Dyshimi Mbi Besnikërinë e Policisë Serbe

Konfuzioni rreth çështjes se cili e kontrollon policinë serbe shton atmosferën e tensionuar në Beograd.

Dyshimi Mbi Besnikërinë e Policisë Serbe

Konfuzioni rreth çështjes se cili e kontrollon policinë serbe shton atmosferën e tensionuar në Beograd.

Tuesday, 6 September, 2005

Revolucioni jugosllav është rrezikuar të mbytet këtë javë kur zyrtarë të qeverisë serbe dhe politikanë besnikë të presidentit të larguar Sllobodan Millosheviq filluan një rimëkëmbje.


Kryeministri serb Mirko Marjanoviq, besnik i Millosheviqit, lajmëroi më 11 Tetor se ka marrë nën kontroll forcat e ministrisë së brendshme serbe, MUP.


Kjo deklaratë është bërë vetëm dy ditë pasi Vlajko Stojiljkoviq kishte dhënë dorëheqjen nga posti pas deklaratave të opozitës se ai planifikonte të shtypte demonstratat masive, të cilat sollën në pushtet Vojisllav Koshtunicën.


Sipas kushtetutës jugosllave, presidenti federal ka shumë më pak pushtet dhe influencë se qeveria republikane, ende e dominuar nga besnikët e Millosheviqit.


Deklaratat e Marjanoviqit kanë koinciduar me një ndërprerje të bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të Partisë Socialiste të Millosheviqit, SPS, dhe Opozitës Demokratike të Serbisë, DOS. Ata duket se kanë mohuar një marrëveshje të arritur më parë për të organizuar zgjedhjet republikane në dhjetor.


Agjencitë e lajmeve njoftuan gjithashtu se autoritetet serbe kanë planifikuar të rimarrin nën kontroll televizionin shtetëror serb dhe radion, të cilat janë vendosur nën kontrollin e DOS-it më 5 tetor.


Presidenti Koshtunica e ka përshkruar situatën e sigurisë në vend si "tepër komplekse". Ai u ka bërë thirrje forcave të ministrisë së brëndshme të vihen nën urdhërat e qeverisë së re jugosllave.


Politikani i njohur i DOS-it Zoran Gjingjiq tha më 10 tetor se ai beson se opozita kontrollon një pjesë të madhe të forcave të policisë, por ai ka paralajmëruar se Millosheviq dhe aleatët e tij ende kontrollojnë shërbimet e sigurimit të shtetit. Gjingjiq deklaroi se policia sekrete ka rifilluar survejimin e niveleve të larta politike dhe aktivitetet e përgjimit.


Ngacmimet nga ana e policisë ndaj aktivistëve të opozitës duket se kanë rifilluar prapë. Shoferi i Gjingjiqit, Cedomir Jovanoviq u arrestua më 10 tetor nga tetë oficerë policie dhe u ndalua për dy orë.


Gjingjiq tha se marrja nën kontroll e policisë dhe aparatit të MUP-it është një "çështje e nxehtë" dhe mund të kërkojë kohë. Ndërkohë ai ka vënë re se publiku nuk do të tolerojë asnjë përpjekje nga ana e tyre për të vepruar kundër administratës së re.


Por pyetja se cili e kontrollon policinë mbetet pa përgjigje. Ditën që Millosheviqi u rrëzua, oficerët e policisë kanë qëndruar kryesisht të paanshëm, edhe ata nga njësitë speciale elitë anti-terror. Disa u bashkuan me demonstruesit, por shumë prej tyre thjesht janë kthyer në baza.


Zyrtarisht policia është nën kontrollin e MUP-it, e cila ende drejtohet nga SPS-ja e Millosheviqit.


"Fakti që njësitë e policisë nuk donin të qëllonin mbi qytetarët nuk do të thotë se ata janë automatikisht nën kontrollin e opozitës," ka paralajmëruar një burim i lartë nga policia. "Ata ende janë nën urdhërat e autoriteteve serbe."


Më 6 tetor DOS-i njoftoi se shtabe krize ishin ngritur në të gjitha qytetet kryesore të Serbisë dhe do të merrnin nën kontroll njësitë lokale të policisë. Por për të bërë këtë hap opozita duhet të marrë nën kontroll ministrinë e brendshme nga SPS-ja.


Një nga drejtuesit e DOS-it Dragoljub Miçunoviq tha më 11 tetor se opozita kishte kërkuar nga qeveria serbe të hiqte dorë nga drejtimi i ministrisë së brendshme me qëllim që të vendosej rendi dhe ligji në të gjithë vendin.


"Ne nuk duam kontrollin e policisë për të arrestuar njerëz," tha ai. "Në këtë kaos që mbizotëron, nëse donim të bënim këtë gjë, do ta bënim më lehtësisht pa ndihmën e policisë."


Një burim i lartë i MUP-it ka thënë se policia kishte në plan të kufizonte aktivitetin e saj në detyrat rutinë, si kontrollin e trafikut dhe kapjen e kriminelëve, deri në zgjidhjen përfundimtare të krizës politike.


Oficerët kanë qëndruar kryesisht në hije menjëherë pas revolucionit - dhe kur ata filluan të patrullonin nëpër rrugë përsëri këtë javë nuk kishte ndonjë shenjë të pajimeve luftarake karakteristikë të kohës së Millosheviqit.


Drejtuesi i Bashkimit Social Demokrat të opozitës Zarko Kovaç ka paralajmëruar se Millosheviq dhe njerëzit pranë tij po përpiqen aktivisht të parandalojnë krijimin e qeverive federale dhe republikane për të krijuar idenë se në vend mbizotëron kaosi dhe anarkia.


Këto taktika, ka thënë Koraç, janë menduar për të legjitimuar thirrjet e SPS-së për ushtrinë dhe policinë për të ndërhyrë dhe shpëtuar vendin nga mungesa e rendit dhe rregullit të shkaktuar nga opozita. Por një burim i lartë i policisë ka thënë se shanset që oficerët të dëgjojnë këto kërkesa janë shumë të "pakta". Pjesa më e madhe e oficerëve, ka thënë ai, "nuk duan të marrin pjesë në asnjë gjë që do të rëndonte situatën edhe kështu të tensionuar."


Istvan Molnar është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists