RUMANI: AKUZA PËR NJË CENSURË TË RE NDAJ SHTYPIT
Gazetarët e një gazete të njohur kanë akuzuar punëdhënësit e tyre për ndërhyrje editoriale.
RUMANI: AKUZA PËR NJË CENSURË TË RE NDAJ SHTYPIT
Gazetarët e një gazete të njohur kanë akuzuar punëdhënësit e tyre për ndërhyrje editoriale.
Calin Hera, një gazetar i vjetër rumun, e kujton ende shumë mirë se si ai dhe kolegët e tij të gazetës së njohur të përditëshme Evenimentul Zilei kanë punuar shumë gjatë viteve për të botuar artikuj investigativë, të cilët paraqesin shkelje të ndryshme të ligjit nga qeveria.
Tani ai është një njeri i zhgënjyer, sepse ai mendon se media e ka humbur aftësinë e saj për të nxitur debate publike në lidhje me shkeljet dhe abuzimet me pushtetin.
“Ne jemi përpjekur të bëjmë të vetëdijshëm publikun për atë që bëjnë drejtuesit e tyre,” thotë Hera. “Por kërcënimet në rritje, presionet politike dhe veprime të tjera armiqësore ndaj mediave të pavarura më bëjnë të ndjehem i shqetësuar për të ardhmen”.
Hera përmend shembullin e gazetës ku ai punon, duke thënë se ai është i shqetësuar për pavarësinë e saj editoriale pas dorëheqjes së drejtorit Cornel Nistorescu në fillim të muajit.
Gazetarët e Evenimentul Zilei thonë se Nistorescu, i njohur për pavarësinë e tij, ka dhënë dorëheqjen për shkak të ndërhyrjeve të shumta editoriale nga pronarët e gazetës, grupi zviceran, Ringier.
Gazetarët thonë se pronarët e tyre zviceranë i kanë kërkuar Nistorescut të pakësojë kritikat ndaj Partisë Social Demokrate në pushtet dhe qeverisë së tyre në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 nëntorit, kur Romania do të përfundojë edhe bisedimet për anëtarësim në BE.
Nistorescu, i cili vazhdon të jetë i punësuar nga Evenimentul Zilei, ka refuzuar të komentojë, duke thënë se kontrata e tij nuk i lejon të kritikojë aksionerët e kompanisë.
Thomas Landolt, drejtues i Ringier Rumani, thotë se ankesat e gazetarëve për ndërhyrje në politikën redaksionale janë të pabazuara. Grupi nuk ka ndërhyrë asnjëherë në pavarësinë editoriale të gazetës, ka thënë ai.
Landolt ka thënë se Ringier vetëm ka diskutuar për strategjinë me ekipin drejtues të gazetës për të ndryshuar mënyrën e paraqitjes së informacionit në faqet e gazetës, e cila kërkonte disa ndryshime, përfshirë edhe rregullimin e punës në dhomën e lajmeve.
Evenimentul Zilei nuk është e vetmja gazetë rumune ku stafi thotë se pronarët e tyre kanë ndërhyrë në politikën redaksionale.
Muajin e kaluar, stafi i një tjetër gazete të përditëshme, Romania Libera, ka akuzuar pronarët e gazetës, kompaninë gjermane Ëestdeutsche Allgemeine Zeitung, ËAZ, se ka bërë presion që gazeta të jetë më pak kritike ndaj PSD-së në pushtet.
“Gjermanët kanë kërkuar artikuj mbi mënyrën e jetesës në Rumani në vend të artikujve për PSD. Ata gjithashtu kanë kërkuar vazhdimisht botimin e artikujve më pozitiv,” thuhet në një letër proteste, të nënshkruar nga pjesa më e madhe e gazetarëve të kësaj gazete.
“Kjo lloj përfshirjeje po intensifikohet më tepër në prag të zgjedhjeve, kur zgjedhësit kanë nevojë për më tepër informacion,” thuhet në letër.
Ashtu si edhe pronarët zviceranë të Evenimentul, drejtuesit e ËAZ thonë se qëllimi i tyre nuk është të ndërhyjnë në linjën editoriale të gazetës por të shtojnë qarkullimin.
Në një njoftim për shtyp, ËAZ ka thënë se ata nuk kanë ndaluar asnjëherë botimin e ndonjë artikulli dhe nuk kanë ndryshuar asnjëherë përmbajtjen e ndonjë artikulli. Në përgjigje të ankesave se grupiështë përpjekur të ndryshojë gazetën duke i dhënë formën e një tabloidi, përfaqësuesit e ËAZ kanë thënë se kompania dëshiron që Romania Libera të mbetet një gazetë cilësore.
Askush nuk kundërshton seriozisht të drejtën e pronarëve të rinj të një mediaje të përpiqen të sigurojnë fitim maksimal nga biznesi i tyre. Por mbështetësit e mediave lokale tremben se një tendencë për ta mbajtur larg gazetën nga politika në favor të asaj që disa e quajnë “info-argëtim” përbën një kërcënim të fshehtë afat gjatë për lirinë e shtypit.
“Ndikimet politike dhe ekonomike janë diçka e zakonëshme në median rumune të ditëve të sotme dhe kanë një pasojë direkte në politikën editoriale,” thotë për IWPR, Georgiana Ilie, analiste e mediave në Qendrën për Gazetarinë e Pavarur në Bukuresht.
Ilie thotë se kontrolli mbi shpërndarjen e reklamave për kontratat e qeverisë përbën një kërcënim të veçantë duke goditur financat e gazetave.
Autoritetet rumune blenë faqe reklame në gazeta për të botuar çështjet e qeverisë – duke filluar nga zyrat e postave në kantieret e ndërtimit të anijeve, aeroportet dhe turizmin – dhe për të reklamuar vende pune dhe tendera të ndryshëm.
Këto reklama zyrtare mund të përdoren si një armë e fuqishme – sepse blerja e hapësirës së reklamës mund të përcaktojë mbijetesën apo falimentimin e mediave, veçanërisht ato të shtypit lokal të cilat janë më të dobta financiarisht.
Një shembull i mirë se si heqja e favoreve zyrtare, në formën e reklamave, mund të ndikojë në gjendjen financiare të gazetave, jepet nga Evenimentul Zilei.
Të ardhurat nga reklamat shtetërore kanë rënë nga 500,000 euro në vitin 2003 – të cilat kanë qenë rreth 20 përqind e shumës së përgjithëshme të reklamave – në pothuajse zero gjatë këtij viti. Kjo rënie e theksuar është e lidhur kryesisht me mbulimin kritik të gazetës për partinë në pushtet në prag të fushatës zgjedhore të këtij viti.
Qeveria, natyrisht, nuk i pranon ankesat se favoritizmi politik ndikon mbi zgjedhjen e gazetave ku ajo reklamon. “Nuk është detyrë e qeverisë të drejtojë mënyrën e ofrimit të reklamave në media,” thotë Despina Neagoe, një zëdhënëse e qeverisë.
Por vëzhguesit e huaj pranojnë ankesat e një pjese të shtypit në Rumani, se zyrtarët rumunë ushtrojnë një presion të fshehtë ekonomik mbi median nëpërmjet ndarjes së reklamave.
Raporti më i fundit i Komisionit Evropian mbi anëtarësimin e Rumanisë në BE ka kritikuar mungesën e një angazhimi për lirinë e shtypit nga ana e autoriteteve. Raporti, i publikuar më 6 tetor, ka vlerësuar progresin e Rumanisë drejt një demokracie të lirë por ka thënë, se “disa probleme strukturore mund të ndikojnë realizimin praktik të lirisë së shprehjes.
“Shumë organizata mediash nuk janë ekonomikisht të qëndrueshme dhe ekzistenca e tyre mund të varet nga mbështetja e interesave politike apo të biznesit”.
Raporti thotë se shteti rumun ka toleruar akumulimin e borxheve të mëdha nga kompanitë më të mëdha të mediave, përfshirë edhe pjesën më të madhe të televizioneve private.
“Një situatë e tillë mund të dëmtojë pavarësinë editoriale, dhe studimet e monitorimit të mediave kanë vënë re se lajmet e stacioneve televizive janë shumë më pak kritike ndaj qeverisë se sa ato të shtypit të shkruajtur,” thuhet në raport. Në përfundim, raporti ka përmendur edhe rastet e zyrtarëve lokal të cilët kanë përdorur pozicionet e tyre publike për të dhënë kontrata reklamash. Në raport thuhej gjithashtu se vetëm pak raste të dhunës ndaj gazetarëve janë sjellë para drejtësisë.
Dhuna, forma më e rëndë e kërcënimit të mediave, mbetet ende e lartë në Rumani. Sipas Agjensise së Monitorimit të Mediave, të paktën 29 gazetarë janë kërcënuar apo sulmuar që prej fillimit të vitit 2004, krahasuar me 16 sulme të ngjashme në vitin 2003.
Gazetarët ankohen gjithashtu se ligjet për paditë ndaj gazetarëve janë shumë të pafavorëshme dhe e bëjnë të lehtë hedhjen në gjyq nga politikanët apo zyrtarët. Ata kërkojnë që qeveria të zbatojë rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe të heqë fyerjen nga kodi penal, si një hap drejt pakësimit të fuqisë së ligjeve shtrënguese për tu mbyllur gojën gazetarëve të cilët bëjnë detyrën e tyre.
Marian Chiriac është një bashkëpunëtor i IWPR i vendosur në Bukuresht.