Partneri i Krimeve të Karaxhiqit
Momçillo Krajisnik, i arrestuar të hënën nga trupat e NATO-s, është figura politike më e lartë e kapur nga Gjykata e Hagës.
Partneri i Krimeve të Karaxhiqit
Momçillo Krajisnik, i arrestuar të hënën nga trupat e NATO-s, është figura politike më e lartë e kapur nga Gjykata e Hagës.
I hyrë në politikë si një drejtor i panjohur i një firme në Sarajevo në vitin 1990, Krajisnik u bë një nga serbët më me influencë në Bosnje.
Njerëz të cilët e kanë njohur atë përpara hyrjes në skenën politike e kujtojnë si një fermer të sjellshëm, i cili ngrihej që në mëngjes herët, ushqente bagëtinë, dhe pastaj shkonte në punë në një nga fabrikat e koncernit të madh socialist në Sarajevo, Energoinvest.
"Për 14 vjet që kam qenë drejtuesi i tij, ai nuk ka qenë asnjë herë me vonesë për takimin e megjesit me kafe në 5.30 me drejtorin," thotë shefi i atëhershëm i Krajisnikut.
Pas zgjedhjeve të para shumë partiake në Bosnje në vitin 1990, të fituara nga partitë serbe, boshnjake dhe kroate, krajisnik u bë Kryetar i parlamentit boshnjak.
Miqësia e tij personale me drejtuesin e atëhershëm të Partisë Demokratike Serbe, SDS, Radovan Karaxhiq, e ndihmoi për të marrë këtë post. Të dy ishin bërë miq të ngushtë në vitet tetëdhjetë pasi kishin kaluar një vit në burg për mashtrim financiar.
Tani Krajisnik dhe Karaxhiq janë të akuzuar për genocid dhe krime kundër njerëzimit. Por për shkak se Karaxhiq duket se është larguar nga Bosnja, Krajisnik ka mundësi të përballet me akuzat i vetëm.
I rritur në rrethinat e Sarajevos, Krajisnik konsiderohet të ketë pasur një njohje të mirë të mentalitetit të muslimanëve të Bosnjes. Udhëheqësi boshnjak i luftës, Alija Izetbegoviq, preferonte të negocionte me atë. Karaxhiq ishte shumë agresiv.
Edhe pasi Sarajevo u vendos nën rrethim, Krajisnik pati bisedime sekrete me Itebegoviqin në rrënojat e parlamentit.
Ndërsa Karaxhiq, i cili rridhte nga një familje e varfër dhe merrte një pagë modeste doktori përpara luftës, ishte i tërhequr nga paratë, Krajisnik e konsideronte paranë si një mjet për të shtrirë influencën.
Megjithëse teknikisht ai nuk ishte aq i fuqishëm sa Karaxhiq, ai u bë shumë i fuqishëm pasi morri nën kontroll forcën policore dhe ekonominë.
Fuqia e tij u duk për herë të parë në maj 1993, kur ai me shumë zotësi manipuloi parlamentin e RS për t'i dhënë një goditje të turpshme Sllobodan Millosheviqit, udhëheqësi i padiskutueshëm i serbëve në atë kohë.
Megjithëse Karaxhiq kishte premtuar se parlamenti do të pranonte planin e paqes Vens-Ouen, duke ftuar udhëheqësin serb për të marrë pjesë në këtë ngjarje, Krajisnik me zotësi arriti të bindë anëtarët e parlamentit të mos pranonin planin. Që nga kjo kohë ai filloi të thirrej me emrin Z. Jo.
Mendohet se dënimi i Krajisnik do të jetë një detyrë shumë e vështirë. Në ndryshim nga shumë drejtues të lartë serb, Krajisnik nuk ka bërë asnjë herë deklarata luftënxitëse gjatë konfliktit.
Edhe Izetbegoviq e ka trajtuar Krajisnik në mënyrë më të butë se kolegët e tij. Emri i tij, për shembull, nuk është përmendur kurrë për krime lufte.
Krajisnik është ndoshta i vetmi udhëheqës serb i Bosnjes i cili nuk është fotografuar në fushë betejat apo duke parakaluar në qytetet e "çliruara". Ai duket se ka qenë më i shqetësuar me marrjen e punëve sa më fitimprurëse.
Gjatë bllokadës ekonomike të Serbisë për Republika Srpska në vitin 1994, Krajisnik dhe vëllai i tij Mirko u bënë tregtarët më të fuqishëm të karburanteve dhe municionit. Ata kanë blerë rezerva në mënyrë të paligjëshme në Serbi dhe kanë shitur në RS, duke nxjerrë fitime të mëdha.
Në të njëjtën kohë, ai të jepte idenë e një njeriu paqësor. Për një farë kohe shumë nga negociatorët e huaj e konsideronin atë si udhëheqësin e pasluftës të serbëve të Bosnjes.
Megjthatë, Millosheviq nuk i besonte Krajisnikut. Gjatë Konferencës së Dejtonit në SHBA Millosheviq e lejoi atë të shihte marrëveshjen vetëm dhjetë minuta para përfundimit të bisedimeve.
"Kur më në fund pamë rezultatet, ne thamë se askush nuk kishte të drejtë të pranonte ato në emër tonë," ka thënë Krajisnik, i cili më pas u dorëzua para presionit të Beogradit dhe e pranoi marrëveshjen.
Edhe më pas, Krajisnik ka vazhduar të pasurohet duke marrë nën kontroll kontrabandën e cigareve dhe importimin e materialeve të ndërtimit.
Në periudhën pas-Dejtonit, zyrtarët ndërkombëtarë kanë insistuar për largimin e Krajisnik nga skena politike si një nga kushtet për përfshirjen e vazhdueshme të SDS në drejtimin e RS.
Ai më pas u detyrua të largohej nga politika pas një fushate anti-korrupsion të Biljana Plavsiq, në janar 1998. Pas kësaj ai ka kaluar shumicën e kohës në shtëpinë e tij në fshat në Arqangjelovac në Serbi, të cilën e bleu gjatë luftës.
Arrestimi i tij ka provokuar një stuhi politike në RS ku partitë akuzojnë njëra tjetrën për përfshirje në arrestimin e tij.
Zyrtari i lartë i SDS-së, Mirko Banjac, ka deklaruar se kryeministri i Republika Srpska, Milorad Dodik, kishte dijeni për këtë arrestim.
Në të njëjtën kohë, partia ultra-nacionaliste Radikale Serbe ka akuzuar se Krajisnik është akuzuar ndoshta në bashkëpunim mëe zyrtarët e lartë të SDS-së.
Megjithatë, akuzat e dyanëshme janë ndoshta të pabaza dhe kanë më tepër të bëjnë me fushatën e brendëshme politike për zgjedhjet lokale që po afrohen.
Burime të besueshme pranë Krajisnik deklarojnë se ai e dinte se ishte në listën e Hagës për të dyshuarit për krime lufte. SFOR thuhet se është përpjekur ta arrestojë atë nga fundi i vitit të kaluar. Që prej asaj kohe ka pasur edhe dy përpjekje të tjera.
Në fakt ai ishte i frikësuar për arrestimin, saqë kishte filluar të përgatiste një ekip avokatësh mbrojtës.
Krajisnik ka thënë një herë se serbët e akuzuar nga Haga ishin heronj dhe jo kriminelë lufte. Tani që është pas hekurave do të ketë kohë të mendojë për këtë ndryshim.
Zheljko Cvijanoviq është gazetar i pavarur nga Republika Srpska.