Shpresa të Reja për të Afërmit e të Zhdukurve

Teknikat e analizave të DNA-së mund të ndihmojnë në identifikimin e shumë viktimave të masakrës së Srebrenicës.

Shpresa të Reja për të Afërmit e të Zhdukurve

Teknikat e analizave të DNA-së mund të ndihmojnë në identifikimin e shumë viktimave të masakrës së Srebrenicës.

Almada Alihoxhiq, gjashtëdhjetëvjeçare, akoma po kërkon për tre djemtë e saj të zhdukur pasi trupat serbe morën nën kontroll Srebrenicën në korrik 1995.


Ata kanë qenë ndër 8,000 njerëzit e deklaruar si të humbur pas pushtimit të qytetit të mbrojtur nga OKB-ja në verilindje të Bosnjes. Pjesa më e madhe e tyre mendohet të jenë vrarë.


Deri më sot vetëm 2,000 viktima të masakrës janë gjetur. Megjithatë pak progres është arritur në identifikimin e trupave të tyre. Tani një projekt i ri, një bashkëpunim ndërmjet organizatave ndërkombëtare dhe atyre lokale, mund të përbëjë një arritje të madhe.


Shkencëtarët do të përdorin teknika të analizave të DNA-së për të përcaktuar se të kujt janë trupat. Ky projekt i ri ka mbushur me shpresë familjet e të zhdukurve.


"Thellë në veten time e ndjej se ata ndoshta janë ndër trupat e nxjerrë deri tani. Nëse është kështu, unë dua të informohem me saktësi, me qëllim që t'i varros si duhet," thotë Almasa, ndërsa sytë e saj nuk tradhëtojnë aspak nga vitet e dhimbshme që ka kaluar.


Që prej vitit 1996, 2,000 trupa janë nxjerrë nga varre të shumta individuale dhe masive në fshatrat aty pranë të Kravica, Pilica, Lazeta dhe Nova Kasaba, ndërsa trupa të tjerë janë gjetur edhe në afërsi të fshatrave Vrtaca, Suljici, Jelah dhe Podubje.


Autoritetet i kanë vendosur si trupat ashtu edhe pjesët e mbetura nga njerëzit në tunele në një qendër përkujtimore në Tuzla. Ky fakt ka zemëruar shumë të afërmit e të zhdukurve.


Thuhej se identifikimi i atyre çka ka mbetur nga viktimat e Srebrenicës do të ishte përtej mundësive të ekspertëve lokal dhe atyre ndërkombëtarë. Llogaritet se operacioni për identifikimin e fragmenteve të kockave do të kërkonte disa qindra miliona dollarë dhe mbi 50 vjet kohë për t'u përfunduar.


Edhe kur hetuesit kanë gjetur dokumenta personale pranë trupave, si, për shembull, në rastin e zhvarrimit të një varri masiv pranë fshatit Kravica në 1996, asnjë nga personat nuk u identifikua.


Shkencëtarët kishin shpresuar se zbulimi i trupave me shenja karakteristika do të lehtësonte procesin e identifikimit. Por kjo nuk ka ndodhur në shumë raste.


Në një rast, për shembull, hetuesit kanë gjetur trupin e një burri me një këmbë protezë dhe dhëmbë të vënë. Ata mendonin se identifikimi do të ishte diçka e thjeshtë, por zbulimi i dy trupave të tjerë me të njëjtat karakteristika ka komplikuar këtë detyrë.


Rasti u zgjidh vetëm kur një i afërm arriti të përshkruante me shumë saktësi dhëmbët e vënë të viktimës.


Problemet u bënë edhe më të mëdha kur u zbuluan "varret e dyta" në vitin 1998. Me ndihmën e buldozerëve, ekzekutorët ishin përpjekur të mbulonin provat e krimeve të tyre duke lëvizur trupat. Makineritë e rënda kanë shkatërruar shumë kufoma, duke e bërë akoma më të vështirë detyrën e bashkimit të kufomave.


Almasa Alihoxhiq dhe disa mijëra nëna të tjera janë organizuar në disa shoqata që kërkojnë identifikimin e kufomave dhe varrimin e duhur të tyre. Ato kërkojnë që trupat të cilat janë të vendosura nëpër thasë të hiqen nga tunelet e qendrës përkujtimore , e cila, sipas tyre, është një ofendim i dinjitetit njerëzor.


Projekti i përbashkët ndërmjet Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur, ICMP, dhe autoriteteve boshnjake ka shtuar shpresat për suksesin e procesit të identifikimit.


ICMP-ja, e drejtuar nga ish senatori amerikan Robert Doll, po përkrah përpjekjet e shkencëtarëve lokalë dhe atyre të huaj për të përdorur analizat e DNA-së - duke krahasuar DNA-në e kufomave dhe pjesëve të mbetura nga trupat me mostrat e gjakut të marrë nga të afërmit e njerëzve të zhdukur - në mënyrë që viktimave të Srebrenicës t'u vihen emrat.


Anëtarët e familjeve të të gjithë personave të humbur - rreth 100,000 njerëz - shumë shpejt do të fillojnë të japin një mostër gjaku për t'u analizuar jashtë vendit. Laboratorët boshnjakë që janë më pak të specializuar do të përqëndrohen në mbetjet e trupave të zhvarrosur. Projekti i përbashkët pritet të zgjasë nga 5 deri 7 vjetë. Ndërkohë trupat mund të varrosen.


Dr. Rifat Kesetoviq, i cili drejton ekipin që po punon për viktimat e Srebrenicës, thotë se kur ai ka filluar punën ishte tepër i shqetësuar për sfidën e madhe që kishte përpara, por tani është optimist. "Për herë të parë tani, unë besoj se mund t'i japim fund këtij procesi."


Nermina Durmiq-Kahroviq është asistente profesore e gazetarisë në Universitetin e Tuzlas.


Frontline Updates
Support local journalists