SERBI: HUMBASIN SHPRESAT E INDUSTRISE SE SHEQERIT

Rafineritë e sheqerit dhe fermerët e panxhar sheqerit përballen me vështirësi ekonomike për shkak të bllokimit të eksporteve nga ana e BE.

SERBI: HUMBASIN SHPRESAT E INDUSTRISE SE SHEQERIT

Rafineritë e sheqerit dhe fermerët e panxhar sheqerit përballen me vështirësi ekonomike për shkak të bllokimit të eksporteve nga ana e BE.

Vendimi i Bashkimit Europian për të zgjatur ndalimin mbi importet e sheqerit nga Serbia dhe Mali i Zi pritet të ketë pasoja të rënda mbi sektorin bujqësor në vend.


100,000 fermerët të cilët kultivojnë panxharin e sheqerit do të goditen më rëndë dhe ata do të jenë viktimat e pafajëshme të një mashtrimi që është organizuar me eksportimin e paligjshëm të sheqerit të blerë nga vendet e tjera.


Vendimi do të dëmtojë planet për të bërë industrinë e rafinerimit të sheqerit një prej industrive të rëndësishme në ekonominë e Serbisë, sepse, në gjendjen e sotme, ajo nuk mund të rivalizojë me importet.


Delegacioni i Komisionit Europian, në Beograd ka njoftuar më 8 shkurt se ndërprerja e lehtësirave për tregtimin e sheqerit në vendet e BE do të vazhdojë edhe për gjashtë muaj të tjerë deri në muajin Gusht.


Ky ndalim është vendosur fillimisht në maj të vitit të kaluar, kur Komisioni Europian vendosi të veprojë për të ndaluar një mashtrim me anë të së cilit eksportuesit serbë kishin importuar sheqer me cmime të ulta nga vende të tjera, dhe duke e ripaketuar atë si prodhim të vendit e shitur në tregjet e BE-së, kanë siguruar fitime prej miliona dollarësh.


Në vitin 2000, Bashkimi Europian, BE, ka hapur tregun e tij për sheqerin e prodhuar në vendet e ballkanit perëndimor duke ulur detyrimet doganore. Kjo masë është marrë kryesisht për të ndihmuar Serbinë, duke i dhënë një frymëmarrje të re rafinerive pas depresionit ekonomik gjatë viteve të sundimit të Millosheviq, duke shtuar kështu edhe kërkesën për prodhuesit e panxharit të sheqerit.


Industria e sheqerit ka qenë në gjendje të rëndë për shkak të viteve të mungesës së investimeve në sektorin e rritjes së panxhar sheqerit dhe në atë të rafinerive. Për këtë arësye sheqeri i prodhuar në Serbi ka qenë dhe vazhdon të jetë me kosto më të lartë se ai importuar në mënyrë të paligjëshme që hyn kontrabandë në vend.


Lehtësimet e BE janë planifikuar për ti lejuar industrisë të investojë për të krijuar një industri konkurruese dhe me prodhimtari më të madhe.


Eksportet për në BE janë rritur menjëherë nga zero në vitin 2000, në 350,000 ton përpara se marrëveshja speciale të ndërpritej.


Por e gjithë kjo nuk vazhdoi shumë kohë. Në maj të vitit 2002, zyrtarët e BE kanë paralajmëruar shërbimin doganor të Jugosllavisë se marrëveshje për kushte speciale po keqpërdorej nga tregtarë të paskrupullt – të cilët mendohej se siguronin fitime deri në 70 përqind në kurriz të taksapaguesve europianë.


Ndërkohë, zyra anti mashtrim e BE, OLAF, ka vënë re se ata të cilët duhet të përfitonin – fermerët lokal – në fakt ishin lënë më një anë nga tregtia e paligjëshme e sheqerit të importuar.


Ndalimi për një periudhë tre mujore, dhe më pas zgjatja me gjashtë muaj në gusht të vitit 2003, kanë ardhur pasi kërkesat e BE për Beogradin që ai të përmendte me emër dhe të dënonte kompanitë të cilat kanë mashtruar, nuk janë dëgjuar.


Zgjatja e ndërprerjes së statusit special është shoqëruar me një thirrje të BE “që Serbia dhe Mali i Zi duhet të ndërmarrin veprime të menjëherëshme për të rivendosur besimin në origjinën e mallrave të tyre” – një shenjë e qartë kjo se edhe kur kanë kaluar nëntë muaj, nuk është bërë ende sa duhet.


Megjithatë, vetëm një javë përpara vendimit të 8 shkurtit, zyrtarët serbë kanë lënë të kuptohet se ky problem pak a shumë ishte zgjidhur.


Më 20 janar, komisioneri i Komisionit Europian, Chris Patten i ka dhënë kryeministrit serb Zoran Zivkoviq atë që mund të quhet edhe një paralajmërim përfundimtar për të zgjidhur problemet “menjëherë, pa humbur kohë dhe në mënyrë përfundimtare”. Në një letër dërguar kryeministrit thuhej se hetimet e përbashkëta të OLAF dhe ministrisë së brendëshme të Serbisë kishin “dhënë prova të qarta të shkeljeve në shkallë të gjerë”.


Zivkoviq është përgjigjur duke thënë se problemet në shërbimin doganor të cilat kanë cuar në abuzimin e sistemit do të ndreqen brenda një jave. Dhe zëvendës ministri i brendëshëm Nenad Miliq ka thënë se policia nuk ka zbuluar asnjë rast të ri të parregullsive në eksportin e sheqerit.


Natyrisht që është arritur një farë progresi – është miratuar një legjislacion i ri i cili ka sjellë tarifat lokale në një linjë me ato të BE, dhe Serbia e Mali i Zi kanë ngritur një zyrë të përbashkët doganore e cila do të lëshojë certifikata të origjinës për mallrat. Ministria e jashtëme e Serbisë ka ofruar gjithashtu informacion OLAF mbi 150 kompanitë tregtare “fantazëm”.


Por është bërë fare pak për të identifikuar ata të cilët kanë qenë përgjegjës për mashtrimin me eksportet e sheqerit.


Në fillim të muajit shkurt, drejtuesi i departamentit të krimit ekonomik në ministrinë e brendëshme, Vuksan Stojanoviq, ka thënë se kontrollet ndaj 54 firmave të tregtisë së sheqerit kanë treguar vetëm një rast të ripaketimit të jashtëligjshëm.


Ky bllokim bën që tetë rafineritë e sheqerit të cilat janë ende në punë shumë shpejt mund të mbyllen. Pa lehtësirat e ofruara nga BE, sheqeri i përpunuar nuk ka një treg të huaj, dhe nuk mund të shitet as në vend sepse sheqeri i importuar nga jashtë është më i lirë. Meqënëse pjesa më e madhe e fitimeve të cilat duhet të sigurohej prej këtyre kompanive ka shkuar për tregtarët e paligjshëm, ata nuk kanë mundur të investojnë në përmirësimin e teknologjisë dhe uljen e kostos së prodhimit.


Ekonomistët janë të shqetësuar se këto fabrika përpunuese mund të mbyllen një herë e përgjithmonë. Disa pronarë privatë kanë filluar të mendojnë për ti shitur ato.


Në një kohë kur nuk kanë blerës, fermerët e panxhar sheqerit – të përqëndruar në provincën veriore të Bojvodinës – do të detyrohen të lënë pa mbjellë fushat e tyre. Sidoqoftë, ata nuk mund të fillojnë mbjelljet sepse ata zakonisht marrin pagesa paradhënie nga fabrikat e përpunimit për të blerë farën e nevojëshme për mbjellje.


Fabrikat e përpunimit nuk kanë nënshkruar kontrata me fermerët për vitin 2004 në pritje të vendimit të BE. Si rezultat, thotë Milan Prostran, sekretar i Dhomës së Tregtisë dhe Bujqësisë së Serbisë, kontratat e përfunduara deri më tani mbulojnë një sipërfae prej vetëm 50,000 hektarë, gjysma e asaj që është mbjellë vitin e kaluar.


“Pronarët e fabrikave të sheqerit thonë se ata nuk mund të eksportojnë sheqerin, kështu që nuk kanë fonde të financojnë mbjelljen e panxharit,” thotë Prostran, i cili parashikon që prodhimi do të bjerë në mënyrë të ndjeshme gjatë këtij viti.


Shumica e fermerëve nuk janë paguar ende për vitin e kaluar, dhe duke mos parë ndonjë mundësi për të nxjerrë fitim, ata thjesht do ti lenë fushat djerë. Kjo do të jetë një goditje e rëndë për ta sepse edhe ashtu ata janë varfëruar shumë vitet e fundit.


“Unë nuk do të mbjell panxhar sheqeri këtë vit, sepse nuk ka fitim,” thotë Petar Milovanoviq nga fshati Boljevci në Vojvodinë. “Unë nuk kam marrë ende paratë për panxharin e sheqerit që kam furnizuar vitin e kaluar”.


“Nuk e di se cfarë të mbjell këtë vit, sepse nuk kam asnjë kursim për të blerë farat dhe plehrat e nevojshëm për mbjelljen e pranverës, dhe shteti nuk po na bën asnjë lehtësi, si për shembull ndonjë kredi me kushte lehtësuese”.


Rënia e pritëshme e prodhimit do të ndikojë edhe në pjesë të tjera të ekonomisë. Industria e prodhimit të ëmbëlsirave – e konsideruar si një prej sektorëve më të suksesëshëm të ekonomisë – mund të detyrohet të importojë sheqer. Dhe kjo do tu kushtojë fonde në monedhë të huaj, të cilën këto kompani kanë vështirësi të sigurojnë, pasi pjesa më e madhe e prodhimit shitet në tregun e brendëshëm.


Ratomir Vasiljeviq, ish drejtor i Jugosecer, shoqata e industrisë së sheqerit, paralajmëron se Serbia e cila dikur eksportonte sheqer mund të shndërrohet në një vend importues.


Ky do të jetë një lajm i keq për prodhuesit të cilët, vetëm dy vjet më parë, kanë marrë një raport të shkruar nga Jugosecer dhe shoqta e sheqerit të Francës ERSUC, i cili parashikonte që Serbia mund të shtonte prodhimin vjetor deri në një milion tonë, duke lënë kështu një sasi të madhe për eksport pas plotësimit të nevojave të vendit prej rreth 300,000 tonë në vit.


Skandali i eksporteve dhe bllokimi i mëvonëshëm i vendosur nga BE kanë dëmtuar rëndë këto shpresa për momentin. Dhe nëse qeveria nuk arrin të vendosë gishtin mbi disa fajtorë brenda gjashtë muajve të ardhëshëm, dëmi ndaj industrisë së sheqerit mund të jetë i përherëshëm.


Jelica Putnikoviq është një gazetare me të përditëshmen Vesti në Beograd.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists