Mosmarrëveshje Mbi Ligjin e Medias në Maqedoni

Qeveria maqedonase është vënë nën akuza se po planifikon të miratojë një ligj të ashpër për të censuruar shtypin lokal.

Mosmarrëveshje Mbi Ligjin e Medias në Maqedoni

Qeveria maqedonase është vënë nën akuza se po planifikon të miratojë një ligj të ashpër për të censuruar shtypin lokal.

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit media në Maqedoni është zhvilluar dhe shtuar shumë. Radio, TV dhe gazetat e reja janë shtuar dhe qarkullimi i gazetave të përditshme mendohet të jetë rreth 170,000 deri 200,000 kopje në ditë krahasuar me 70,000 deri 80,000 shtatë vjetë më parë. Tani botohen 11 gazeta të përditshme, përfshirë dy shqiptare, një në turqisht dhe dy gazeta sportive. E përditshmja më e re quhet Vest dhe ka filluar të botohet disa javë më parë.


Në fakt kjo rritje e numrit të mediave është një gjë e mirë, por ka edhe probleme siç është, për shembull, fakti që është rritur shumë edhe numri i gazetarëve, pjesa më e madhe e të cilëve nuk kanë trajnimin dhe eksperiencën e nevojshme dhe nuk zotërojnë një kuptim të mirë të çështjeve për të cilat shkruajnë. Gjithashtu nuk ekziston as edhe një vendosmëri institucionale për të promovuar gazetarinë e pavarur që ndeshet në një shoqëri demokratike të vërtetë. Media shpesh është e manipuluar dhe, megjithëse një pjesë e madhe e saj është e pavarur në dukje, ajo është e lidhur me parti apo grupe politike. Rezultati është shpesh një cilësi e dobët dhe shkrime e kronika nacionaliste dhe provokuese.


Për shembull, javët e fundit gazeta e lidhur me opozitën, Utrinski Vesnik, ka botuar artikuj ksenofobë dhe shpifës, ku thuhet se lëshimet e bëra nga qeveria ndaj shqiptarëve etnikë dhe komunitetit ndërkombëtar kërcënojnë integritetin dhe sigurinë e shtetit.


Nga ana e saj, gazeta e kontrolluar nga qeveria, Nova Makedonija, ka botuar insinuata se një drejtues i opozitës ka lidhje të forta me kontrabandistë të njohur droge. Ndërkohë e përditshmja në gjuhën shqipe Fakti ka botuar disa artikuj pa ndonjë provë konkrete, ku thuhet se agjentë serbë kanë organizuar incidentet e kohëve të fundit përgjatë kufirit me Kosovën duke u përpjekur të provokojnë konflikt ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës. Në çdo rast standartet profesionale sakrifikohen në favor të axhendave politike.


Përpara 1993, media ka qenë e rregulluar me anë të shtëpisë botuese shtetërore të administruar nga qeveria Nova Makedonija dhe Televizionit Shtetëror Maqedonas. Tani ministria e informacionit po përgatit një "Ligj për Informacionin", i cili ndoshta do të miratohet nga parlamenti muajin e ardhshëm. Qëllimi i këtij ligji është të vendosë një kuadër ligjor për t'u kërkuar llogari gazetarëve dhe për të garantuar lirinë dhe pavarësinë e tyre - përfshirë gjoba dhe dënime të tjera për raportime joprofesionale.


Megjithëse projekti i ligjit akoma nuk është bërë i ditur, thuhet se ai është bazuar në modelet sllovene dhe holandeze. Organizatat ndërkombëtare si Këshilli i Europës janë ftuar të japin komentet dhe idetë e tyre për këtë ligj. Kjo nuk ka ndaluar mediat maqedonase të akuzojnë zyrtarë të niveleve të larta se po përgatisin një ligj tepër të ashpër. Disa artikuj e kanë krahasuar ligjin e propozuar me atë lloj censurimi që ka vendosur së fundi regjimi i Millosheviqit në Beograd.


Ligji mesa duket nuk arrin të zgjidhë çështjet kryesore dhe pikërisht atë të mungesës së transparencës së qeverisë dhe mundësinë e kufizuar të publikut ndaj këtij informacioni. Sekreti që ka mbështjellë tekstin e ligjit është pikërisht një shembull i kësaj situate. Kjo gjë ka bërë që të shtohen edhe spekulimet e medias. Megjithëse shqetësimet e gazetarëve mund të jenë të ekzagjeruara, ato nuk duhet të lihen jashtë vëmendjes. Media maqedonase shpesh u nënshtrohet ndërhyrjeve politike dhe ky ligj i ri mund të përdoret nga qeveria për të mbyllur gojën e opozitës në këto kohë të ngarkuara politike.


Media gjithashtu thotë se ky ligj duplikon ligjin kriminal ekzistues duke lejuar qeverinë të lëvizë më shpejt dhe të vendosë gjoba financiare për njoftimet joprofesionale të gazetarëve. Kjo mund të jetë e vërtetë, por duhet parë pjesërisht si një përgjigje ndaj një problemi serioz në sistemin juridik maqedonas. Për momentin duhen jo muaj, por vite për të çuar një çështje kriminale në gjykatë.


Si qeveria ashtu edhe media kanë shqetësime të ligjshme, të cilat duhet të gjejnë përgjigje. Natyrisht që nevojiten rregullore për të përmirësuar standartet profesionale të medias, megjithatë një ligj tjetër nuk është ndoshta mënyra më e mirë. Në vend të kësaj, një vetë-rregullore realiste - që të zbatohet dhe monitorohet si duhet - do të mund të rrisë besueshmërinë e medias dhe të shmangë ekseset e tanishme pa i lejuar një kontroll të madh qeverisë.


Tom Hjugs është analist për një organizatë ndërkombëtare i vendosur në Shkup.


Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists