SERBËT VENDOSIN TË REBELOHEN

Një numër gjithnjë e më i madh serbësh janë gati të marrin armët dhe të rrëzojnë regjimin e Millosheviqit.

SERBËT VENDOSIN TË REBELOHEN

Një numër gjithnjë e më i madh serbësh janë gati të marrin armët dhe të rrëzojnë regjimin e Millosheviqit.

Tuesday, 6 September, 2005

Mbi një e treta e popullsisë në Serbi janë të përgatitur të përdorin forcën për të larguar presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq, sipas një prej studimeve të pavarura më të besueshme në republikë gjatë viteve të fundit.


Rezultatet e publikuara së fundi të anketimeve të kryera në shtator dhe dhjetor të vitit të kaluar nga tre shoqata të rëndësishme serbe, tregojnë se numri i njerëzve që janë në favor të një ndryshimi radikal dhe të shpejtë të qeverisë është rritur gjatë tre vjetëve të fundit.


Rezultatet e një studimi të fundit nga Instituti me influencë për Studime Strategjike dhe të Medias priten të publikohen në fillim të muajit prill. Treguesit paraprakë tregojnë se shifrat janë edhe më të këqija për qeverinë.


Studimet nga Qendra për Studim të Alternativave dhe Institutit të Shkencave Sociale në Beograd, të cilët së bashku kanë anketuar rreth 4,000 persona, kanë treguar se 35 për qind e popullsisë kërkojnë përdorimin e forcës për të sjellë ndryshime në qeverisje. Vetëm tre për qind kanë qenë në favor të ruajtjes së gjendjes së tanishme.


Dy të tretat e të anketuarve kanë shprehur pakënaqësi me ata në pushtet. Vetëm 4 përqind mendojnë se qeveria e presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq ka bërë një punë të mirë.


Megjithatë Millosheviqi mund të ngushëllohet me faktin se pak nga të anketuarit kanë shprehur besim tek opozita.


Të pyetur se si mund të zgjidhet kriza e tanishme, 20 përqind kanë kërkuar një kryengritje popullore, 16 përqind besonin se sistemi do të shkatërrohet vetë dhe vetëm 17 përqind mendonin se ndryshimet do të vijnë nëpërmjet zgjedhjeve.


Shumë prej atyre që ishin të gatshëm të përdorin dhunën, të ashtuquajtur "radikalë" janë studentë të universiteteve apo shkollave të mesme, punonjës të sektorit privat dhe të papunë.


Gjysma e të anketuarve vazhdojnë të kërkojnë ndryshime graduale. Megjithëse të pakënaqur dhe pa besim tek institucionet politike, ky grup nuk është i përgatitur të rrezikojë vendin e punës apo të ndajë familjen për çështje politike.


Ata janë quajtur "kalorës të lirë", njerëz të cilët dëshirojnë ndryshimet, por presin që të tjerët të rrezikojnë për ta - duke u përfshirë vetëm kur të ketë dalë shumica dhe të mmos ketë shumë rrezik.


Sociologu Dr. Stjepan Gredelj mendon se kjo nuk duhet të habisë askënd. "Të marrësh pjesë në demonstrata do të thotë të rrezikosh. Kur popullsia mezi mbijeton, frika e përfshirjes në konfrontime është e kuptueshme."


Protestat pothuajse të përditëshme të studentëve në kuadër të lëvizjes Otpor, Rezistenca, mbështesin thëniet e studiuesve se numri i atyre që përkrahin qëndrimin radikal është rritur që prej muajit dhjetor.


Shkaktari kryesor për këtë është regjimi i Millosheviqit. Qeveria ka përdorur gjithnjë e më tepër dhunën për të konsoliduar pozitat e saj. Gazetarët janë nën kërcënimin për t'u vrarë, politikanët e opozitës po etiketohen si "tradhtarë" dhe media e pavarur si "mercenare" e armiqve të Serbisë.


Analisti politik Dr. Zoran Stojiljkoviq argumenton se aprovimi i Ligjit të Informacionit është një shembull i qartë i praktikave represive. "Masat drakoniane të inkuadruara nën Ligjin e Informacionit janë ndërmarrë për të krijuar frikë dhe për të ndërprerë krijimin e opinionit demokratik," thotë Stojiljkoviq.


Megjithatë Gredelj mendon se këto masa janë kundër-produktive. "Përdorimi i shkopinjve të gomës dhe bajonetave vetëm sa provokon reagime të dhunëshme. Ata që nuk kanë asgjë për të humbur bëhen shumë të rrezikshëm."


Ndërmjet serbëve të thjeshtë është përhapur frika e shpërthimit të konfrontimeve të dhunëshme ndërmjet regjimit dhe protestuesve opozitarë. Por parashikimet e ekspertëve politik janë të ndryshme.


Stojiljkoviq mendon se regjimi do të zgjedhë një formë më të "butë" konflikti, duke shfrytëzuar mekanizmat e represionit shtetëror, policinë dhe sistemin gjyqësor për të kompromentuar kundërshtarët politik. Ai mendon se kjo fazë do të vërë në provë durimin e opozitës dhe gatishmërinë e saj për t'u ndeshur me regjimin.


Stojiljkoviq mendon se qeveria e Millosheviqit do të përdorë konfliktin e hapur vetëm nëse këto masa nuk arrijnë të qetësojnë opozitën.


Megjithatë Dr. Vladimir Goati i Institutit të Shkencave Sociale në Beograd është më pak optimist. Ai beson se Millosheviqi planifikon të nxjerrë jashtë ligjit opozitën. Autoritetet dhe rivalët e tyre, sipas Goatit, do të shndërrohen në dy blloqe të kundërta, të gatëshme për t'u ndeshur në çfarëdo mënyre "përveç se para kutive të votimit".


Historiani Dushan Batakoviq mendon gjithashtu se frika e njerëzve për një luftë civile është me vend. Ai thotë se konflikti do të shpërthejë nëse qeveria humbet në zgjedhje. "Qeveria është vënë me shpatulla pas murit, disa nga anëtarët e saj janë në listat e Hagës dhe të tjerët janë të përlyer në korrupsion. Do të ishte e paimagjinueshme për ta të mbijetonin në çdo sistem tjetër ligjor. Pra, është krejtësisht logjike që ata do t'i drejtohen armëve."


Vesna Bjekiq është gazetare nga Beogradi.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists