por ata kanë pasur probleme edhe më parë,” ka thënë ai.


Nenad Maniq, kryetar i Partisë Demokratike, DS, ka bërë gjithashtu thirrje për qetësi në rradhët e komunitetit të shqetësuar serb. “Unë nuk pres ndonjë radikalizim të theksuar të situatës,” ka thënë ai. “Ne ndoshta do të ecim përpara në rrugën për të cilën kemi rënë dakord me komunitetin ndërkombëtar”.


Rikthimi i një konflikti të armatosur në luginën e Preshevës duket një mundësi e largët. Por ndërsa paqja mbetet ende e brishtë dhe pakënaqësia në rradhët e shqiptarëve shtohet, frika e serbëve lokal për ta ardhmen e tyre në rajon vështirë se mund të pakësohet.


Skënder Latifi është një gazetar në Serbinë e jugut.


Ky artikull është pjesë e një numri special të përgatitur nga gazetarë nga Serbia e jugut të cilët kanë marrë pjesë në një seminar intensiv dy ditor në Nish, të organizuar nga IWPR në tetor 2004, me mbështetjen financiare të ambasadës së Britanisë së Madhe në Beograd.


Ky kurs trajnimi është pjesë e Projektit të Trajnimit të Mediave Ndëretnike në Serbi i cili synon afrimin e gazetarëve serbë dhe shqiptarë.


Ky grup artikujsh synon të hedhë dritë mbi problemet e veçanta të cilat shqetësojnë këtë rajon të lënë pas dore.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists