MUNGESË ENTUSIAZMI NË ZGJEDHJET NË BOSNJE

Bosnja po përgatitet pa shumë entusiazëm për zgjedhjet lokale me shqetësimin se pjesëmarrja e votuesve mund të jetë e ulët.

MUNGESË ENTUSIAZMI NË ZGJEDHJET NË BOSNJE

Bosnja po përgatitet pa shumë entusiazëm për zgjedhjet lokale me shqetësimin se pjesëmarrja e votuesve mund të jetë e ulët.

Monday, 21 February, 2005

Qytetarët në Bosnje Herzegovinë do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 2 tetorit, pas një fushate zgjedhore pa shumë zhurmë.


Për herë të parë, kryetarët e bashkive do të zgjidhen në të gjitha bashkitë e vendit dhe Mostari do të votojë për këshillin bashkiak për herë të parë pas bashkimit politik.


Votuesit do të zgjedhin gjithashtu edhe 142 këshilla bashkiake përfshirë edhe ato në Banja Luka dhe rajonin e Brckos.


Por pavarësisht kësaj, fushata zgjedhore është zhvilluar tepër e qetë.


Nuk kanë munguar programet e zakonëshme televizive dhe posterat e partive politike nëpër rrugët e qyteteve. Veçanërisht në Sarajevë, janë vendosur postera dhe fotografi të mëdha të burrave pa flokë dhe disa prej tyre edhe me një pamje të egër.


Një përpjekje e vonuar e autoriteteve rajonale për të shtruar rrugët dhe përmirësuar trotuaret, megjithëse diçka e mirëpritur nga votuesit, nuk ka gënjyer asnjë nga votuesit.


Ekziston shqetësimi se 2.3 milion votuesit në vend nuk po bëhen të interesuar për të votuar.


“Në fund të fundit, nuk ka asnjë rëndësi se kush fiton zgjedhjet,” thotë Mirela Baboviq, një 40 vjeçare, e cila punon si administratore në zyrën e taksave në Sarajevë. “Këta politikanë janë të gjithë njësoj. Cilido që të vijë në pushtet, asgjë nuk ka për të ndryshuar”.


Thënie të ngjashme me këtë mund të dëgjosh me mijëra nëpër kafenetë dhe baret në të gjithë vendin.


Por pavarësisht cinizmit, disa pyetje të rëndësishme do të marrin përgjigje ditën e zgjedhjeve.


A do të mund të përsërisin partitë nacionaliste suksesin e tyre në zgjedhjet e kaluara të përgjithëshme? A do të votojë një numër i madh zgjedhësish? Cilat janë çështjet që shqetësojnë më tepër votuesit?


Në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale në tetor 2002, partitë nacionaliste kanë fituar shumicën në të gjithë Bosnjen.


Tre pozicionet presidenciale sipas përkatësisë etnike janë fituar nga tre partitë kryesore nacionaliste muslimane, serbe dhe kroate. Këto parti kanë siguruar gjithashtu shumicën në parlamentet shtetërore, atë të federatës dhe të Republika Srpska, RS.


Komuniteti ndërkombëtar, në formën e përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje, Lordi Ashdown, është tronditur nga shkalla e suksesit të nacionalistëve por shumë shpejt ka thënë se këto parti kanë ndryshuar që nga ditët e errta të viteve 1990.


Lordi Ashdown ka thënë se ai është i gatshëm të bashkëpunojë me cilindo që pranon të punojë për reformat. Një bashkëpunim më i ngushtë me nacionalistët duket se mund të vendoset së shpejti.


Në zgjedhjet e fundit të përgjithëshme, Partia Social Demokrate progresiste, SDP, e drejtuar nga ministry i jashtëm Zlatko Lagumxhija ka pësuar një humbje të rëndë. Duket se kjo parti ende nuk e ka marrë veten nga humbja.


“Megjithëse ka bërë një fushatë të fuqishme, është e pasigurtë se sa mund të jetë forcuar SDP pas humbjes së saj në vitin 2002, dhe sa besim mund të ketë krijuar elektorati tek ajo,” thotë komentatori politik Senad Slatina. Një situatë e tillë i hap rrugën Partisë Muslimane nacionaliste të Veprimit Demokratik, SDA.


Në RS, Partia e Social Demokratëve të Pavarur, SNDS, pritet të arrijë një rezultat më të mirë ndaj Partisë Demokratike Serbe nacionaliste, SDS. Por vëzhguesit mendojnë se SDS përsëri do të ruajë kontrollin në shumë zona.


Këtë rradhë, Lordi Ashdown është më i përgatitur për të përballuar suksesin e nacionalistëve.


“Komuniteti ndërkombëtar në Bosnje duhet të punojë me ata të cilët zgjidhen nga populli,” ka thënë ai për IWPR. “Nëse predikojmë demokracinë atëherë duhet të zbatojmë parimet tona dhe të pranojmë procesin zgjedhor. Nuk ka rëndësi se si quhen partitë, apo se çfarë etikete kanë, por çfarë bëjnë dhe si veprojnë”.


Një nga arësyet e suksesit të partive nacionaliste në zgjedhjet e përgjithëshme të vitit 2002 ka qenë pjesëmarrja e ulët në zgjedhje. Vetëm 55 përqind e zgjedhësve kanë marrë pjesë në to, 10 përqind më pak se në zgjedhjet parardhëse.


Partitë nacionaliste zakonisht kanë rezultat më të mirë kur pjesëmarrja është e ulët sepse mbështetësit e tyre është më e lehtë të mobilizohen dhe të dalin për të votuar. Pjesërisht për këtë arësye, Partia Radikale nacionaliste Serbe ka arritur të sigurojë një rezultat të mirë në zgjedhjet e përgjithëshme të dhjetorit 2003 në Serbi.


Ndërsa parashikimet janë gjithnjë të rrezikëshme, të gjitha shenjat tregojnë se edhe këtë herë pjesëmarrja do të jetë e ulët.


Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, në Bosnje ka ndjekur nga afër fushatën zgjedhore dhe ka bërë anketimet e saj.


“Vetëm 28 përqind e të intervistuarve në anketimin e fundit kanë thënë se do të votojnë me siguri, 22 përqind kanë thënë se ndoshta do të votojnë, por 32 përqind kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në votim,” ka thënë Trevor Ëilliams, drejtor i Departamentit të Demokratizimit në zyrën e OSBE-së në Sarajevë.


“Një pjesëmarrje e tillë, rreth 50 përqind, do të jetë shumë më i vogël se sa në zgjedhjet e kaluara lokale katër vjet më parë kur pjesëmarrja ka qenë rreth 65 përqind. Një pjesëmarrje e ulët në votim do të jetë një zhgënjim i madh për Bosnjen dhe procesin politik në vend”.


Po të flasësh me njerëz të ndryshëm në Bosnje, problemi më i rëndësishëm për të cilin flasin ata është punësimi.


Shifrat e papunësisë janë në rreth 40 përqind dhe ekonomia vazhdon të ketë probleme, duke mos treguar ndonjë shenjë të vërtetë përmirësimi dhe shkëputje nga varësia e ndihmës financiare ndërkombëtare.


Ndërsa çështja e punësimit dhe ekonomia dominojnë fushatën, ka edhe çështje të tjera politike të veçanta për rajone të ndryshme të vendit.


Në RS, vazhdon përplasja ndërmjet SDS dhe SNSD. SNSD ka arritur fitore të mëdha në zgjedhjet e fundit të përgjithëshme dhe mund të përsërisë rezultatin e mirë. SDS është e përfshirë në një luftë të brendëshme për pushtet ndërsa presidenti i RS Dragan Caviq përpiqet të ruajë kontrollin mbi partinë duke shmangur përfaqësuesit e linjës së ashpër.


Në Mostar, këto do të jenë zgjedjet e para për këshillin e bashkuar bashkiak që pas shkrirjes së dy bashkive nga Lordi Ashdown në muajin janar.


SDA dhe Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, do të përpiqen të sigurojnë kontrollin mbi këtë qytet. Në fakt është arritur një farë progresi për afrimin e këtyre dy partive por kjo do të tregohet vetëm pas numërimit të votave dhe kur dy partitë të fillojnë të bisedojnë seriozisht për krijimin e qeverisë lokale.


Në rrethin e Brckos, këto do të jenë zgjedhjet e para lokale që prej krijimit të tij në mars të vitit 2000. Këshilli i ri bashkiak do të ketë përgjegjësi të cilat në rajone të tjera mbahen në nivel kantonal, të entitetit apo shtetëror. Mbikqyrësja ndërkombëtare për Brcko, Susan Johnson, u ka bërë thirrje votuesve të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë për autoritetet të cilat “do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën tuaj”.


Problemi më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve është nëse zgjedhësit mund të binden për tu përfshirë në procesin politik. Shenjat nuk janë shumë të mira. Një pjesëmarrje e ulët është mundësi reale dhe edhe pas krijimit të këshillave të reja bashkiake, ekzistojnë pikpyetje nëse ato do të jenë në gjendje të arrijnë ndonjë rezultat për shkak të mungesës së fondeve.


Mungesa e fondeve është një problem aq imediat saqë bashkitë kanë thënë se nuk kanë fondet e mjaftueshme për të paguar anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit për këto zgjedhje.


Por ka edhe disa shenja pozitive për të ardhmen. Lidija Karac, anëtare e komisionit shtetëror të zgjedhjeve, mendon se sistemi i ri i zgjedhjes direkte të kryetarëve të bashkive, mund të ndihmojë në procesin politik.


“Kjo do të shtojë përgjegjësinë e kryetarëve të bashkive në kryerjen e detyrave të tyre ndaj qytetarëve më tepër se sa ndaj partive politike të cilat përfaqësojnë. Sistemi i kryetarëve të zgjedhur të bashkive jep një mundësi të mirë që qytetarët e Bosnjes të përmirësojnë jetën politike në bashkitë e tyre dhe në këtë mënyrë edhe cilësinë e jetës së tyre,” ka thënë ajo.


Dhe votuesit kanë shumë mundësi për të zgjedhur. Në këto zgjedhje janë regjistruar 68 parti politike me 27,400 kandidatë, prej të cilëve 800 janë për postet e kryetarëve të bashkive dhe komunave. Tani mbetet vetëm që zgjedhësit të vendosin zgjedhjen e tyre.


Nick Hawton është korrespondenti i BBC për Ballkanin me qendër në Sarajevë.


Africa, Balkans
Frontline Updates
Support local journalists